Ilir Meta:“Demokratët, socialistët të gjithë shqiptarët e kanë të qartë se zgjidhja më 25 qershor është vetëm një: vota kundër oligarkisë, vota për LSI-në.

Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi një miting madhështor në sheshin “Nënë Tereza” ku morën pjesë qindra mijëra simpatizantë dhe qytetarë.

Të pranishëm në këtë takim ishin Kryetari i LSI-së, Petrit Vasili, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe kandidatët për deputetë të LSI-së.

Në fjalën e mbajtur në këtë miting historik, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta deklaroi se programi i LSI-së është e vetmja zgjidhje për shqiptarët pasi, ofron taksa më të ulëta në mënyrë që të hapen vende të reja pune.

“Të ulim kostot e biznesit dhe të rrisim të ardhurat e kujtdo. Taksa prej 23 % e vrau shtresën e mesme dhe rriti informalitetin, dekurajon trurin, menaxherët dhe profesionistët, që vazhdojnë të qëndrojnë të jetojnë në Shqipëri dhe të kontribuojnë për zhvillimin e saj”, – tha z. Meta, duke shtuar se demokratët, socialistët dhe të gjithë shqiptarët e dinë shumë mirë se problemi në këtë vend është vetëm një: oligarkia!

“Demokratët, socialistët të gjithë shqiptarët e kanë të qartë se zgjidhja më 25 qershor është vetëm një: vota kundër oligarkisë, vota për LSI-në. Nuk ka fuqi më të madhe për një popull dhe për një komb se sa ëndrra e rinisë. Kjo është fuqia më e madhe e Shqipërisë, ëndrrat e rinisë janë programi i LSI-së”,- u shpreh Kryetari i Kuvendit.

 

Fjalimi i plotë i Ilir Metës

 

Kërkoj ndërkohë kandidatët e LRI-së për Tiranën të vijnë këtu pranë meje, sepse kam një mesazh të fortë për Lefter Kokën.

Lefter Koka, unë e di që rinia e Durrësit është e parë, mos bëj garë me Tiranën, do të dalim 12 deputet.

Ndërsa për sondazhet e Rilindjes, dua t’ju them të gjithë shqiptarëve, jo atyre 600 mijë që e kanë vendosur prej kohësh të nxjerrin LSI-në forcë të parë, sondazhet e Rilindjes janë si “palmat e Rilindjes”, janë të shtrenjta, por janë të pashpresa siç janë tharë palmat e Rilindjes në autostradën Tiranë-Durrës.

Aq mandate sa mori LSI përpara katër vitesh në vitin 2013 kur ishte në koalicion me Rilindjen, aq mandate do t’i marrë vetëm në Tiranë në 25 qershor.

Sepse ne nuk promovojmë deputet me rekorde kriminale, kryetar bashkisë me rekorde kriminale, ata i promovoi Rilindja, ne promovojmë të rinjtë dhe të rejat, fëmijët e talentuar, atdhetar të familjeve të thjeshta të Tiranës dhe e gjithë Shqipërisë.

Sepse ne nuk duam që ky vend të braktiset, sepse çdo fëmijë që ikën nga Shqipëria lë një plagë dhe një brengë në familjen e tij dhe në familjen tonë të madhe.

LSI do të jetë forcë e parë, sepse ne nuk mund të jemi rrotë më rrotë me Sierra Leonen në gjithë botën përsa i takon fenomenit dhe të braktisjes së vendit.

Mirë në Sierra Leone ka patur luftë civile, mirë në Siera Leone ka një sëmundje shfarosëse që quhet Ebola, po këtu çfarë ka?

E kemi dhe ne një sëmundje të tmerrshme shfarosëse të vlerave më të mira kombëtare, njerëzore, shoqërore dhe demokratike: Ebola jonë quhet Rilindje!

Ebola jonë është mashtrimi dhe pabesia më e madhe që ka njohur kjo tokë mijëra e mijëra vjet!

Viktima e parë e kësaj Ebole ka qenë vetë Partia Socialiste, një parti me vlera të shkëlqyera e cila nuk ekziston më si e tillë sepse është Partia e Rilindjes që e ka zëvendësuar atë për fat të keq.

Dhe këto nuk jua thotë një socialist që udhëheqësi i Ebolës që erdhi në Shqipëri me lugë në brez për tu ulur në karrigen e Ministrit, këto ua thotë një eurosocialist, një student i dhjetorit që vajti në Partinë Socialiste ku të gjithë shkonin mbas PD dhe mbas Berishës, kur ishte në ditët e saj më të zeza për të krijuar një alternativë të re si rinia eurosocialiste.

