Intervista e ish deputetes së LSI-së, Klajda Gjosha për News 24

 

Do doja diçka rreth denoncimeve dhe videove për manipulimet e 30 Qershorit…

Ka shumë video, ka shumë denoncime për 30 Qershorin dhe ne e kemi parë me sytë tanë se çfarë ka ndodhur sepse kemi qenë jashtëzakonisht shumë të organizuar dhe në terren për të filmuar gjithçka vetë. Sepse kuptohet tashmë kuptohet që edhe monitorimi i zgjedhjeve ka atë pikëpyetjen e madhe për mënyrën dhe procesin se si veprohet pikërisht në këto momente, por votohet dhe aq më tepër kur i gjithë votimi ndodh nga një parti, monitorohet nga një parti, numërohen votat nga një parti, ka kandidatë nga një parti, pra i gjithë procesi është i rrëzuar.

Pavarësisht shfaqjes së videove të ndryshme të cilat vetëm thellojnë më tepër skandalet e kësaj qeverie dhe degradimin në të cilin ka rënë demokracia dhe vendi për fat të keq unë mendoj që qytetarët shqiptarë e treguan që ato zgjedhje janë të paligjshme, janë antikushtetuese por mbi të gjitha janë refuzuar në masë nga vetë shqiptarët dhe kjo flet më shumë se sa çdo vjedhje vote dhe çdo gjë tjetër që ka ndodhur gjatë asaj dite që mund të jetë shumë e rëndë për demokracinë dhe për të gjitha proceset në të cilat ne bëjmë pjesë, por mbi të gjitha shqiptarët kanë refuzuar që të jenë pjesë e asaj farse. Dhe do të thotë që opozita sot ndodhet në momentin ku nuk mund të pranojë dhe nuk mund të certifikojë 30 Qershorin e votimeve të Partisë Socialiste.

Besoj që ky akt i yni apo ky vendim i yni mbështetet thellë edhe në raportin e OSBE/ODHIR-it i cili u shpreh qartë që këto zgjedhje ishin në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht se do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do të vendosi, do të shikojë apo do të flasë mbi dekretin e presidentit Meta.

A keni ndonjë koment mbi daljen apo konferencën për shtyp që pati zonja Glover, sepse nuk është se pati ndonjë gjë të drejtpërdrejtë duke ia lënë këtë raportin që do të publikohet pas 2 muajsh, a duhej OSBE/ODHIR të shprehej më shumë së kaq?

Unë mendoj që OSBE ka  shprehur gjithçka në raportin paraprak, gjithçka sa mund të. Është e pamundur për këtë trup sot të certifikojë apo jo votimet e 30 Qershorit dhe unë shikoj qartë dhe në mënyrën sesi zonja Glover e shpjegoi të gjithë situatën e paprecedentë, në të cilën dhe ajo vetë ishte ndodhur me vëzhguesit e huaj sepse është hera e parë, siç tha dhe ajo që ne vëzhgojmë votime pa opozitën, që do të thotë që këtu i gjithë procesi është ilegjitim. Kjo sepse i është mohuar e drejta një pjese shumë të madhe të qytetarëve apo masës më të madhe, 85% të qytetarëve të zgjedhin, jo të shkojnë në votime sepse të gjithë mund të shkojnë është e drejta e çdo qytetari, por për të zgjedhur mbi alternativën ka qenë një mohim i drejtpërdrejtë i bërë nga qeveria shqiptare dhe realisht është e pa precedentë.

E dyta, OSBE/OHDIR e kishte të vështirë të vazhdonte më tej për tu shprehur me një raport më të qartë e më të thelluar për 30 Qershorin sepse ka paqartësi ligjore. Duhet të ishin zhvilluar ato votime apo nuk duhet të ishin zhvilluar? Jo vetëm për faktin e mungesës së alternativës, por për një dekret i dalë nga Presidenti i Republikës, i cili nuk i njehte më zgjedhjet e 30 Qershorit, por pasohej me një dekret të dytë kur iu mundësua të gjitha palëve të dialogonin të gjithë bashkë, në mënyrë që të shkojmë drejt zgjedhjeve t e 13 Tetorit. Nuk dihet se çfarë do të ndodhë, nuk dihet kur do të shprehet Gjykata Kushtetuese sepse ne jemi ende në dilemën kur do të ngrihet, sa kohë do të marrë për të marrë për të shqyrtuar dekretin dhe patjetër që asnjë organizëm ndërkombëtar nuk mund të flasë përpara institucioneve shqiptare, sepse janë ato që kanë të drejtën ligjore dhe kushtetuese për të certifikuar ose jo zgjedhjet.

