Ilir Meta:LSI-ja kërkon të ndryshojë drejtimin e Shqipërisë. Është e vendosur të dalë forcë e parë për t’i dhënë një drejtim të ri vendit

Intervista e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta për emisionin “Zonë e lirë” të Arjan Çanit në Tv Klan

Unë kam përgatitur një intervistë, një pyetësor për të  tre personazhet që kanë qenë dhe do të jenë në studio. Kisha Lulzim Bashën, jeni ju dhe do të vijë edhe zoti Blushi në orën 11:00. Intervista është  me të njëjtat pyetje dhe publiku do të  shohë  diferencën e përgjigjeve.

Pse ma nxore Lulin  andej? Dakord, vazhdo, s’ka problem.

A mund t’jua them pas emisionit? Intervista quhet: “Zonë e lirë”. Përgjigjet duhet të jenë me vetëm një fjalë, për të fituar sa më shumë kohë. Çfarë mendon Ilir Meta  në këto momente?

Në këto momente  mendoj 25 qershorin. Janë  48 orë  për një faqe të re për Shqipërinë për 20 vjetët që vijnë.

Ilir Meta, Çfarë i thoni vetes kur shikoheni në pasqyrë në mëngjes?

Nuk para shihem në  pasqyrë.

Mund t’i hedhësh një sy vetes para se të dalësh!

Nuk para e  bëj.

Kujt doje t’i ngjasoje  kur ishe i vogël?

Gjyshit.

Cila është historia juaj më e bukur e dashurisë, përveç Monikës dhe  kalamajve?

Nuk ka gjë më të  bukur sesa dashuria me Monikën.

Ilir Meta, a do të ishe i gatshëm  të braktisje gjithçka për një   tjetër femër sot?

Kjo është e pamundur.

Kur keni qarë me lot për herë të fundit?

Këtë nuk e mbaj mend. Pak në konventën e fundit të LSI-së.

Çfarë do të ndryshonte Ilir Meta në këtë vend, po të  kishe një shkop  magjik në dorë?

Do të doja që në këtë vend njerëzit të priren nga mirësia dhe jo nga ligësia.

Ilir Meta, cila do të ishte gjëja më negative që do t’i thoshe vetes  sonte?

Nuk e di.

Ilir Meta, cili është personi që ti ke nevojë më shumë ta mahnitësh në këtë jetë?

Nuk vuaj që t’i mahnit të tjerët. Thjesht, dua të jem mirënjohës   ndaj të tjerëve dhe t’i respektoj ata. Unë nuk vuaj nga delire të tilla.

Ilir Meta, çfarë do të bëje po të të mbeteshin vetëm  24 orë jetë?

Do të mbaja  një fjalim të fundit për rininë shqiptare, që ajo të gjejë forcë dhe besim tek e ardhmja  dhe të marrë në dorë fatet e saj.

Ilir Meta, cilës pyetje do të doje t’ia kishe gati përgjigjen? Cilën pyetje do të doje të ta bënin më shumë, sepse ia di përgjigjen?  

Çfarë është LSI-ja? Ajo është forcë e parë dhe forcë e paparë.

Ilir Meta, çfarë ju ka mësuar jeta?

Jeta më ka mësuar ta hedh  të mirën në det, se  ta kthen Zoti mbrapa, pra të bëj mirë gjithmonë.

Ilir Meta, si do të donit të vdisnit?

Duke luftuar.

Ilir Meta, sa gjasa ka që ti sonte të na gënjesh mua, Zhejin dhe të gjithë dynjanë në këtë intervistë?

Të deritanishmen?

Jo, jo të kësaj që do të vijë tani.

Po pse do të gënjej! S’kam pse të gënjej, maksimumi mund të mos përgjigjem në qoftë se nuk dua, por jo  të gënjej.

Z. Meta, që në ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, nuk ju kemi parë të zbrisni në fushën e betejës elektorale me këtë tendosje dhe me këtë fjalor kaq të ashpër. Cila është arsyeja? Çfarë ka ndodhur? Pse humbi dashuria dhe qetësia?