Ne nuk do të merremi me problemet e Partisë Socialiste, por është detyra ime të jem i ndershëm me çdo socialist. As një udhëheqës i Partisë Socialiste nuk është përplasur dhe nuk është ndeshur më fortë se unë me Sali Berishën.

Kur të tjerët linin shtetin dhe ja fusnin vrapit pyjeve dhe maleve për t’u fshehur në Maqedoni dhe linin vendin në mëshirën e demokratëve të Mamurrasit të Sali Berishës, Ilir Meta i ka treguar vendin atij ku ka prekur institucionet!

Por për fat të keq, Ilir Metën dhe gjithë shqiptarëve, siç ia kam thënë Kryetarit të Rilindjes, dhe Kryetarit të Asamblesë së Rilindjes, edhe në sy të Petrit Vasilit, përpara se të miratohej reforma në drejtësi, për fatin tim të keq, nga të gjithë politikanët që unë kam qenë i detyruar, ose i dëshiruar të bashkëpunojë, për fatin e keq të Rilindësve, më seriozi ka qenë Sali Berisha.

Dhe kjo është një fatkeqësi e madhe sepse mbas 27 vjetësh duhet të kishim shumë politikan të tjerë, shumë më të mirë, shumë më me karakter, shumë më me vlera se Ilir Meta, se Sali Berisha, se Edi Rama e kushdo tjetër.

Kam një mesazh edhe për Lulin dhe shpresoj ta dëgjoj mirë: Nuk i gënjen dot t’i demokratët dhe as nuk e blen do t’i shpirtin e demokratëve duke u thënë hidhni triskat e LSI-së se LSI i fiton votat me vende pune. Jo Lulzim Basha, t’i nuk i ke humbur votën e Partisë Demokratike për shkak se ke humbur vendet e punës. Unë i njoh mirë demokratët, kam luftuar ashpër me ata dhe kam bashkëpunuar si burrat me ata dhe jo me errësirë.

I mirë i keq Sali Berisha secili ka mendimin e tij por demokratët ishin mësuar të kishin një lider me karakter dhe jo një lider me stomak. Dy herë në një vit e kam shpëtuar jo thjesht Partinë Demokratike nga shkatërrimi nga poshtërimi dhe nga degradimi i saj.

E para te reforma për drejtësi: pa vendosmërinë parimore të Ilir Metës vetëm për hir të stabilitetit të vendit dhe të integrimit evropian PD-ja do të ishte përçarë do të ishte poshtëruar e do të ishte tharë në çadër që përpara një viti.

Edhe tani ishte LSI-ja ishte Ilir Meta dhe faktorët e përgjegjshëm brenda vendit të cilët imponuan që Shqipëria të mos binte në greminë nga lideri i Ebolës që donte zgjedhje pa opozitën.

Demokratët socialistët të gjithë shqiptarët e dinë shumë mirë se problemi në këtë vend është vetëm një: oligarkia!

Demokratët socialistët të gjithë shqiptarët e kanë të qartë se zgjidhja më 25 qershor është vetëm një: vota kundër oligarkisë, vota për LSI-në.

Nuk ka fuqi më të madhe për një popull dhe për një komb se sa ëndrra e rinisë. Kjo është fuqia më e madhe e Shqipërisë, ëndrrat e rinisë janë programi i LSI-së.

Dje u zemërova shumë,nuk jam zemëruar kur kam dëgjuar se si gestapoja e krijuar në tre orë errësirë që po zhbën reformën e administratës publike, që po bën statusin e nëpunësit civil, që po dhunon të drejtat dhe liritë e njeriut bën shantazhe dhe bën presione mbi drejtues dhe mbi punonjës të administratës shtetërore. Kësaj ia kemi marrë dorën ne dhe e dinë shumë mirë shqiptarët se kush e bën.

Nuk jam mërzitur dhe nuk mërzitem as unë dhe as ju kur dëgjojmë çdo ditë se si sekserët e Rilindjes ose përndryshe të Ebolës së Shqipërisë u turren njerëzve të LSI-së për t’i blerë me paratë e drogës me paratë e koncesioneve për të shitur LSI-së se kjo nuk do të jetë më në pushtet dhe se në pushtet do të vazhdojë të na jetë Rilindja. E gjithë Shqipëria qesh me këta karagjozë,kanë kaq kohë që thonë mos votoni për LSI-në se LSI-ja do na i çojë votat te PD-ja. Tani thonë mos votoni për LSI-në se jemi bërë bashkë me PD-në, por nuk e themi dot publikisht. Edhe tragjedi edhe komedi, por edhe estradë. Estrada e Tomit dhe e Xherrit.

