Ilir Meta: “Është koha për të dhënë mesazhe përgjegjshmërie. Kemi nevojë të forcojmë komunikimin, dialogun. Kemi për detyrë t’u japim qetësi dhe siguri të gjithë qytetarëve shqiptare”

Nuk jam i lumtur por jam shumë i nderuar që jam votuar nga Kuvendi i Shqipërisë për t’i shërbyer Republikës së Shqipërsië si President nga 24 korriku për pesë vitet e ardhshme. Nuk jam i lumtur për arsye se rrethanat politike në vend nuk janë ato që do të donim të gjithë dhe që natyrisht do të dëshiroja dhe unë.

Besoj që edhe ky investim i imi por edhe i mazhoranëcs aktuale për t’u zgjedhur sot si President i Shqipërisë synon përmirësimin e këtyre rrethanave dhe krijimin e mundësive më të mira për një klimë më konstruktive lidhur me zgjedhjet e ardhshme dhe për të evituar përshkallëzimin e një ngërçi që tashmë ka nisur. Pasi ju të gjithë besoj keni qenë mjaft të vëmendshëm për përpjekjet që janë bërë për të përfshirë opozitën dhe për t’i ofruar sa më shumë garanci për një proces zgjedhor me integritet.

Prej gati tre javësh, edhe pse kjo mazhorancë, siç e tregoi edhe në raundin e katërt, i ka patur dhe i ka të gjitha votat, madje dhe më shumë se kaq po të kemi parasysh që deputetë të caktuar për arsye dhe të rrethanave shëndetësore apo personale nuk patën mundësi të ishin prezent.

Është koha për të dhënë mesazhe përgjegjshmërie të gjithë dhe meqenëse përmendët mesazhe, do të falënderoj Presidentin Nishani për mesazhin e urimit që më bëri menjëherë pas votimit, duke treguar edhe një herë tjetër përgjegjshmërinë e tij, edhe qytetarinë e tij, pasi kemi nevojë për të forcuar komunikimin, dialogun dhe kemi për detyrë të japim qetësi dhe siguri të gjithë qytetarëve shqiptar. Përveçse institucione edhe më solide dhe më demokratike edhe më funksionale të cilat rrisin besimin qytetarëve te demokracia dhe pa dyshim tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Meta me largimin tuaj nga LSI-ja, a mendoni se LSI-ja mund të rrudhet?

Nëse LSI-ja do të rrudhej, ajo mendoj që do ta meritonte këtë gjë, në rast se fuqia e kësaj force politike është e bazuar vetëm te një person. Absolutisht unë besoj se Lëvizja Socialiste për Integrim do të fuqizohet dhe do të rritet, sepse ka mjaft drejtues dhe drejtuese të aftë dhe të jashtëzakonshëm. Jo vetëm të LSI-së, por mbi të gjitha të fuqisë më të madhe që ka LSI-ja, Lëvizja Rinore për Integrim.

Kështu që nuk ka asnjë arsye për LSI-në që të shqetësohet për këtë perspektivë zhvillimesh edhe në drejtimin e saj. Dhe natyrisht LSI-ja do të rritet për aq kohë sa do t’i shërbejë interesave të vendit.

Kush do ta drejtojë LSI-në pas largimit tuaj? A do të jeni ju drejtues i fushatës elektorale?

Mund të keni shumë kuriozitete, sepse unë jam i papërgatitur për t’u përgjigjur, sepse nuk i kam menduar këto pyetje dhe këto çështje. Unë do të respektoj Kushtetutën e vendit në mënyrë më strikte dhe më të dejtë. Në 24 korrik do të duhet të bëj betimin si Presidenti i ardhshëm i vendit për pesë vitet në vijim dhe në 23 korrik do të dorëzoj dokumentin e Lëvizjes Socialiste për Integrim te Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, ose Zëvendëskryetari i LSI-së, dhe do t’u them që të ma ruajnë mirë atë dokument.

Kush do të jetë pasuesi juaj në krye të LSI-së?

Nuk kam nevojë të mendoj emër, sepse LSI-ja është një parti që ka një statut mjaft të qartë dhe padyshim që pas Kryetarit ka Zëvendëskryetarin, i cili praktikisht është Zv.kryetari i parë, i cili dihet botërisht që është z. Petrit Vasili, i cili ka qenë më i votuari në Konventën Kombëtare të LSI-së edhe që pa asnjë diskutim në bazë edhe të statutit do të jetë ai drejtuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim deri në përfundim të këtij mandati, që ka filluar me rizgjedhjen time në nëntor.

