Intervista e deputetes së LSI-së, Monika Kryemadhi për emisionin “Vila 24” në News 24

Meqenëse ju jeni në kontakt të pandarë me të rinjtë, sepse ju luftoni për një të ardhme më të mirë të tyre, më thoni çfarë të ardhme kanë këta të rinj, cili prej tyre ka të ardhme për të punuar në Shqipëri?

E ardhmja është e sigurt dhe këtë nuk e diskutoj por një e ardhme e sigurt varet nga edhe nga puna qe ata do të bëjnë. Këta studentë kanë kaluar dy fazat e para, dijet që është kryesorja dhe më e rëndësishmja, e dyta ballafaqimi publik dhe e treta është e dukshme se ata nuk do të dorëzohen përballë sfidave që sjell jeta. Deri tani ata kanë patur mburojën e prindërve të tyre, që i kanë mbështetur për të arritur këtu ku janë sot. Kjo është e vërtetë, sepse prindërit janë kryesorët dhe mirënjohja më e madhe shkon ndaj tyre. Kur bëhesh prind e kupton se çfarë sakrificash bën prindi për fëmijën e tij.

Ju na këshilloni të qëndrojmë këtu apo të provojmë të dalim jashtë Shqipërisë?

Që të jem e sinqertë ka dy kontingjente njerëzish: ata që shkollohen jashtë dhe ata që shkollohen në Shqipëri. Por kjo nuk është e rëndësishme. E rëndësishme është se sa dëshirë ke ti për t’u shkolluar. Ka kontingjent njerëzish të cilët janë target sulmi për t’u manipuluar, për t’u abuzuar apo diskriminuar dhe prindi gjen një mënyrë që ta largojë nga të gjitha këto, por nga ana tjetër është edhe një target tjetër, të cilët jo për mungesë ekonomike, sepse po ta kishit kërkuar shkollimin jashtë, prindërit tuaj do të kishin bërë të pamundurën për këtë, por këta nuk janë target të manipulimit, përkëdhelisë apo fiktivitetit, por janë njerëz të cilët përballojnë, përplasen, luftojnë dhe arrijnë të rritin rezultatet e tyre.

Unë kam qenë fëmijë i një shtrese të mesme dhe jam parë si njeri normal dhe i padukshëm ne rrethin shoqëror të gjimnazit apo universitetit. Ndërsa fëmijët e mi nuk janë të padukshëm.

Cilat janë profilet që kanë zgjedhur fëmijët tuaj?

Vajza studion për financë-bankë, ndërsa djali është midis juridikut, menaxhim biznesi dhe ëndrrës së tij për t’u bërë aktor Hollivudi.

A keni patur ju ndikim tek profesionet që kanë zgjedhur fëmijët tuaj?

Që të jem e sinqertë unë kam manipuluar në kuptimin e mirë të fjalës. Unë jam partizane e mendimit që çdo njeri sot duhet të ketë një zanat. Pastaj marrja me politikë apo të tjera pasione ato janë shtesa të tjera. Unë mendoj se çdo njeri duhet të ketë një zanat, sepse jeta është shumë e çuditshme, unë them është si ashensor. Ti sot je në katin e dhjetë, nesër në kat të pestë, pasnesër ne bodrum. Asnjëherë nuk e di se çfarë ndodh.

Unë do të doja që njëri nga fëmijët e mi të bëhej mjek, sepse mendoj se unë kur të plakem do të kem nevojë për një mjek në familje.

Këtë mund ta quash egoizëm apo individualizëm, por nga ana tjetër mund ta quash edhe një ndihmesë. Pse? Sepse një ditë unë mund të sëmurem dhe njerëzit nuk marrin vesh nga mjekësia dhe i krijojnë problem vetes së vet.

Një profesion duhet nisur në varësi të tregut të punës apo pasionit?

Kjo duhet të shkojë paralelisht. Pasioni mund të jetë shumë i madh, por nëse ai dështon çfarë do të bëjë?

Ju besoni se djali juaj do të kthehet në Shqipëri?

Unë uroj që ai të kthehet në Shqipëri. Një ditë vajza ime më tha se miqtë e tu janë miq interesi, armiqtë e tu janë edhe armiqtë e mi. Kështu që më mirë si një emigrante me një edukim shumë të mirë se sa të kthehem aty si një njeri që do të jem pjesë e luftërave. Mua më erdhi shumë keq, sepse lufta politike ose morali politik i yni është aq i pamoralshëm.Ndoshta në Evropë dhe në SHBA mund të jetë më shumë se këtu, por janë më të sofistikuar.

Duke qenë të dy shumë të njohur dhe bashkëshorti juaj ka pasur të gjitha detyrat ekzekutive më të larta. Si ia keni bërë për të mbajtur fëmijët nën kontroll, që të mos abuzojnë me pjesën e famës apo pushtetit të fëmijëve?