A patë ju një President ende të qetë në deklaratat e tij të fundit?

Nuk e di nëse qetësia do të ishte karakteristika më e mirë që do të mund të ndiqte cilindo politikan apo institucion në kohët ku ne jetojmë. Vendi ndodhet në një udhëkryq të jashtëzakonshëm. Njerëzit janë të shqetësuar se çfarë do të ndodhë sepse shteti është i kapur dhe tashmë është në dorën e një individi apo të një grupi njerëzish, të cilët kanë tentuar dhe tashmë kanë gjithçka Parlamentin, Ekzekutivin, pushtetin lokal, drejtësinë, median, kanë çdo gjë, mund ta diskutojmë këtë edhe më thellë po të doni ju dhe në një analizë edhe më konkrete.

Pra nuk kemi të bëjmë më me sa të qetë janë përfaqësuesit e institucioneve tona. Ajo çka ne kërkojmë është zgjidhja. Dhe unë besoj që Presidenti i Republikës e mundëson këtë. Në të gjithë diskursin e tij është munduar të ofrojë një zgjidhje. Edhe me dekretet që kanë pasuar njëra tjetrën, por edhe për të dhënë një alternativë të mundshme pse jo për të pasur zgjedhje të përgjithshme më 13 tetor, për të pasur zgjedhje lokale në 13 tetor, për të pasur pse jo edhe një garë të parë që nuk ka ndodhur, për Presidentin e Republikës, që shkon më tej. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që ai ka konstatuar që këtu ka probleme sistemi në të cilin ne funksionojmë. Pra duke hedhur tezën e garës së Presidentit të Republikës, ai i jep mundësi të gjitha palëve për të diskutuar, për të dialoguar, për mënyrën sesi duhet të funksionojë sistemi, çfarë mund të bëjmë ne për ta ndryshuar dhe cilat janë alternativat e zgjidhjes që ne të mos ndodhemi më përballë kësaj krize.

Patjetër që ishte një fjalim i fortë. Unë e kam thënë disa herë, nuk është e thjeshtë për Lëvizjen Socialiste për Integrim të shprehet  për deklarata e Presidentit të Republikës, pavarësisht se ne jemi në mbështetje të plotë të kauzës së tij dhe të mënyrës sesi ai po vetë ofrohet për një zgjidhje. Nuk shohim sot asnjërën palë që të ofrojë një zgjidhje në tryezë. Madje diskurset politike janë realisht në skaje shumë të largëta me njëra tjetrën dhe nuk shohim sesi mund të kemi një mundësi tjetër për t’u ulur dhe për ta zgjidhur këtë krizë në të cilën ndodhen sot shqiptarët.

Të hënën është njoftuar protesta e radhës. Do të jetë i tillë aksioni opozitar, do të ketë protesta të vazhdueshme?

Protestat do të jenë të vazhdueshme deri në largimin e Kryeministrit Rama, sepse ky ka qenë edhe një nga kushtet që ka vendosur opozita dhe ne nuk largohemi nga ky kusht. Besoj që dhe votimet e 30 qershorit e vërtetuan atë çka ne kemi thënë. Do të thotë që është ky njeri tashmë që ka uzurpuar sistemin, ka marrë gjithçka në dorën e tij dhe nuk mund të qëndrojë më. Sepse nuk mund të kesh dialog me një njeri që ka shkatërruar vendin deri në këtë pikë ku ne ndodhemi sot. Ne mund të dialogojmë me këdo tjetër brenda Partisë Socialiste, por jo me kryeministrin në atë post që mban, duke ushtruar të gjithë forcën dhe pushtetin e tij mbi institucionet dhe mbi njerëzit që e rrethojnë atë apo mbi grupet e interesit.

Do të vazhdohet me protesta dhe është shumë e rëndësishme të sensibilizohen qytetarët. 85% e qytetarëve duket se kanë mbështetur në njëfarë mënyre kauzën e opozitës. Ndoshta jo të gjithë votojnë për opozitën, por duket që edhe në heshtje e kanë pranuar këtë kauzë tashmë të madhe. Ne urojmë që ky numër të vazhdojë të rritet edhe më tej, derisa me të vërtetë populli të tregojë që këtu duhet të marrë fund kjo histori në të cilën ndodhet Shqipëria.