Ilir Meta: Ta çojmë Shqipërinë drejt realizimit të standardeve më të larta

Intervista e Presidentit të Republikës, z. Ilir Meta, për emisionin “Top Story” të Sokol Ballës në “Top Channel”

 Të jesh president i Republikës është një kulminacion, jo thjesht një karrierë politike por sesa në jetën e çdokujt dhe ju siç shpeshherë e keni thënë në intervistat tuaja, ju vini nga një familje e zakonshme. Tashmë jeni në majën apo kupolën e shtetit shqiptar. Çfarë do të thotë kjo për ju si një person që në rrugëtimin tuaj keni provuar gjithçka? 

Si përse e theksova edhe sot unë ia dedikoj faktin që jam sot në këtë detyrë ashtu siç kam qenë edhe në të kaluarën edhe në detyra të tjera të larta përfshirë atë të kryeministrit apo kryetarit të Kuvendit, demokracisë dhe përpjekjes së çdo qytetari shqiptar për demokraci. Natyrisht edhe përpjekjeve të mia të palodhura për demokraci gjithashtu.

Në fakt ju fillimisht morët pjesë në pjesën e parë të ceremonisë në Kuvend ku ishte edhe opozita. Ndryshe nga fundprilli ku vihej re zymtësia në votim pa praninë e opozitës por edhe në portretin tuaj fizik. Kësaj radhe ju pashë pak më të qetë.

Besoj se kam qenë shumë i sinqertë në të tjera momente. Së pari kush do ndihej mirë të zgjidhej president pa opozitë? Akoma më keq, të ndaj opozitën në një grevë apo një protestë dhe gjithmonë me rrezikun e vajtjes në zgjedhje pa opozitën.  Ndaj edhe përpjekjet e mia pavarësisht nga ajo zgjedhje, e cila u motivua edhe nga përgjegjshmëria për shkak të zgjidhjes së një krize institucionale, nuk reshtëm deri në fund që të arrinim në një marrëveshje e ta zgjidhnim patjetër me opozitën. Unë e kam theksuar kur më kanë thënë që pse je kaq i palumtur apo i mërzitur. Më mirë të jesh qytetar i një vendi normal dhe demokratik sesa të jesh president i një vendi ku opozita kryesore nuk merr pjesë në zgjedhje. Kështu që unë sot kam qenë edhe i lumtur dhe betimin e kam bërë me zemër.

Për herë të parë presidenti i Republikës nuk rreshton pranë bashkëshorten e tij. Nuk e dimë akoma a është zonjë e parë Monika Kryemadhi?

Mendoj se personin për të cilin ju flisni dilte aq kollaj në rresht. Së dyti, Monika e ka bërë zgjedhjen e saj publike në momentin që unë jam zgjedhur president. Ajo është zgjedhur më pas zëvendëskryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim duke e bërë të qartë e duke qenë politikane aktive dhe që  nuk do të ishte zonjë e parë. Kështu që unë besoj se misioni i saj por  edhe paraqitja e sotme janë një mesazh i qartë e presidentit dhe  presidenca nuk mund të ndikohet nga askush përfshirë edhe atë për qëllime të caktuara politike. Kështu që besoj se mesazhi është tepër i qartë.

Gjëja e dytë që më bëri përshtypje është takimi me kryeministrin, shkëmbyet shtrëngim duarsh por jo shikimesh. Tani e tutje doni s’doni do keni kontakt institucional. A ka kontakt njerëzor midis z. Ramës dhe jush?

E pashë dhe më duket se më pa. Besoj se mesazhi im ishte shumë i qartë. Në orën 18:00, unë kam lënë 25 vitet e mia parlamentare, politike dhe partiake atje ku i nisa para 25 vitesh. Absolutisht me këtë detyrë, unë do të jem bashkëpunues me të gjithë sepse është detyra dhe detyrim kushtetues. Është edhe detyrim qytetar dhe absolutisht që unë jam i hapur për të bashkëpunuar jo vetëm me z. Ramën por edhe me të gjithë aktorët e tjerë. Është detyra ime.

Deri në fund ishte ai ankthi mos vallë Ilir Meta ndryshon apo ka ndryshuar mendje gjatë këtyre javëve. Për shembull e menduat këtë? E menduat që të jepnit realisht dorëheqjen pa e marrë detyrën siç edhe e shprehët në një moment të caktuar?