Sepse këtu po rrezikohet Shqipëria, po rrezikohet dhe kërcënohet vota e lirë dhe e barabartë e qytetarëve shqiptarë. Këtu kemi një person, i cili nuk dëshiron të drejtojë Shqipërinë për 4 vjet të tjera, por dëshiron ta pushtojë Shqipërinë, dëshiron ta dhunojë Shqipërinë, dëshiron ta gjyqësojë Shqipërinë, dhe këtë do ta arrijë përmes deformimit të procesit të zgjedhjeve, një proces që ka nisur kohë më parë. Ai donte t’i bënte zgjedhjet pa opozitën, por nuk arriti dot dhe më pas, për fat të keq, përdori kryetarin e opozitës për tri orë, për të bërë një marrëveshje, e cila, në fakt, nuk është një marrëveshje që garanton standardin e zgjedhjeve, por është një marrëveshje, e cila rrezikon seriozisht standardin e zgjedhjeve. Kështu që kjo është arsyeja pse unë jam kaq i angazhuar, sepse mendoj se vota e lirë është pasuria më e madhe që ka çdo qytetar i këtij vendi. Kjo është e vetmja mundësi për të ndryshuar diçka dhe për të përmirësuar të ardhmen e tij dhe të fëmijëve të tij. Në qoftë se i hiqet edhe kjo e drejtë, atëherë çfarë të drejtash kanë qytetarët?

Risku është që pasnesër, domethënë më 26 qershor, LSI-ja të mos i njohë këto zgjedhje?!

Jo, nuk është ky risku. Risku ka qenë dhe mbetet që Kryeministri në reagim nuk dëshiron që qytetarët shqiptarë të votojnë në mënyrë demokratike, të lirë dhe të barabartë.

Po pra, ka një risk atëherë?!

Po, patjetër që ka risk dhe unë kam dalë këtu për të garantuar dhe për të mbrojtur votën e qytetarëve shqiptarë, jo vetëm të atyre që duan LSI-në, por të çdo force tjetër politike, sepse kemi parë një fushatë kundër demokracisë, kjo është e vërteta, jo vetëm kundër LSI-së, por kundër të gjitha partive të tjera dhe një fushatë frikësimesh, presionesh dhe kërcënimesh. Ne kemi parë banda që lëvizin lirisht nën mbrojtjen e policisë dhe në krye të policisë kemi një person, i cili është në ndjekje penale për një aferë, atë të përgjimeve. Kemi një ministër të Brendshëm, i cili ka kërkuar largimin e disa shefave të komisariateve, të cilët dukshëm…

E pyetëm liderin e opozitës dhe na tha se nuk është momenti, pas 25 qershorit do të bëhet…

Jo, jo, nuk është momenti, sepse duhet ta themi hapur, lideri i opozitës ka bërë një marrëveshje jotransparente brenda tri orësh dhe marrëveshja ka qenë që të vazhdonte drejtori i policisë, në mënyrë që të përdoret kryesisht kundër LSI-së dhe partive të tjera. Ky është premtimi, por nuk dihet se si shkon deri në fund kjo, me qëllim që edhe lideri i opozitës është kënaqur me OSHEE-në, hipotekat dhe ku di unë me këto drejtoritë e tjera. Kjo është e vërteta.

Pra ju mendoni që në marrëveshje që Ministri i Brendshëm ishte…

Absolutisht! Unë mendoj se ministri i Brendshëm është një figurë, një personalitet i Forcave të Armatosura, është një hero, siç janë përgjithësisht njerëzit e ushtrisë, por, praktikisht, ministri i Brendshëm është i pafuqishëm të garantojë integritetin e procesit zgjedhor. Përgjegjësia që do të mbajë Lulzim Basha në rast se do të ketë një problem me zgjedhjet ditën e diel, nuk do të jetë vetëm Rama përgjegjës, por do të ketë edhe Basha përgjegjësinë vet, është kjo marrëveshje që ka bërë, për të lejuar policinë e drogës, që ai e quajti me shumë të drejtë në çadër, që të bëjë këto lojëra që po bën me zgjedhjet.

Jeni penduar që e bëtë Edi Ramën Kryeministër në vitin 2013?

Nuk ka  bërë Ilir Meta Kryeministër as Sali Berishën në vitin 2009 dhe as  Edi Ramën në vitin 2013. Duhet ta sqarojmë këtë histori një herë e përgjithmonë. Ka qenë populli shqiptar, i cili ka bërë një votim, të cilin Ilir Meta dhe LSI-ja kanë qenë të detyruar  ta respektojnë. LSI-ja  ka qenë në këto 8 vjet një siguresë që Shqipëria të mos binte në greminë. Kohët kanë ndryshuar dhe LSI-ja kërkon të ndryshojë drejtimin e Shqipërisë. Është e vendosur të dalë forcë e parë  për  t’i dhënë një drejtim  të ri Shqipërisë.

