Ilir Daja është shprehur i kënaqur me rezultatin dhe me lojën e Skënderbeut.

Korçarët fituan me shifrat 3-2 ndaj Bylisit, ndërsa trajneri i Skënderbeut analizoi sfidën aq shumë të diskutuar për shkak të vendimeve të gjyqtarit.

“E kishim punuar gjatë gjithë javës. Mungesat e shumta ndikuan në ndryshimin e skemës. Menduam që të kalonin në një mbrojtje me 3. Nuk e kishim praktikuar ndonjëherë. Për herë të parë në formacion luante Vitija dhe Elezi. Sakrifikuan Krasniqi dhe Pëllumbi. Gjithë javës kemi punuar me këtë mënyrë loje”, u shpreh Daja.

Përmbysja e Bylisit– Sot nuk ishte shumë zgjedhja taktike, por dëshira për ta fituar. Përballë kishim po të njëjtin ekip që element kryesor ka motivimin maksimal. Kjo lojë ishte e luftuar, do dilte fitimtar ai që do shfrytëzonte rastet. Na buzëqeshi fati sepse edhe kërkuan. Meritën e kanë pasur lojtarët për fitoren e sotme.

Analiza e lojës – Ballshi shtyhet shumë parapara me 2 ekranet dhe krijon shumë boshlliqe midis linjës së mbrojtjes me linjën tjetër. Sot e kishim punuar për të shfrytëzuar topat mbas shpine me Bregun edhe Grepshin. Krasniqi nuk ishte i mundur për të këruar topat mbas shpine. Krasniqin e lamë 9 fallso. Na rezultoi pozitive.

Mërzitja në momentin e përmbysjes- E rëndësishme është që fituam. Na duhej për moral dhe për të vazhduar përpara. Një humbje tjetër do na rëndonte shumë gjendjen psikologjike. Me erdhi keq te goli i dyti i pësuar. Nuk ishim të kujdesshëm për ta neutralizuar atë gol. Brenda lojës gjithmonë janë të 3-ja rezultatet. Jemi të kënaqur nga fitorja, pranojmë rezultatet që prodhon ekipi.