Por jam zemëruar shumë dje kur kam marrë vesh që Orgesti, një fëmijë 18-vjeç që duhej të përgatitje për provimin e maturës sot, u godit pabesisht nga kryetari i PS-së në Zharrës,një punonjës me probleme në Albpetrol dhe dy të tjerë vetëm se kur ishte pyetur kishte thënë që do të votonte për LSI-në.

Nuk është rastësi, ata që bënë pabesinë më të madhe duke vrarë edhe një djalë të shkëlqyer të forcave speciale për të pastruar Lazaratin nga kanabisi dhe që pabesisht mbushën gjithë Shqipërinë me kanabis,me drogë dhe gjithë Evropën. Ata që kanë helmuar me kanabis fëmijët tuaj dhe të gjithë Shqipërisë kudo nuk e kanë problem që të kërkojnë të ushtrojnë dhe dhunë ndaj fëmijëve tuaj vetëm për një qëllim që ëndrrat e tyre të mbeten peng i babëzisë së tyre të mbeten peng i atij karteli të rrezikshëm dhe kriminal, i cili kërkon ta shndërrojë Shqipërinë në një plantacion droge, në një vend tranzit për drogërat e forta jo vetëm për kanabisin. Ta shndërrojë Shqipërinë në vendin ku të vijnë mbetjet e rrezikshme të Evropës që ta zbrazin tërësisht vendin nga rinia, nga shpresa dhe nga e ardhmja.

Prandaj programi i LSI-së është e vetmja zgjidhje, taksa më të ulëta në mënyrë që të hapim vende të reja pune. Të ulim kostot e biznesit dhe të rrisim të ardhurat e kujtdo. Taksa prej 23 % e vrau shtresën e mesme dhe rriti informalitetin, dekurajon trurin, menaxherët dhe profesionistët, që vazhdojnë të qëndrojnë të jetojnë në Shqipëri dhe të kontribuojnë për zhvillimin e saj.

A e dini ju se sa do të ishin investimet e huaja direkte të kësaj qeveria në Shqipëri sot në rast se nuk do të llogariteshin investimet që bëhen çdo ditë nga projektet e qeverisë së vitit 2009 kur ne bëmë koalicionin me PD-në përmes të cilit u realizua jo vetëm liberalizimi i vizave për të gjithë shqiptarët që e gëzojnë dhe sot e kësaj dite, por me përpjekje dhe me sakrifica të mëdha u bë e mundur që projekti TAP ky projekt madhor për të ardhmen e Shqipërisë, të mos e anashkalonte Shqipërinë, por të vinte përmes saj. E nëse ky projekt, projekti madhor i Devollit e shumë të tjera nuk do të ishin bërë sot do të ishte një tmerr i paparë statistika e investimeve të huaja direkte të Rilindjes.

Ndaj ka ardhur koha t’i japim fund Shqipërisë virtuale, t’i japim fund Shqipërisë së mashtrimit të pabesisë Shqipërisë së mosmirënjohjes. Deri para dy muajsh kryetari i Rilindjes mburrej për reformat që kishte bërë me partnerin strategjik, por pasi ne penguam skenarin e shëmtuar të shkatërrimit të demokracisë të institucioneve dhe të ardhmes evropian për të shkuar në zgjedhje pa opozitën na doli që i gjithë problemi paska qenë LSI-ja.

Nuk habitemi fare nga ky karakter, nga ky moral, sepse nuk është hera e parë që kjo gjë ndodh. Dy herë ne e kemi shpëtuar Shqipërinë që të binte në një greminë të tmerrshme dhe pa kthim prapa. E para kur e ndaluam Edi Ramën të vriste reformën në drejtësi si shpresë të të gjithë shqiptarëve për një drejtësi të pavarur, e cila nuk e tregon forcën me fukarenjtë por e tregon me oligarkët, që nuk e tregon forcën me hallexhinjtë por e tregon me kriminelët të cilët ai i promovoi në parlament, në bashki dhe kudo, të cilët i ka lëshuar për tu bërë presion njerëzve që të votojnë për Ebolën e tij, për këtë sëmundje shfarosëse të vlerave më të mira të demokracisë, të shqiptarisë dhe të atdheut tonë. Ndaj ne nuk i kemi më asnjë detyrim atij. Ne ia dhamë të gjitha mundësitë.

