Në mënyrë ‘të papritur’, kryeministri Edi Rama lajmëroi këtë javë një aksion radikal, kundër pikave të bastit.

Ai pas një mbledhje qeverie deklaroi, se afati i mbylljes për të gjithë sallonet e basteve sportive në gjithë qendrat urbane është 31 Dhjetori i këtij viti.

Ditën e mërkurë të gjithë mësuan, se që nga 1 Janari Shqipëria më në fund pas 5 vitesh, do të gdhihet pa ‘marrëzinë’ e basteve sportive.

Por çfarë ka ndodhur; përse Edi Rama u kujtua më në fund që të ndërhyjë në këtë treg fitimprurës?

 A do të mbyllen vërtet përfundimisht, në të gjitha format lojërat e fati, ato me top dhe me kafshë siç tha vetë Rama?

Agjencia e lajmeve, ‘Syri.net’, nëpërmjet këtij investigimi do të përpiqet që të zbulojë sadopak, se çfarë fshihet pas gjithë kësaj me fakte dhe dokumente. Si familja Rama dhe ortakët e tyre, Vangjush Dako e Gaz Demi, po krijojnë një monopol të vetin dhe të vetëm, në këtë industri qindra milionë eurosh. E gjitha sipas një skeme dhe plani të nisur që në Tetor të vitit 2013, testuar në vitin 2017, një koncesioni 30 vjeçar dhe tashmë me Vendime të Këshillit të Ministrave dhe një projektligj të bërë gati, në pritje për të nisur punë ‘me fuqi të plotë’, që nga 1 Janari i vitit që vjen.

Image

Pak histori për shpërthimin e marrëzisë, ‘Fundi i Marrëzisë’

Një nga armët më të forta të Rilindjes dhe Edi Ramës që gjatë fushatës elektorale të vitit 2013 ishte lufta pa kompromis, kundër vesit të kumarit dhe kësaj industrie në qendrat urbane, shkollave, spitaleve etj. Pasi erdhën në pushtet, të gjithë e mbajnë mend operacioni e bujshëm, ‘Fundi i Marrëzisë’.

Fillimisht u duk se Rama tashmë kryeministër po e mbante premtimin e tij, por në fakt ajo që bëri ishte një rishpërndarje e këtij tregu fitimprurës, i cili lulëzoi edhe më shumë në vitet në vazhdim.

Kur Edi Rama erdhi në pushtet në gjithë territorin e vendit kishte vetëm 928 pika të lojërave të fatit, kurse sot ato kanë shkuar në numrin e frikshëm 4230. Mund të quhet pa frikë, një epidemi kolektive. Gjatë këtyre 5 viteve të Rilindjes në pushtet, varësia e shqiptarëve ndaj lojërave sportive dhe kazinove, ka arritur në një pikë të pakthyeshme.

Një vit më pas (Viti 2015) revista ekonomike ‘Monitor’, me një investigim të plotë, zbulonte se në fakt nga 1 mijë pika lojërash të bllokuara momentalisht pas spektaklit policorë të udhëhequr nga vetë ministri Saimir Tahiri, vetëm 25 biznese ishin mbyllur. Edhe ligji që i jepte fund ekzistencës së kazinove dhe bingove në qytete, u shty për zbatim për në janar të vitit 2016.

Por ‘papritur’ pas një ndërhyrje të re, data u shty sërish deri në fund të po atij viti. Por edhe kur i erdhi dita këtij afati të ri dhe të gjitha justifikimet (buxheti, turizmi etj) qenë djegur dhe loja me ‘Fundi i Marrëzisë’ po dilte blof, një grup deputetësh të mazhorancës i kërkuan parlamentit një afat të ri deri në fund të 2018.

Kur u pyet në disa konferenca shtypi dhe dalje televizive për këtë shpërthim të marrëzisë të lojërave të fatit dhe qëndrimit të partisë së tij, pro pronarëve të të këtyre kompanive, Edi Rama lëshoi një justifikim që ‘nuk e hëngrën as kalamajtë’; ‘Unë vazhdoj që të jem kundër favorizimit të lojërave të fatit, por jam minorancë brenda grupit parlamentar të PS!’.