Kështu që, pyetja: “Je penduar apo s’je penduar”, nuk shkon. Se mos i kishit ju ato vota në atë kohë dhe  nuk e bëmë koalicionin me ju apo me Çanin. Këta janë aktorët. Shansin  dhe mundësinë ia dhamë dhe tani shikoni se ku jemi.

Fjalët kyçe që Rama, pretendenti për mandatin e dytë të Kryeministrit, përdor, janë: timon, kazan, tepsi, çyrek e të tjera. Ku ia keni prishur timonin Ramës, që tani u kërkon shqiptarëve timon vetëm për vete?

Ai e ka pasur të gjithë timonin, në kuptimin e timonit, sepse Kryeministri, zëvendëskryeministri, ministri i Brendshëm, ministri i Financave …  Këto janë ministritë kyçe.  

Në Kryeministri, në 2 mijë vetë që ka, sepse e ka 5-fishuar numrin, nuk ka pasur asnjë person nga LSI-ja.

Kështu që, askush nuk ia ka  penguar timonin. Maksimumi që mund të kemi bërë,  kemi vënë këmbën në frena  kur ai e ka çuar timonin në drejtim të greminës, siç ishte rasti i reformës në drejtësi apo raste të tjera drejt konflikteve të cilat mund ta  kishin djegur vendin.

Z. Meta, keni  futur në fjalorin tuaj politik, të acaruar mund të themi, të këtyre ditëve termin “oligarkia”. Çfarë është oligarku për ju dhe çfarë rreziku sjell për shqiptarët?

Oligarkë janë ata njerëz të cilët i marrin vendimet pas shpinës së popullit shqiptar, ia japin Kryeministrit dhe ai i formalizon. Këta njerëz, përfshirë edhe Kryeministrin apo personat  e tjerë, të cilët janë përfaqësues  të këtyre interesave, natyrisht përbëjnë një dëm për të gjithë qytetarët e  tjerë.

Të gjitha vendimet jo transparente  kanë qenë dhe janë në interes të oligarkisë dhe të atyre   që  kanë marrë vendime për shumë çështje.

Cili është mekanizmi për t’i  përzënë nga paradhoma…?

Së pari, është zhvillimi i zgjedhjeve të  lira dhe të drejta  ditën e diel. Të gjithë shqiptarët duhet të shkojnë të votojnë që t’i tregojnë Lulzim Bashës, Edi Ramës, të cilët u kyçën tri orë në errësirë për të bërë një marrëveshje për të cenuar barazinë e votës  së qytetarëve shqiptarë, por edhe Ilir Metës, që çdo qytetar në këtë vend është i barabartë dhe  e ka votën të barabartë.

Prandaj, të  gjithë ata që duan të ndodhë ndryshim në Shqipëri, që duan të dëgjohen, që duan një perspektivë, që të mos jenë në këtë vend thjesht njerëz  të cilët nuk i dëgjon dhe përfill askush, duhet të votojnë ditën e diel.  E kanë  vetë në dorë dhe  unë besoj që shqiptarët ditën e diel  do të  marrin pjesë masivisht  në votime.

Kur të kanë pyetur në disa studio të tjera televizive, ti ke deklaruar  që je i hapur ndaj çdolloj koalicioni pas zgjedhjeve në qoftë se  shifrat ju detyrojnë, por jo me Ramën Kryeministër. Vazhdon t’i qëndrosh edhe sot dy ditë para zgjedhjeve kësaj deklarate?

Unë besoj se pas 4 vjetëve eksperiencë me Ramën, jo vetëm unë, por të gjithë qytetarët shqiptarë e kuptojnë që nuk do të rrojnë nga 500 vjet   që të provojnë Ramën 20 vjet se si do të gënjejë për herë të dytë apo të tretë dhe se si gjithmonë do t’ua vërë fajet dhe  përgjegjësitë të tjerëve. Aq më tepër, që shikojmë se ky nuk është një njeri i lirë, i pavarur, transparent, por  një njeri me disa varësi mjaft të rrezikshme. Është i varur nga të fortët: shumë i dobët para të fortëve dhe shumë i fortë para të dobëtëve, hallexhinjve, atyre që nuk kanë bukë të hanë, atyre që mund të kenë ndonjë detyrim për energjinë elektrike apo ndonjë problem tjetër me shtetin.

Absolutisht, është i nënshtruar ndaj oligarkëve dhe të fortëve, të cilët i futi në parlament, bashki….

Këtë gjë e dije edhe më parë, Ilir apo jo?