Unë më duket se e kam bërë të qartë edhe pasi jam zgjedhur president ndërkohë që opozita vijonte protestën e saj e lajmëronte bojkotin e zgjedhjeve. Madje e kemi shprehur edhe më 17 maj ku edhe Petrit Vasili e ka bërë shumë të qartë që Lëvizja Socialiste për Integrim ishte për t’i dhënë fund këtij ngërçi e kësaj krize të madhe që po vjen.

Kërkoi të zbatojë paketa McCallister ditë për ditë edhe për këtë gjë është e gatshme që të tërhiqet edhe nga posti i presidentit meqenëse ky post ishte në një ditë me këtë paketë. Dhe ky ishte treguesi i përgjegjshmërisë për të evituar një krizë. Natyrisht që nuk më ka shkuar nëpër mend më pas që të jap dorëheqjen për arsye të tjera sepse kjo do të ishte një sfidë e panevojshme dhe e tepruar ndaj të gjithëve. Do të ishte një mungesë e respektit për institucionin e presidentit të Republikës por edhe për mjaft partnerë të cilët kanë duruar në atë moment dhe kanë qenë të hapur për bashkëpunim.

Nëse te disa kjo shihej si një mundësi, te disa të tjerë si një shqetësim. Te një pjesë e mirë, tek kjo pjesa e mirë që po themi ishin të gjithë përfaqësues të LSI gati-gati kjo shprehej si dëshirë sidomos për mënyrën se si shkuan ngjarjes pas 25 qershorit. Në njëfarë mënyre iu dukej vetja sikur ishin lënë jetim, sikur ndoshta LSI nuk do mund të mbijetojë në klimën e dy partive të mëdha dhe pa Ilir Metën?

Dje ishte dje, sot është sot, thoshte Presidenti i Turqisë, aq më tepër për mua. Nga dita e sotme, para orës 18:00 dhe mbas kësaj ore besoj se ka një ndryshim të fortë, institucional dhe cilësor. Unë jam i përqendruar totalisht në këtë detyrë dhe në përmbushje me shumë përgjegjshmëri dhe përkushtim të saj, në respekt të Kushtetutës dhe në respekt të gjithë qytetarëve tanë. Por përsa i takon këtyre historive me LSI, dua të përsëris që, që kur është krijuar LSI është krijuar me një pikë në statut që Kryetari nuk duhet të rrinte me dy mandate radhazi, kështu që për arsye të rrethanave, të zgjedhjeve të vështira që ju i mbani mend të 2005, 2009 u tejkalua. Dhe sikur të mos ndodhte ky moment i rëndësishëm i zgjedhjes President, besoj se koha e drejtimit të LSI prej meje kishte përfunduar. Dhe një forcë politike e cila në 13 vjet nuk arrin të krijojë kapacitetet e duhura për të ecur e sigurt në zbatimin e programit të saj, natyrisht që është një forcë që ka probleme. Por unë këtë historitë e LSI i kam lënë pas dhe të çdo angazhimi politik dhe partiak në të kaluarën, tani jam i përqendruar në një detyrë të re dhe LSI është si çdo forcë tjetër politike në vend për mua.

Përse u përkeqësuan marrëdhëniet mes dy partnerëve kaq shpejt dhe deri në këtë pikë?

Mesa duket shumica e pyetjeve tuaja kërkojnë të na kthejnë para orës 18:00. Unë nuk kam asnjë të dejtë të censuroj pyetjet tuaja. Ato kanë qënë raporte që i takojnë të kaluarës. Tani unë jam i hapur për raporte të reja, institucionale, bashkëpunimi me të gjitha aktorët politikë në vend pa asnjë lloj paragjykimi.

Në fushatë thatë se Edi Rama do i telefonojë z. Petrit Vasili pas zgjedhjeve. Unë kam dëgjuar që Kryeministri iu ka telefonuar sërish dhe ju sërish nuk jeni përgjigjur. Si mendoni do ta menaxhoni këtë raport deri para orës 18:00 të ftohur mes jush dhe kryeministrit të vendit?

Ne sapo u takuam.

