Gjesti i ministrit Bushati, Kejdi Mehmetaj: Porosi e Ramës, nuk pati asnjë provokim nga opozita

Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kejdi Mehmetaj, ishte e ftuar në studion e ‘Fax News’, ku ka folur për gjendjen e jashtëzakonshme të protestës së opozitës në seancën e djeshme në Kuvend. Sipas saj, parlamenti nuk mund të funksionojë kur nuk respektohen rregullat, apo kur rregullat nuk respektohen njësoj për të gjithë. “Ne i dërguam Byrosë Politike të Kuvendit një letër, duke kërkuar marrjen e masës maksimale sipas rregullores për atë që fyeu popullin. Të krahasosh qytetarët shqiptarë me organin gjenital të mashkullit nuk mund ta bësh në kafe e jo më në foltoren e parlamentit”, është shprehur ndër të tjera në fjalën e saj deputetja Mehmetaj, e cila tregoi për nisjen e aktit të opozitës dhe atë që ndodhi më pas. “Kryetari i PD, Lulzim Basha, kërkoi që Edi Rama të përjashtohet nga parlamenti dhe të nisnin të gjitha procedurat për të liruar nga burgu protestuesit kuksianë. Po arroganca nuk ka kufij, kur Rama thoshte nën zë, e të gjithë e kanë dëgjuar: “Keni për të parë se çfarë do t’ju bëj”. Çfarë mund t’i bëjë ai opozitës? Ai nuk mund t’i bëjë asgjë opozitës!”, vijoi më tej ajo. Ndërkohë, në lidhje me agravimin e situatës pasi ministri Bushati hodhi ujë mbi opozitën, Kejdi Mehmetaj tha se ishte provokim i pastër.

Opozita ka hedhur ujë dhe miell në drejtim të qeverisë. Si e komentoni këtë situatë të krijuar tanimë në Kuvendin e Shqipërisë?

Në Parlament nuk mund të ketë seanca normale, në momentin që parlamenti nuk kryen detyrat e tij kushtetuese. Ai duhet të jetë i barabartë për të gjithë, duhet të japë të njëjtat shanse për të gjithë ne, po ashtu sikurse edhe rregullat dhe procedurat e parlamentit, të cilat duhet të zbatohen te të gjithë deputetët, qofshin këto edhe pjesë e kabinetit qeveritar. LSI i ka drejtuar Byrosë së parlamentit një letër javën e kaluar, ku ka kërkuar përjashtimin e Edi Ramës për shkak të fjalorit të tij vulgar të përdorur, duke i ofenduar qytetarët, duke i krahasuar ata me organet gjenitale të një mashkulli. Kjo është e papranueshme për një Kryeministër. Por, Byroja e drejtuar nga mercenarët e Edi Ramës nuk e dha vendimin si duhej, madje duke thënë që ajo ishte vetëm një poezi, duke i ofenduar në këtë mënyrë për herë të dytë qytetarët. Opozita, në këtë mënyrë, ka parë se nuk mund të ketë më vazhdimësi normale të parlamentit, qoftë edhe të jetës politike në vend, nëse nuk lirohen edhe të 11 të burgosurit e Kukësit. Ne nuk mund të mbyllim sytë dhe të bëjmë sikur s’ka ndodhur asgjë. Këto qytetarë janë në burg pa bërë asgjë, pa pasur asnjë fakt. Për këtë arsye, ishte kreu i PD-së, z. Basha, i cili bëri një kërkesë për përjashtimin e Ramës nga parlamenti dhe ky i fundit të marrë të gjithë aksionin e tij politik për të liruar këta të burgosur. Por, arroganca nuk njohka kufi, edhe kur ka përpara një popull të xhindosur. Kemi një qeveri, një pozitë, e cila tallet dhe bën ironi me opozitën, duke kërcënuar dhe ofenduar. Reagimi im dhe i kolegut tim të LSI-së nuk ishte i yni i pari, por ministri që përgjigjet për marrëdhëniet me jashtë, që mendohet se duhet të jetë më diplomati, me gjakftohtësi, pa e provokuar askush, ka hapur me gjakftohtësi shishen dhe ka hedhur ujë mbi deputetët e opozitës. Ne kërkuam përjashtimin e Bushatit, ashtu sikurse ndodhi edhe me deputetët e Partisë Demokratike, që qëlluan me miell, e të cilët Ruçi i përjashtoi në fraksion sekonde. Madje, ju siguroj që kjo ka qenë një porosi e Ramës, i cili nuk kishte mundësi ta bënte vetë këtë gjë, pasi ky do të ishte fundi i tij si Kryeministër. Kjo është fytyra e vërtetë e tyre. Ata nuk i meritojnë këto karrige dhe nuk duhet të jenë më aty.

Ka pasur një deklaratë nga Taulant Balla, sipas të cilit reagimi i opozitës ka ardhur me urdhër të Berishës…

Taulant Balla është aq i zhytur për vetë, saqë kërkon që të shpëtojë prej atyre që ka bërë. Të gjithë këtë e bën për të shpëtuar interesat e veta, të familjes së tij dhe të pronave që ka bërë nga paratë e shqiptarëve. Aksioni i opozitës ka filluar sapo Kryeministri është futur në sallë, fjalën e ka marrë kryetari i opozitës, z. Lulzim Basha, dhe aty ka filluar aksioni ynë. Çdo gjë tjetër janë sajesa dhe provokime.

A mund të themi se njerëzit janë të përfaqësuar nga aksioni juaj kur ju derdhni miell apo hidhni ujë në drejtim të qeverisë?