Do të vijoni të qëndroni në krye të Parlamentit deri në shpërndarjen e tij?

Nuk kam patur kohë të mendoj për këtë çështje. Do të këshillohem edhe me juristët. Por mbi të gjitha do të vazhdoj të jem ai që kam qenë. Dhe ndalova këtu pavarësisht se kam shumë takime, sepse kam frikë se ju do të thoshit se mos ndryshoi diçka te ky njeri tani që u zgjodh President.

Cili ishte mesazhi i urimit i z. Rama nëse na e shuani këtë kuriozitet ?

Mesazhi i urimit të z. Rama ishte shumë normal, ishte shumë miqësor. Z. Rama prej kohësh ka qenë promovues i kësaj ideje dhe i zgjedhjes time si President të Republikës. Unë kam insistuar për shumë arsye, sidomos të javëve të fundit që ne të mos nxitonim për të zgjedhur Presidentin në kuadër të një klime të përgjithshme, që ka nevojë të përmirësohet dhe të rrisë besimin midis palëve në drejtim të zgjedhjeve.

Më të rëndësishme janë zgjedhjet, sepse ato kanë të bëjnë me legjitimitetin e të gjithë institucioneve të vendit në të ardhmen, kanë të bëjnë me suksesin e reformave që kemi bërë dhe që jemi në proces zbatimi. Sidomos të reformës në drejtësi dhe zgjedhja e Presidentit sot, ishte e pashmangshme, jo për arsye se mazhoranca nuk i kishte 84 vota për të zgjedhur Presidentin që në raundin e parë, por ishte e pashmangshme, sepse ka disa afate dhe shkelja e këtyre afateve, krijon mjaft probleme dhe ligjore, dhe institucionale, dhe mund të përshkallëzojë krizën, sidomos në mungesë të një zgjidhjeje politike.

Të enjten që vjen praktikisht mbyllen punimet e Kuvendit dhe në të gjitha këto rrethana, natyrisht nuk do të ishte normale që të shkonim në zgjedhje të parakohshme për shkak të moszgjidhjes së Presidentit.

E theksoj edhe një herë, jam motivuar në këto 48 orë për të pranuar këtë pozicion për të cilin do të votoja me kënaqësinë më të madhe kolege të nderuara të grupit socialist, kolegë të grupit socialist, të opozitës dhe jashtë Parlamentit, sepse mendoj se Shqipëria ka shumë personalitete, por kam menduar që do të përpiqem që të bëj më të mirën për të dekurajuar përshkallëzimin e kësaj krize.

Meta, a keni frikë se mos dilni jashtë qendrës së zhvillimeve politike? Ka pasur disa analiza ose e kanë komentuar sikur z. Rama ia doli të shmangë një prej rivalëve të tij brenda së majtës?

Ju thashë që nuk jam i lumtur për shkak të rrethanave, të cilat nuk po i përsëris. Por jam shumë i nderuar që jam zgjedhur President i vendit dhe do të bëj përpjekje më të mira për ta justifikuar këtë besim dhe këtë përgjegjësi të jashtëzakonshme.

Dhe absolutisht e theksoj edhe një herë tjetër që midis demokracisë dhe pushtetit, ne politikanët duhet gjithmonë t’i japim prioritet demokracisë. Dhe përpjekja ime është për të ndihmuar demokracinë në vend dhe institucionet për një funksionim më të shëndetshëm dhe për të dekurajuar përshkallëzimin e një krize institucionale, të panevojshme. Kemi të gjitha mundësitë, me pak më shumë vullnet dhe tolerancë dhe përgjegjshmëri ta tejkalojmë këtë situatë.

Ju e dini që unë si Kryetar i Kuvendit i bëra kërkesë zyrtare z. Joseph Daul, Kryetarit të Partive Popullore Europiane, ku Partia Demokratike është anëtare prej një kohe të gjatë, që të angazhohej për të rritur mirëbesimin midis palëve dhe për të mundësuar dialogun.

Dua të falënderoj edhe një herë Kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, një personalitet mjaft të shquar të Partive Popullore Europiane dhe të CDU-së, David McAllister, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm dhe besoj se angazhimi i tij dhe i raporterit të njohur për të gjithë ne, z. Fleckenstein, është i paezauruar dhe të gjithë duhet të bëjmë përpjekje që të përmbyllim me sukses këtë përpjekje negociuese, dialoguese.

