Gruaja më e pasur e Afrikës, Isabel dos Santos, është akuzuar zyrtarisht nga prokurorët në Angola për përvetësim fondesh në kompaninë që drejtonte.

Prokurori i Përgjithshëm, Helder Pitta Gros, tha se akuzat i referohen kohës që Santos ka shërbyer si kryetare e firmës shtetërore të naftës “Sonangol”. Përveç Dos Santos, ka edhe të tjerë të akuzuar.

Prokurori Pitta Gros tha se nëse nuk do të paraqiteshin në kohë përpara autoriteteve, për gjithë të dyshuarit do të lëshohet një urdhër arresti ndërkombëtar. Shumë prej të dyshuarve jetojnë jashtë vendit.

Isabel dos Santos është akuzuar për keqmenaxhim dhe përvetësim të fondeve gjatë qëndrimit të saj në kompaninë Sonangol. Santos akuzohet në radhë të parë për pastrim parash, menaxhimin të dëmshëm të fondeve, falsifikim dokumentash dhe krime të tjera ekonomike“,  tha Pitta Gros në një konference mbrëmjen e djeshme.

Hetimin për e Isabel dos Santos e cila shërbeu si kreu i kompanisë Sonangol për 18 muaj, që nga qershori i vitit 2016, e ka hapur pasardhësi i saj Carlos Saturnino, i cili paralajmëroi autoritetet se janë vënë re transferime të parregullta parash nga ana e kompanisë.

Dokumentet që janë zbuluar këtë javë, pretendojnë se Isabel dos Santos, e bija e ish presidentit Jose Eduardo dos Santos, e  ndërtoi pasurinë e saj prej 2.1 miliardë dollarësh përmes korrupsionit, duke abuzuar me postin e saj.

Vetë ajo i ka mohuar të gjitha akuzat që i janë drejtuar, duke thënë se autoritetet po bëjnë “gjueti shtrigash”.