Ilir Meta: “Zgjedhjet, LSI do të rrisë cilësinë e përfaqësimit të lidershipit të saj në nivel kombëtar dhe lokal”

kdk5Komiteti Drejtues Kombëtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim u mblodh për diskutuar rreth zgjedhjeve të 6 nëntorit për kryetarin e ri të kësaj force politike. Në këtë takim tre kandidatët për kryetar të LSI-së paraqitën platformat dhe ndanë vizionin e tyre me anëtarët e KDK-së.

Duke marrë fjalën në këtë aktivitet, Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta, njëkohësisht edhe kandidat në këto zgjedhje, u shpreh se është një moment i rëndësishëm për LSI-në për të reflektuar dhe për të vënë objektivat për të ardhmen në mënyrë që ajo të jetë gjithnjë në lartësinë e kohës dhe të sfidave që presin.

“Për këtë në radhë të parë na duhet një LSI më e organizuar se sa deri tani, me struktura shumë më të qëndrueshme se sa deri tani, dhe kuptohet, një LSI që hapet dhe që rrit cilësinë e përfaqësimit të lidershipit të saj në nivel kombëtar dhe lokal, por dhe të cilësisë së përfaqësuesve të saj në qeverisjen qendrore dhe atë vendore”, – tha z. Meta, teksa shtoi se këto ditë që kanë mbetur deri në zgjedhjet e 6 nëntorit dhe deri në zhvillimin e Konventës Zgjedhore duhen shfrytëzuar për të reflektuar mendimet e të gjithëve.

Kryetari i LSI-së theksoi se duhet përmirësuar raporti me anëtarësinë, që duhet të jetë më i qëndrueshëm e i vazhdueshëm e që ndihmon përmirësimin e strukturave të LSI-së, duke i ushqyer me ide dhe mendime që vijnë nga anëtarët dhe nga ambientet ku ata jetojnë dhe punojnë.

“Besoj se është shumë e rëndësishme të rrisim nivelin e llogaridhënies dhe ta strukturojmë atë në mënyrë të përhershme, pra, të gjithë të zgjedhurve. Të zgjedhurve në funksione partiake, por edhe të përfaqësuesve të LSI-së në të gjitha nivelet e qeverisjes. Kjo llogaridhënie duhet strukturuar në mënyrë të përhershme dhe të vazhdueshme dhe për këtë çështje, angazhimi im është për të garantuar një drejtim më kolegjial në të ardhmen, që ndjek në mënyrë të përhershme dhe të përditshme ecurinë e zbatimit të vendimeve të forumeve qendrore të LSI-së. Por njëkohësisht edhe ndjek në mënyrë të vazhdueshme performancën e LSI-së si forcë politike, por edhe si një forcë qeverisëse. Kjo besoj se është tashmë e domosdoshme dhe ekzistojnë disa përvoja dhe eksperienca, të cilat do të na ndihmojnë për të bërë një hop cilësorë në të ardhmen”, – nënvizoi z. Meta.

kdkMë tej, z. Meta deklaroi se LSI është një forcë e cila është identifikuar qartë me stabilitetin politik të vendit dhe i ka shërbyer me besnikëri këtij stabiliteti. Po kështu edhe me vullnetin e saj për t’i qëndruar marrëveshjeve, përfshirë edhe marrëveshjes së koalicionit në mënyrën më luajale dhe konstruktive, jo thjesht për koalicionin qeverisës, por në raport me qytetarët ndaj të cilëve LSI ka detyrimin më të parë.

“Unë besoj se angazhimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim edhe për reformën administrative-territoriale, që ishte një reformë madhore dhe jo e lehtë për t’u realizuar ka qenë mjaft konkret dhe në mënyrë të veçantë i insistimi i LSI-së që kjo reformë të ishte sa më gjithëpërfshirëse për të garantuar një jetëgjatësi dhe një legjitimitet sa më të shëndetshëm të saj, pasi është një reformë për disa dekada. Natyrisht tani është koha për të bërë rivlerësimin, se cili është impakti i kësaj reforme dhe unë mendoj që impaktet duhet të jenë në përgjithësi pozitive, por impakti nuk varet vetëm nga reforma, por varet dhe nga përgjegjshmëria e të zgjedhurve vendorë, por dhe bashkëpunimi midis tyre dhe i qeverisë qendrore dhe mirëkuptimi për politika të përbashkëta dhe jo kundërvënëse. Dhe në këtë drejtim dhe LSI-ja duhet të bëj një vlerësim të saj se si ka ecur zbatimi i kësaj reforme, edhe gjatë këtyre javëve dhe në Konventën Zgjedhore”, – vijoi z. Ilir Meta.

