Ilir Meta: Nuk është LSI-ja që ka shkuar pas pushtetit, është pushteti që ka shkuar pas LSI-së

Intervista e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta për emisionin “Koha për t’u zgjuar” në News 24  

Mirë se erdhët z. Meta për të ndarë këtë mëngjes. Është mëngjesi i parafundit i fushatës zgjedhore për ta ndarë me publikun e emisionit tonë.

Sot për mua është dita e duhur kështu që mirëmëngjesi të gjithëve në mënyrë të veçantë ju që më ftuat. Edhe sot në mëngjes jemi këtu në Durrës për të dhënë disa mesazhe, por edhe në mbrëmje do ta mbyllim në Durrës.

Kur do ta mbyllni në Durrës që tu japim edhe një informacion qytetarëve?

Në orën 17.00 të gjithë janë të ftuar, por më duket sheshi shumë i vogël tani që e pashë.

Mendoni që do të mbushet shumë më tepër?

Po, patjetër.

Jemi gati në fund të fushatës. Edhe një ditë kohë ka për të bërë fushatë zgjedhore. Si do ta cilësonit këtë fushatë që bëtë ju vetë në këndvështrimin tuaj?

Në tërësi është një fushatë larg pritshmërisë së qytetarëve shqiptarë. Ata presin një fushatë ku liderët apo ata që duan të qeverisin për 4 vitet e ardhshme të fokusohen te programi, te dallimet për çështjet e taksave, problemet ekonomike, problemet sociale dhe shohim se nuk ka një debat midis pretendentëve që duan të drejtojnë vendin. Nuk ka asnjë vullnet për t’u marrë me çështjen kryesore që shqetësojnë qytetarët, nuk ka asnjë bilanc se çfarë është bërë dhe çfarë jo, por ka vetëm premtime të reja dhe natyrisht ka edhe disa gjetje të veçanta që nuk kanë ndodhur më parë si punë tepsie, timoni, etj., të cilat tregojnë jo vetëm mungesën e një vizioni për të ardhmen dhe mungesën e një bilanci serioz dhe të besueshëm për atë që ka ndodhur por njëkohësisht edhe kanë banalizuar këtë fushatë.

Mos doni të thoni që kjo është bërë si një fushatë folklorike?

Dua të them që është një fushatë për uljen e standardit, përgjegjësinë e së cilës e ka kryeministri në largim, z. Edi Rama, pasi ishte ai që nuk tregoi vullnetin maksimal për të garantuar standardet e zgjedhjeve me kohë, për të përfshirë opozitën në zgjedhje dhe njëkohësisht për të orientuar fushatën drejt qytetarisë, drejt një fushate konstruktive, pasi dihet që edhe marrëveshja e bërë më z. Basha e bërë jashtë dëshirës së tij, tërësisht e sforcuar e bëri edhe për të përdorur z. Basha kundër standardit të zgjedhjeve.

Po të shohim që nga ai moment të dy bashkë janë përpjekur të ruajnë me një sforcim të jashtëzakonshëm dhe në mënyrë jo demokratike monopolin e dy partive të mëdha gjë që nuk ekziston në terren, nuk ekziston sot në realitetin elektoral shqiptar përmes frikësimit të votuesve që votojnë parti të tjera, përmes disa vendimeve të KQZ-së të cilat synojnë të dëmtojnë procesin zgjedhor dhe integritetin e procesit zgjedhor që për fat të mirë u refuzua nga ana e gjykatës dhe përmes krijimit të një task-force, që çuditërisht nuk ka asnjë ministër nga LSI-a. Të paktën ministrja e Integrimit Europian e cila është përgjegjëse për integrimin europian dhe standardi i zgjedhjeve është shumë i rëndësishëm për këtë çështje apo për reformën e administratës publike që është një prioritet kyç për integrimin europian.

Duket që ka një dakordësi për të keqpërdorur për të dhunuar edhe administratën në funksion të këtyre dy kryetarëve nuk do të thosha dy partive. Ka edhe shumë element të tjerë të dhunës, të përfshirjes së policisë në Pukë, Lezhë, Berat, Skrapar Gramsh, Fushë Krujë e në shumë zona të tjera problematike të vendit në funksion të dhunimit të aktivistëve, militantëve kryesisht të LSI-së me qëllim frikësimin e votuesve në tërësi. Praktikisht kemi një platformë frikësimi dhe dhune e cila ka dështuar përballë uraganit zgjedhor të LSI-së.

