Gjirokastra, qyteti i vjetër me energji të re

vangjel tavoFundjava e shkuar ka gjallëruar si kurrë më parë qytetin e Gjirokastrës i cili mbushi 11 vjet në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Gjirokastra njihet si “qyteti i gurtë” për arsye se guri punohet si brumi, ndaj edhe festa që solli dritë, muzikë, e argëtim u titullua “Koncert në gur.”

Gjirokastra është zemra e jugut të Shqipërisë. Ky qytet qëndron në shpatet e pjerrëta të luginës së lumit Drino, krenar mbi peizazhin e mrekullueshëm e plot histori, i rrethuar nga maja malesh të larta, treva e mendjeve të ndritura, dhe djepi i figurave të shquara historike të vendit tonë.

“Qyteti i një mijë shkallëve” që përfshin qindra shtëpi-kullë me çatitë dalluese të gurta, muret e gurta herë-herë të zbardhura me gëlqere, dhe ballkonet e drunjta.

Përshkrimin më të bukur dhe të mrekullueshëm të qytetit e lexojmë nga pena e mjeshtrit të madh Ismail Kadare: “Ky ishte një qytet i pjerrët, ndoshta më i pjerrëti në botë, që i kishte thyer të gjitha ligjet e arkitekturës dhe të urbanistikës. Nga shkaku i pjerrësisë së madhe ndodhte që në nivelin e çatisë së njërës shtëpi gjendeshin themelet e tjetrës, dhe me siguri ky ishte i vetmi vend në botë ku njeriu, po të rrëzohej në anë të rrugës, në vend që të binte në hendek, mund të binte mbi çatinë e ndonjë shtëpie të lartë. Këtë gjë më mirë se kushdo e dinin pijanecët. Ishte me të vërtetë një qytet shumë i çuditshëm.

Ti mund të ecje rrugës dhe po të doje, mund të zgjatje pak krahun dhe ta vije kapelen tënde mbi majën e një minareje. Shumë gjëra këtu ishin të pabesueshme dhe shumë gjëra ishin si në ëndrra …” Një vepër e madhe e përkthyer në shumë gjuhë të huaja, bën që pasazhe të tilla përshkruese për Gjirokastrën ta bëjnë këtë qytet të përjetohet nga popuj të ndryshëm anë e mbarë botës dhe i fton të huajt të vijnë e të prekin magjinë e këtij qyteti.

Në këto 11 vite të Gjirokastrës në UNESCO ne shprehim mirënjohjen tonë ndaj të gjithë atyre të cilët kontribuan për këtë anëtarësim në vitin 2005, por mirënjohja më e madhe i shkon të gjitha brezave gjirokastrite që e ndërtuan këtë qytet kaq bukur, kaq të veçantë e të mahnitshëm. Mirënjohje e thellë edhe për të gjithë ata të cilët kanë punuar dhe punojnë për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore të Gjirokastrës, qytetit mahnitës, dhe zemrës së jugut të Shqipërisë.

Gjirokastra është një qytet i vjetër por me energji të re. Kjo energji vjen nga rinia gjirokastrite. Krenarë për historinë e vendlindjes së tyre ata sjellin shpresë edhe për të ardhmen. Jam i inkurajuar nga dashuria e rinisë për vendlindjen e tyre, dhe nga dëshira e madhe për ta promovuar, por edhe ndryshuar atë. Fatkeqësisht, tranzicioni shqiptar bëri që pjesa më e madhe e rinisë të emigronin jashtë vendit apo të shpërnguleshin në qytete të tjera, por pavarësisht odisesë së shpresës që ata kanë kaluar, si jashtë ashtu edhe brenda vendit, ata gjithmonë e kanë dashur dhe kanë dhënë kontributin e tyre maksimal për qytetin apo vendin ku kanë lindur.

11 vite në UNESCO ndryshimet në Gjirokastër janë të ndjeshme, por ka ende sfida për të ardhmen. Me punë, përkushtim dhe dashuri për këtë qytet ne do mundim ti lemë brezave të ardhshëm një Gjirokastër me infrastrukturë më të mirë, me një turizëm më të zhvilluar dhe të qëndrueshëm, dhe me një zhvillim ekonomik në rritje, në mënyrë që gjirokastritët të kenë standarde më të mira jetese.

Trashëgimia e Gjirokastrës nuk është vetëm një pasuri kulturore por edhe njerëzore, pasi brez pas brezi ky qytet ka marrë frymë nga njerëz punëtorë, të dashur, të kulturuar, të drejtë, dhe krenarë për historinë e vendlindjes së tyre. Janë këto vlera që e bëjnë këtë qytet të pavdekshëm.

Burimi:(Integrimi.al/E C)

Te shenuara si:
al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al