Ajo që dija unë dhe ajo që dimë, sot nuk ka më kohë për t’i dhënë shanse një njeriu, i cili nuk përfiton eksperiencë, i cili degradon dhe përkeqëson çdo ditë raportin e tij me publikun, pra përgjegjshmërinë e tij, i cili na ktheu tek timoni dhe tek tepsia, te byreku e ku di unë.

Për Bashën do të thuash të njëjtën gjë?

Tani, ti do të më thuash: pse Luli nuk doli andej, sepse unë isha bëra gati t’i jepja dorën, por doli këtej? Këtë ma sqaron dot?

Ajo ishte e rastësi, ngaqë takoi njerëzit dhe i ra rruga më shkurt, i thashë unë hajde dalim këtej.

Tani ,lidhur me Lulin, Luli ka edhe   48 orë që të distancohet nga pakti i errësirës   në kurriz të votës së qytetarëve shqiptarë. Nuk ka të drejtë Luli të thotë se do t’i heqë ditën e hënë, ministri apo Luli, shefat e komisariateve, por Luli duhet të mbajë qëndrim të qartë ndaj policisë, ndaj Edi Ramës, ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, ndaj këtyre shefave të komisariateve dhe të mos ecë me shpresën se këta thjesht do të përdoren për të goditur njerëzit e  LSI-së dhe jo njerëzit e Partisë Demokratike, sepse kështu është pakti i 3 orëve, sepse unë jam këtu për të mbrojtur kauzën e zgjedhjeve të lira, jo thjesht të njerëzve të LSI-së apo kujtdo tjetër. Pra, Luli ka dhe 48 orë të  reflektojë.

Po në qoftë se Luli nuk reagon në drejtimin që ti thua?

Pastaj Lulit nuk kemi çfarë t’i bëjmë, do të shkoj dhe ai si aneksi i Rilindjes. Po, patjetër, çfarë t’i bëjmë Lulit?! Edhe demokratët besoj se janë dakord me mua?

Gjithmonë fushatat shqiptare kanë konflikte. Çuditërisht fushatat filluan të qeta, por  sot kishte tritol, rrahje, pra tensioni rritet sa më shumë i afrohemi datës 25. Megjithatë, të kthehemi  pak më qetësi tek analiza: zoti Meta, çfarë keni ndryshe në platformën tuaj ekonomike nga ajo që kishit në koalicion me rilindësin, apo me rilindjen e Ramës?

Së pari, edhe në koalicion me Ramën, edhe para  zgjedhjeve të vitit 2013, në qoftë se do t’i ktheheshit edhe ju pak në kohë kujtesës suaj, LSI-ja nuk ka qenë për këtë politikë taksash, për këtë politikë fiskale, por, meqenëse Partia Socialiste u votua bindshëm në atë kohë, dhe, natyrisht, e kishte pasur edhe si një kalë beteje këtë çështjen e taksave progresive dhe rritjen  e tyre, natyrisht, Lëvizja Socialiste për Integrim nuk mund të kushtëzonte një politikë taksash, duke qenë parti e dytë në koalicion, ndaj forcës kryesore. Por ne kemi bërë të qartë se ajo do të ishte një politikë që nuk do të sillte asnjë rezultat pozitiv. Po ta shikojmë sot, për shembull, ty Çani t’u vendos taksa mbi pagën 23%. Po çfarë ka ndodhur? Nga 12 mijë veta që paguanin atëherë, tani paguajnë 6 mijë veta.

Është e sigurt kjo gjë, Ilir?

Po, sepse 6 mijë të tjerët, për të shpëtuar edhe punëdhënësi, bëjnë evazion, domethënë bëjnë ato manovrat. Dhe kjo nuk i shërben askujt; nuk të shërben as ty; nuk i shërben as punëdhënësit tënd; nuk i shërben as rritjes së të ardhurave dhe as inkurajimit të të gjithë atyre njerëzve, të cilët përfaqësojnë një shtresë të mesme, që ka një rol të rëndësishëm për zhvillimin e vendit dhe për forcimin e stabilitet të tij. Kështu që kjo ka qenë një gjë mjaft e gabuar. Politika  e taksave të LSI-së është ulja e tatimit mbi pagën deri në 10% për pagat mbi 200 milionë lekë.

10%?

Po.

Po ju e keni të sheshtë?

E kemi me dy nivele: 10%, 8%, është edhe 5% për sa i takon tatim-fitimit.

5% tatim-fitimi?