Konstatimi juaj është se kjo platformë ka dështuar?

Po, padyshim nuk ka shanse të përparojë, sepse jemi në vitin 2017 dhe shqiptarët janë të tejlodhur dhe nuk kanë kohë të kthehen 20 vjet pas në kohën e dhunimit të zgjedhjeve në Libofshë, dhunimit të zgjedhjeve në 1996 dhe aq më keq të rrëshqasin në një greminë si ajo e 1997. Për fat të mirë të Shqipërisë sot LSI, e cila pretendon dhe do të jetë forcë e parë politike, ka një organizim të jashtëzakonshëm në të gjithë vendin dhe është në gjendje t’i përgjigjet çdo lloj platforme të tillë, jo thjesht në emër të interesit të saj, por në emër të një interesi publik. Qytetarët shqiptarë duhet të votojnë të lirë, duhet të votojnë të qetë dhe unë i ftoj edhe sot të gjithë të marrin pjesë më 25 qershor në votime, edhe ata që nuk duan të votojnë LSI-në të votojnë për një forcë tjetër demokratike që mendojnë se do të jetë një alternativë që do t’i shërbejë transparencës së politikës, transparencës së parlamentit, të vendimmarrjes, sepse është e qartë se si Rama edhe Basha janë dy politikanë thjesht të ndikuar nga një grup oligarkësh në vend. Po të shikojnë se ata që ndikojnë sot janë ata që kanë ndikuar edhe dje për fat të keq tek Partia Demokratike.

Pak më parë folët për keq-përdorimin e policisë në disa raste në fushatë.

Kjo është mëse evidente.

Por a ka garanci që ditën e diel do të ketë zgjedhje të qeta dhe të lira?

Garancia është se as policia nuk duhet të lejohet të dhunojë zgjedhjet, sepse do të ketë një qëndresë shumë të fortë dhe të hekurt ndaj saj. Do të jenë rreth 200 mijë të rinj e të reja që do të garantojnë këtë proces zgjedhor. Nuk do të ketë mëshirë, nuk do të ketë tolerancë për asnjë shef policie, për asnjë polic dhe për asnjë bandit i cili do të keqpërdoret për të cenuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë.

Unë këto paralajmërime i kam bërë. Këto nuk janë shantazhe. Këto janë premtime. Shqiptarët duhet të votojnë të lirë dhe të qetë jashtë çdo ndikimi dhe padyshim që përgjegjësinë për çdo incident, për çdo gjak të derdhur dhe është derdhur gjak deri tani janë plagosur dhe dhunuar njerëz nga banditë, nga kriminelë që shëtisin të lirë në mbrojtje të policisë me makinat e policisë, do ta ketë Edi Rama dhe drejtori i tij i policisë.

Kanë qenë të diskutueshme dhe tonet e larta që keni patur ju lidhur me këtë situatë veçanërisht kur thoni të rrëmbehen armët.

Unë nuk kam thënë që të rrëmbehen armët. Kam thënë që nëse policia nuk do të lidhë zagarët e krimit dhe zagarët e Rilindjes, sepse ata janë zagarë, janë persona në kërkim dhe i di gjithë Lezha, veshin uniforma policie, janë në mbrojtjen e shefit të komisariatit të policisë së Lezhës, i cili është kushëriri i kandidatit të dytë të Rilindjes në Dibër. Këto janë gjëra që dihen. Këta bëjnë platformën e kanabisit të Lezhës, janë në kërkim e vazhdojnë e drejtojnë e qeverisin Lezhën. Dalin me uniforma policie, dhunojnë me leva aktivistë të LSI-së për t’i tmerruar njerëzit që të mos shkojnë të votojnë dhe t’u nënshtrohen dhunës së tyre dhe e kam bërë të qartë që nëse policia nuk do të marri masat e duhura dhe nuk bënë detyrën e saj, patjetër që shqiptarët do të vetëmbrohen.

Dhe nuk ka shqiptar që nuk i është në gjendje dhe nuk ka vullnetin të mbrojë dinjitetin e vet dhe aq më tepër në këto kushte, kur policia do të rrezikojë të bëhej njësh me bandat, ajo do të humbiste çdo lloj legjitimiteti.

