Familjarë, miq e bashkëpuntorë kryen homazhe në ambientet e Akademisë së Shkencave në nder të akademikut Salvatore Bushati, i cili u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë në moshën 70 vjeçare.

Akademik Salvatore Bushati mund të konsiderohet si “babai” i gjeofizikës dhe gravimetrisë shqiptare. Ai ka drejtuar grupin kërkimor shkencor në studimet eksperimentale mbi mundësitë e përdorimit të metodave gjeofizike në kërkimin e mineralit të kromit në Shqipëri.

Studimet e tij u konkretizuan me projektime e zbulime të shumta të kromit në Shqipëri. Në vitin 1981 krijon dhe drejton Departamentin e Kërkimeve Krahinore Gjeofizike dhe Gjeokimike dhe ndërmerr kryerjen e disa studimeve, që kryheshin për herë të parë në Shqipëri.

Gjatë viteve 1995–1999, drejton Qendrën e Kërkimeve Gjeofizike, Gjeokimike dhe të Mjedisit, të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, duke e fuqizuar atë në një institucion bashkëkohor. Në vitin 2008 zgjidhet anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ndërsa në vitin 2010 anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe Arteve, Austri.