Protesta e studentëve i gjeti të papërgatitur si qeverinë ashtu edhe opozitën, të cilat ende nuk kanë gjetur gjuhën  e përbashkët, atë të dialogut.

Kjo i dha një “shuplakë” të forte kastës politike në Shqipëri. Nga ana tjetër duket se edhe ky vit u mbyll pa pjesëmarrjen e opozitës në parlament e cila vazhdon bojkotin e saj.

Për të diskutuar rreth këtyre dy temave AlpeNews.al ka marrë në një intervistë deputeten e LSI-së Klajda Gjosha ajo është shprehur se opozita është më shumë se kushdo tjetër në krah të studentëve. “Fakti që deputetët nuk kanë zbritur në shesh me ta është sepse ne kemi dashur të respektojmë të drejtën e tyre për të protestuar pa ngjyra politike.”

Intervista e plotë:

1. Sot është dita e 12 e protetstës së studentëve. A duhet të ketë dialog midis qeverisë dhe studentëve?

T’i kërkosh dialog studentëve pasi nuk i ke pyetur kurrë se cfarë mendonin ata për sistemin, nuk i ke ftuar asnjëherë për dialog kur miratove ligjin e arsimit të lartë, tarifat dhe çdo aspekt tjetër, do të thotë të tallesh me ta. Studentët kanë artikuluar qartë pse nuk pranojnë dialogun me Kryeministrin dhe une besoj se duhet të jetë shumë e dhimbshme për të, të dëgjoj se ata nuk kanë besim te ai! Kryeministri ka humbur një shans të artë dialogu në momentin kur Levizja Socialiste për Integrim paraqiti në Kuvend 2 amendamente të cilat i jepnin zgjidhje kërkesave të studentëve, por fatkeqësisht arroganca nuk e la të bëhej njerëzor dhe të mendonte për ata të rinj më shumë se për pushtetin e tij!

2. Përse opozita nuk është sot në krah të studentëve, çfarë po e mban atë larg kësaj kauze?

Opozita është më shumë se kushdo tjetër në krah të studentëve. Fakti që deputetët nuk kanë zbritur në shesh me ta është sepse ne kemi dashur të respektojmë të drejtën e tyre për të protestuar pa ngjyra politike. Ne jemi munduar t’i japim zgjidhje konkrete problematikave që ata ngrenë në Kuvend, në institucionin që duhet të jetë në dispozicion dhe në favor të qytetarëve. Kjo do të thotë të jesh në krah të studentëve dhe jo të luash apo t’i përdorësh ata!

3. Sot Shqipëria gjendet midis 3 protestave asaj në Astir, Studentëve dhe protesta nëpër qytete për uljen e çmimit të naftës. Kujt proteste do ti bashkoheshit ju si qytetare e Shqipërisë?

Të gjitha protestat janë legjitime dhe ne jemi kudo që qytetarët kërkojnë qëndrimin tonë pranë tyre. Qëndrimet tona për protestat në gjithë Shqipërinë kanë qënë të qarta. Ato vijnë nga revolta e një thike që ka hyrë deri ne palcë, e një situate ekonomike që ka rrënuar edhe dinjitetin njerëzor, duke shkatërruar cdo të ardhme dhe cdo shpresë.

4. Këto protesta që po ndodhin në vendin tonë a e dëmtojnë Shqipërinë në sytë e Bashkimit Europian ku ne synojmë të bëhemi pjesë?

Protestat janë e vetmja pjesë e bukur në sytë e ndërkombëtarëve. Ato sjellin shpresë, forcë dhe dëshirë për një Shqipëri si gjithë Europa. Protestat sot janë i vetmi mjet balancues dhe frenues kundrejt pushtetit të kapur dhe arrogancës.

 

5 “Erdhi Viti i Ri 2019”, dhe opozita nuk është në parlament, a nuk do ishte më mirë që kërkesat e studentëve ti ngrinit edhe ju në parlament?

Më vjen keq që nuk e paskeni ndjekur seancën parlamentare të ditës së enjte. Opozita ishte e përfaqësuar në parlament duke u munduar t’i japë zgjidhje problemeve të studentëve nëpërmjet amendamenteve të paraqitura nga LSI në Ligjin për Buxhetin dhe Ligjin për Arsimin e Lartë! Fatkeqësisht mazhoranca nuk denjoi as t’i diskutonte këto çeshtje dhe jo më t’i votonte ato!

6. A do të hyjë vitin e ardhshëm Lëvizja Socialiste për Integrim në kuvend?

Ne do të jemi në Parlament në çdo moment kur çështjet për diskutim kanë të bëjnë me standartin e jetës së qytetarëve dhe për çështje që ata i kanë prioritare