Unë nuk është se kam pasur këtë dëshirë, por në çdo rast duhet të jetë e qartë që nuk mund të kthehet koha e Doktorit të parë, kur policia, SHIK-u, bandat dhunonin shqiptarët.

Për fat të keq kryerilindasi pas 20 vjetësh na solli këtë kohë në Shqipëri sepse ka frikë nga zgjedhjet.

Ka frikë nga zgjedhjet në partinë e tij. Ky ka një problem . Nuk është se ka një problem me LSI. Ka një problem me Ben Blushin. Ky ka një problem me demokracinë. Ky ka frikë nga vota e lirë. Ky ka frikë nga debati. Nuk del në debat me asnjë nga rivalët e tij. Bënë një referendum absurd që s’ka ndodhur asgjëkund në botë në një parti demokratike. Në një sistem demokratik. Bënë referendum që mos të kandidojë, të bëjë garë me Ben Blushin sipas statutit të partisë. Pra ky ka frikë nga zgjedhjet. I donte zgjedhjet pa opozitën. Kur e pa që ishte e pamundur kjo gjë e mori Lulin tre orë në errësirë për ta përdorur kundër zgjedhjeve.

Ndërkohë ju nënvizuat me të drejtë mungesën e debateve, si një mungesë të madhe…

Është mungesë e transparencës. Është mungesë para përgjegjësisë.

A mund të na thoni në mënyrë të përmbledhur platformën e LSI. Cilat janë shtyllat e saj?

Njeriu më i saktë për të paraqitur platformën do të ishte z. Vasili, por unë nuk mund ti shmangem kësaj pyetje përderisa jam i përfshirë në këtë fushatë. Së pari, kjo është një platformë e cila synon që të zhvillojë ekonominë e vendit në funksion të punësimit dhe të një rritje ekonomike dyshifrore. Ju do të thoni që edhe deri tani kemi patur një rritje ekonomike.

Këto gjëra janë thënë në çdo fushatë?

Të bëjmë një bilanc. Prandaj nuk ka debat. Në katër vjet borxhi i Shqipërisë është rritur mbi një miliard euro. Ndërkohë që rritja ekonomike e akumuluar në këto katër vjen është as nëntë qind milion euro. Pra, i gjithë vizoni i zhvillimit të ekonomisë, të rritjes së ekonomisë, ka dështuar dhe ka rënë . Për një euro borxh, kemi një rritje ekonomike 0.9 euro. Pse? Sepse ende është vizioni i fasadave, i Kryetarit të Bashkisë, i ish-kryetarit të Bashkisë dikur. Të mbjellim palma. Të mbjellim beton në një zonë arkeologjike. Të bëjmë kullën e Korçës, kulla më e shëmtuar në botë. Në një qytet të mrekullueshëm që nuk ka nevojë për një gjë të tillë. Dhe bëjmë shumë e shumë investime të tjera me bojëra, me ngjyra e me shumë fasada të tjera, të cilat nuk sjellin as vende pune, as mirëqenie, as rritje ekonomike dhe as një rritje ekonomike për të zgjidhur problemet sociale. Tani çfarë synon LSI? Politikat e taksave progresive të Edi Ramës ka dështuar. Dhe LSI synon që të kemi një nivel tatim-fitimit jo më të lartë se 105 për bizneset e mëdha., mbi 100 milion lekë të reja. Dhe njëkohësisht me dy nivele të tjera, 8% dhe 5% sipas nivelit të biznesit. Gjë që do të bëjë të mundur rritjen e formalizimit të ekonomisë. Përsa i takon tatimit mbi të ardhur personale të kemi dy nivele, një 8% dhe një 10%. Pasi tatimi i nivelit deri në 350 mijë lekë është të mos ketë tatim mbi pagën. Pasi niveli i lartë i tatimit mbi pagën apo mbi të ardhurat personale deri në 23% çfarë ka bërë? Veçse ka rritur informalitetin. I ka detyruar bizneset, punëdhënësit, por edhe punëmarrësit të bëjnë falsifikime nga më të ndryshmet në mënyrë që ta paguajnë sa më pak taksa. Dhe në totalin e vetë nga 12 mijë të regjistruar që kanë qenë më përpara që paguanin, që e kishin pagën mbi 200 e ca milion lekë, kemi një rezultat mbas taksës 23% që janë vetëm 6 mijë të regjistruar. 6 mijë të tjerë ku janë?Ata kanë bërë lëvizje të tjera. Përse ndodh kjo gjë?Përse duhet ti imponojmë ne njerëzit që të bëjnë marifete të tilla? Sepse kjo është një politikë taksash shtrënguese, pa vizion dhe në një vend ku ende varfëria është problem. Ku ende institucionet janë të dobëta. Ku ende arbitrariteti i administratës fiskale është i lartë, politika e taksave të larta është një dështim dhe çfarë ka ndodhur në katër vjet?Janë fshirë malet me borxhe që kishin oligarkët dhe bizneset e mëdha në OSHE,në tatime dhe kanë falimentuar me mijëra biznese të vogla. Ulja e taksave do të bëjë të mundur të ulen kostot e biznesit dhe të rriten mundësitë për punësim dhe vetëpunësim të qytetarëve shqiptar.