Sepse kjo është në radhë të parë në të mirë të gjithë qytetarëve tanë, por padyshim është edhe një respekt për partnerët tanë evropianë dhe amerikanë dhe do të ishte një shenjë përgjegjshmërie dhe pjekurie për të cilën ka kaq shumë nevojë politika shqiptare sot që t’i japë qytetarëve tanë.

Meta e menduat ndonjëherë refuzimin e këtij propozimi për ta çuar më tej LSI-në në fushatë dhe për të synuar zgjedhjen si forcë e parë e për të qenë Kryeministër, përse jo?

Unë Kryeministër kam qenë në një moshë fare të re, 30 vjeç dhe nuk është ky problemi dhe shqetësimi as i imi, as i Shqipërisë, as i kujtdo tjetër.

Sot shqetësimi i vendit është që politika të japë qetësi, të japë siguri që vërtet pas zgjedhjeve të ardhshme, Shqipëria të jetë një vend më frymëzues për të gjithë të rinjtë dhe fëmijët tanë, të cilët meritojnë një të ardhme të sigurt. Politika duhet ta bëjë Shqipërinë më të sigurt, më të parashikueshme për të gjithë dhe padyshim edhe për investitorët, vendas dhe të huaj.

Sepse pa garantuar më shumë investime do ta kemi më të vështirë që të krijojmë më shumë vende të reja pune dhe t’i zgjidhim në një mënyrë më të qëndrueshme, më të suksesshme problemet ekonomike dhe sociale të vendit dhe të familjeve shqiptare.

Në kushte të tjera, z. Meta, a do ta kishit pranuar kandidaturën, nëse do të kishim një normalitet parlamentar?

Unë kam qenë i prirur për të votuar çdo kandidat që garantonte një konsensus më të gjerë se kaq, pra edhe të propozuar nga opozita dhe i pranuar nga mazhoranca dhe unë kam insistuar për këtë gjë.

Dhe si pjesë e një pakete mirëbesimi në tërësi për gjithë klimën politike edhe në kuadër të zgjedhjeve, por edhe si tregues i vullnetit që mazhoranca nuk synon të kapë të gjitha pushtetet për arsye se i ka votat, edhe pse mjaft legjitime, për të realizuar edhe zgjedhje të njëanshme sikurse është edhe zgjedhja e Presidentit të Republikës.

Megjithatë e theksoj edhe një herë që kjo mungesë e Partisë Demokratike në këtë proces më motivoi që ta pranoja këtë kandidim si një investim për stabilitetin e vendit. Unë kam bërë më të mirën si Kryetar i Kuvendit, do të bëj edhe më të mirën pas 24 korrikut.

Shpresoj që të gjithë të japin kontributin e tyre, sepse qytetarët tanë meritojnë qetësi, siguri, paqe sociale. Për të mos folur pastaj për sezonin turistik që po vjen edhe që Shqipëria duhet të ketë një sukses akoma më të madh përsa i takon zhvillimit të turizmit, i cili vjen në rritje dhe me të cilin përmirësohet jeta e mjaft e mjaft familjeve shqiptare.

Në ankthin e pritjes për zgjedhjen President, a i përfunduar listat e deputetëve? Sa për qind të Grupit Parlamentar do të rikonfirmoni, nëse do të na shuanit kureshtjen?

Që t’ju shuaj edhe kureshtjen, kjo është një çështje që do të fillojë sot në darkë, sepse deri më tani jemi marrë me çështje të tjera dhe nuk mund të them asgjë pa diskutuar edhe me kolegët e tjerë të Kryesisë. Kështu që, tani do të shkoj atje që të vazhdojmë me ta përmbylljen e këtyre detyrimeve.

A ju ka uruar z. Berisha apo ju ka munguar një urim nga ish – Kryeministri?

Ju e dini që është dobësia ime, por unë shpresoj shumë tek eksperienca e tij dhe e shumë politikanëve të tjerë në Partinë Demokratike që të kontribuojnë për përmirësimin e kësaj situate, sepse gjithë qytetarët shqiptarë, socialistë, demokratë, të majtë, të djathtë, pa parti dëshirojnë një vend edhe më demokratik, edhe më të sigurt, edhe më të mirë për familjet e tyre. Kështu që unë do doja shumë të besoja tek eksperienca e tij edhe e shumë politikanëve të tjerë në Partinë Demokratike, padyshim pa përjashtuar edhe vetë Kryetarin, z. Basha. Faleminderit.

Burimi:( integrimi.al / E.S ) 

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al