Po, por ju i dhatë dorën dhe i shikonit atletet…

Së pari, unë nuk impresionohem nga atletet. Ato janë një zgjedhje mjaft normale. Nuk është hera e para, në kuptimin që është diçka e re që tërheq vëmendjen time. Unë i kam dhënë dorën me shumë sinqeritet edhe z. Rama, dhe të gjithë të pranishmëve që na nderuan në këtë ceremoni që nuk është për një individ, por është për institucionin e Presidentit të Republikës.

Duket një mallkim raporti midis këtij institucioni dhe Kryeministrit të vendit. A do ta ndryshoni ju këtë trend dhe të ngriheni mbi emocionet personale që keni pasur me z. Rama para orën 18:00?

Unë mund t’iu them që bashkëpunimi im si Kryeministër me presidentin Mejdani ka qenë i shkëlqyer. Unë jam bashkëpunues me të gjithë dhe pa dyshim që do jem bashkëpunues me Kryeministrin Rama, me çdo kryeministër, me çdo qeveri, me çdo forcë politike të opozitës dhe me çdo institucion, pasi kjo është dhe detyra kryesore e Presidentit, të punojë për bashkëpunim, për unitet, për bashkëveprim të gjithë institucionet, të gjithë aktorëve, në interes të vendit, në interes të gjithë qytetarëve tanë, pa dallim idesh partiake dhe politike.

President shumë vetë patën pikëpyetje për mënyrën se si u përfshitë në fushatë. Minimalisht u duk politikisht jo korrekte. Megjithatë a keni reflektuar mbi këtë?

Unë jam President nga ora 18:00.

E bëj këtë pyetje sepse një pjesë e opinionit publik mendon se ju e keni humbur sharmin, pasi ju keni pasur sharmin e një presidenti de facto në skenën politike shqiptare, nga viti 2012 e këtej, keni ndërmjetësuar kriza të forta politike si ajo e reformës në drejtësi. Çfarë do të bëni për të restauruar besimin e gjerë që ekzistonte ndaj jush si një person që di të ngrihet mbi palët?

Unë besoj se janë të gjitha mundësitë që gjatë këtyre pesë viteve t’iu provoj qytetarëve shqiptarë, se ky është një institucion që punon për të gjithë pa asnjë dallim partiak, apo çdo lloj dallimi tjetër.

Patët deklaruar se nuk do të dekretonit një Kryeministër që vjedh zgjedhjet. A do të presim surpriza në shtator?

Natyrisht që unë do të përmbyssh të gjitha detyrimet e mia kushtetuese dhe institucionale, në mënyrën më korrekte. Dhe sigurisht që do të duhet të presim konstituimin e Kuvendit të ri.

Do të merreni në konsideratë mosdekretimin e qeverisë së re për të gjitha arsyet që keni thënë? Do të ketë vendime të forta?

Do të prisni vendime krejtësisht kushtetuese, institucionale, demokratike dhe transparente. Ka procedura se si ndodh një proces. Edhe unë kam nevojë të pyes këshilltarë. Ka zyra të cilat e këshillojnë Presidentin, ka një praktikë në të kaluarën se si ndodh.

Cilat do të jenë prioritetet e Presidencës?

Besoj se i kam bërë të qarta. Në të dyja fjalët e mia u përpoqa të mos kishim një përsëritje, duke e përshtatur edhe në betimin në Kuvend por edhe në ceremoninë e marrjes së detyrës në Presidencë. Për mua është vendimtare të rrisim besimin e të rinjve për të qëndruar në Shqipëri. Në takimin që pata me Presidentin Nishani para se të merrja detyrën edhe ai më shprehu këtë shqetësim se çdo ditë e më shumë të rinj dhe njerëz të aftë kërkojnë të lënë nënshtetësinë shqiptare për të marrë shtetësitë e vendeve të ndryshme. Dhe ky është një problem. Jo se kjo është diçka që duhet ndaluar sepse ne jemi një vend demokratik dhe çdo qytetar bën zgjedhjet e tij por në duhet të japim më shumë besim për të rinjtë tanë, për intelektualët tanë, për forcat më progresive dhe më të afta të shoqërisë për ta parë të ardhmen këtu. Natyrisht që kjo kërkon një frymë bashkëpunimi midis të gjitha institucioneve dhe të gjithë aktorët.