Këtu faktikisht kanë vuajtur fëmijët tanë, nuk kemi vuajtur ne që të jemi të sinqertë. Në kuptimin që janë të privuar nga shumë gjëra, si për shembull loja, ekskursionet, shëtitja, rrjetet sociale.

Sa para në ditë u jep zakonisht fëmijëve kur ishin të vegjël?

Dyqind lekë të reja. Sepse ato kanë qenë në kolegjin turk dhe atje e kishin ushqimin të përfshirë. Kështu i jepja aq para për të blerë ndonjë shishe ujë apo freskuese, pasi nuk kishin nevojë për tjetër gjë.

Po tani a shpenzojnë shumë krahasuar me moshatarët e tyre?

Jo. Kam një fat sepse të dyja vajzat veshin rrobat e mia dhe kjo siç më shqetëson edhe më gëzon. Sepse më shqeëtson ngaqë edhe mi prishin, por më gëzon sepse tregon që kam shijet e brezit të ri.

Çfarë cilësish kanë trashëguar ato nga prindërit?

Bora është si babai i saj, është racionale, e qetë saqë është indiferente për disa gjëra. Është shumë e ftohtë, njësoj si i ati i saj në këtë drejtim, edhe si fizionomi edhe në mënyrën e të artikuluarit. Besari është shumë emocional, ëndërrimtar si unë.

A është e vërtetë që keni një lidhje më të afërt me djalin siç ndodh zakonisht me nënat në përgjithësi?

Jo, lidhjen e kam me vajzat faktikisht. Nuk kam dashur ta krijoj këtë lidhje të fortë me djalin dhe më vjen shumë keq. Mamaja ime është shumë e lidhur me djalin tim dhe ai më tha një ditë dua të bëj tatuazh portretin e gjyshes.

Shiko, është si puna e gishtave të dorës që të dhembin njëlloj, por vajza e madhe më thotë: i pari të dhemb më shumë, pastaj më të tjerët mësohesh. Ti ke një lule në vazo dhe të dhimbset kur të vyshket, jo më një fëmijë.

Po njohja juaj me z. Meta si ka qenë?

Në Partinë Socialiste jemi njohur në fakt. Sigurisht që ai e hodhi hapin i pari, unë isha e turpshme.

Si erdhi si lidhje?

Mua nuk ka pasur pëlqyer Ilir në fillim, sepse ai është natyrë maskiliste, i pëlqen shoqëria me burra, nuk është se ka shoqëri shumë me gra.

Kjo është gjë e mirë sipas jush?

Unë nuk e mendoj si gjë shumë të mirë, sepse kjo e bën që të mos jetë shumë xhentil në marrëdhëniet me mua, si puna e “princit të kaltër” që të të hapë derën e makinës, të mbajë pallton, etj.

Unë jam njohur me Ilir në vitin 1991, pastaj jemi lidhur në vitin 1994 dhe ën 98-n erdhi në jetë Bora. Pra kemi 23 vite bashkë, në fakt mua më duket sikur ka ndodhur dje.

A keni pasur furtuna në jetë?

Patjetër, ne jemi një çift i çuditshëm sa në një farë mënyre uroj që njerëzit të kenë problemet që kemi pasur ne, sepse furtunat tona nuk kanë qenë familjare, por kanë qenë vetëm furtuna politike. Ndoshta kjo ka bërë që familja të jetë e fortë, e konsoliduar. Ndonjëherë problemet të lidhin më shumë në çift dhe të qenurit të dy bashkë në një pozicion të bën që ti ta mirëkuptosh partnerin, e sheh atë edhe si koleg.

A mund të thuash një ves që ju e kritikoni gjithmonë te z. Meta? Jo në aspektin politik por në atë njerëzor, familjar….

Janë disa. Do vetëm një telekomandë, nuk e kontrollon dot me disa telekomanda dhe kërkon ndihmën time. Produktet për kujdesin personal nuk i blen kurrë vetë, duhet t’ia blej unë. Dhe më thotë shiko se paska mbaruar kjo apo jo, ndërsa unë ia kthej se duhet të më njoftojë 2-3 ditë më para që të marr masat.

Po me edukimin e fëmijëve a është marrë? A ju ka ndihmuar?

Po më këshillon që të mos i lodh shumë fëmijët, duke qenë se unë u kërkoj shumë llogari për mësimet, etj. Unë kam mbaruar për shkencat e natyrës dhe jam pak e fiksuar pas matematikës, pasi mendoj se siç i bën gjimnastikë muskujve, ashtu duhet t’i bësh edhe trurit. Matematika është një lloj fizkulture për trurin. Siç zgjidh një problem në matematikë edhe në jetë duhet të zgjidhësh një problem të caktuar. Sot e kësaj dite Bora është shumë e mirë në matematikë. Mamaja ime ka një rëndësisë shumë të madhe, sepse ajo i pret dhe përcjell nga shkolla, ajo kujdeset për fëmijët, pasi unë kam shumë angazhime.