Image

Plani madhor Olsi Rama-Gaz Demi-Vangjush Dako

Nëse bën vizita që pas ultimatumit personal të kryeministrit, në të gjitha pikat e basteve sportive që po bëhen gati që të mbyllen nëse ‘nuk do të ndryshojnë drejtim’ (shih foton), siç thoshte sot kryeministri Rama në një postim në FB, të gjithë do të thonë se ‘biznesin ua morri Olsi Rama, Gaz Demi dhe Vangjush Dako me ‘Bast Arena’. Emrat e tyre si pronarë të kësaj kompanie monopol me vendim qeverie, që nga 1 Janari 2018 i ka denoncuar sistematikisht media dhe veçanërisht opozita.

Pas zhvillimeve të fundit, sot po zbulohet se rrethi më i ngushtë i kryeministrit ja ka vënë syrin industrisë së lojërave të fatit, vetëm pak muaj pas ardhjes së Rilindjes në pushtet. Ideja ka qenë që në një treg të mbingopur me sallone bastesh fizike dhe kazino, kjo industri të kanalizohet drejt asaj online.

Nisi testimi i tregut dhe doli që lojtarët që fusin shuma të shuma të mëdha, luanin përgjithësisht në formën online në kompani të huaja jashtë Shqipërisë. Këtu nis zbatimi i planit, i cili do të certifikohej në vitin 2017, me krijimin e të parës kompani shqiptare të basteve sportive online, duke përfshirë edhe pokerin dhe kaziontë.

Më 3 Tetor të vitit 2013 kryeministri Edi Rama, deklaroi në një konferencë për shtyp, se qeveria do të kërkojë bllokimin e basteve sportive online. Sipas tij, lufta ndaj krimit ekonomik të shkaktuar nga Lojërat e Fatit do të vijojë më fuqishëm se kurrë. Rama theksoi atëherë, se shqiptarët nuk mund të humbasin më parà që derdhen jashtë shtetit me baste online, në uebsajte të huaja në internet.

‘Kemi marrë vendim që përmes Ministrisë së Inovacionit të kërkojmë bllokimin e uebsajteve ku derdhen kursime të emigracionit për familje shqiptare në Shqipëri. Shifra që Shqipëria dhe shoqëria jonë humbasin në aventurën e basteve online në destinacione jashtë Shqipërisë brenda 1 viti, varion nga 700 deri në 500 milionë dollarë. Kjo është shifër dhe formë e papranueshme për një vend europian. Qeveria nuk do të ndalet, përkundrazi, do të intensifikojë përpjekjet në betejën pa kompromis dhe në tolerancë zero kundër krimit dhe kundër çdo shfaqje të krimit dhe çdo forme. Do të flas posaçërisht për atë formë të krimit që shfaqet si krim ekonomik përmes aktivitetit të Lojërave të Fatit’, deklaroi atëherë ai.
Pra vendimi i qeverisë, synonte bllokimin e basteve online, përfshi lojën e pokerit e ruletës për të kërkuar fatin jashtë Shqipërisë, por nuk fuste edhe ato brenda vendit.

‘Do të kërkojmë eliminimin e të gjitha kalimeve të internetit për këto uebsajte dhe për këto burime të shfrytëzimit të iluzionit, se mund të pasurohesh në këto rrugë. Nuk do ketë baste online për të kërkuar fatin jashtë Shqipërisë’, tha atëherë Rama.

Ndërkohë edhe për faktin, se vëllai i Fatmir Xhafajt dhe njerëz të tjerë të afërt me pushtetin ishte bërë protagonist në këtë treg me disa kompani të njohura, bastet sportive u lanë të lulëzojnë. Kjo edhe në funksion të rritjes së varësisë ndaj tyre, të shqiptarëve; fëmijë e të rritur, të pasur e të varfër janë përfshirë nga ethet e tyre.

Image

Operacioni ‘Bast Arena’ në zbatim

Ndërkohë që milionat nga ky biznes dhe varësia vërshonin, në verën e vitit 2017 hidhet hapi i parë konkret i treshes, Olsi Rama-Gaz Demi-Vangjush Dako, që sipas opozitës dhe denoncimit të fundit të ish-kryeministrit Sali Berisha janë pronarët real të saj.