Ndërkohë prioriteti kryesor është bujqësia. Ju mund ta keni dëgjuar që z. Rama mund ta ketë thënë e ka fajin Panaritit për këtë situatë në bujqësi dhe për subvencionet në bujqësi. Si mund ta ketë fajin Panariti në qoftë se bujqësia ka këtë zhvillim që ka dhe. Dhe ka një progres. Pavarësisht se të vështirë. E ka dhe për shkak të vizionit të Ministrit Panariti. E ka dhe për shkak të rikthimit , të dëshirës, të pasionit të shumë Shqiptarëve për tu mbështetur tek bujqësia për të ardhmen e tyre. Por ajo që dua t’ju them është që kjo qeveri dhe ky Kryeministër dhe Ministri i Financave në kundërshtim me qëndrimet e LSI çdo vit dhe të Ministrit Panariti, të cilat kanë qenë publike, kur është diskutuar edhe buxheti dhe në komisione parlamentare dhe qëndrimet politike të LSI e ka diskriminuar bujqësinë ën një mënyrë të tmerrshme. Dhe mund të themi këtë bilanc. Fondi që ka dhënë buxheti i shtetit për subvencionet në bujqësi, në Shqipëri është 5 herë më pak se në Kosovë dhe 10-12 herë më pak se në Maqedoni. Ndërkohë që Shqipëria është një vend edhe më i madh dhe me një potencial për zhvillimin e bujqësisë, shumë herë më të madh edhe sesa Maqedonia edhe sesa Kosova. Pse? Sepse nuk ka qenë një prioritet zhvillimi bujqësisë për Edi Ramën. Në qoftë se 1/3 e fondeve u dhanë për rilindjen urbane për tendera, për zbukurime, për fasada më mirë sesa për sheshe të ishte dhënë për bujqësinë. Sot situata ekonomike e Shqipërisë do të ishte krejt ndryshe. Njëkohësisht edhe për turizmin, por kur flasim për bujqësinë edhe për turizmin kemi parasysh që këtu përfshihen që jo vetëm janë sektor kyç për zhvillimin dhe rritjen e ekonomike të vendit , por njëkohësisht edhe rritja e këtyre sektorëve ndihmon me dhjetëra familje kudo. S’është problemi ta rrisim ekonominë,por problemi është edhe që të përfitojnë më shumë njerëz nga rritja e ekonomisë. Të ketë një shpërndarje sa më proporcionale, të kësaj ekonomie që rritet. Dhe sektorët ku mund të përfitojnë më shumë shtresa të shoqërisë është bujqësia, turizmi, shërbimet te lidhura me këto. Dhe këto janë një prioritet kyç për LSI-në dhe mbi të gjitha plani i punësimit për 170 mijë veta, ku në mënyrë të veçantë plani i punësimit për 100 mijë të rinj. Nëse ne nuk krijojmë mundësi, lehtësira, shanse për të rinjtë, që të punojnë këtu dhe të ndërtojnë të ardhmen këtu, ky është një vend që do të vazhdojë të konkurrojë me Sierra Leonen. Por unë mendoj që jo, sepse ne e zbuluam kush është Ebola jonë. Ebola jonë është Rilindja dhe atë do ta dënojmë me votë në 25 qershor. Në këtë mënyrë në Shqipëri do të ketë shpresë dhe zhvillim, sepse do të ketë rini.

Ju keni bashkëqeverisur me këtë “Ebola”. A keni pasur ju përgjegjësi?

