Gjosha: Reforma në drejtësi thelbësore për të ardhmen e Shqipërisë

26101624-1-768x561Ministrja e Integrimit Europian,  Klajda Gjosha, mori sot pjesë, në konferencën “Shqipëria në procesin e Berlinit”, e organizuar në kuadër të Tetorit gjerman.

Ministrja Gjosha, u shpreh në fjalën e saj se Procesi i Berlinit i lancuar nga kancelarja Merkel në vitin 2014, erdhi pikërisht si përpjekje për t’i dhënë një shtysë të re integrimit në BE, për të gjithë vendet e rajonit. Qëllimi i tij, është transformimi i rajonit tonë në një rajon të vërtetë në aspektin politik, ekonomik dhe atë të sigurisë.

“Sot pas dy vitesh, besoj jemi të gjithë në një mendje se nuk mund të kishte gjetje më të mirë për të afruar vendet tona, për të krijuar lidhje të ngushta mes tyre, duke ofruar mbështetje politike dhe financiare mbi mjaft projekte ndërlidhëse në fushën e infrastrukturës, energjisë, tregtisë, punësimit dhe rinisë”,tha Ministrja Gjosha.

Ministrja, nënvizoi se për shkak të rolit të Shqipërisë si shtyllë stabiliteti në rajon, angazhimi është maksimal për të hequr e çdo barriere duke mundësuar , një bashkëpunimin efikas rajonal si dhe afrim të plotë me BE-në.

“Sigurisht, që është prezent shqetësimi i gjithë rajonit pas daljes se Britanisë nga BE, se zgjerimi mund të konceptohet si një çështje dytësore, apo se rajoni ynë mund të lihet i veçuar, apo se referendume të tjera do të kufizonin edhe më shumë kapacitetin e BE-së”, u shpreh Ministrja.

Në këtë kontekst, Ministrja Gjosha, duke vlerësuar mbështetjen reale që po i jepet vendeve të rajonit, për një integrim më të shpejtë, shprehu besimin se perspektiva e zgjerimit, përmes procesit të Berlinit është një përgjigje e qartë që i shërben jo vetëm Ballkanit Perëndimor, por gjithë Europës.

Duke u ndalur tek reforma në drejtësi, Ministrja Gjosha tha se Shqipëria tashmë ka finalizuar reformën e saj më historike.

“Rëndësia e saj për shkak të ndikimit mbi sundimin e ligjit, në ekonomi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është thelbësore për të ardhmen e vendit tonë. Është kushti kryesor edhe për prioritetin më madhor që ne kemi: procesin e integrimit”, tha Ministrja.
Ministrja Gjosha u shpreh se Shqipëria ka kërkuar marrjen e një rekomandimi pozitiv si një premtim që duhet mbajtur nga Komisioni Europian për shqiptarët.

“Ne besojmë se ky reflektim në raportin e radhës, do të jetë një tjetër shtysë për zbatimin e të gjitha reformave që i shërbejnë të ardhmes sonë europiane. Gjithçka e iniciuar në Berlin është vendimtare për Shqipërinë e gjithë rajonin tonë pikërisht për shkak të këtyre proceseve shtet-ndërtuese”,tha Ministrja Gjosha.

Ministrja shtoi se projektet infrastrukturore të përbashkëta , të nisura në Berlin e Vjenë, të konkretizuara në Samitin e Parisit, kanë impakt të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe transformimin e rajonit.

“Shqipëria, ka qenë pararendëse në këtë proces, duke përfituar jo vetëm miratimin dhe financimin e projekteve infrastrukturore por edhe nëpërmjet dy nismave më të fundit rajonale të cilat do të kenë selinë e tyre në Tiranë. Bëhet fjalë për Fondin e Ballkanit Perëndimor dhe Zyrën Rajonale për Bashkëpunim Rinor”,tha Ministrja.

Ministrja u shpreh se Samiti i fundit në Paris, tregoi se është në dorën tonë të krijojmë rrethanat dhe instrumentet e suksesit në rajon.

(Burimi:Ata.gov.al/Xh.N)

Te shenuara si:
al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al