Themelohet kompania e parë shqiptare e basteve sportive online, e cila u pagëzua për publikun si ‘Bast Arena’. Në fakt emri i saj zyrtarë është ‘Universe SH.A’ dhe rezulton e regjistruar me adresë; Lagjja nr. 13, Rruga e ‘Palmave’, ndërtesa nr. 4, hyrja nr. 10, ap. 1 në qytetin e Durrësit.

Kjo kompani është licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF), në datën 30 Qershor 2017, fillimisht si OJF dhe është regjistruar si biznes aktiv në QKB, në datën 5 korrik 2017 me Nipt: L71904512F.

Objekti i veprimtarisë së ‘Bast Arena’ rezulton në fushën e biznesit të basteve elektronike në distance dhe është regjistruar si ‘Bijë’ me guackë një kompani fantazmë të huaj offshore. Ky është i vetmi monopol koncesionar 30 vjeçar, që ushtron biznes bastesh elektronike në distancë në Shqipëri, miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave, Nr. 684, datë 22.11.2017 me objekt: ‘Për përcaktimin e kushteve dhe kërkesave teknike, që duhet të plotësojë subjekti, që do të licensohet për kategorinë ‘Lojërat elektronike të fatit në distancë’.

Kemi kështu një vendim qeverie, të formuluar dhe miratuar posaçërisht për një firmë, e cila quhet zyrtarisht ‘Universe SH.A-Durrës’. Menjëherë pas kësaj futet në lojë ministri i Financave, Arben Ahmetaj. Ky i fundit urdhëron, Autoritetin e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF) që ta licencoj sa më shpejtë këtë monopol në fushën e basteve sportive online.

Image

Por çfarë përfaqëson në të vërtetë kompania, ‘Universe ShA’, e cila për publikun njihet edhe si ‘Bast Arena’?

Me letra, administratori i saj është Dritan Jeminaj, por në fakt drejtuesit e vërtetë janë të tjerë. Përpara regjistrimit të kompanisë, në datën 19.09.2017 janë propozuar për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës, Suleyman Cihan Onerci dhe Ozan Isgordu. Miratimi i emërimit të tyre është bërë në fakt në datën 27.09.2017, me afat deri në datën 19.09.2020.

Sipas dokumentacionit që ka dorëzuar kompania ‘Universe ShA’, Këshilli Mbikëqyrës përbëhet nga turqo-qipriotët, Suleyman Cihan Onerci, Ibrahim Aktas, Raci Genc, Ozan Isgordu dhe Ekin Genc.

Sipas dosjes në QKB, ‘Bast Arena’ përfaqësohet nga 2 emra zyrtarë; ‘Universal Software Solutions N.V’ (30%) e regjistruar me emrin ‘Universe SHA’ nga Autoriteti Mbikëqyrjes të Lojërave të Fatit (AMLF) dhe me tjetrin ‘MAREN’ (70%). Të dyja me origjinë offshore

Kjo firmë nëse shfleton vetëm vendimet publike të bashkisë së Durrësit, që drejtohet nga Vangjush Dako, përveç një aktiviteti të madh në ndërtim si më e preferuara për marrje leje ndërtimi, ndërton gjithashtu edhe shumë vepra publike si; rrugë, shkolla, qendra shëndetësore, zyra, pedonale, e ujësjellës. Shumica me tenderime të dyshimtë, të firmosur nga vetë Dako.

Origjina e këtij biznesi është offshore dhe pronarët e vërtetë që fshihen pas saj, i njohin të gjitha kompanitë e tjera në industrinë e basteve dhe denoncohen sistematikisht nga opozita; Gaz Demi, Olsi Rama dhe Vangjush Dako.

Image

Loja e madhe me VKM, projektligj dhe koncesion

Fillimisht, ‘Bast Arena’, u fut në fushën e basteve sportive, si ‘OJF-testimi’, për bastet elektronike në distancë në Shqipëri. Pas regjistrimit dhe testimit menjëherë nisi procedura qeveritare për ta shndërruar në koncesion-monopol, shoqërua edhe me një koncesion tjetër 30 vjeçar në këtë fushë, për të njëjtët pronarë.

