Gjykata e Apelit në Londër ka dhënë leje për ‘veprime masive’ kundër ‘Google’ për pretendimet se kishte aksesuar në mënyrë të paligjshme të dhënat e mbi 4 milion përdoruesve të iPhone, duke rrëzuar një vendim të mëparshëm të Gjykatës së Lartë kundër kompensimit.

Në veprimin e tyre juridik, paditësit akuzuan ‘Google’ për qasje në të dhënat e shfletimit në internet në telefonat ‘Apple’, duke anashkaluar cilësimet e privatësisë të ‘Safarit’, mes qershorit 2011 dhe shkurtit 2012.

Duke iu përgjigjur vendimit të gjykatës, ‘Google’ tha se beson se e tërë çështja duhet të pushohet.

‘Ky rast ka të bëjë me ngjarjet që ndodhën gati një dekadë më parë dhe që ne e adresuam në atë kohë,’ tha për Reuters një zëdhënës i kompanisë.

‘Ne besojmë se nuk ka asnjë kuptim që çështja të vijojë dhe duhet të pushohet.’ – shtoi ai.

Gjoba të mëdha

‘Google’ është përballur me shumë gjoba kohët e fundit. Në fillim të këtij viti, kompania u gjobit me 50 milionë euro nga mbikëqyrësi i të dhënave të Francës, për disa shkelje.

Muajin e kaluar, ‘Google’ ra dakord që të paguante 1 miliardë euro për të pushuar një hetim për mashtrim fiskal në Francë, që thoshte se kompania, e cila ka selinë e saj evropiane në Irlandë, nuk ka paguar detyrimet e saj në Francë duke shmangur deklarimin e disa prej veprimtarive të saj atje.