GUSHTI I ILIR METËS

Meta 2Gushti është si e “diela” e stinës së verës. Një muaj pushimi dhe komforti, por në politikën shqiptare duket se ka filluar më i vrullshëm se sa kurrë. Spekulime për një qeveri teknike, takime të shpeshta midis faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm të politikës shqiptare, ethe për Veting-un dhe seancën e ardhshme parlamentare, vetmi e kryeministrit, beteja të për-orëshme të mediave online, sulme të ulëta ndaj fëmijëve të titullarëve e ish- titullarëve, video braziliane, etj, e kanë bërë fillimin e këtij muaji si ditët e para të një stine të re politike.
Në serinë e shumë e shumë gjërave, që kanë ndodhur së fundmi në politikë, meriton të thuhet me bindje se kjo ishte vera e Ilir Metës, dhe me sa duket Gushti do jetë edhe më i suksesshëm për të. Me lëvizje kirurgjikale, me kujdes të jashtëzakonshëm për të kuruar e jo dëmtuar arteriet politike të formuara në këto 25 vite, Meta po i shfaq shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve një situatë të re real-politike në vend. Mbështetësit e PS kanë sytë tek Ilir Meta se mos i bie qeveria, ata të PD kanë sytë tek Ilir Meta që të vijnë në qeveri, ndërsa LSI dhe të rinjtë e vendit zotohen të ndjekin Ilir Metën në çdo rrethanë. Se cila është situata e real-politike në vend dhe se cili është figura drejtuese e këtij vendi është mese e qartë. Që në fillim të procesit të reformës në drejtësi Meta ruajti një qëndrim të prerë pro reformës por ai ishte dinamik në lidhje me arritjen e një konsensusi të gjerë midis partive parlamentare. A është ai autori i konsensusit të arrirë në hyrje të 22 Korrikut? Absolutisht po. Por a duket Meta i vetë-kënaqur me këtë arritje? Absolutisht jo. Konsensusi që ai kishte në mendje shkon përtej 22 Korrikut. Mënyra e qeverisjes së vendit, ekonomia, stabiliteti në vend dhe në rajon, reforma zgjedhore, etj duken se kërkojnë ende lëvizje nga një faktor i rëndësishëm siç është ai, tashmë i titulluar babai i detantës dhe lektor i politikës shqiptare.

Të gjithë jemi dëshmitarë që teksa i gjithë procesi i reformës në drejtësi u karakterizua me gishta që qëndronin në mënyrë statike të drejtuar për nga kundërshtarët, i vetmi i cili nuk drejtoi gishtin ndaj askujt, por që ofroi zgjidhje gjithpërfshirëse ishte, Ilir Meta, i cili shërbeu si spiranca e vetme e anijes në mbytje të politikës shqiptare, që me papërgjegjshmërinë e saj po e çonte vendin drejtë stuhisë dhe rrënimit të sigurtë.

Lëvizjet kirurgjikale të Gusht-it vijnë me delikatesë pas vendosjes së një qasje të re të komunikimit publik dhe politik.  Deklarata për shtyp e Ilir Metës ditën e dielë të datës 17 Korrik do mbahet mend gjatë si komunikimi më i drejtpërdrejtë i një politikani me shqiptarët. Teksa krerët e tjerë të politikës e kanë ekzagjeruar me metodat “trendi” apo më mirë të themi “limonadë” në komunikimin e tyre me publikun dhe njëri tjetrin, Ilir Meta doli duke i parë të gjithë shqiptarët në sy dhe diskutoi çështjet më delikate por edhe më të rëndësishme në vend. Delikate, pasi përmendi marrëdhënien me faktorët më të rëndësishëm ndërkombëtarë, dhe të rëndësishme pasi pas pak ditësh do varej fati i qeverisë, vendit, madje edhe e rajonit, siç e cilësoi Meta.

Meta bëri atë që njihet si “hardcore politics” ose thënë në gjuhën popullore “politikë burrash” dhe ofroi zgjidhje për ngërçin e reformës në drejtësi por edhe duke paralajmëruar për pasojat e dështimit.