Presidenca ka pasur disa konflikte dhe përplasje me Ministrinë e Jashtme. Ndërkohë që edhe ju nuk i keni pasur marrëdhëniet mirë. Si do të jetë marrëdhënia juaj tani?

Nuk ka pasur probleme midis Kryetarit të Kuvendit dhe Ministrisë së Jashtme. Ka pasur debate në Kuvend për ligjin për “Shërbimin e Jashtëm”. Ka pasur herë pas herë debate edhe në Komisionin e Politikës së Jashtme por Kuvendi për debate është. Është normale. Kështu që në këtë drejtim unë besoj se bashkëpunimi në kuadër të politikës së jashtme është një detyrë jo vetëm e Kuvendit apo e Qeverisë por edhe e opozitës. Shqipëria në këtë drejtim duhet të demonstrojë seriozitet, soliditet, kredibilitet dhe duhet të ndjekë një politikë afatgjatë. Në rast se në politikën e brendshme tolerohen edhe gabimet apo devijimet në politikën e jashtme ato janë me kosto sidomos kur bëhet fjalë për një vend modest siç jemi ne.

Do të shohim sërish bllokime ambasadorësh apo do të ketë bashkëpunim më të mirë?

Nuk jam këtu as për t’i bërë fresk qeverisë, e as për t’i bërë opozitë qeverisë dhe as për të bllokuar. Jam këtu për të bashkëpunuar duke respektuar Kushtetutën dhe duke pasur gjithnjë vullnetin e mirë për të bërë zgjidhjet më të parë dhe transparente në çdo drejtim, që i shërbejnë vendit, që i shërbejnë diplomacisë, që i shërbejnë ushtrisë, që i shërbejnë të gjitha institucioneve me të cilat detyra e Presidentit ka një angazhim të veçantë.

Nëse z. Rama ju sjell emrin e Visar Zhitit për ambasador ju do ta emëroni atë?

Nuk mund të jap një përgjigje këtu sepse do të ishte një përgjigje jo e përgjegjshme për rastin konkret unë natyrisht do të respektoj të gjithë procedurat. Në raste të tilla ka disa etapa institucionale për emrin konkret, sigurisht që unë kam një respekt të veçantë për edhe si poet si njeri i kulturës i letërsisë i publicistikës, por njëkohësisht edhe si diplomat kam pasur mundësi ta takoj disa herë gjatë kësaj kohe.

Keni qëndrime jo të kundërta, por të ndryshme me Kryeministrin Rama sa i përket faktorëve politikë në Kosovë. Si Kryetar Kuvendi apo si Kryetar i LSI-së ka qenë një marrëdhënie preferenciale me z. Ramush Haradinaj…

Nuk është e vërtetë, megjithëse edhe pak më parë Ramushi ishte ndër të parët që më telefoni por edhe të tjerë, marrëdhëniet në Kosovës i kam pasur dhe i kam mjaft të hapura me të gjithë faktorët atje. Asnjëherë nuk kam pasur një problem me një faktor politik në Kosovë sepse asnjëherë nuk jam nxituar për të mbajtur një qëndrim të njëanshëm.

Me z. Haradinaj kemi pasur lidhje të veçanta për arsye sepse ai ka qenë në situata të vështira vazhdimisht gjatë këtyre 15 viteve dhe natyrisht ka merituar edhe solidaritetin por edhe të gjithë politikanëve në Shqipëri në mënyrë të vazhdueshme. Por për të shuar kuriozitetin tuaj, pavarësisht se mund të takohemi shpesh edhe për këto arsye ndajmë mendime të ndryshme për shumë çështje.

Megjithatë, Ramushi mbetet gjithmonë simpatik, e shpreh gjithmonë mendimin e tij hapur edhe kur është i ndryshëm, por kjo nuk do të thotë aspak se këto janë marrëdhënie preferenciale që dëmtojnë apo tregojnë njëanshmëri të caktuar në Kosovë dhe kudo tjetër. Parimi im kurdo ka qenë në të gjitha detyrat që kam pasur, edhe institucionale por edhe politike, për të mbajtur marrëdhënie shumë të mira jo vetëm me faktorin politik shqiptar kudo, por dhe më të gjithë faktorët politikë të vendeve fqinje pavarësisht nga përkatësitë ideologjike si në Greqi, qoftë me PASOK-un apo me Demokracinë e Re, si në Maqedoni, në Malin e Zi, Serbi.