Qytetarët kanë arritur në një pikë që edhe reagimi është pak. Nëse shihni protestën në Kukës, protestën në Ballsh, protestën në rrugët e Shqipërisë, protestat e minatorëve apo edhe të bizneseve të vogla, vëmë re se çdo ditë ka organizime qytetarësh, që vetëm duan të protestojnë që të kenë mundësi të krijojnë një të ardhme për veten dhe familjet e tyre. Kjo nuk është një protestë që vjen nga opozita, por është një protestë e nisur nga qytetarët dhe e mbështetur nga opozita. Ky është roli i opozitës, të marrë problemin e qytetarit, të gjejë alternativën, ta përçojë atë në të gjitha instancat. Pra, kemi qenë vetëm reflektim i asaj që qytetarët duan.

A mendoni se reagimet që keni ndjekur do të jenë efektive?

Unë mendoj që nëse do donin t’i pak nder Shqipërisë dhe institucioneve shtetërore, t’u tregonin shqiptarëve që vërtet ekzistojnë disa institucione të pavarura dhe Parlamenti duhet të jetë i pari për këtë gjë, ajo që Byroja duhet të kishte bërë do duhej të ishte përjashtimi i Edi Ramës.

Në cilin nen të Rregullores jeni bazuar ju kur keni kërkuar përjashtimin e Ramës?

Është i njëjti nen i Rregullores që më përjashtoi mua nga Parlamenti, për arsye të një gjuhe fyese, të akteve vandale etj. Kjo është një vendimmarrje me dy standarde. Ata miratuan edhe Kodin e Etikës, ku thuhet se në Parlament fjalori i përdorur duhet të jetë etik në radhë të parë, që nuk përmban gjuhë urrejtjeje, dhune, që nuk ofendon, jo vetëm deputetët, por edhe qytetarët që i kanë votuar ata.

Cilat janë kushtet tuaja për të pasur dhe për të lejuar një seancë normale në kuvendin e Shqipërisë? Lirimi i 11 protestuesve apo përjashtimi i Kryeministrit Edi Rama?

Kushtet tona janë përjashtimi i Edi Ramës, Ditmir Bushatit dhe lirimi i menjëhershëm i të burgosurve kuksianë, që protestuan për të drejtën e tyre. A e dini që në parlament duhet të ishte Saimir Tahiri, madje kishte regjistruar emrin për të folur? Ai vjen në parlamentin e Shqipërisë i proceduar me lidhjet e tij me trafikun të lëndëve narkotike, ku ka të drejtën për të folur, ndërkohë që qytetarët kuksianë që protestuan për bukën e gojës, janë sot në burg. Pra, kushtet tona janë të qarta, ku duhet bërë menjëherë lirimi i qytetarëve dhe përjashtimi i Edi Ramës dhe Ditmir Bushatit nga seancat parlamentare.

Ndërkohë ka pasur një akuzë nga deputetët socialistë ndaj jush, ku thonë se keni dalë në mbrojtje të gjyqtarëve të korruptuar dhe këto vijnë në një periudhë, ku Shqipëria pret një rekomandim pozitiv nga Komisioni Evropian. Në gjykimin tuaj, a mendoni se do ndikojë kjo në tensionet e politikës, lidhur me vendimet që priten?

Sa i takon pjesës së gjyqtarëve, nuk habitem sepse frika e tyre është shumë e madhe dhe përpiqen t`ia përçojnë deputetëve të opozitës. Frikë nuk mund të kem unë, një deputete opozitare, por kanë ata që janë bërë pjesë e çorbës së Edi Ramës. Janë ata që marrin çdo ditë paratë e shqiptarëve, por jam e sigurte që çdo qytetar e di se kush ka frikë. Sa i takon hapjes së negociatave, ne qëndrimin tonë e kemi pasur të qartë dhe koherent, madje të pandryshuar. Duhen hapur negociatat për Shqipërinë, qoftë për mundin 28-vjeçar të qytetarëve jo të politikës, por mbi të gjitha sepse e ardhmja e vendit tonë dhe e rajonit është në Bashkimit Evropian. Paralelisht, në Francë ka pasur protesta, me flakë dhe me dhunë, por kjo nuk do të thotë që Franca duhet të largohet nga BE, përkundrazi, kjo tregon që protestat janë mjaft qytetare dhe populli reagon për të drejtat e tyre. Ne po luftojmë për demokraci, se po kërkojnë të na vendosin diktaturë dhe unë jam e bindur që protesta e qytetarëve dhe e opozitës është legjitime, ku nuk do të jetë aspak problem për të hapur negociatat.

Deputetët e PD i kanë braktisur komisionet parlamentare, ndërkohë LSI vazhdon ende. Ka ndonjë mos koordinim mes jush?

Nuk ka aspak mungesë koordinimi. Jemi në të njëjtin tonalitet si ne, ashtu edhe Partia Demokratike. Ne me parlamentin aktualisht kemi marrëdhënie të kushtëzuara, por nuk kemi folur asnjëherë për ndonjë bojkot të parlamentit, sepse detyra jonë është të jemi aty. Në të gjitha komisionet ku ka pasur ngjarje të rëndësishme për jetën e qytetarëve, ne kemi qenë siç ka qenë edhe Partia Demokratike. Për shembull z. Panariti ka qenë i pranishëm në komision, ku ka folur për shpërdorime të detyrës, ku i hiqen funksione fermerëve të vegjël dhe i japin çdo gjë oligarkëve.

Burimi: (integrimi.al/T.I)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al