Kjo verë na mësoi se reforma në drejtësi është e domosdoshme për vendin pasi ashtu si tek “Ferma e kafshëve” e Xhorxh Oruell, Shqipëria është shndërruar në një vend ku “Të gjithë njerëzit janë të barabartë por disa janë më të barabartë se sa të tjerët.” Por,  procesi i arritjes së konsensusit në vend që ta bashkonte klasën politike ajo e ndau edhe më thellë atë përmes krekosjeve nga njëra foltore partiake tek tjetra dhe nga njëri Facebook në tjetrin. Ky proces nuk solli asnjë dialog. Prodhoi negociata të dështuara dhe amatoreske. Nxiti një sjellje politike jo profesionale. I vetmi politikan që mori rolin e shtetarit duke u fokusuar tek konsensusi dhe jo tek arroganca e votave, tek takimet direkte dhe jo flirtet e letrave apo statuset në rrjete sociale, me besimin që klasa politike është e aftë t’ia dalë kësaj sfide dhe jo të drejtojë gishtin te pala tjetër, ishte Ilir Meta, i cili me përgjegjësinë më të madhe, me një kurajë të munguar në politikën e 25 viteve, tha që ishte i gatshëm të përballej me çfarë do lloj skenari, që nga takimi i të pestëve e deri tek qeveri teknike apo zgjedhje të parakohshme.

Edhe ndërkombëtarët e njohin pozicionin e Metës. Si mjeshtër të real-politikës ata e njohin fare mirë situatën politike dhe atributet reale apo përfaqësuese të liderëve politik shqiptarë.

Përveç atributeve si një njeri i fjalës së mbajtur, i konsistencës së mendimit, i një drejtuesi popullor me ndjekësit e tij e sidomos me rininë, ai është i vetmi drejtues i majtë i politikës shqiptare. Kësisoj përveçse në real-politikën shqiptare ofron qëndrueshmëri dhe shtetari, edhe ideologjikisht vazhdon me konsistencë të jetë i majtë, dhe, më e rëndësishmja, një i majtë në rritje konstante nga 500 në 260 000 brenda vetëm një dekade.

Partitë politike shqiptare janë kryesisht parti populiste të cilat udhëhiqen nga retorika emocionale dhe jo politika efikase. Ato promovojnë filozofi utopike vetëm për qëllimin e ardhjes në pushtet. Me të ardhur në pushtet zbulojnë që realiteti qeverisjes është ndryshe nga si e mendonin ndaj përdorin çdo lloj forme për ta ruajtur qeverisjen, duke kapërcyer kahet politike, harruar premtimet elektorale, neglizhuar programin partiak dhe qeverisës, dhe duke mënjanuar nevojat më imediate të shtresave në nevojë. Ilustrimi më i mirë i këtij fenomeni është qeveria aktuale. Në këtë aspekt, Meta dhe LSI nuk kanë promovuar qoftë edhe një politikë të djathtë, përkundrazi vazhdojnë t’i përmbahen politikave dhe prioriteteve majtiste.

Adrenalina e pushtetit verbon lehtë të djathtë e të majtë ndaj busulla partiake nuk të orienton më se në cilin drejtim po ecet! Brenda tre viteve kjo qeveri ka rrezikuar disa herë rrëzimin, dhe ekonomia në vend ka qenë pranë dështimit, Ilir Meta ka shërbyer gjithmonë si një spirancë, si në momentet e stuhishme ekonomike dhe politike të vendit, ashtu edhe në vendosjen e piketave për integrimin e vendit.

Meta ka shërbyer si një spirancë racionale e një anije emocionale si drejtimi dhe qeveria e Ramës, dhe ka bërë edhe rolin e opozitës brenda mazhorancës.

Kjo verë ishte pa asnjë dyshim vera e Ilir Metës. Të gjithë aktorët politik e dinë këtë fakt ndaj edhe bezdisen rëndë qoftë edhe nga një këngë e improvizuar labe që disa të rinj ia kënduan atij.

Meta është lektor i politikës shqiptare ndaj nxënësit e tij kryeneç duhet te ulen e ti bëjnë mirë kësaj here detyrat e tyre të shtëpisë. Ndonëse është verë dhe nuk ka shkollë ata duhet të ulen e mësojnë, pasi mirë që mbetën në klasë në provimin e Korrikut, por mund të mbeten në klasë edhe në vjeshtë.

(Burimi:Revista Mapo/Xh.N)

Te shenuara si:
al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al