Në Maqedoni, për shembull, edhe për krizën e fundit nëse Tirana zyrtare nuk e dha kurrë, por ama e anashkaloi Gruevskin, ndërkohë ju dhe partia juaj pati një qëndrim më të hapur më komunikues edhe me faktorë politikë që u lanë pastaj jashtë dhe u përjashtuan nga marrëveshja. Takimin e parë me një të huaj do ta keni me Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë i cili vjen në një vizitë zyrtare. Edhe në rastin e Greqisë, ju patët një vizitë në kulmin e tensioneve midis dy qeverive, ju shkuat atje dhe folët me një ton tjetër. U kritikuat për këto, por ama ditët ta mbronit me argumentet tuaja edhe në parlament…

Të rikthehemi te Maqedonia, sepse është çështje mjaft e rëndësishme dhe komplekse, është edhe në interesin tonë dhe të rajonit. Gruevksi është nga politikanët në Maqedoni me të cilin kam pasur njohje apo kontakte më të pakta, pasi marrëdhëniet e mia me Maqedoninë janë shumë më të hershme, me Crvenkovskin, kryetarin e Social-Demokratëve, kryeministrin, presidentin e tyre. Më pas me Buçkovksin e Social-Demokratëve, një nga koleget e mia më të ngushta në Maqedoni është Zv.Kryetarja e LSDM-së, Radmilla Shekerinska, jemi një gjeneratë e cila tani është Ministre e Mbrojtjes e shumë politikanë të tjerë. Ajo që unë kam theksuar gjithmonë sa i takon Maqedonisë, që ne mund të mësojmë si Shqipëri dhe e kam thënë edhe publikisht prej vitesh është puna shumë e mirë që Maqedonia ka bërë për krijimin e parqeve industriale. Unë në fillim të mandatit të kësaj qeverie në 2013-n kam shkuar personalisht dhe kam vizituar e kam parë në vend bashkë me Zv.Ministren e Ekonomisë parqet në Shkup dhe parkun e ri në Tetovë.

Dhe e kam theksuar që në këtë drejtim duhet të mësojmë nga Maqedonia për të krijuar lehtësira për investitorët e huaj, duke pasur në konsideratë edhe disa rrethana më të vështira që ajo ka se Shqipëria, qoftë aksesin në bregdet, në porte, qoftë problemin e emrit, probleme me fqinjët dhe disa probleme të tjera. Dhe fakti që në renditjen e “Doing Bussiness” të Bankës Botërore është në mos e gaboj është e dhjeta, është një mundësi për të mësuar. Nuk mund të them të mësojmë për çështje të tjera, për të cilat Maqedonia ka qenë problematike apo shqetësuese, sepse çdo vend ka problemet e veta, por këtë e kam theksuar dhe e theksoj e kam kërkuar vazhdimisht edhe nga partnerët e koalicionit që kam pasur për t’i kushtuar vëmendje dhe për të mësuar në këtë drejtim. Sidomos nga “Macedonia Invest”, e cila është një agjenci jashtëzakonisht rezultateve, mjaft agresive, ka arritur të tërheqë investime mjaft cilësore duke patur në konsideratë edhe faktin që Maqedonia ka edhe ajo kapacitete e veta modeste.

Kështu që asnjëherë, as nuk kam ndërhyrë, as nuk mund t’ia lejoj vetë të ndërhyjë për vendime të cilat politikat fqinjë, aq më tepër politikanët shqiptar në vendet fqinje duhet t’i marrin. E vetmja gjë e rëndësishme është që këto vendime të merren në interes të stabilitetit të këtyre vendeve, në interes të të drejtave të shqiptarëve.