Duhet të kuptojmë që LSI-ja, nëse Shqipëria nuk ka rënë në greminë gjatë këtyre katër vjetëve, këtë meritë nuk duhet t’ia heqim LSI-së.

Ku i ka shtrënguar frenat LSI?

Rasti më evident është reforma në drejtësi, që z. Rama e donte pa opozitën sepse donte ta kapte drejtësinë. Për shembull, siç kishte kapur Policinë e Durrësit komplet. Mbani mend ju kur ra avioni me italianin në Ishëm? Policia edhe një dritare të bëhet në Kullë apo në Sukth pa leje, e merr vesh dhe vete e arreston atë, e burgos, e dhunon, etj.

Nuk e dinte Policia që në Ishëm ishte bërë pistë me avionët e drogës dhe kanabisit që vinin e furnizoheshin nga Kruja e nga gjithë zonat rreth e qark? Duhet të jemi fare të sinqertë me qytetarët dhe me të gjithë. LSI-ja ka qenë një garanci në katër vjet për atë normalitet që ka patur Shqipëria, për atë ecuri që ka patur procesi i integrimit evropian. A ka pasur përgjegjësi? Po edhe ka patur, por edhe kur s’ka patur, edhe ka marrë përgjegjësi që nuk i takonin. Ka bërë zëvendësime ministrash herë pas here, edhe kur ministrat kishin të drejtë dhe kryeministri jo. Për shembull, kishte të drejtë Ylli Manjani, jo Edi Rama. Por, kur krijohet një konflikt, ose do të iki një ministër aq publik sa u krijua, ose do të iki ministri ose kryeministri. Ne, për hir të një lloj stabiliteti, menduam më mirë të iki një ministër se sa të iki kryeministri sepse mund të krijohet një moment krize që mund të krijojë probleme për vendin.

Megjithatë, ta shohim deri në fund. E pamë që fundi i tij është i frikshëm, në kuptimin e degradimit që nga debati, që nga fjalori, që nga inkoherenca e frikshme, për shembull për administratën. Kush e krijoi këtë administratë? Kush është drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike? Është një e zgjedhura e tij, që unë dhe askush s’e njeh fare, ka qenë drejtoreshë e bashkisë. Kush i ka bërë konkurs administratës? I ka bërë vetë drejtoresha me z. Rama. I kanë bërë si kanë dashur. Tani? Thuhet që ne kemi dështuar te reforma në administratë. Vetë e ke bërë. Kush e ka bërë. Pse e thotë ai këtë? Natyrisht për diçka tjetër, që të mashtrojë prapë socialistët.

U ktheu kurrizin para katër vjetësh socialistëve të thjeshtë, që patën shpresë se pas kaq kohe me Berishën ata do të realizonin aspiratat e tyre, të familjeve të tyre e kështu me radhë. Pasi u ktheu kurrizin atyre sepse të gjithë pushtetin ia dha Rilindjes së tij, po të shohim i gjithë pushteti është i ish-bashkisë së Tiranës, në gjithë qeverisjen e vendit, tani u thotë ejani prapë e më votoni se nuk kam pasur unë faj, por Ilir Meta, sepse ai më ka detyruar të bëj këto e ato. Ilir Meta mund të thotë që pesha e LSI-së në qeveri ka qenë më e paktë se sa në qeverinë me PD, po të kemi parasysh strukturën e qeverisë dhe atëherë dhe tani. Dhe, mbështetja që LSI-ja i ka dhënë këtij zotërie ka qenë e jashtëzakonshme. Asnjë kryeministër në Shqipëri nuk ka patur këtë mbështetje. Të kesh një mazhorancë me 90 vota, që të të mbështesë për çdo gjë, natyrisht jo për plehrat, natyrisht jo për koncesionet, por të gjithë e dinë që kjo nuk është shkelje e marrëveshjes nga ana e LSI-së, kjo është shkelje e premtimit që ai vetë u bëri socialistëve dhe shqiptarëve përpara vitit 2013. U premtoi shqiptarëve që nuk do të bënte koncesione siç kishte bërë Berisha. Më pas ka bërë shumë më keq nga Berisha, që nga koncesionet në shëndetësi e kudo me burimet natyrore të vendit. Ka dy vjet LSI-ja ka paraqitur një projektligj në parlament që koncesionet të kalojnë në parlament me përgjegjësi maksimale ku të jetë edhe opozita, edhe grupet e interesit, sepse janë pasuritë e popullit shqiptar dhe jo personale, as të Ramës, as të Metës dhe as të Bashës.

