Niveli në rritje i ndotjes nga mbetjet mikroplastike po rrezikon biodiversitetin e Mesdheut. Një projekt italian që prej gjashtë vitesh ka skanuar edhe ujërat e Shqipërisë apelon për marrjen e masave urgjente dhe shmangien e lëndëvë të pariciklueshme si plastika.

Deti Mesdhe përballet me një emergjencë reale për arsye të ndotjes nga lëndët plastike dhe mikroplastike.

Nivelet e larta të ndotjes po kërcënojnë gjallesat bimore e shtazore, në Shqipëri e më gjerë.

Apelin për marrjen e masave e kanë bërë ekspertë biologë të cilët prej vitit 2013 analizojnë ujërat anekënd Mesdheut në kuadër të projektit “Mediterranea”.

Nisma e mbështetur nga ministritë, institucionet kulturore, detare dhe ushtarake në Itali ka siguruar një hartë të ndotjes nënujore në Mesdhe e cila nis nga Deti i Zi në lindje deri në Oqeanin Atlantik.

Ekspertët kanë gjetur sasi të mëdha mbetjesh plastike, veçanërisht në shtratin e zonave ku ndeshen rryma rrotulluese nga rrjedhat e kundërta ujore.

Shumë prej këtyre mbetje grimcohen me kalimin e kohës duke u kthyer në mikroplastika, të cilat më pas konsumohen nga peshqit e vegjël dhe përfundojnë deri në zinxhirin ushqimor të njeriut.

“Prodhimet pastike në botë rriten me 9 për qind çdo vit. Po të jetë e mundur, duhet të kthehemi sërish te përdorimi i qelqit, pasi ai edhe mund të riciklohet,” thekson specialisti i biologjisë detare, Adriano Madona.

Konkluzionet e ekspertëve u paraqitën në një konferencë që u mbajt në qytetin italian të Napolit.

Folësit përmendën edhe pasojat që ndryshimet klimatike sjellin te biodiversiteti i Mesdheut, duke thënë se në ujërat e Siçilisë tani gjenden alga që më parë rriteshin vetëm në ujërat tropikalë.