Gjithashtu, Kryetari i LSI-së theksoi se reforma në drejtësi ka qenë një angazhim tjetër kryesor edhe i LSI-së si një forcë partnere në koalicionin qeverisës, dhe insistimi i LSI-së që kjo reformë të bëhej me konsensus.

“Ashtu sikurse insistimi ka qenë dhe për reformën tjetër, pra për atë administrative-territoriale që kërkonte 84 vota për të patur një legjitimitet të pacenuar, ka qenë maksimal dhe interesi ka qenë vetëm një; që kjo reformë e madhe t’i shërbejë vendit, t’i shërbejë qytetarëve dhe mund t’i shërbejë vetëm duke qenë e pranueshme dhe e besueshme nga të gjithë dhe duke dalë sa më shumë nga shtrati i konfliktualitetit politik”, – theksoi z. Meta, ndërsa vlerësoi kontributi qenë jashtëzakonisht të rëndësishëm të LSI-së në këtë drejtim për të bërë gjithçka që kjo reformë të ecë përpara dhe të ecë në mënyrë konstruktive, me konsensus sa më shumë që të jetë e mundur, pasi sipas z. Meta është shumë e rëndësishme të ndërtojmë një drejtësi, që është sa më pak e cenuar nga ndikimi politik dhe nga konflikti politik.

kdk6Kryetari i LSI-së u ndal edhe në debatin për ligjin për mbetjet, duke e cilësuar si një debat i kuptueshëm dhe pozitiv, sepse tregon një ndjeshmëri në rritje të shoqërisë për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe kjo është vendimtare për një vend që synon të zhvillojë turizmin dhe gjithë ato degë që përsëri lidhen me mbrojtjen e mjedisit.

“Qëllimi ynë nuk ka qenë asnjëherë për të gjetur një zgjidhje oportuniste. Qëllimi ynë ka qenë gjithmonë për të gjetur zgjidhje parimore, të cilat garantojnë interesin e gjerë të publikut dhe kjo ka qenë arsyeja përse ne kemi insistuar te një dialog i ngushtë me shoqërinë civile, e cila është e profilizuar, specializuar prej gati dy dekadash në këtë drejtim. E ndërkohë jemi në një situatë ku kemi një interpretim të ndryshëm dhe të direktivave të BE-së. Unë nuk jam ekspert i mjedisit, as i Shqipërisë dhe as i BE-së. Por derisa të gjithë e kemi pranuar BE-në, përsëri nuk ka asnjë arsye përse, nëse nuk jemi të aftë që të zgjidhim dhe të shterojmë çdo arsye për të qenë mosbesues, të mos e pranojmë një ekspertizë të thelluar të Bashkimit Europian në këtë drejtim.

Sepse miratimi i ligjeve në mënyrë konfliktuale dhe kur konflikti është si stisur nga opozita apo nga grupe të caktuara për arsye politike, për një çështje sensitive, dhe shoqërimi gjithmonë i zbatimit me një dyshim, të përhershëm, nuk është pozitive për të gjithë shoqërinë”, – shtoi z. Meta.
Në fund, duke folur rëndësinë e zgjedhjeve brenda Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta preku edhe çështjen e reformës zgjedhore.

“Dhe me këtë rast duke shprehur edhe njëherë vendosmërinë për të adresuar të gjithë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për reformën zgjedhore që vijnë nga vëzhgimet dhe vlerësimet e zgjedhjeve të 2013-s dhe të zgjedhjeve vendore të 2015-s, dua të theksoj se ne mbështesim gjithçka që i shërben transparencës dhe integritetit absolut të zgjedhjeve të qershorit të vitit 20017.

Dhe do t’i kërkoja Kryetarit të Grupit Parlamentar, z. Vasili që të paraqesin propozimet tona që i shërbejnë këtij integriteti në mënyrë që ky proces të mos dëmtohet edhe për shkak të disa vakuume që kanë të bëjnë me rëndësinë e disa masave më të forta dhe penalizuese për fenomene të shëmtuara që kanë ndodhur në zona të caktuara të vendit, por që më pas dominojnë gjithë retorikën e paszgjedhjeve dhe sidomos të atyre që kanë humbur”, – deklaroi ndër të tjera Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta.

kdk2Kandidati për kryetar i LSI-së, z. Shezai Rrokaj u shpreh në fjalën e tij se LSI duhet të synojë hapjen e saj edhe më tej për të përmirësuar rezultatet.