Po, 5% tatimfitimi deri në 20 milionë lekë të rinj; 8% deri në 100 milionë lekë të rinj dhe mbi 100 milionë lekë të rinj çdolloj biznesi nuk do të ketë një taksë më të madhe se 10%. Mendoj se është një sistem mjaft efikas, i cili synon rritjen e

Po tatimi mbi të ardhurat.

Mbi pagën? Siç e thashë, mbi 200 milionë lekë nga 23% do të bëhet 10%. Do të ulet 13, nga 23% do të shkojë 10%. Ndërsa poshtë 200 milionë lekëve…

Kujdes se Basha të konkurron me 9% këtu.  

Tani Basha mund ta çojë edhe zero se nuk ka çfarë të humbasë, a e kupton, por ne kemi problem se do të na bjerë në dorë drejtimi i ri i qeverisë dhe duhet t’i mbajmë premtimet. Plus që ka një dallim midis të treve, apo jo, midis Ramës, Bashës dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Dallimi është që LSI-ja e mban fjalën.

Rakordimi nga 9 në 10 apo nga 10 në 9 është një 1%, pastaj nga 3-shi në 10-të është shumë.

Edhe kur nuk e mban fjalën Basha, pastaj e mbajmë fjalën ne për Bashën. Për shembull, ai e la drogën, e la dekrimnalizimin, por ne nuk e kemi lënë, apo jo? Ne e kishim edhe kur ishte ai në çadër, edhe kur ai u fut 3 orë në errësirë dhe e harroi kauzën dhe përsëri vazhdoi.

Sikur e ka filluar prapë, e ka rifilluar…

Një çikë kështu, por nuk e ka shumë të sinqertë.

Sot ishte i ashpër shumë. Z. Meta, çfarë ka Kryeministri me patentat, hipotekat gjithmonë, dje e përsëriti, sot në…

Këto janë alibira. Unë kam qenë kryeministër 30 vjeç dhe nuk e kam pasur atë pushtet që ka pasur dhe që ka Edi Rama, sepse kam pasur kryetar partie Fatos Nanon, president ishte z. Meidani e ku di unë. Unë kam hequr dy ministra për 24 orë, në qoftë se e mban mend ti, brenda 2 muajsh.

E mbaj mend unë, po.

Për një vendim qeverie dhe i kam hequr, sepse kur vihet në diskutim autoriteti i kryeministrit dhe ti mendon që ke të drejtë, atëherë ose do të rrish në atë detyrë ose do të ikësh dhe unë kam hequr dy ministra që nuk do të doja t’i hiqja edhe me rrezikun që mund të binte qeveria…

Kështu ndodh gjithandej.

Më falni, edhe që unë nuk do të isha më kryeministër, por duhet  të vendosja autoritet, autoritetin e kryeministrit për zbatimin e ligjit e kështu me radhë…

I drejtë apo i gabuar, ky është vendimi që duhet marrë…

Më fal, unë e kam bërë këtë gjë. Tani kush e ka penguar këtë. Në qoftë se një drejtor, në qoftë se një ministër nuk i ka funksionuar siç duhet ta heqë, ky është kryeministri…

Pa pyete një herë…

Ah, ky për të ndejtur…

Do shantazhonte…

Si do shantazhonte?

“Jam i shantazuar nga votat”.

Si, nga cilat vota?

Sepse ai tha që kur u bë koalicioni…

Ore zotëri, lëre atë, ato janë përralla, tepsinë e ka pasur komplet. Të të bëj një pyetje? Unë pranova të ikte Ylli Manjani edhe pse Ylli Manjani kishte të drejtë, edhe për çështjen e kanabisit e të drogës, edhe për shumë çështje të tjera, por pranova thjesht meqenëse ky e kishte të pamundur domethënë ta përballonte atë…

Sfidën, dukej sikur po i bënte…

Pozicionin, atë të Manjanit, domethënë pranova që të ikte Manjani. Ti si mendon? Në qoftë se ky do të kishte pasur një problem me një drejtor të LSI-së dhe do ta kishte kërkuar këtë gjë, unë nuk do ta kisha hequr? Si e mendon ti?

Pra, kur pranova, kur lejova ministrin thotë.

Është një mashtrues i rëndomtë tani. Por një kryeministër, kur ka bindjen që një gjë nuk shkon, nuk pret në fund të mandatit t’ua vërë fajin të tjerëve, por thotë: Unë sot ndahem me Ilir Metën, sepse Ilir Meta është ky dhe ai dhe i bëj thirrje popullit të më votojë.

Siç edhe ti mund ta kishe bërë këtë gjë, apo jo?

