Deputeti i LSI-së, Edmond Panariti ka sjellë në vëmendje faktin që është rritur shumë niveli i importit të frutave dhe perimeve në vend, duke bërë që të ngelen stok prodhimev vendase.

Panariti ka thënë që sot në Tiranë 1 kg molle e agrume importi ofrohen deri 10 herë më shtrenjtë se prodhimi vendas, teksa ka shtuar se kjo do të thotë ta gjunjëzosh dhe nxjerrësh jashtë loje fermerin tonë.

“Mijëra ton molle të pashitura dhe drejt kalbëzimit në Korçë, Dibër e kudo. E njëjta situatë me mandarinat, portokallet e jugut, të flakura buzë kanaleve për mungesë të tregut. Mungesë tregu për prodhimin shqiptar, por jo për atë të importit! Sepse importi i frutave, ndërkohë që prodhimi vendas kalbet, vazhdon të dominojë tregjet e qyteteve. Sot në Tiranë, 1 kg molle e agrume importi ofrohen deri 10 herë më shtrenjtë se prodhimi vendas . Të importosh pa kufi dhe madje në kundërshtim me marrëveshjen e tregtisë, e cila ndalon importet e frutave që subvencionohen në origjinë, do të thotë ta gjunjëzosh dhe nxjerrësh jashtë loje fermerin tonë. Kjo foto është bërë sot në një nga tregjet e kryeqytetit dhe dëshmon sa thashë”, ka shkruar Panariti.