A keni ju një librari të madhe në shtëpi?

Po, shumë. Ne kemi një dhomë enkas për këtë.

A ju ka bërë ndonjë dhuratë romantike z. Meta?

Një herë më ka sjellë një buqetë me lule kur kam bërë 36 vjeç. Më ka sjellë 136 trëndafila. Dhe unë kam ndenjur 2 javë pa gjumë se pse mi solli këto lule.

Keni thënë se “kur linda për herë të parë unë e urreja Ilir Metën”. Çfarë keni dashur të thoni me këtë?

Sepse të ndryshon sistemi i jetës. Nga një njeri që je gjithë kohës e lirë dhe e gjithë bota rrotullohet rreth teje, tashmë nuk ndodh kështu. Tashmë ke një përgjegjësi shumë të madh për atë që ke sjellë në jetë.

Si ka kaluar kjo fazë atëherë?

Unë ika me studime.

Të qenit partnerë në jetë dhe në politikë ka qenë më tepër një lehtësim për ju edhe në menaxhimin e familjes?

Për sa i takon lidhjes tonë në çift kjo ka qenë një gjë shumë e mirë sepse ti gjithmonë dashurohesh me shokun tënd. Kjo ka qenë një gjë shumë e mirë e jona sepse e ka mbajtur lidhjen shumë të konsoliduar. Betejat tona kanë qenë shumë të forta dhe shumë të egra dhe na kanë lidhur më shumë.

Cila ka qenë beteja më e fortë?

Të gjitha. Që kur i është hequr Ilirit imuniteti në vitin 1992, që iu hoq sepse doli në mbrojtje të votuesve të tij. Pastaj katarsisi në Partinë Socialiste, pastaj fillon lufta brenda PS-së kur ishte Kryeministër. Të gjitha këto janë beteja që nuk të kursejnë as në familje.

Nuk ishte ajo ngjarje me z. Prifti?

Jo absolutisht! Ajo është thjesht një manipulim. Ai që të do, të do në këtë gjë. Ai që s’të do, s’të do. Ai që është i bindur për atë që thotë i beson titrat e asaj videoje. Nuk duhet të harrojmë diçka. Perceptimi është bërë i domosdoshëm në Shqipëri dhe ne e mbarsim opinionin publik dhe më pas i themi të vërtetën, ose nuk ia themi fare, i themi atë që duam t’i themi. Dhe çfarëdo që të ndodhë, sido që të jetë e vërteta, perceptimi që ti ke është aq i krijuar saqë ti nuk e zhbën dot atë ose bëhesh indiferent. Ndërsa për mua momenti më i vështirë ka qenë aksidenti që ka bërë Ilir Meta në Dibër në zgjedhjet e 2005-s, që unë nuk e mora vesh kurrë që kishte thyer krahun apo se kush ishte personi që u doli përpara me makinë. Nuk u zbardh asnjëherë.

A jeni ndier ndonjëherë të kërcënuar?

Gjithë kohën ne ndihemi të kërcënuar, sepse ne si parti politike gjithmonë prishim interesa të mëdha të grupeve të caktuara. Edhe në kuptimin personal ndihesh i kërcënuar sepse vendimet e tua politike nuk u shërbejnë të gjithëve, u shërbejnë shumicës dhe ka një pakicë që nuk u pëlqen kjo gjë. Dhe midis shumicës dhe pakicës, unë zgjedh shumicën. Pra, nëse një ligj është në funksion të pjesës më të madhe të popullsisë, por të mos harrojmë që ky ligj dëmton interesa fitimprurëse shumë të mëdha të një grupi të caktuar njerëzish, oligarkët po themi. Unë e them gjithmonë edhe më të rinjtë se sa më i ditur të jesh, aq më i pavarur je, sa më i ditur të jesh, aq më pak i manipulueshëm je. Kush dëmton arsimin, dëmton një komb dhe e bën këtë komb të nënshtrohet. Dhe në momentin që je i paditur, je i varfër.

Meqë jemi tek arsimi, para pak kohësh ju keni bërë një deklaratë ndaj ministres së Arsimit, znj. Nikolla. Çfarë e nxiti këtë reagim tuajin?

