Intervista e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta për emisionin “Zonë e Lirë” të Arjan Çanit në Klan TV

Gojët e liga thonë se në darkën e pak ditëve më parë në një moment të caktuar u duk sikur “ia ngec antipastën në fyt” Edi Ramës, pasi i pohove se ke pranuar disa nga kërkesat e opozitës dhe mbi të gjitha nuk je kundër versionit të qeverisë teknike që kërkon opozita. A ka gjë të vërtet në këtë hipotezë që është hedhur?
Nuk mendoj se ka diçka të vërtetë për arsye sepse ka qenë një shkëmbim mendimesh dhe nuk ka qenë një shqyrtim i kërkesave të opozitës apo të diçka e tillë.

U fol për protestën?
Po, natyrisht që po. Të jetësh afër protestës të mos flasësh kur të gjithë flasin për shkak edhe të mediatizimit apo të një shqetësimi se mos kjo protestë dhe kjo rrugë në të cilën ka hyrë opozita mund të çojë drejtë situatave jo pozitive, natyrisht që ku mund të mos flasësh.
Deri tani zyrtarisht kemi dëgjuar nëpër ekrane dhe media, t’i ke thënë që nuk ke asgjë kundër protestës, përkundrazi, protestat janë normale keni thënë ju dhe ke thënë gjithashtu që pa opozitën nuk do të kishte kuptim kur të pyetën për opozitën. Pra jemi për dialog me opozitën. Pra çfarë ke dashur të thuash me këtë, je për dialog me opozitën edhe tani që nuk është një parlament?
E theksoj edhe një herë, pa opozitën nuk ka realisht parlament sepse qeveria apo mazhoranca ka edhe parlamentin ka edhe qeverinë. Opozita ka parlamentin, mund të ketë edhe sheshin. Do me thënë që proteston. Përsa i takon dialogut nuk mendojë se dialogu është i pa mundur edhe jashtë parlamentit. Aq më tepër kur qëllon për rastësi që kryetari i opozitës nuk është anëtari i parlamentit, por kryesorja është vullneti për dialog dhe kërkesat të mundshme, të realizueshme, praktike të cilat e zgjidhin problemet që ne kemi si vend, si shtet.

Pra ti nuk i thua jo dhe një dialogu dhe një nisje dialogu me opozitën jashtë parlamentit?
Kjo nuk është kryesorja. Rëndësi ka vullneti për dialog dhe vullneti për të gjetur zgjedhje të mira. Opozita jashtë parlamentit është pa sens. Sepse këto zgjedhje janë të organizuara nga qeveria e PD, pra zgjedhjet që kanë përcaktuar këtë parlament, janë zgjedhje të pranuara nga të gjithë. Ky është një parlament legjitim, pavarësisht nga problemet, nga shqetësimet e ndryshme apo nga ndonjë anomali në funksionimin e tij gjatë këtyre tre viteve, dhe nuk ka asnjë arsye përse të mos zhvillohet dialogu në parlament. Ose përse të mos kemi dy procese, që parlamenti të vijojë normalisht punimet e tij sipas kalendarit, por edhe protesta mund të vijojë. Po nuk është kjo kryesorja. Edhe një dialog për çështjet e opozitës mund të zhvillohen.

Gojët e liga thonë se së shpejti pritet që të ketë një darkë midis teje dhe Lulzim Bashës. A është e vërtetë?
Tani z. Basha ka qenë gjithmonë i mirëpritur nga unë si Kryetar i Kuvendit, dhe ju e dini që ai ka ardhur dhe unë e kam ftuar përpara konsensusit për reformën në drejtësi, edhe ditën që u arrit konsensusi.

Nuk është më tabu?
Nuk është më tabu sepse ne jemi takuar tek “Rogner”. Në çdo moment. S’ka se si të them që nuk e takojë kryetarin e opozitës. Jo vetëm me kryetarin e opozitës, por me kryetarin e një partie opozitare që nuk është në parlament. Është një detyrim, është një respekt.