Meta që të shkojmë tek raportet me Greqinë, vizita juaj në Athinë ishte në kulmin e tensioneve midis dy qeverive, pati kritika edhe ndaj jush, pati një debat të fortë në parlament midis jush dhe z. Idrizi dhe tashmë jeni President i Republikës, ndërkohë që midis dy vendeve lista e problemeve për tu zgjidhur është e gjatë…

Unë jam i angazhuar totalisht për të forcuar politikën e fqinjësisë së mirë, jo vetëm me Greqinë, por me të gjitha vendet fqinjë dhe për të forcuar politikën e bashkëpunimit me të gjithë vendet e rajonit. Nuk dua të jem në garë me askënd, për të fituar pikë në raport me vendet fqinjë apo në raport me çështjet të caktuara sepse nuk i përkas asnjë force politike. Për mua e rëndësishme është interesi kombëtar dhe interesi kombëtar i Shqipërisë kërkon që të gjitha problemet që kemi me fqinjët, përfshirë edhe Greqinë, të punojmë që t’i zgjidhim me dinjitet, me mençuri, por kurrsesi pa cenuar bashkëpunimin e gjithanshëm. Sepse nëse do të listojmë disa probleme të rëndësishme që vijnë nga kaluara, e kemi të pamundur të listojmë aq shumë interesa të përbashkëta që na lidhin çdo ditë e më shumë me Greqinë dhe me të gjithë fqinjët e tjerë. Kështu që kjo do të jetë politika ime si president dhe do t’u kërkoj të gjitha forcave politike që të bashkëpunojmë dhe të kemi një politikë sa më të unifikuar të jashtme në mënyrë që të jemi sa më të suksesshëm për çështje që duam me të vërtet që të zgjidhet.

Më kujtohet vizitua juaj si kryeministër në Athinë dhe ishit politikani i parë i atij niveli që hapët diskutimin për çështjen çame. Tani jeni president, do ta bëni sërish apo jo?

Çështja çame nuk ka nevojë që të hapet, ka nevojë që të marrë zgjidhje dhe është shumë e rëndësishme që të ndërtojmë një marrëdhënie mirëbesimi e cila ndihmon në zgjidhjen e të drejtave të qytetarëve shqiptar të cilët janë larguar me dhunë nga trojet e tyre në Greqi në një kohë të caktuar dhe natyrisht që kjo mund të ndodh vetëm duke punuar për t’i përmirësuar marrëdhëniet me Greqinë. Acarimi i marrëdhënieve me Greqinë nuk i ndihmon zgjidhjen e këtyre të drejtave apo rivendosjen e këtyre të drejtave. Përkundrazi, mund të krijojë probleme të tjera që nuk janë as në interesin tonë, as në interesin e fqinjëve tanë.

Meta ju keni qenë dy herë ministër i Punëve të Jashtme në dy periudha të ndryshme të historisë moderne të Shqipërisë çka sjelljet diplomatike kanë bërë që të vinin shenjat e para të normaliteti edhe nga Beogradit. Ndoshta ju kujtoj që ju jeni funksionari i fundit i atij niveli që keni bërë një vizitë të fundit në Moskë. Ju keni pasur gjithmonë një shqisë të gjashtë përsa i përket diplomacisë. Por tashmë jeni Presidenti i një Republike që në Preambulën e saj duhet të kujdeset për të gjithë shqiptarët kudo që ata janë. Pra si do të mund të përshtatni sensin tuaj diplomatik brenda kornizave patriotike që u jep Kushtetuta e Shqipërisë?

Ne do të kujdesemi për të drejtat e shqiptarëve gjithmonë duke e bërë më të mirën përmes një politike bashkëpunimi e cila i rrit kredencialet e politikës së jashtme të Shqipërisë, e cila fiton respektin dhe vëmendjen dhe mirëkuptimin e partnerëve të cilët na mbështesin për të gjitha çështjet e drejta, apo për të gjitha ato të drejta që ende u mungojnë apo nuk i kanë fituar shqiptarët kudo ku ata janë sepse përmes çdo lloj politike tjetër e cila mund të jetë e dobishme në një plan afatshkurtër për të ndezur emocione patriotike, mund të jetë shumë e vështirë që të arrijmë atë sukses që do të arrinim me një politikë të mençur dhe bashkëkohore duke treguar që jemi një vend që synon të forcoj paqen, që synon të trajtoj kudo shqiptarët me atë korrektësi dhe me atë përgjegjshmëri që ne trajtojmë pakicat etnike apo kulturore këtu. Dhe natyrisht që vetëm duke u sjell si një vend demokratik ne jemi më të fuqishëm, kjo është arma më e fuqishme që ne mund të kemi dhe do të kemi edhe në politikën e jashtme.

Në fjalimin e mbajtur, ju përmendët pakicat, por edhe opozitën. Mos vallë duke iu referuar atyre ju vendosët të mos veshin një kravatë të kuqe, pra ngjyrën e flamurit, por një kravatë blu?

