Beteja me dy vatrat e fuqishme të zjarrit që po djegin Kaliforninë dhe kryeqytetin e saj Los Anxheles pritet të vështirësohet. Meteorologët parashikojnë që rajoni të përballet me erëra më të forta, ndërkohë që sipërfaqja e djegur është dyfishuar nga fundjava.

1,5 milionë amerikanë pritet të martën të mos kenë energji elektrike si pasojë e vatrave të zjarrit që po djegin shtetin perëndimor të Kalifornisë.

Në vend është shpallur gjendja e jashtëzakonshme dhe afro 200 mijë banorë janë evakuar nga shtëpitë. Parashikohet që beteja me flakët të rëndohet në orët në vijim, pasi rajoni pritet të goditet nga erërat më të forta të sezonit ndërsa shirat do të mungojnë.

Natën e së hënës, hapësira e shkrumbuar arriti në 30 mijë hektarë, ndërsa mbi 100 shtëpi dhe biznese janë shkatërruar.

Nëse ju është thënë të largoheni dhe tani jeni duke më dëgjuar nga shtëpia, largohuni, largohuni tani. Kemi parë tragjedi me njerëzit që besonin se mund t’i mundnin këto zjarre në mënyrë heroike. Janë shumë të rrezikshme, mos u bëni të marrë,” deklaroi kryebashkiaku i Los Anxhelesit, Erik Garseti.

Vetëm në kryeqendrën e tij, zjarri me emrin Geti ka djegur mbi 240 hektarë dhe ka detyruar evakuimin e dhjetë mijë banesave.Mes të larguarve janë edhe yjet e Hollyëood dhe sportistët me famë botërore, si aktori Arnold Schwarzenegger apo basketbollisti Lebron James.

Në Kaliforninë veriore, shkollat janë mbyllur ndërsa në jug 1 mijë zjarrfikës po shuajnë vatrat e ndezura rishtas.

Erërat e forta, lagështia e ulët dhe bimësia e thatë në shtetin e Kalifornisë mendohet se kanë ndihmuar përhapjen e flakëve njësoj si dy vite më parë, kur ato do u merrnin jetën të paktën 44 personave.