Gentian Çala: “STABILITETI MBYTËS”

Nga Gentian Çala

“STABILITETI MBYTËS”

Në Shqipërinë e pas viteve 90-të, mungesa e përvojës me sistemin e ri demokratik dhe izolimi i zgjatur prodhuan një tranzicion të vështirë, shpesh herë me përthyerje apo kriza të forta, ku një prej kulmeve është kaosi i vitit 97.

Ngjarjet politike dhe lufta e ashpër politike ndërmjet kahjeve të ndryshme të saj, ku shpesh herë tentohej asgjesimi i kundërshtarit politik, kushtëzuan konceptimin e partnerëve europianë dhe amerikanë për demokracinë shqiptare si lis një klasë politike me potencial të lartë të destabilitetit të brendshëm.

Ballkani ka qenë i trazuar në tre dekadat e fundit dhe nevoja për stabilitet të brendshëm të vendeve të tij ka qenë mjaft e madhe. Konfliktet në ish-Jugosllavi, posaçërisht në vendet ku kishte shqipëtare, si Kosova apo Maqedonia, kërkonin me çdo kusht që Shqipëria të ishte një vend i stabilizuar politikisht.
Fqinjët tanë si Italia dhe Greqia ishin mjaft të interesuara për stabilitetin e Shqipërisë, kryesisht për shkak të problemeve që u krijonte një Shqipëri e trazuar në çështjet e sigurisë dhe humanitare (trafikim dhe emigracion).

Pra stabiliteti politik ishte kryefjala e diplomacisë në raportin me Shqipërinë. Kjo ishte shpesh herë e ndërtuar në kurriz të standarteve demokratike që vendoseshin apo arriheshin nga klasa politike. Diplomacia e huaj bënte pakte me aktorët politikë edhe kur ato kishin tendenca për të grumbulluar pushtet apo kur shkelnin parimet themelore të një shteti demokratik. E gjitha në emër të stabilitetit, mesa duket krizat prodhonin më shumë probleme për ta sesa qeverisjet me probleme të shumta.

Kjo prirje ka qenë mjaft e dukshme në vitet e fundit, megjithëse procesi i integrimit europian vendoste edhe piketat e një shteti që duhet të përmbushë standarte. Gjithësesi, tendenca e uzurpimit të shumë pushteteve, të zgjedhjeve problematike, të mpleksjes së qeverisë me krimin, të trafiqeve, të cilat karakterizuan Rilindjen dhe qeverisjen e saj, jo gjithmonë u goditën nga ndërkombëtarët apo përfaqësuesit e tyre. Diplomatët e atashuar në Shqipëri shpesh herë iu mbyllte syrin qeverisë dhe dekurajonin aksionin opozitar.

Stabiliteti dhe progresi të bëra bashkë do të ishin ideale për një vend që zhvillohet. Për fat të keq te ne është shpenzuar shumë energji për të ruajtur stabilitetin edhe kur ky nuk ka prodhuar progres ose kur janë bërë hapa mbrapa. Ne jemi në një atmosferë të tillë tani, ku mbyllen sytë para një qeverisje aspak efikase, të korruptuar, të molepsur me krimin, e cila ka prodhuar probleme jo të pakta në fushën e sigurisë, e cila po zhbën sistemin e drejtësisë në emër të një pseudoreforme, por ndërkombëtarët heshtin. Ndoshta kjo jo vetëm për shkak të nevojës për stabilitet, por edhe interesa të një pjese prej tyre.

Ky stabilitet mbyt, ai në fakt ka prodhuar përkeqësim të disa indikatorëve të demokracisë, të përmendur në disa raporte të organizmave ndërkombëtarë nga të dyja krahët e oqeanit Atlantik. Ky stabilitet po vret shpresën dhe njerëzit po ikin. Në fakt, ai nuk po prodhon asgjë të mirë. Pushteti i një Kryeministri me kaq shumë probleme nuk mund të prodhojë progres, madje edhe stabiliteti i ngjan një ene të mbuluar që është duke vluar.

Zërat që duan ndryshim janë shtuar dhe aksioni opozitar duket më koherent. Ata po e thonë përditë se kjo status quo po rrënon Shqipërinë. Masat parandaluese dhe antikrizë duhen vënë në lëvizje. Unë nuk besoj që dikujt i duhet ta çojë Shqipërinë drejt një krize të thellë politike, e cila duket më afër se kurrë. Lajmet për histori me spiunë rusë, apo lajmet nga fqinjët për ndërhyrje ruse dëshmojnë se mund të ketë edhe te ne influenca destabilizuese.

Alternativa e një stabiliteti të rremë duhet të jetë parandalimi i krizës. Duhet një zgjidhje e re politike, e mbështetur edhe ndërkombëtarisht. Opozita duhet dëgjuar për të gjitha çështjet. Ikja e Kryeministrit mund të shtensionte politikën, i hapte rrugën zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, dekurajonte të gjithë elementët kriminalë rreth pushtetit dhe do të vinte në lëvizje mekanizmat qeverisës. Pushteti i një njeriu apo i një grupi njerëzish të dalë nga udha e demokracisë do të vazhdojnë ta frenojnë progresin dhe do të cënojnë stabilitetin.

Ne jemi në një pikë kritike, ku stabiliteti mund të prodhohet vetëm nga ndryshimi. Ai nuk duhet të mbysë, por ti japë frymëmarrje demokracisë, prosperitetit dhe progresit.

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al