Jo, të kuqe e kisha, edhe në Kuvend edhe në ceremoni, por nuk e dija që ju do të ishit kaq blu.

Megjithatë do të mbetet në fokusin tuaj shqetësimi për opozitën dhe për raportet demokratike?

Patjetër! Për mua Shqipëria dhe demokracia janë të parat dhe këtë e kam bindje dhe padyshim dhe mbrojtja e të drejtave të pakicave është mjaft e rëndësishme për të mbrojtur thelbin e një sistemi demokratik, i cili bazohet pikërisht në disa parime demokratike, që tregojnë karakterin e vërtetë të një shteti dhe të një shoqërie demokratike, që ofron garancitë e një sistemi që funksionon, jo thjesht që mbron pakicat, por mbron të drejtat e njeriut, të drejtat e individit, pavarësisht këtyre lloje përkatësie etnike kulturore apo fetare. Dhe natyrisht edhe nga ana politike.

Ne të gjithë jemi të bindur që një demokraci e shëndetshme kërkon edhe një opozitë aktive me integritet, e cila ndihmon standardet e mirëqeverisjes në vend përmes përmbushjes të rolit të saj, ashtu sikundër kemi nevojë për një media të lirë dhe të pavarur. Kemi nevojë për një shoqëri civile aktive, si një instrument vital i demokracisë, por edhe i një mendimi gjithnjë më alternativ, edhe të kualifikuar. Pra, në këtë drejtim këto të gjitha ndihmojnë për të forcuar tiparet e një shteti dhe të një shoqërie demokratike.

Rama në një intervistë me mua pas fitores tha se nuk do të mbante portretin tuaj në zyrën e tij, ju shqetëson kjo?

Jo, mua kjo më qetëson.

Përse?

Sepse edhe ai do të jetë edhe më i qetë…

Meta thuhet se për shkak të reformës në drejtësi tashmë ndikimi i kreut në shteti në drejtësi është thuajse zero, ju shqetëson kjo?

Absolutisht që nuk më shqetëson. Mua më shqetëson gjendja në të cilën gjendet drejtësia dhe si president i republikës do të mbështes sikurse thashë zbatimin e drejtë, transparent të reformës në drejtësi. Reforma nuk është as e Presidentit, as e qeverisë, është e të gjithë qytetarëve shqiptar, e rikthimit të besimit tek drejtësia. Është vendimtare për të ndryshuar mënyrën themelore besimin e qytetarëve tanë sidomos të të rinjve tanë, të njerëzve tanë më të kualifikuar tek e ardhmja e këtij vendi dhe tek e këtij sistemi demokratike.

Në intervistën e fundit që kemi bërë bashkë thatë që nuk do të ketë dy as tre procese Vetting-u. Do të ketë një proces Vetting-u dhe atë do ta bëjnë shqiptarët?

Procesi po ndodh dhe po e bëjnë shqiptarët.

Meta sa i përket edhe një herë raporteve të mëparshme midis presidentit dhe kryeministrit të vendit, ka patur në të shkuarën edhe akuza ndaj presidentëve sepse ata kanë bërë lojën e kryeministrave, me siguri edhe për shkak të reformës në drejtësi, gjasat janë që në tavolinën tuaj të vijnë propozime të rëndësishme. Çfarë do të presim nga presidenti Ilir Meta ndryshe nga paraardhësit e tij në sjellje për procese të tilla të rëndësishme për drejtues institucionesh?

Duhet të jemi të qartë një herë e përgjithmonë, që unë jam në këtë zyrë për të mos bërë as lojën e qeverisë dhe çdo lloj qeverie, as lojën e opozitës dhe çdo lloj opozite, por për të zbatuar Kushtetutën e vendit dhe për të bërë lojën më të mirë për Shqipërinë në mënyrë të hapur, transparente, bashkëpunuese, larg konflikteve dhe polemikave të panevojshme dhe absolutisht për mua gjithnjë do të jetë parësore transparenca dhe integriteti edhe për çështje të cilat ka rol Presidenti drejtpërdrejtë për emërime dhe për gjithçka tjetër për mua themelore do të jetë transparenca dhe integriteti. Në mënyrë që të rrisin transparencën në mënyrë e funksionimit të institucioneve, të rrisin integritetin e këtyre institucioneve, që të rrisin besimin e qytetarëve tek institucionet dhe te shteti.

