Arinjtë polarë po terrorizojnë rusët që jetojnë në një ishull të largët të Arktikut. Më shumë se 50 arinj janë shfaqur në qytet. Autoritetet lokale kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, pasi kafshët kanë hyrë nëpër zona të banuara, madje edhe nëpër pallate. Pavarësisht rrezikut që ju kanoset, qytetarët janë paralajmëruar se do të përballen me ligjin nëse gjuajnë arinjtë, pasi janë specie të rrezikuara.

Një zyrtar lokal tha se qytetarët kanë frikë të dalin nga banesat dhe jeta e tyre e përditshme është kthyer tashmë në makth. “Prindërit po tregohen të kujdesshëm nëse do t’i çojnë fëmijët në shkollë apo në kopësht“, tha ai.

Ky është rasti më i keq që ishulli ka përjetuar, kur një numër kaq i madh i kafshëve të rrezikshme zaptojnë qytetin. Disa specialistë janë dërguar në zonë dhe kanë këshilluar banorët si të sillen dhe si të reagojnë në situata të tilla.