Jack Ma, i njohur ndryshe si “aziatiku i refuzuar nga Harvardi”, por themelues i perandorisë tregtare, Alibaba Express ka dhënë dorëheqjen nga pozicioni i shefit Ekzekutiv të kompanisë së tij. NYT raporton se ai do të vijojë të jetë në bordin drejtues por më shumë do të merret me pjesën e bamirësisë.

Jack Ma, një nga njerëzit më të pasur në botë, krijoi Alibaba në vitin 1999, derisa sot ka arritur të bëhet kompania më e madhe në botë për tregtinë e internetit. Alibaba ka një vlerë rreth 400 miliardë dollar, ndërsa Ma, një ish-mësues anglishteje ka thënë se tërheqja e tij nga detyra është pikënisje për një epokë të re.

Ma, 54 vjeç, ka një pasuri rreth 40 miliardë dollar, ka thënë se ka dashur gjithmonë të ndjekë hapat e Bill Gates. Alibaba u krijua nga dhoma e tij e apartamentit në Hangzhou në provincën lindore të Zhejiangut.

“Ka shumë e shumë gjëra që mund të mësoj prej Bill Gates. Nuk mund të bëhem kurrë aq i pasur sa ai, por gjëja e vetme që mund të bëj më mirë sesa ai është të tërhiqem më herët. Mendoj se do të vijë dita, shumë shpejt madje, që do t’i kthehem sërish mësimdhënies. Kjo është një gjë që më bën të mendoj se mund ta bëj shumë herë më mirë sesa të jem shef ekzekutiv i Alibabës.” – është shprehur ai.