Të lutem, unë kam hequr dy ministra, e bëj edhe më mirë, brenda dy muajsh.

Mund të kishe ikur ti nga Rama.

Po, patjetër, edhe mund të kisha ikur.

E pranon këtë gjë, që edhe mund të kishe ikur, apo jo?

E di, por unë kam një përgjegjësi të madhe për stabilitetin e vendit, pasi, nëse do të ndodhte diçka në këtë vend, asnjëherë nuk do t’ia vinin fajin Ramës, gjithmonë do të ma vinin fajin mua, sepse do të thoshin që ne e dimë, Rama ashtu ka qenë. Për fat të keq, njerëzit gjithmonë përgjegjësinë  e kërkojnë tek i përgjegjshmi.

Ti thua që Ramën e tolerojnë?

Jo se e tolerojnë, por shqiptarët e kanë marrë pak si me gallatë këtë punën e tyre, kështu që besoj se e kanë kuptuar që nuk do të jetojnë 500 vjet që të provojnë prapë Ramën edhe 4 vjet të tjera, sepse  u bënë 20 vjet që po e provojnë, mendoj unë.

Edhe ne mendojmë  që na e bëre peshqesh atë. Unë jam gazetar i angazhuar dhe nuk e  fsheh pozicionin ndaj tij. Ai jo se erdhi vetë, bëri çmos që të bindë…

Ai e mori shansin e tij, e dogji, e përvëloi. Mbushi parlamentin me ata që e mbushi, mbushi bashkinë me ata që e mbushi. Ua ka deleguar pushtetin dhe e spatrstroi  PS-në nga intelektualët.

Po bëri gjithë këto qytete. A i ke parë si i kanë zbukuruar qytetet?

Po,  por që ta dini nga 1 miliard euro që është shtuar borxhi i Shqipërisë në 4 vjet, as  900 milionë euro nuk është rritja ekonomike e akumuluar, kjo do të thotë që për një euro borxh efektiviteti është 0,9 euro, që do të thotë se lekët  e Shqipërisë dhe borxhet që janë marrë për Shqipërinë janë bërë rrush e kumbulla, palma, beton, fasada, kulla e Korçës, që e ke parë edhe ti që është një tmerr i vërtetë, betoni i Durrësit dhe shumë e shumë gjëra të tjera, ndërkohë që borxhi duhet të kishte shkuar për të rritur subvencionimet në bujqësi, në mbështetje të turizmit.

Po njerëzit kanë nevojë pikërisht për këto bukuritë.

Jo, jo. Nuk është ashtu. Këto janë për fasadë dhe janë mënyra më e lehtë për të abuzuar me fondet, me prokurimet. Këtu për të marrë punë një studio jashtë shpiken kulla, shpiken objekte, merren borxhe dhe bëhen investime publike, ndërkohë që për  bujqësinë subvencionohet 1/5-ta e Kosovës dhe 1/10-ta ose 1/12-ta e Maqedonisë.

Ju thatë se Ramës iu dogj shansi që iu dha. Ka  mundësi të dimë se si do të digjet shansi? Ai pretendon se do të gjejë forca, do të gjejë aleatë për të bërë koalicion, për të bërë…

Duke i bërë thirrje policisë: “Pas orës 4 hiqni kapelën dhe shkoni mblidhni vota për rilindjen, shkoni bashkëpunoni me banditë në Berat, në Lezhë, në Pukë, në Shkodër, në Krujë”.  

Kërkoi edhe ndjesë për atë të nesërmen, direkt.  

Po kemi 20 vjet që kërkojmë ndjesat e Edit ne, por po na ikën rinia, kanë ikur 300 mijë vetë, 200 mijë të tjerë kanë aplikuar për Lotarinë Amerikane dhe Kanadeze, të ikin të gjithë?

Po fakti që është atje do të thotë se e ka një meritë, se po të ishte ndryshe do ta kishin rrëzuar Ilir, por fakti që është atje si ka mundësi nuk e rrëzon njeri?!  

Unë besoj se duhet të kesh durim edhe 48 orë. Ki besim edhe 48 orë. E gjithë Shqipëria do të shkojë drejt votimit, është pranvera e dytë demokratike e Shqipërisë. Janë 48 orë për 20 vjet.

Francezët kanë një shprehje: “Arsye shtetërore”. Pra, gjithmonë kur bëhen koalicione të pamundura  ka një arsye shtetërore,  sublime, vihet pak muzikë në sfond, disa flamuj, banderola, bëhen disa fjalime dhe bëhen koalicionet e pamundura. Tani ju keni thënë: “Nuk bëj koalicion me PS-në”, edhe Rama dje…

Jo, e ka një dallim.