Po të hysh në rrjetet sociale, do të shihni që LRI ka filluar të reagojë për problemet e arsimit që në 2008-n. Mjafton të kujtojmë edhe deklaratat e z. Petrit Vasili dhe z. Luan Rama në Parlament. Ne kemi negociuar për këtë, sepse Ligji për Arsimin për e Lartë u fut që në maj dhe çfarë ndodhi? Na thanë që brenda dy muajsh ne do bëjmë aktet nënligjore dhe mungesa e këtyre akteve nënligjore solli kalvarin e vuajtjeve të të gjithë maturantëve. Sot prapë kemi një brez tjetër që vuan, sepse ato i kanë bërë lëndët me zgjedhje dy vjet më parë dhe tani duhet të ndërrojnë zgjedhjet në vitin e tretë. Pra, është edhe një brez tjetër. Janë tre breza që faktikisht quhen breza të humbur.

Deklarata juaj pse është kaq vonë zonja Monika?

Dëgjo, se ju nuk më kuptoni dhe prandaj bëheni sipërfaqësor sepse merrni informacion nga mediat. Unë nuk kam bërë deklaratë për këtë gjë. Unë kam bërë takim me maturantët dhe ne i bëjmë çdo vit takimet me maturantët dhe në takimet që unë kam bërë me maturantët u them “Mos bëni kompromise me dijet tuaja”.

Por ato do kishin më shumë mbështetje dhe nevojë për deklaratën tuaj përpara se ligji kur të merrej vendimi për këtë ligj.

Unë kam punuar dhe do vazhdoj të punoj, pasi me ligjin për arsimin e lartë do ta vazhdoj punën politikisht.

Po pse kërkoni ta ktheni mbrapsht kur ju i keni votat për ta kushtëzuar?

Jo nuk i kam votat për ta kushtëzuar.

Ju mund të rrëzoni qeverinë.

Pse duhet ta rrëzoj unë qeverinë? E dini ju se çfarë ndodh po ta rrëzoj qeverinë unë? Ndoshta kënaq egon politike për momentin, por ama po rrëzova qeverinë unë sot, ty burgjet të hapen dhe të shqyhen, policinë e ke rrugëve, ke një destabilitet politik sepse ke një opozitë në shesh, ke një Maqedoni të destabilizuar, ke një Kosovë të destabilizuar, ke një Mal të Zi të destabilizuar, ke një Greqi të dobët dhe ke një Itali të dobët. Sepse ti gjithmonë kur ke pas një destabilitet politik ke pasur mbështetje fqinjët, ndërsa sot kë një fqinjësi shumë të dobët ekonomikisht. Reformat nuk bëhen individuale, nuk i bën njëra parti. Reformat bëhen kombëtare ku përfshihet edhe opozita edhe mazhoranca. Ndaj unë them pseudoreformë sepse reformat nuk bëhen as për 1 vit as për 4 vjet.

Ku do të kandidoni në zgjedhjet e ardhshme?

Akoma nuk është vendosur. Unë jam e deleguar në 3 qarqe, Lezhë, Elbasan dhe Tiranë. Shpresoj mos të shtyhen zgjedhjet. Pasi nëse nuk hyn opozita në zgjedhje nuk ka më demokraci pastaj.

Një koment për deklaratën e z. Ruçi dje?

Është tjetër gjë ajo. E dini ju çfarë është një koalicion? Koalicioni është bashkim numrash. Domethënë është pragmatizëm i dy partive të mëdha, pasi kanë kushtëzuar me kodin ligjor sepse jo pa qëllim nuk u bë reforma zgjedhore sepse të dy partive të mëdha, që për mua nuk janë të mëdha, por dy parti të vjetra, të cilat kanë marrë monopolin e menaxhimit të zgjedhjeve dhe thotë: Ose do bëhesh me njërën anë ose me anën tjetër që ti të jesh pjesë e menaxhimit të votave. Unë po marr rastin e Lezhës. Në Lezhë kam marrë 1 deputet e gjysmë në Lezhë, 1 deputet e gjysmë në Shkodër dhe këto bishtat tanë, gjysmat tona i kanë çuar mandate PS. Ky është manipulim sepse janë gati 500 mijë vota në gjithë Shqipërinë të cilat i marrin 2 partitë e mëdha, i bien 50 deputetë.

Jeni pro e një qeverie teknike?

Këto kanë të bëjnë me çështje ultimative. Për mua gjërat duhet të kenë logjikë në atë që kërkohen, duhet të jenë parimore dhe principale, diskutimi i tyre të jetë principal. Në 2008 ne si LSI kemi bërë një grevë urie dhe talleshin të gjithë me ne. Ja ku janë sot, para disa vitesh ishte PS, tani është PD.

Sa mandate do merrni këtë vit?

Mendoj se do kalojmë 40.

Do dilni forcë e parë?

Pse jo.

A duhet që një parti politike të garojë e vetme në zgjedhje?

Para zgjedhjeve të gjitha partitë politike duhet të hynë të barabarta, për mua me proporcional të pastër, për të kuptuar ku janë dhe më pas rezultatit të detyrohen të ulen të bëjnë koalicion.

Burimi:( gazeta integrimi / E.S ) 

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al