“Mendimet dhe alternativat që ne shfaqim nga njëra anë dhe procesi vetë demokratik i shfaqjes së tyre tregojnë më së miri se LSI nuk është më një forcë që duhet të mendojë sot se me kë do të bëjë koalicion për të qëndruar në pushtet. LSI sot i ka të gjitha mundësitë në vizionin tim dhe tuajin besoj të synojë marrjen e pushtetit dhe një forcë që nuk e ka këtë synim ajo fillon dhe ka probleme me besimin në vetvete. Ndaj elementi i parë i platformës sime është hapja. Hapjen unë e konsideroj në dy drejtime themelore.

Ne duhet të heqim dorë nga ideja se kjo pjesa këtu është pjesa ime dhe nuk futet dot tjetri. Që nga organizatat, që nga njësia bazë që nga territori që ne mbulojmë dhe këtë jua them me shumë pastërti. I besoj shumë implementimit të fortë të idesë se duke e hapur politikën drejt një shtresëzimi social, duke u larguar nga koncepti i fisit dhe duke e bërë politikën e LSI më sociale, më të shtrirë, unë mendoj se ne arrijmë që të kemi një suport më të mirë për partinë.

Pjesa e dytë ka të bëjë me hapjen e partisë nëpërmjet përmirësimit të cilësisë së lidershipit. LSI sot i ka të gjitha kapacitetet e nevojshme intelektuale, por jo vetëm, në mënyrë që të përmirësojë cilësinë e lidershipit. Përmirësimi i cilësisë së lidershipit në tri nivele: në nivelin politik, ekzekutiv dhe atë legjislativ”, – tha z. Rrokaj.

kdk3Ndërsa, kandidati tjetër për kryetar të LSI-së, deputeti z. Përparim Spahiu theksoi në fjalën e tij se është kënaqësi të garojë për këtë post duke e cilësuar Lëvizjes Socialiste për Integrim si një parti politike që përfaqëson një forcë besimi për qytetarët.

“Kam kënaqësinë të jem përpara Këshillit Drejtues Kombëtar të LSI-së në radhët e të cilës gjendet kryesisht çelësi ose formula e suksesit të dy zgjedhjeve të fundit, ato lokale dhe ato kombëtare. Ne jemi forcë politike me rritjen më të madhe me përfaqësojmë një pol besimi dhe një pol shprese, si ç’kodues kryesorë të bipolarizimit të ngurtë për të cilin aq shumë luftuan dy partitë e mëdha që në bindjen time do të përpiqen ta ruajnë edhe në ardhmen këtë qasje arrogante”,- tha z. Spahiu.

Duke vijuar fjalën e tij, deputeti Spahiu theksoi se nga këto zgjedhje do të dalin strukturat e reja drejtuese të LSI-së por edhe një filozofi e re vendimmarrëse. “Dua që po nga këto struktura në zgjedhjet e brendshme të nëntorit, të dalë jo vetëm një kryetar i ri, por edhe një filozofi e re debati brenda radhëve të forumit dhe një kulturë e re e vendimmarrjes”,- theksoi z. Spahiu.

kdk4Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së z. Luan Rama duke shpjeguar zgjedhjet e brendshme theksoi se LSI ka aplikuar tani më një standard evropian në riorganizimin e strukturave drejtuese sipas parimit një anëtar një votë. “Zgjedhjet e datës 6 nëntor nuk janë thjeshtë nj detyrim statusor, por janë një moment solemn i konfirmimit të angazhimit dhe të rolit aktiv si pjesëmarrës në vendimmarrje i çdo anëtari të LSI-së.

Pjesëmarrja dhe vendimmarrja në një proces që është padyshim shembullorë për nga cilësia dhe standardet e realizimit të zgjedhjeve, siç është aplikimi i standardit një anëtar një votë që bëhet për të zgjedhur jo vetëm kryetarin e LSI-së, por edhe delegatët për në Konventën Kombëtare Zgjedhore, është padyshim modeli më i mirë dhe përgjigja më e mirë, shembulli më i mirë që ne japim ndaj qytetarëve shqiptar se si funksion një strukturë moderne dhe evropiane partie siç është LSI”,- tha z. Rama.

Burimi:( integrimi.al / E.S ) 

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al