Gojët e ligja thonë se Edi Rama të ka ofruar dyfishin e numrit të deputetëve që të bashkëjetoni në harmoni me njëri tjetrin në 4-vjeçarin që vijnë. Sa qëndron ky skenar?
Ky nuk qëndron as në drejtim të ofrimit, por në radhë të parë nuk qëndron as në drejtimin të ndonjë kërkese apo të ndonjë pretendimi të tillë. Dhe duhet të kemi parasysh që LSI gjithmonë ka marrë votat e sajë edhe kur ka qenë jashtë koalicioneve edhe kur ka qenë brenda koalicioneve sepse shqiptarët me këtë sistem kanë një votë dhe atë votë e japin për partinë kudo ku ajo është.

Gojët e liga thonë që i ke propozuar Edi Ramës që mund të jesh ti në rast të një krize të vërtetë, kryeministër, pas zgjedhjeve të ardhshme për të mirën e vendin tani që po mbaron edhe “era e Merkelit” në Gjermani pasi Martin Shultz është po kryeson në sondazhet në Gjermani i cili është kandidat kryesor tashmë përball Merkelit?
Nuk kam ndërmend të përfshihem me fushatën e Gjermanisë dhe askund. Të zgjidhim këto problemet tona një herë pastaj të merremi me hallet e Gjermanisë dhe të partnerëve të tjerë. Këtu është e rëndësishme të kuptojmë që jemi të përqendruar në disa çështje më të rëndësishme. S’kemi përfunduar ende reformën zgjedhore.

A shprehu gjatë darkës me ju Kryeministri Rama ndonjë lloj shqetësimi për shkak të të mos qenit më i preferuari i Kancelares Merkel, përforcuar ky fakt edhe nga deklaratat e ambasadorit të OSBE-së, z. Boschartd?
Nuk kemi diskutuar për çështjet e Gjermanisë. Unë preferoj të hyjmë më mirë te këto temat tona të brendshme.

Sot, kryeministri Rama, në një gazetë britanike shumë të njohur, “Telegraph”, thoshte se nëse administrata e Trumpit në Amerikë heq dorë dhe braktis Ballkanin, atëherë rrezikoni nga influenca ruse…
Së pari, s’jam në asnjë garë, as me z. Rama e as me ju për të kapur apo për të bërë ndonjë lajm. E di që ju shpesh herë jeni qortues ndaj meje ngaqë unë nuk synoj të bëj “scoop-e”. Unë nuk e kam lexuar, sepse s’kam pasur mundësi ta lexoj. Komentin e kam të thjeshtë: Së pari, ne të mos braktisim Shqipërine. Kjo është kryesorja: Të përqendrohemi te zgjedhjet e problemeve që ndihmojnë shqiptarët dhe shqiptarët te mos e braktisin Shqipërinë. Të përqendrohemi te problemet tona, kjo është shumë e rëndësishme. Të tregojmë një bashkëpunim dhe një përgjegjshmëri dhe unitet të brendshëm për çeshtjet madhore të shtetit dhe të kombit, pastaj do të na respektojnë të gjithë bashkë, rusë dhe amerikanë, Kina, etj. Në momentin që ne jemi kaq të ndarë e të polarizuar me njëri-tjetrin, jemi të dobët, jemi gjithnjë e më të bezdisshëm për të tjerët dhe më të parespektueshëm. Nuk ka rëndësi a janë amerikanë, rusë e kështu me radhë. Sa i takon kësaj çështjes së Trumpit, nuk besoj se ka ndonjë ndryshim nga administrata e presidentit të ri të SHBA-ve përsa u takon çështjeve kryesore në Ballkan. Ajo që na intereson më shumë: çështja e Kosovës, besoj deklaratat kanë qenë shumë të qarta edhe nga Sekretari i ri i Mbrojtjes, edhe nga takimi i fundit i NATO-s ku ai mori pjesë, edhe nga Konferenca e Mynihut ku ishte Zv.Presidenti i SHBA-ve, Mike Pence dhe disa personalitete të tjera. Në këtë drejtim padyshim edhe për Shqipërinë asgjë nuk ka ndryshuar, për më tepër që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe anëtare në një rajon delikat ku SHBA-të kanë interes për të pasur një partner të qëndrueshëm.

