Intervista: Petrit Vasili rendit gabimet e qeverisë me taksën e rrugës, biznesin e vogël, konçensionet…

Intervistë me Petrit Vasili, Kreu i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim

 

Ekonomia është një ndër shtyllat, ku është fokusuar opozita që Lëvizja Socialiste për Integrim po i bën qeverisë. Kundër politikës së koncensioneve, klimës së rënduar për investitorët, përfshirjes së biznesit të vogël në TVSH dhe së fundmi, edhe taksës për rrugën e Kombit, LSI vlerëson se shqiptarët jetojnë sot keq dhe kush mundet, po largohet nga vendi. Petrit Vasili, nënkryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim tregon në intervistën për Ekonomix.al abuzimet që sipas tij, po bëhen me paratë e shqiptarëve dhe pse gjendja sot kërkon ndërhyrje urgjente.

Rruga Durrës-Kukës bëhet me pagesë. Cili është mendimi juaj për këtë nismë?

Vendosja e taksës për rrugën Durrës- Kukës është një masë agresive dhe dekurajuese e qeverisë ndaj qytetarëve, jo vetëm shqiptarë, por edhe ndaj atyre kosovarë. Shqiptarët kanë kontribuar jashtëzakonisht shumë për ndërtimin e saj. Edhe sot që flasim, shqiptarët po paguajnë për të, pasi po shlyhen kreditë e marra për ndërtimin e saj dhe ky është një kontribut i madh dhe shproporcional.

Është një taksë që kurrsesi nuk duhet të vendosej. Është një rëndim i mëtejshëm dhe abuziv i një qeverie që rrugën më të thjeshtë ka gjetur të ngarkojë qytetarët me detyrime, në vend që të menaxhojë me merak dhe pa korrupsion buxhetin. Qeveria, në vend të kësaj, ka gjetur rrugën e skllavërimit me taksa e detyrime pa fund, duke rënduar varfërine ekstreme, që i ka bërë shqiptarët që me mijëra të largohen nga Shqipëria.

Duhet të kujtojmë që më e pakta, do të ishte që qeveria ta përfundonte rrugën si një vepër infrastrukturore strategjike, përpara se të bënte Rilindjen e famshme urbane dhe të shpenzonte qindra milionë për zyra, palma e pisha rruge e koncesione shkatërruese. Ndaj, refuzimi i kësaj takse është qëndrimi qytetar më normal, në raport me një qeveri grabitqare.

Nga 1 prilli hyn në fuqi taksa e pronës dhe përfshirja e biznesit të vogël në TVSH. Cili është qëndrimi i LSI-së për këto nisma?

Qëndrimi ynë për TVSH-në për biznesin e vogël ka qenë kategorikisht kundër. Kemi propozuar edhe amendamente për këtë, por që u rrëzuan me arrogancë nga maxhoranca dhe fatura e kësaj arrogance ka qenë mbyllja e mijëra bizneseve. Kemi propozuar edhe heqjen e taksës për shtëpinë e parë dhe uljen me katër herë të TVSH-së për artikujt e shportës. Të gjitha janë refuzuar nga maxhoranca. Kemi qenë dhe jemi kundër këtij rëndimi me taksat, që përvec thellimit të varfërisë dhe rrënimit të ekonomisë në tërësi, nuk ka sjellë asnjë të mirë.

Si do ta vlerësonit gjendjen e ekonomisë sot? Cilat evidentoni si problemet kryesore?

Gjendja e ekonomisë është e rëndë. Klima që mbizotëron është dekurajimi dhe pesimizmi i thellë. Taksat që ndryshojnë e rriten pambarimisht janë frenuese të nismës ekonomike private. Kriminalizimi i ekonomisë, ku eurot e drogës dhe krimit kanë tronditur edhe kursin e euros janë një provë ulëritëse në sytë e të gjithëve. Asnjë investim serioz i huaj nuk ka hyrë në Shqipëri dhe vetë FMN ka evidentuar një situatë pa të ardhme dhe me politika klienteliste dhe korruptive, që kanë asfiksuar ekonominë. Mashtrimi dhe manipulimi me shifrat është tashmë një realitet shumë negativ dhe ç’orientues për biznesin. Zëvendësimi i krijimit të hapësirave për nismën e lirë private në klimën represive fiskale është prova e një ekonomie pa të ardhme. Mijëra biznese të mbyllura janë prova evidente për një klimë të tillë.

 

Cilat janë sugjerimet e LSI për ekonominë? Ku duhet ndërhyrë?

Ulja e taksave, një qëndrim i qartë për zgjidhjen e varfërisë nëpërmjet një pakete që do të luftonte urinë në mënyrë të drejtëpërdrejtë, pasi edhe mungesa e ushqimit bazë është shfaqur në masë në Shqipëri. Largimi i mijëra shqiptarëve është provë për këtë. Emigracioni i fëmijëve 7-17 vjec është një tjetër provë shumë e hidhur për këtë. Krijimi i një klime të re biznesi, pa taksa skllavëruese dhe pa një mesjetë fiskale janë mundësitë e vetme për të rikthyer besimin e biznesit vendas dhe atij të huaj. Heqja dorë nga koncesionet që kolapsuan ekonominë dhe instrumentet afatgjata të orientimit të ekonomisë. Gjendja aktuale e ka kthyer qeverisjen thjesht në një institucion që cdo vit lan borxhet ndaj koncesioneve, ky është mesazhi më negativ për ekonominë dhe cdo qytetar, i cili pret politika zhvillimi.

Burimi:(ekonomiks.al/)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al