Ne kemi sot, nga unë i pari dhe nga çdo prind, nga Vermoshi në Konispol, që t’i japim fuqinë ëndrrave të fëmijëve dhe të rinjve tanë në këtë vend.

Nuk ka gjumë në këto 10 ditë për Ilir Metën dhe për çdo shqiptar të ndershëm dhe patriot. Nuk do të lejojmë ne të preket asnjë votë e qytetarëve shqiptarë, nuk do të lejojmë ne të preket e ardhmja e këtyre të rinjve dhe të rejave të mrekullueshëm.

Ne jemi krenarë për një rini të jashtëzakonshme që kemi rritur, që kemi edukuar, që kemi frymëzuar në këto 14 vite dhe tani ka ardhur momenti që ata e meritojnë të marrin besimin e të gjithë Tiranës dhe gjithë Shqipërisë.

Boll u lodhën, boll u tmerruan qytetarët e këtij vendi, duke dëgjuar në Parlament se sa herë ka ndërruar emrin njëri apo se sa hera ka ndërruar emrin tjetri, se ku është dënuar njëri për trafik apo se ku është dënuar tjetri për prostitucion. Jo, ne do të çojmë të reja dhe të rinj që të diskutojnë dhe të luftojnë për problemet e rinisë, për problemet e arsimit, për hapjen e vendeve të reja të punës.

Nuk do të çojmë biznesmenë në parlament, që t’i shërbejnë kryetarëve për të blerë votat dhe varfërinë e fukarenjve sot dhe tu kërkojnë koncesione dhe tendera nesër, duke përdorur shantazhin me mandatin e deputetit. Biznesmenët i kanë vënë ata. Ne kemi rininë.

Kam një mesazh për të gjithë socialistët që kanë ngelur në partinë që komandon rilindja. Ilir Meta ka qenë ai që keni njohur ju, që kanë njohur demokratët, që ka njohur çdo shqiptar, që nuk ka gënjyer kurrë, as fshatarin më të thjeshtë, në jetën e tij.

Nëse Edi Rama, që për muaj të tërë nuk pranoi të bënim analizën e funksionimit të koalicionit dhe të respektimit të detyrimeve programore, vërtet beson në gënjeshtrat e tij që kërkon t’u servirë socialistëve se LSI ka qenë problemi në katër vjet. LSI-në e ka drejtuar Ilir Meta dhe unë për përgjegjësitë e LSI-së jam gati të dal që sot në çdo debat televiziv me Edi Ramën, ku të dojë ai dhe të marrë gazetarët e tij. Në qoftë se ai mendon se ka një program më të mirë apo në rast se edhe z. Basha mendon se ka një program më të mirë se LSI-a për katër vitet e ardhshme Petrit Vasili, kandidati ynë për Kryeministër, i ka ftuar në debat televiziv.

Se demokracia është debat, se demokracia mbi të gjitha është transparencë. Dhe ne nuk kemi frikë nga debati, ne nuk kemi frikë nga transparenca, në nuk kemi frikë nga zgjedhjet e lira që meriton çdo shqiptar.

Ndërsa për sa i takon debatit që nuk po na ndodh midis Tomit edhe Xherrit unë them le t’ia kursejmë popullit shqiptar këtë debat. Tani ata janë e njëjta gjë, e njëjta alternativë e oligarkisë. Shqipëria ka alternativën e vet, atë të LSI-së.

Shqiptarët ndjehen sot më të mashtruar se asnjëherë sepse ata menduan që përpara katër vitesh i dhanë 1 milionë shuplaka koncesioneve, mbetjeve, oligarkisë, të fortëve, banditëve dhe njëkohësisht edhe varfërisë. Sot pas katër vitesh ata ndihen të tradhtuar por nuk është LSI-a që i ka tradhtuar as socialistët. Ishte vetë kryetari i rilindjes që premtoi se nuk do të jepte koncesione si Sali Berisha. Shikoni se çfarë ka ndodhur me shëndetësinë. Koncesionet prej qindra miliona euro janë shushunjat e vërteta që po i pinë gjakun fëmijëve dhe të moshuarve të Shqipërisë.

