Deputeti i LSI-së, Edmond Panariti ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku shprehet mbi heqjen e subvencioneve të pensioneve të fermerëve në vendin tonë.

Panariti shprehet se kjo heqje e këtij subvencioni është dekurajim i të jetuarit në fshat, është politikë e zbrazjes së fshatit si dhe ftesë për largim dhe braktisje.

“Bujqësi pa subvencione dhe tani edhe pensione të fermerëve pa subvencione, do të thotë ti kthesh fshatrat pa banorë dhe ti shndërrosh në emërtesa gjeografike.” – shkruan Panariti në postimin e tij.

Më poshtë postimi i plotë i Panaritit:

“Subvencioni” i zbrazjes së fshatit dhe vendit. Heqja e subvencionit të pensioneve për fermerët është në fakt subvencion i politikës së zbrazjes së fshatit dhe Shqipërisë! . Është dekurajim i të jetuarit në fshat dhe punës në bujqësi dhe blegtori. Është ftesë për largim dhe braktisje të fshatrave dhe vendit. Bujqësi pa subvencione dhe tani edhe pensione të fermerëve pa subvencione, do të thotë ti kthesh fshatrat pa banorë dhe ti shndërrosh në emërtesa gjeografike. Çfarë e mban të populluar Gjermaninë, Francën, Italinë rurale? Subvencionet e forta të fermave dhe fermerëve të cilët marrin rreth 70% të buxhetit të Evropës. Prandaj prerja e fondeve për fermerët dhe fshatin është një dramë për vendin.