Me Rilindjen.

Me Ramën, jo me Partinë Socialiste.

Edhe Rama tha: “Nuk e kuptova se çfarë pati Iliri, unë nuk kisha gjë me atë”, madje filloi t’i zbuste tonet duke thënë: “Ne nuk bëjmë koalicion me LSI-në”. A  ka një shans  që të bëhet koalicion, apo jo për arsye shtetërore, si e mendon?

Për arsye  shtetërore,  pikërisht nuk duhet  të bëhet  koalicion me Ramën.

Petit Vasili  e merr  zëvendëskryeministër Ramën, unë e kuptoj që thoni: “ Jemi forcë e  parë”.  

Të marrë  Petriti Ramën zëvendëskryeministër?

Po, si zëvendëskryeministër, për shembull, se mbetet pa punë ai?

Së pari, mendoj se  Shqipëria  nuk ka hall t’i gjejë punë Ramës, sepse Rama duhet ta  përballojë vetë   të ardhmen  e tij. Shqipëria ka bërë shumë për Ramën, i ka besuar shumë, e ka toleruar shumë dhe ai e  katandisi qeverisjen në një  histori tutash dhe batutash, barsoletash, disa gjëra   të mira që  u  duk sikur u bënë, i zhbëri në një muaj, duke filluar nga reforma në administratën publike  dhe nga  shumë reforma  të tjera, sepse po të synosh të zhbësh zgjedhjet dhe votën e lirë, ke zhbërë gjithçka në një vend  demokratik, që nga Kushtetuta, se një Kushtetutë ka vlerë kur qëndron mbi votën e  lirë dhe  mbi votën e  barabartë, ke  zhbërë gjithçka, e  cila ka të bëjë me demokracinë dhe me pjesëmarrjen e njerëzve në demokraci. Rama kërkon ta  kthejë Shqipërinë   në një burg me ngjyra. Në një burg me ngjyra ku pronarët tuaj të jenë peng të tij…

Aeroportet  janë të hapura.

Ju  të jeni pengje  të pronarëve tuaj edhe  biznesi  peng  i një shteti që funksionon në mënyrë arbitrare dhe  të gjithë qytetarët të jenë peng i  një arbitrariteti  skandaloz,  i cili nuk mund të prodhojë as siguri, as besim, as  vende pune dhe  as  investime të reja. Në qoftë se nuk  do të ishte TAP-i  dhe projekti i Devollit  Shqipëria  do të kishte  më pak se gjysmën e investimeve të huaja direkte  që ka. Ky është rezultati i politikës së taksave, prandaj edhe dje me të drejtë kur e pyesnin kolegët tuaj te Fevziu, nëse   kishte  investim të huaj me vlerë mbi 5  milionë euro që  ishte realizuar, i ri, nuk gjente   dot një investim të tillë.

Jo,  ai nuk u përgjigj fare dje. Për  gjëra  ekonomike nuk u përgjigj fare.

Politika e taksave  për këtë bëhet. Për çfarë bëhet? Bëhet sesi  biznesi do të rritet, do të zgjerohet, si do të krijohen biznese të reja, si do të vijnë investime të huaja. Në qoftë se kjo gjë nuk funksionon, atëherë…

Domethënë, i dalin sondazhet se populli nuk do t’ia dijë fare për këto gjëra, populli do “show”

Jo, nuk është ashtu.

Edhe Rama nuk është naiv.

Jo, nuk është ashtu. Edhe populli nuk është naiv.

Keni thënë në disa raste të shkëputura nga njëra-tjetra se jeni gati të jepni edhe dorëheqjen si President i zgjedhur. Cili mund të ishte një nga rastet?

Gjithçka në funksion të stabilitetit të vendit, të një zgjidhjeje që i shërben këtij stabiliteti, sepse unë nuk e kërkova këtë pozicion. E pranova për të evituar përshkallëzimin e krizës, e para, dhe e dyta, për të shpëtuar, në një farë mënyre, legjitimitetin e institucionit të Presidentit në kushtet kur dukej sikur zgjedhjet ishin të pamundura të bëheshin me opozitën. Kështu që në çdo moment unë jam i hapur për diçka që i shërben stabilitetit të vendit.

