Ilir Meta: Mbështetje zhvillimit të Ishmit dhe në bujqësi e turizëm

14715672_1323206661025922_6812787557980744522_o

Kreu i Kuvendit në Ceremoninë e dorëzimit të 700 lejeve të legalizimit

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta mori pjesë ceremoninë e dorëzimit të 700 lejeve të legalizimit në Ishëm të Durrësit. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Ministri i Mjedisit, z. Lefter Koka, Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, z. Artan Lame, Drejtori i ALUIZNI-t Durrës, z. Flamur Gjuzi, etj. Në fjalën e tij përshëndetëse para banorëve të Ishmit, z. Meta falënderoi drejtuesit e ALUIZNI-t për punën e madhe që kanë bërë brenda një kohe shumë të shkurtër. Kryetari i Kuvendit u shpreh se komuniteti i Ishmit duhet të ndërgjegjësohet më shumë për të mos dëmtuar vlerat dhe potencialet turistike dhe mjedisore që kjo zonë ka.

“Dua të përshëndes z. Lame, Drejtorin e Përgjithshëm të ALUIZNI-t dhe z. Gjuzi, Drejtorin e ALUIZNI-t Durrës për punën e madhe që është bërë, sepse vërtetë në pak kohë është bërë ajo që nuk është bërë në 8 vite. Aq më tepër që kemi të bëjmë me legalizimin e pronave tuaja në një vend që ka shumë vlerë dhe që do të ketë akoma më shumë vlerë pas një procesi të suksesshëm të urbanizmin për të cilin edhe vetë komuniteti duhet të ndërgjegjësohet edhe më shumë. Është shumë e rëndësishme për të ardhmen të mos dëmtojmë vlerat dhe potencialet turistike dhe mjedisore të Ishmit. Sepse vërtetë është një bukuri përrallore për të përjetuar atë bukuri të jashtëzakonshme që ka riviera jonë në Jug duhet të shkosh 3-4 orë nga Tirana. Të njëjtën gjë mund ta përjetosh vetëm për 20 minuta nga Tirana po të vish në Ishëm”, – tha z. Meta.

Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit theksoi se kjo zonë ka një potencial të madh zhvillimi dhe me legalizimin e ndërtimeve hidhen disa hapa mjaft të rëndësishëm. Z. Meta u shpreh se kjo zonë do të ketë edhe një mbështetje më të madhe në fushën e turizmit apo bujqësisë.

“Do të jemi në dialog të vazhdueshëm me ju për të mbështetur edhe hapat e tjerë mjaft të rëndësishëm për zhvillimin e Ishmit sikurse është procesi i urbanizimit, por edhe zhvillimi i bujqësisë, i turizmit, mbrojtja mjedisit. Këto janë jetike për mirëqenien tuaj dhe njëkohësisht të kemi në konsideratë që Ishmi është një zonë me mjaft emër. Është një zonë e cila është e lidhur me një emër të madh të kulturës tonë kombëtare, por edhe ndërkombëtare si Ibrahim Kodra, por ka patur dhe mjaft personalitete të tjera. Prandaj të punojmë të gjithë me dashuri dhe me përkushtim për të ardhmen e Ishmit dhe unë besojë në bashkëpunimin tuaj në këtë drejtim”, – u shpreh ndër të tjera Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta.

Ndërsa, Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, z. Artan Lame, tha se procesi i legalizimeve nuk është thjesht një çështje numrash, por rëndësi ka fakti që kjo mazhorancë po e mban fjalën e dhënë shqiptarëve. “Askush nuk mund të konkurrojë atë që u bë gjatë 3 viteve të kësaj qeverie me sa janë bërë më përpara. Tani të gjithë shqiptarët e dinë që legalizimet do bëhen dhe se kjo qeveri e mbajti fjalën. Sfida jonë në të ardhmen, sfidë që fillon dhe këtu në Ishëm, le të themi që nga dita e sotme ku mbyllet kjo pjesë është urbanizimi i këtyre zonave vërtet ju dhamë lejen e legalizimit, u dhamë dokumentin në dorë, por çfarë ndodh pas kësaj. Vërtetë që kjo pronë hyn në kolateral. Mund të përdoret për gjithçka, por më e rëndësishme është se çfarë ndodh më mbrapa tani, në pjesën që ka të bëjë me urbanizimin këtyre zonave dhe me sistemin e jetës së tyre”, – tha z. Lame, ndërsa theksoi se në këtë zonë legalizimi është bërë falas duke qenë se banorët kanë ndërtuar në tokën e tyre. Më tej, z. Meta së bashku me z. Lame dhe z. Gjuzi shpërndanë 700 lejet e legalizimit për banorët e Ishmit.

(Burimi:Integrimi.al/Xh.N)

Te shenuara si:
al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al