Për çfarë e thotë z. Rama këtë gjë, përderisa ju mendoni që amerikanët kanë influencë këtu dhe nuk do ta lëshojnë Ballkanin?
Kjo është një pyetje që mund t’ia bëni Kryeministrit.

Ai po tenton që të mos thjesht një lider lokal, z. Rama flet për Ballkanin që rrezikon të kapet nga rusët nëse largohen amerikanët…
Të qetësojmë situatën këtu, të bashkëpunojmë më shumë me njëri-tjetrin për të garantuar një dialog normal edhe në Parlament, edhe jashtë Parlamentit, por në interes të vazhdimit të punës së Parlamentit, të axhendës së tij. Të përmbyllim reformën zgjedhore që të bëjmë pas 26 vitesh zgjedhje të padiskutueshme në këtë vend.

Sikur nuk ka kohë tani për reformën zgjedhore?
Të bëjmë atë që mund të bëhen në mënyrë që njerëzit të shkojnë të qetë dhe të votojnë të lirë, që Shqipëria të jetë një vend normal, sepse nëse në ditën e zgjedhjeve Shqiëpri do të dalë në ekranet e “Euronews” apo CNN si vend me probleme në zgjedhje, të jeni të sigurt se as amerikanët, as rusët askush tjetër nuk do të ketë ndonjë interes kaq të madh për këtë vend.
Kjo ka shumë rëndësi po të kemi parasysh që stabiliteti i Shqipërisë është shumë i rëndësishëm për stabilitetin e Kosovës, për stabilitetin e Maqedonisë, stabilitetin e Malit të Zi, etj.

A duhemi të trembemi ne nga një influence ruse këtu? Le ta marrim të mirëqenë që kjo që thotë z. Rama mund të jetë e vërtetë një ditë. A duhet të trembemi ne nga rusët?
Së pari, unë nuk mendoj që është ky një problem që shtrohet për diskutim për arsye se ne jemi një vend anëtar i NATO-s, jemi një vend kandidat për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian dhe me shpresën që mund të çelim negociatat për anëtarësim.
Ne nuk jemi një vend anti-rus, kemi disa dallime të rëndësishme për disa çështje të cilat janë të qarta, edhe në të kaluarën, edhe aktualisht për çështjen e Kosovës apo për çështje të tjera. Mendoj që ky është problemi kryesor, aq më tepër që administrata e re amerikane flet për të bashkëpunuar me Rusinë për disa çështje madhore, siç është lufta kundër terrorizmit dhe zgjidhja e disa konflikteve të tjera që kanë krijuar probleme dhe për Evropën dhe për vendet e NATO-s në Evropë.

Z. Rama pati një drekë me Erdoganin, ku thuhet se është diskutuar për afrimin e tij me Trump. A mendon se Edi Rama po fuqizohet nga dita-ditës në politikën e jashtme, jo vetëm në rajon por edhe më gjerë?
Në çdo rast, ne nuk kemi asnjë gjë më të rëndësishme sesa të merremi me Shqipërinë. Ka një thënie të hershme që politika në radhë të parë është lokale, pastaj është rajonale dhe globale. Takimi me Erdoganin është një gjë shumë normale.
Po duket sikur Ali Ahmeti do të bëjë koalicion me Zaevin dhe jo me Ali Ahmetin.
Për ne kjo nuk ka asnjë rëndësi. Për ne është e rëndësishme që ky koalicion të garantojë stabilitetin e Maqedonisë. Për ne stabiliteti i Maqedonisë është stabiliteti ynë. Mungesa e stabilitetit në Maqedoni krijon probleme për të gjithë dhe e dyta është që të garantojë të drejtat e shqiptarëve sipas platformës së partive shqiptare.

Burimi:(integrimi.al/E.S)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al