Prej dy vitesh LSI, e shqetësuar për shkatërrimin e shërbimeve publike, e shqetësuar për shkatërrimin dhe grabitjen e pasurive natyrore të këtij vendi ka dorëzuar në parlament projektligjin e koncesioneve që çdo koncesion të kalojë në Kuvendin e Shqipërisë.

Atje janë të ardhurat për buxhetin e shtetit dhe jo në kurrizin e fukarenjve të Shqipërisë. Ishte kryetari i rilindjes që me shumë të drejtë premtoi në fushatë ndalimin e importit të mbetjeve dhe çuditërisht ky që nuk i shqetësua për shkatërrimin e mijëra e mijëra bizneseve dhe vendeve të punë na u kujtua se ishin disa qindra punëtorë që kishin ngelur pa punë. Prandaj në fund të mandatit duhet të kalonte në parlament ligjin për importin e mbetjeve ku fshihet një komplot i madh ndaj të ardhmes së Shqipërisë. E ardhmja e Shqipërisë është turizmi dhe bujqësia. Nuk janë mbetjet e rrezikshme të Italisë dhe Evropës.

Më thoni një person me rekorde kriminale, që LSI promovoi në Kuvendin e Shqipërisë apo në pushtetin vendor. Asnjë. Edhe një që ne nuk e dinim, na e mori peng Rilindja dhe ai bëri shumë mirë, sepse vajti në partinë e tij. Nuk ua ka fajin Ilir Meta pse e gjithë rinia e Shqipërisë është me LSI-në. Le të vazhdojnë të heqin në mënyrë kriminale kë të duan nga administrata, sepse 95 për qind e administratës ishte e rilindjes dhe kontrollohej nga rilindja.

Por, socialistët duhet të dinë se kjo është një djallëzi për t’i mashtruar ata pasi u ktheu krahët për katër vjet dhe për t’u thënë: Që ju jeni të injoruar, ne na e ka fajin LSI-a. Prandaj, hajdeni t’ju gënjej edhe njëherë tjetër, t’ju mashtroj edhe njëherë tjetër dhe t’jua kthej kurrizin përsëri. Sepse ai asnjë ditë nuk ka punuar për socialistët, por ka punuar për rilindjen dhe për oligarkinë.

Forcë e parë, forcë e paparë!

Katër vitet e mashtrimit dhe të pabesisë të atyre që votuan rilindjen mbaruan. Mbaruan dhe iku edhe koha e 1 milion shuplakave, që ishin shuplaka për të varfrit e Shqipërisë dhe jo për oligarkinë dhe kriminelët e Shqipërisë. Tani, bëhuni gati. Po vjen ora për 1 milion grushte ndaj oligarkisë, ndaj kartelit të drogës, ndaj kartelit të krimit në emër të rinisë së Shqipërisë.

Rroftë rinia e Shqipërisë! Rrofshin fëmijët tanë, drita e syve për çdo familje shqiptare! Për të ardhmen e tyre do bëjmë çdo gjë.

Të dashur prindër në të gjithë Shqipërinë, mos e shisni votën që kërkon të marrë peng të ardhmen e fëmijëve tuaj, as për një vend pune me kontratë 1-mujore, as për 100 euro, as për 200 euro, sepse pas 4 vitesh do të jeni edhe më të varfër, do të jeni edhe më të poshtëruar nga Ebola e Shqipërisë.

Të gjithë në këmbë ndaj atyre që vunë dorë dje ndaj një 18-vjeçari pse voton për partinë e tij. Përpara 1 milion grushte kundër oligarkisë më 25 qershor. Forcë e parë, fitore e paparë.

Janë 10 ditë edhe 10 net për 20 vitet që vijnë për fëmijët tanë, për të rinjtë tanë, për atdheun tonë. Fitore, fitore, fitore.

Socialistë, nuk është rilindja partia juaj. Ja ku e keni partinë tuaj, partinë e solidaritetit, partinë e përfshirjes, partinë e integrimit, partinë e fjalës së mbajtur. Kjo është partia e krijuar në traditat më të mira të rinisë eurosocialiste të Shqipërisë.

Kjo është partia që ka organizatën rinore, jo më të fortë në Shqipëri, nuk ka garë për ta, është organizata rinore më e fortë në Evropë. Kjo është rinia jonë evropiane. Kjo është garante e integrimit evropian, e demokracisë dhe shpresës në këtë vend.

 (Burimi:Integrimi.al/Xh.N)

Te shenuara si:
al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al