Lewis Hamilton nuk di të ndalet. Piloti i Mercedes ka triumfuar edhe në Çmimin e Madh të Rusisë, duke rritur diferencën me Vettel dhe duke shkuar i qetë drejt titullit të 5 kampion bote për pilot.

Në Sochi të Rusisë, piloti britanik u nis i dyti, por falë agresivitetit arriti të rikuperonte pozicionin që e bëri fitues të garës. Në vendin e dytë u rendit shoku i skuadrës te skuderia “Mercedes”, Valteri Bottas.

Asnjë pozicion nuk rikuperoi Vettel, piloti i “Ferrarit” që në fillimin e garës krijoi përshtypjen se do të luftonte për vendin e parë, duke parakaluar në një moment Hamilton. Vendi i tretë për gjermanin që e largon akoma më shumë për luftën për titull kampion.

Pas kësaj gare Hamilton shkon në kuotën e 306 pikëve, ndërsa Vettel në 258 pikë.