Për mua është e rëndësishme që të shpëtohen zgjedhjet më 25 qershor, sepse janë të rrezikuara, dhe ne që nga sot e deri më 25 qershor në mbrëmje do të nisim një operacion tonin në të gjithë vendin, ku gjithçka do të jetë në monitorim, që nga Policia e Shtetit dhe kushdo tjetër, pasi besimi te Policia e Shtetit është inekzistent, për aq kohë sa drejtohet nga një drejtor që ka përgjegjësi që Shqipëria është vendi i dytë në botë për prodhimin e drogës dhe është, gjithashtu, në ndjekje penale për aferën e përgjimeve politike.

Së dyti, duhet të kemi parasysh që, pasi të përfundojmë operacionin e rëndësishëm për të mbrojtur zgjedhjet e qytetarëve shqiptarë nga bandat, që janë lëshuar edhe tani natën në zona të vendit dhe që mbrohen nga segmentet e policisë dhe nga përpjekjet për të korruptuar dhe për të blerë me lekët e zeza apo çdolloj forme tjetër, pa dyshim që më pas do të bëj çdo gjë që i shërben stabilitetit të vendit.

Nuk e di se çfarë do të ndodhë pas 25 qershorit, por ti bëhu gati, sepse të pret një betejë e re në jetën tënde. Edhe herën e kaluar të thashë: “Ilir, gjithmonë, këta kanë dashur të ta fusin në momente të caktuara, por ti gjithmonë ke mbijetuar, sepse ti ke diçka që ata nuk e kanë, por ne nuk do ta themi sonte, sepse ti ke një sekret dhe, të lutem, mos e humb dashurinë dhe qetësinë, sepse ajo të ka mbajtur gjallë dhe të ka mbajtur  shumë fort në politikë!

Unë shqiptarinë nuk do ta humb asnjëherë dhe gjithçka tjetër e kam në funksion të vendit dhe të rinisë së këtij vendi, e cila është një rini e mrekullueshme dhe unë jam i bindur se do ta thotë me fuqinë më të madhe fjalën e saj më 25 qershor. Asnjë vend nuk ka forcë dhe fuqi më të madhe se ëndrrat e rinisë. Kështu që ato nuk i ndal askush dhe unë jam këtu për t’u dhënë fuqi të paparë këtyre ëndrrave më 25 qershor dhe pas 25 qershorit.

Ndërkohë je përgatitur edhe për skenarin më të keq, apo jo?

Skenarin më të keq do ta vuajë ai që do të guxojë të prekë votën e qytetarëve shqiptarë dhe cilido që do të bëjë sikur nuk e kupton këtë gjë.

Përpara se të ikte Lulzim Basha i thashë: “A ke një mesazh për Ilir Metën që do të vijë tani?”, me tha: “Vetëm reformohu!”, por ti nuk e dëgjove. Tani, unë nuk do të të them t’i japësh mesazh Lul Bashës, sepse ai nuk vjen më këtu, por po vjen Ben Blushi, a kë një mesazh për të?

Blushit i uroj suksese në këto zgjedhje dhe dua të siguroj të gjithë votuesit e Blushit dhe të të gjitha forcave të tjera politike që komisionerët dhe numëruesit e LSI-në do të mbrojnë  votën e çdo qytetari shqiptar. Madje, me qenë se Basha ka lënë këtë mesazh për mua, unë po lë këtë mesazh për demokratët: të shkojnë edhe demokratët të votojnë, se komisionerët dhe votuesit e LSI-së nuk do të shiten si komisionerët dhe numëruesit e Lulit në Dibër.

Është e sigurt kjo?

Po, po e padiskutueshme. Të gjithë shqiptarët të shkojnë e të votojnë.

Në zgjedhjet e Peshkopisë?

Po pra, në bashkinë e Peshkopisë.

Ilir Meta, zonja dhe zotërinj, është presidenti i zgjedhur. Mori përsipër ta bënte vetë këtë fushatë, më shumë se sa Petrit Vasili, le ta themi këtë gjë…

Unë nuk mora përsipër thjesht të bëj fushatën. Petriti ka bërë një punë të shkëlqyer. Kur vihet në diskutim çështja e zgjedhjeve të lira, padyshim që unë nuk mund t’i shmangesha kësaj beteje, sepse unë kam ardhur në politikë si student i Dhjetorit, kemi ardhur për demokraci dhe nuk mund të kthehemi tani 27 vjet prapa, kur edhe Ramiz Alia nuk i ka bërë thirrje policisë që të bëjë fushatë për Partinë e Punës, apo jo? I ka bërë Ramizi? Jo. E depolitizoi.

(Burimi:Integrimi.al/ Xh.N)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al