Nga Gentian Cala

Media apo kushdo që ju kritikon nuk është “histori qensh” Kryeministër, ndaj kafsho gjuhën dhe përmbahu. Ti nuk je aty të përbaltësh të tjerët, ta shfrytëzosh median që pastaj të projektosh gjithë mllefin te “armiku” yt imagjinar. Retorika tuaj e ditëve të fundit duket se shigjeton zërat kritikë. Herë me sebepin e panik-përhapjes dhe herë me arsyetimin e pasqyrimit jo të duhur, ju keni akuzuar dhe përçmuar median, duke përdorur madje edhe epitete të papërshtatshme.

Ju sot, para kamerave të medias, në Kuvend, thatë se media i ka shtuar një hall popullit, por media nuk ka qenë gjatë këtyre ditëve halli i qytetarëve, por shpresa e tyre dhe mundësia e tyre për informim. Skenat, ku qytetarët ju afrohen gazetarëve dhe i qajnë hallin, kërkojnë ti intervistojnë apo ti dokumentojnë gjendjen e tyre, kanë qenë të shumta, në të gjitha televizionet. Ata i besojnë medias dhe e kanë përdorur median si dritare. Media është halli yt, se përtej atyre që thoni ka pasur shumë probleme, të cilat ju nuk do të donit që të bëheshin publike.

Kryeministër juve nuk ju ndihmon aspak armiku juaj imagjinar, ndaj ndalni sulmet kundër medias, ndalni mbylljet e portaleve apo ndalimin e njerëzve të medias. As mos mendoni se gjendja e jashtëzakonshme e katastrofës natyrore justifikon qasjen tuaj. Nëse problemin e ke me opozitën, me kritikën, apo me ata që nuk pajtohen me ju, drejtohuni atyre dhe jo një pushteti të ndërmjetëm si media, ajo nuk mund të fajësohet për raportimet që nuk janë “fake”. Ju më shumë se kushdo keni zaptuar median gjatë këtyre 10 ditëve dhe do të duhej ti falenderoje ata po sa ministrat e qeverisë tuaj.

Ju vazhdoni të jeni patetik dhe arrogant, i pamësuar me kritikat, ky është problemi juaj dhe mesa duket je toleruar vazhdimisht për këtë. Sikur t’ju bojkotonin mediat qoftë edhe një ditë, do të kuptonit se sa e vështirë do të ishte për ju. Ju keni bërë shumë që ti përdorni ato, ti vini në shërbimin tuaj, por këto vlejnë në kohë normale, por nuk vlejnë aspak në një situatë jonormale si kjo e ditëve të fundit. Kazani, qentë, qenefi, a ku ta di unë si, ka qenë i duruar me ju, se po tu bënë bashkë kundër, pushtetit tënd do ti vinte fundi shumë më shpejt.

Media nuk është halli i popullit, por janë halli yt Z.Rama!