Gianni De Biasi është gjithmonë aty, sa herë që një klub italian kërkon trajner.

Ish-timonieri i kombëtares shqiptare është ende pa kontratë dhe kjo e bën një profil mjaft të pëlqyer për shumë skuadra që janë në kërkim të një trajneri. Së fundmi, De Biasi po lakohet në shtëpinë e Genoas, e cila besohet të heq dorë nga Aurelio Andreazzoli. Vetëm 5 pikë në 8 javë kampionat janë shumë pak për objektivat e Genoas.

Por, 63 vjeçari nuk është emri i vetëm që po qarkullon në klubin e Prezioson. Në tavolinën e presidentit ndodhen edhe emrat e Gennaro Gattuso apo dhe Thiago Motta. Gjithsesi, De Biasi shihet se favoriti kryesor për të marrë frenat e skuadrës që mbyll klasifikimin e Seria A edhe pse fillimisht duhet që të shkarkohet Andreazzoli.

Pak ditë më parë, De Biasi u përfol se do të merrte drejtimin e Sampdorias, por në atë rast humbi duelin me Claudio Ranierin, i cili e nisi me barazim 0-0 ndaj Romës eksperiencën te klubi tjetër xhenovez.