Pika turistike Gjinar është shpallur e tillë në vitin 2001, por lidhja e saj me rrugë të asfaltuar me qytetin e Elbasanit, që kap një gjatësi prej 22 km, e bën shumë funksionale dhe të afrueshme për çdo turist.

Shkak për këtë shkrim u bë një postim i miqve të mi në AdZM-në e Elbasanit, që herë pas here dërgojnë foto të monumenteve të natyrës nga parku pyjor që mbulon kjo administratë. Një nga monumentet e natyrës në këtë zonë është dhe Pisha e Fushkuqes në Gjinar, që është shpallur Monument i Natyrës me VKM, nr.676, datë 20.12.2002 dhe ndodhet në fshatin Gjinar. Bio- monumenti Pisha e Fushëkuqes ka një peizazh të bukur dhe çlodhës, por dhe kurativ. Është një natyrë me pishë të zezë me një sipërfaqe 2 ha, me drurë të rinj dhe të vjetër me moshë 150-160 vjeçare. Ky peizazh ndodhet në lartësinë rreth 100 metra mbi nivelin e detit. Kjo natyrë e bukur turistike ndodhet në juglindje të Elbasanit dhe shtrihet në zonën e Shpatit. Pjesa malore e kësaj krahine, që fillon nga fshati Shelcan e deri në Jeoronisht, quhet Shpati i Parë dhe përbëhet nga dy komuna: Gjinar e Zavalinë.

Pika turistike Gjinar

Pika turistike Gjinar është shpallur e tillë në vitin 2001, por lidhja e saj me rrugë të asfaltuar me qytetin e Elbasanit, që kap një gjatësi prej 22 km, e bën shumë funksionale dhe të afrueshme për çdo turist. Sapo futesh duke udhëtuar në fshatin Derstilë, ndjehet aroma karakteristike, tipike e bushit që ndodhet mbi rrugë, dhe pas disa minutash, të shfaqet parasysh peizazhi i bukur me pisha, që prezanton dhe qendrën e komunës, e më pas vazhdon shpateve të lartësive. Ato që ia shtojnë bukurinë këtij relievi janë sheshet e gjelbëruar nga bari i lartë. Në një ditë të bukur me diell, në perëndim, syri të kap një shtrirje deri në vijën bregdetare të Adriatikut. Por Shpati nuk është vetëm një vend me natyrë të bukur për turizmin e peizazhit, të sporteve, të ngjitjeve dhe të vëzhgimit, por edhe i turizmit kulturor. Këtu ka shumë objekte me vlera historike e kulturore, objekte kulti, që ia vlen t’i vizitosh si turist, apo vizitor ditor.

Monumentet e natyrës

Kisha e Shën Kollit në Shelcan është njëra prej objekteve që të bën përshtypje. E ndërtuar në mesjetë dhe pikturuar nga Onufri më 1554. Aty mund të shikosh afreske murale, që u kanë shpëtuar dëmtimeve të kohës dhe tregojnë Krishtin me figura të tjera hyjnore. Kisha e Shën e Premtes në Valësh është një tjetër destinacion për turizmin kulturor. Ajo është ndërtuar në mesjetë dhe pikturuar po nga Onufri (1554) në stilin bizantin me portretet e Platera (Shën Marisë), Shën Germanoi i Kostandinopojës, Dhiakon Laureti, Shën Grigor Theollogu, Kryedhiakon Stefani, tabloja e lindjes së Krishtit në shpellë etj. Në mur pikturat shoqërohen me shkrime bizantine të asaj kohe. Po këtu ndodhet dhe varri i Kostandin Shpatarakut (Ogës), piktor ikonash në mbi gjashtë kisha të Shqipërisë së Mesme, nga viti 1736 deri në vitin 1767. Disa ikona të përmendura janë Shërimi i Islokut, ikona e Krishtit, e “Karl Topisë” e “Shën Marisë” etj. Ky është piktori që u martirizua nga forcat osmane me prerje të kokës, 100 m në perëndim të Namazgjasë në Elbasan. U varros në fshehtësi nga bashkëfshatarët në vendlindje, në Valësh. Qysh atëherë e deri më sot e përkujtojnë çdo vit më 21 shtator, duke e vetëshpallur shenjtor. Kuriozë të pasionuar pas relikteve artizanale mund të gjejnë dhe të vizitojnë në këtë zonë derstilat artizanale në fshatin Dërstilë. Janë mekanizma që punojnë me forcën e ujit dhe ruajnë plotësisht origjinalitetin shekullor. Përpunojnë (me rrahje e zhytje) pëlhurat e leshta që bëhen në vegjë (tezgjah). Me ato përgatiten guna, velenxa, batanije leshi, qilim etj. Një vizitor i sotëm i kohëve moderne, habitet me funksionimin e tyre dhe se si ato kanë mbërritur deri tani.