Ju ndoqa që vlerësuat shumë rolin e Presidentit Nishani në pesë vitet e fundit. Megjithatë presupozohet që njerëzit presin nga ju që të jeni një president më i mirë se sa ai…

Unë e kam vlerësuar me shumë sinqeritet ish-presidentin Nishani dhe e kam vlerësuar edhe më përpara për arsye sepse ai në tërësi jo vetëm gjatë pesë viteve si president, por edhe në detyrat e mëparshme që ka patur ka qenë mjaft institucional, mjaft korrekt, mjaft bashkëpunues. Asnjëherë nuk ka qenë arrogant. Në këtë drejtim do të përpiqem të bëj gjithçka që ndihmon institucionin e Presidentit të Republikës të jetë sa më i pagabueshëm. Nuk ka njerëz të pagabueshëm, por mendoj që transparenca na ndihmon të gjithëve që të gabojmë sa më pak.

Bujar Nishani në një intervistë me mua një javë, pasi u zgjodh president më tha se ky është pozicioni më i lartë që një person mund të arrijë dhe ja ku jeni këtu prej pak orësh president. A është kjo mjaft për ambiciet, planet politike të Ilir Metës?

Ambicia ime është të përmbush me përgjegjshmëri maksimale këtë detyrë që më ka besuar Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Dhe për mua është e rëndësishme ku do të jetë Shqipëria pas pesë vitesh, jo ku do të jetë Ilir Meta pas pesë vitesh.

Ku do të jetë Shqipëria pas 5 vitesh? Si e imagjinoni ju?

Unë jua thashë edhe më parë. Shqipëria pas 5 vitesh duhet të jetë një vend ku të rinjtë tanë që studiojnë jashtë, një pjesë e mirë e tyre, të ktheheshin këtu dhe të merrnin përgjegjësi, të sillnin njohuritë që ata kanë fituar dhe për të cilat prindërit e tyre kanë investuar dhe sakrifikuar aq shumë dhe t’i japin një goditje të fortë kësaj tendencë për emigracion, sidomos të rinjve dhe të njerëzve më të kualifikuar, të cilët na duhen këtu për të çuar Shqipërinë më shpejt drejt realizimit dhe plotësimit të standardeve të një vendi evropian këtu, dhe jo në vendet e tjera të Evropës.

Është e mundur që Shqipëria të jetë një vend i BE-së pas 5 vitesh?

Natyrisht, që nuk jam kaq optimist për këtë çështje, sepse ne jemi ende në një proces ku synojmë hapjen e negociatave për anëtarësim sa më parë. Po të kemi parasysh përvojat e vendeve të tjera ky është një proces që ka kërkuar jo pak kohë.

Është një proces që nuk varet vetëm nga ne, por që varet edhe nga Bashkimi Evropian si dhe shumë zhvillime që do të ketë vetë ai. Por që ne të rrisim besimin e të rinjve për të realizuar ëndrrat e tyre në këtë vend mendoj që e kemi ne në dorë. Edhe Norvegjia nuk është një vend anëtar i BE-së, edhe vende të tjera.

Anëtarësimi në BE nuk është qëllim në vetvete. Është një instrument, është një kuadër, një perspektivë në mënyrë që ato standarde që njerëzit tanë kërkojnë t’i prekin individualisht. Të mos i prekin duke emigruar, por t’i realizojnë këtu, në vendin tonë që është një vend i mrekullueshëm. Jo se jam në këtë detyrë,  por edhe si Ministër i Jashtëm kam qenë në shumë vende të botës, është e vështirë të gjesh një vend midis Italisë, Greqisë, Kroacisë, me një potencial të jashtëzakonshëm për t’u zhvilluar, është e pamundur ta ndërrosh me një vend tjetër në botë.

Çfarë do të bëni ju pas 5 vitesh?

Këtë gjë nuk e di se çfarë do të bëj pas 5 vitesh por di që gjatë 5 viteve do të bëj gjithçka për t’i qëndruar betimit të sotëm, edhe angazhimeve të mia gjatë ditës së sotme të cilat janë publike.

(Burimi:Integrimi.al/Xh.N)

Te shenuara si:
al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al