Më datën 22 Nëntor të vitit 2011, Këshilli i Ministrave miratoi një VKM ‘të jashtëzakonshme’ për këtë koncesion, njësoj si ligji për ‘Teatrin’, me Nr. 684. Pas kësaj brenda 10 ditësh, me urdhër të Arben Ahmetajt, Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërav të Fatit, licensoi koncesionin ‘Bast Arena’, për lojërat e fatit në distancë.

Nga ana tjetër këtë të mërkurë qeveria Rama miratoi Projektligjin të publikuar edhe në faqen e Këshillit të Ministrave i cili, parashikon shtimin e një neni në dispozitat kalimtare të ligjit gjerësisht të pazbatuar të vitit 2015, për të përfshirë në kategorinë e lojërave që mbyllen edhe bastet sportive.

‘Organizatorët e kategorive ‘Baste sportive’ dhe ‘Baste për garat në pistë’ do të ushtrojnë aktivitetin e tyre deri në datën 31 dhjetor 2018’, thuhet në shtesën ligjore të propozuar nga qeveria.

Ligji aktual parashikonte mbylljen e kazinove elektronike dhe bingove tradicionale të licencuara para hyrjes në fuqi të ligjit me përjashtim të Kazinosë dhe Lotarisë Kombëtare, të cilat janë licencuar me ligje të veçanta.

Ligji parashikonte gjithashtu disiplinimin e basteve sportive, përmes krijimit të distancave nga njëra pikë bastesh te tjera dhe nga pika e basteve te institucionet arsimore dhe fetare. Por papritur kryeministri hedh një propozimi të ri, sipas të cilit do të mbyllen në bllok të gjitha pikat e basteve fizike. Por nuk shprehet fare, për bastet që vihen në distancë, përmes internetit.

Dhe në Shqipëri ka vetëm një kompani të licencuar nga qeveria aktuale për një aktivitet të tillë, që është ‘Bast Arena’.

Pra ajo që fshihet pas aksionit të fundit pompoz të kryeministrit Rama për mbylljen e gjithë salloneve të basteve sportive deri më 31 Dhetor, ka të bëjë me një monopol dhe koncesion.

Image

Pika tre e ligjit që ishte në fuqi deri sa Edi Rama të shpallte publikisht aksionin thoshte:

‘Organizatorëve të kategorive Baste sportive’, ‘Baste për garat në pistë’ dhe ‘Bingo televizive’, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, u fillon afati i vlefshmërisë së licencës, sipas kategorisë përkatëse, dhe janë të detyruar të përshtatin organizimin dhe funksionimin e tyre, të paguajnë tarifën përkatëse të licencimit, sipas dispozitave të këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, deri më 31 dhjetor 2018’.

Por ajo që ka ndodhur në mbledhjen e qeverisë këtë të Mërkurë, ka qenë një ndërhyrje ‘e vogël’, me pasojë fitime në qindra milion euro vetëm për një kompani dhe nga na tjetër hedhjen në rrugë të të paktën 10 mijë të punësuarve në pikat fizike të basteve sportive.

Sipas ndryshimin të propozuar në projektligjin e ri, pika e mësipërme e ligjit e ndryshuar i zhduk të gjitha kategoritë që operojnë aktualisht në treg dhe bëhet; nga ‘Organizatorëve të kategorive Baste sportive’, ‘Baste për garat në pistë’ dhe ‘Bingo televizive’; në ‘Organizatorët të kategorisë ‘Bingo televizive’, me hyrjen në fuqi të këtij ligji….’

Me pak fjalë nëse ligji i propozuar nga Rama do të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë, gjë që nuk ka gjasa të mos ndodhë, në tregun shqiptar të basteve do të mbetet vetëm një licencë- kazino, një lotari kombëtare, një bingo televizive dhe një kompani e licencuar për baste përmes internetit.

Dhe kjo e fundit është, ‘Bast Arena’ në pronësi të treshes biznesmene të kryemistrit Rama, sipas opozitës; Olsi Rama-Vangjush Dako dhe Gaz Demi.

 

Image

SYRI.net