Duçka: Nënshkrimi i marrëveshjes trepalëshe, ‘Thembra e Akilit’ për projektin TAP

Flet drejtori i Zyrës së Integrimit Europian në Ministrinë Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dorian Duçka: Nënshkrimi i marrëveshjes trepalëshe, ‘Thembra e Akilit’ për projektin TAP

Drejtori i Zyrës së Integrimit Europian në METE, deklaroi në intervistën e tij se Shqipëria, jo vetëm që do të ketë mundësi të zhvillojë infrastrukturën e saj për përdorimin e gazit, por do të shndërrohet edhe në një nyje të rëndësishme të shpërndarjes së gazit natyror në Ballkanin Perëndimor .

Drejtori i Zyrës së Integrimit Europian në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dorian Duçka, në një intervistë për televizionin “Abc News”, ka folur mbi marrëveshjen më të fundit të nënshkruar mes Greqisë, Shqipërisë e Italisë për projektin TAP, duke theksuar se ky projekt ka një rëndësi shumë të veçantë për Shqipërinë, pasi është një nga projektet strategjike dhe më i rëndësishmi për vendin tonë.

Ai theksoi se, duke qenë se ky projekt është një projekt ndërkombëtar dhe një projekt që ka nevojë për mbështetjen e të gjitha qeverive nëpër të cilat kalon, kishte nevojë për një marrëveshje ndërqeveritare, marrëveshje të cilën, Duçka e ka konsideruar në intervistën e tij si ‘Thembra e Akilit’ për projektin TAP në krahasim me atë Nabucco, si dhe me projektet e tjera të mëparshme. Ndër të tjera, drejtori i Zyrës së Integrimit Europian në METE theksoi se, Shqipëria jo vetëm që do të ketë mundësi të zhvillojë infrastrukturën e saj për përdorimin e gazit, por do të shndërrohet edhe në një nyje të rëndësishme të shpërndarjes së gazit natyror në Ballkanin Perëndimor.

Duçka, Shqipëria, Greqia dhe Italia nënshkruan në Athinë marrëveshjen trepalëshe mes tre vendeve për gazsjellësin TAP. Çfarë do të thotë kjo marrëveshje dhe çfarë përfitimesh sjell ndërtimi i këtij gazsjellësi për Shqipërinë?

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje trepalëshe është tepër e rëndësishme për Shqipërinë. Mjafton të kujtojmë këtu faktin se, deri pak kohë më parë, një nga kritikat nga konkurrentët e tjerë për projektin Trans Adriatik ka qenë se mungonte marrëveshja ndërqeveritare midis Greqisë, Italisë dhe Shqipërisë.

Dhe një nga vendet e pakta që e mbështeste fuqishëm projektin TAP ka qenë Shqipëria, pasi Greqia e Italia kishin projektin e tyre kombëtar që quhej ‘Linja Poseidon’, ose ndërlidhësi Turqi, Greqi, Itali dhe mungonte pikërisht kjo marrëveshje. Por për shkak të angazhimit të tepërt të qeverisë shqiptare dhe diplomacisë energjetike të saj, projekti TAP arriti të përzgjidhej si projekti fitues mbi atë ITGI, që mbështeste Greqia e Italia.

Në këtë mënyrë, qeveria shqiptare me në krye kryeministrin Berisha dhe METE dhe Ministria e Jashtme nisën një diplomaci energjetike proaktive, duke biseduar me homologët e tyre në Greqi e Itali, Turqi e Azerbajxhan për të rritur mbështetjen ndërkombëtare dhe sidomos nga vendet nëpër të cilat kalon ky projekt.

Në këtë kuadër u nënshkrua edhe marrëveshja e firmosur në Nju Jork nga tre ministrat e Jashtëm. Kjo shprehu vullnetin politik, e cila hapi një rrugë për të zgjidhur një marrëveshje ligjore që i lidh këto tre shtete për të mbështetur projektin TAP. Shqipëria duke qenë palë kontraktore, ka të drejtën të lidhë të njëjtën marrëveshje, me amendimet përkatëse, me rregullatorët italianë e grekë për të mbështetur këtë projekt.

Duke qenë se ky projekt është një projekt ndërkombëtar dhe një projekt që ka nevojë për mbështetjen e të gjitha qeverive nëpër të cilat kalon, kishte nevojë për një marrëveshje ndërqeveritare. Kjo ishte ‘Thembra e Akilit’ për projektin TAP në krahasim me atë Nabucco si dhe me projektet e tjera të mëparshme.

Në këtë rast, i gjithë kuadri politiko-ligjor ndërkombëtar u plotësua dhe duke i dhënë atij një avantazh në krahasim me konkurrentin tjetër.

Menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes, pati edhe një reagim nga Bashkimi Europian, ku është shprehur mbështetja për projektin TAP. Një tjetër mbështetje ka ardhur edhe nga ministri grek i Energjisë. Çfarë do të thotë kjo deklaratë?