Këto janë shqetësimet reale të tij. Ai këtë nuk e thotë dot dhe shpik përgjegjësi të tjera, që nuk ekzistojnë. Nuk ka kryeministër me një bilanc më katastrofik se sa ai. Sepse, mund të themi çdo gjë, por çdo kryeministër, në një kohë të tillë, ka patur një bilanc shumë evident. Shumë më të suksesshëm edhe shumë më të prekshëm. Kështu që, LSI ka arritur me mjaft vetëpërmbajtje, në katër vjet, të garantojë një stabilitet të vendit, madje shpesh ka qenë më opozitë LSI që ka qenë brenda qeverisë, se sa opozita që ka qenë jashtë qeverisë. Për arsye, se një pjesë e mirë e opozitës ka qenë gjithnjë e kapur nga kryeministri dhe në mënyrë klienteliste i ka shërbyer atij duke mos u përqendruar në prioritetet që duhet të përqendrohet një opozitë, por duke hapur tema apo debate të parëndësishme dhe periferike.

Ndërkohë sot gazetat citojnë intervista të Edi Ramës ku ai thotë: është e sigurt, LSI nuk do të jetë në qeverisjen e ardhshme. Përse mendoni se bëhen këto deklarata dhe a mendoni se së vend të qytetarët?

Nuk zë fare vend te qytetarët, kjo bëhet sepse z. Rama nuk e bazon suksesin et tij te përkrahja që ai ka nga njerëzit. Z. Rama tregoi që nuk është një politikan vlerash, është politikan thjeshtë pushteti. Dhe ai nuk e do pushtetin për të mbajtur premtimet, ai e do pushtetin për të sunduar në një mënyrë jo demokratike përmes shantazheve, përmes presionit, përmes pengmarrjes. Pengmarrjes së biznesit, pengmarrjes së kundërshtarëve, pengmarrjes së oponentëve, pengmarrjes së medias, pengmarrjes së policisë, pengmarrjes së drejtësisë dhe gjithçkaje tjetër, sepse natyrisht që z. Rama mesa duket ka përvetësuar një thënie që të të duan njerëzit nuk e je ti në dorë, por që të kenë frikë e ke ti.

Në fakt, kjo është shumë e vjetër, është për kohëra të tjera, nuk është për këtë kohë dhe për një sistem të tillë demokratik. Askush nuk ka më frikë nga z. Rama, ai ka frikë dhe tmerr nga vota e lirë dhe le ta jetojë këtë tmerr sepse nuk është faji ynë, nuk është përgjegjësia jonë. Ky është thjesht një presioni pushteti që bëhet ndaj qytetarëve, ai nuk thotë më votoni mua se do të bëj këtë gjë për ju, por thjesht mos votoni këta se këta nuk do të jenë më në pushtet. Nuk është LSI-ja që ka shkuar pas pushtetit, është pushteti që ka shkuar pas LSI-së dhe nëse LSI-ja dhe në 2009-n dhe në 2013-n ka qenë në qeveri, por nuk ka pasur drejtimin e qeverisë, sepse ka qenë si një garanci për stabilitetin dhe funksionimin e mazhorancave, të institucioneve dhe të procesit të integrimit evropian, dhe asnjëherë LSI-ja nuk ka krijuar një problem, por vetëm ka zgjidhur probleme për integrimin evropian të Shqipërisë.

Ka qenë PD-ja dhe Edi Rama që kanë krijuar herë pas here bllokime për interesa të ngushta politike. Të mos harrojmë për në kryetar qarku Fieri ka vonuar nj vit marrjen e statusin kandidat të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke bllokuar miratimin e tre ligjeve që ishin me 84 vota, për një kryetar qarku në Fier. A mund ta bëjë një politikan i përgjegjshëm? LSI ishte ajo forcë politike që tha: për të krijuar një klimë besimi për zgjedhjet që të hyjë opozita, ne jemi gati të gjitha mandatet tona nga Kryetari i Kuvendit, nga pesë ministrat dhe çdo gjë tjetër ta vëmë në dispozicion të një marrëveshjeje, sepse stabiliteti i vendit është shumë më i rëndësishëm se sa pushteti që ka aktualisht LSI-ja apo çdo forcë politike. Kështu që në këtë drejtim mendoj që z. Rama ka thënë një gjë të vërtetë, që nuk do të jetë me LSI-në sepse nuk mund të jetë më LSI-ja me z. Rama. I kemi dhënë kaq shumë shanse z. Rama dhe ai gjithnjë rikthehet te pabesia e tij që ka si një sëmundje të pashërueshme dhe te paqëndrueshmëria e tij. Tani është koha t’i japim një shans të gjithëve, pse jo t’i japim edhe PS-së një shans që të zgjedhë njeriun më serioz në drejtim pas humbjes së z. Rama në këto zgjedhje.

Po lini të kuptoni që qeverinë e re do ta krijojë Lëvizja Socialiste për Integrim?

Kjo është e padiskutueshme.

Dhe cili do të jetë modelin në qeverisje i Lëvizjes Socialiste për Integrim?

Modeli i LSI-së do të jetë ai i vendosjes së qeverisë në funksion të qytetarëve dhe i një transparence ekstreme. Ky do të jetë dallimi i fortë që do të bëjë LSI-ja në raport me qytetarin, në raport me ligjin dhe në raport me prioritetet që ka nevojë vendi. Paratë e shqiptarëve, por edhe borxhet që merren në emër të shqiptarëve nuk do të bëhen më rrush e kumbulla dhe palma. Ato do të shkojnë atje ku janë nevojat më jetike të qytetarëve shqiptarë. Sepse është shumë mirë që bëhen investime në qendër të Tiranës, por po të shkosh te Bregu i Lumit, po të shkosh në Shkozë, po të shkojë te Josif Pashko, po të shkosh në shumë zona të tjera të Tiranës vë duart në kokë dhe nuk e kupton se ku je. E njëjta gjë është edhe këtu në Durrës e kështu me radhë.

Sepse Rilindja investon për fasada dhe për vitrina, por shumica e shqiptarëve kanë probleme jetike dhe bazike, që nga problemi i papunësisë, që nga problemi i ujit të pijshëm që ende për fat të keq edhe në zona të cilat duhet të kenë prioritet turizmin, ky problem nuk është zgjidhur, që nga problemi i zhvillimit dhe modernizimit të bujqësisë, që nga zhvillimi i infrastrukturës turistike, që është bazë për përmirësimi e jetës së shumë e shumë familjeve që jetojnë me turizmin e shumë arsye të tjera.

Po nuk u morëm me këto prioritete, po vazhduam me palma, po vazhduam me fasada, po vazhduam me bojëra, absolutisht Shqipëria do të jetë edhe më e varfër. Shqipëria do të ketë akoma më shumë probleme. Po vazhduam të bëjmë ligje për arsimin, si ai ligji që bëmë, që duam t’i detyrojmë të rinjtë që të shkojnë në universitete private dhe ndërkohë rrisim koston e arsimimit të tyre, sigurisht që kjo nuk mund të jetë një Shqipëria që jep shpresë, por unë jam i bindur që 25 qershori është tashmë i qartë për çdo shqiptar që do të jetë një ditë historike e një ndryshimi të madh dhe të jashtëzakonshëm. Këtij ndryshimi t’i trembet kush të dojë.

Keni besim të palëkundur për këtë?

Si asnjëherë tjetër e ndjej kudo, kjo ndihet edhe te portreti i Edi Ramës.

Jemi në fund të intervistës sonë, a keni një mesazh të drejtpërdrejtë për elektoratin e LSI-së por edhe gjerë?

Për qytetarët kam këtë mesazh: të gjithë të shkojnë të votojnë në mënyrë të qetëm në mënyrë demokratike, edhe nëse ju nuk e doni politikën për shkak se ajo ju ka zhgënjyer, ju ka lodhur, prapë doni apo nuk doni politika do të merret me ju në katër vitet që vijnë. Kështu që bëni detyrën tuaj qytetare, shkoni, votoni, shprehni bindjen tuaj, dëshirën, vullnetin tuaj për cilëndo forcë politike që ju besoni që do të tregojë më shumë përgjegjshmëri dhe përkushtim ndaj jush dhe ndaj shqetësimeve tuaja më të mprehta. Mos votoni vetëm për veten tuaj, por në mënyrë të veçantë votoni për të ardhmen e fëmijëve tuaj.

(Burimi:Integrimi.al/Xh.N)

Te shenuara si:
al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al