Kjo mbështetje ka ardhur në kohën e duhur pasi edhe Azerbajxhani nuk ka dashur të influencojë vullnetin politik të palëve në të cilin do të kalojë ky gazsjellës, pra Greqisë, Shqipërisë e Italisë. Por me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, projekti TAP ka arritur të sigurojë të gjithë mbështetjen politike dhe infrastrukturën ligjore në marrëdhëniet ndërkombëtare për ta realizuar këtë projekt.

Projekti TAP ka një projekt të mirëfilltë, ka një biznes-plan më të avantazhuar, ka një menaxhim më të mirë sesa konkurrenti tjetër dhe me këtë marrëveshje konsolidoi gjithë paketën e saj për të qenë më pranë përzgjedhjes së fitues në qershor të këtij viti. Zv/ministri azerbajxhanas i Energjetikës ka dhënë një deklaratë zyrtare, ku ka mbështetur këtë projekt, pasi ka qenë i pranishëm gjatë nënshkrimit të marrëveshjes. Një deklaratë politike ku ai e shprehu shumë qartazi për një nga televizionet më prestigjioze të botës.

Ky investim mund të quhet edhe si një investim gjeopolitik, strategjik. A ka një mbështetje për këtë projekt nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

Projekti TAP ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian. Njëkohësisht mbështetet edhe projekti tjetër Nabucco, pasi ato kërkojnë diversifikimin e burimeve të energjisë, pra që të rritet siguria e energjisë. Unë jam shumë i sigurt që projekti TAP do të përzgjidhet si projekti fitues, i cili do të ketë të drejtën e parë, i cili do të shpërndajë gaz natyror drejt Bashkimit Europian por mendoj se mund të ketë hapësira edhe për të vazhduar projektin Nabucco në vitet e ardhshme pasi nevojat janë të mëdha dhe burimet për t’u diversifikuar transportimi dhe shpërndarja e gazit natyror në Bashkimin Europian janë të mëdha.

Korridori jugor i gazit është një investim kryesor i Bashkimit Europian, pasi këtu mund të përmend faktin se gjatë momentit të nënshkrimit të marrëveshjes kishte zyrtarë të lartë amerikanë pjesëmarrës, si dhe përfaqësimi i presidencës së radhës së qeverisë irlandeze. Pra, kishim një angazhim politik ndërkombëtar të një niveli mjaft të lartë, ditën e mërkurë, në Greqi.

Mos ky projekt është pjesë e një strategjie gjeopolitike dhe ne përfitojmë rastësisht nga kjo strategji?

Në fund do të jetë tregu ai që do të prevalojë. Tregu kryesor është në Itali, i cili ka nevoja të mëdha për gaz në termocentrale. Gjermania në të njëjtën kohë do të rrisë prodhimin e termocentraleve të saj për shkak të vendosjes së politikës së saj kundër reaktorëve bërthamorë. Kalimi i këtij gazsjellësi ndikon në rimëkëmbjen e ekonomisë greke. Do të ndikojë në rritjen dhe fuqizimin e ekonomisë shqiptare dhe futjen e gazit natyror në Shqipëri.

Futja e gazit natyror në Shqipëri do të krijojë dhe do të rritë më shumë furnizimin me gaz për gjithë Ballkanin Perëndimor, ose atë çfarë ne e quajmë “unaza perëndimore e gazit”. Shumë shpejt jemi duke aplikuar pranë Bashkimit Europian për një fond të veçantë për Studim-Fizilibiliteti për krijimin e një gazsjellësi Kosovë-Shqipëri, i cili mund të lidhet me projektin TAP. Pra, kalimi i gazsjellësit TAP do të krijojë degëzime të ndryshme, pra me projektin Jon-Adriatik Pipeline nga Fieri deri në Splitë.

Ideja jonë është lidhja e Kosovës me Shqipërinë me një linjë të re dhe ne jemi duke e studiuar këtë mundësi. Shqipëria jo vetëm që do të ketë mundësi të zhvillojë infrastrukturën e saj për përdorimin e gazit, por do të shndërrohet edhe në një nyje të rëndësishme të shpërndarjes së gazit natyror në Ballkanin Perëndimor. Unë them se ideja me Kosovën do të realizohet dhe kjo është aftësia e një ministrie që të ideojë projekte disa vite më parë përpara se gazi të ketë kaluar.

Ne jemi duke studiuar me projektin Trans Adriatik dhe me donatorë të ndryshëm zhvillimin e një masterplani për gazifikimin e Shqipërisë. Ndërtimi i infrastrukturës ligjore të duhur, studimi i tregut etj. Nëse ky projekt fiton, unë them që në vitin 2014 ne do të kemi një bum të madh punësimesh që do të fillojë që këtë vit. Projekti TAP është në përgatitje dhe është duke menduar për fillimin e punimeve të këtij gazsjellësi.

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al