Kejdi Mehmetaj:  27 Janari për të protestuar për fëmijët, për familjet dhe për dinjitetin e shqiptarëve  

Fjala e deputetes së Lëvizjes Socialiste për Integrim Kejdi Mehmetaj në takim me strukturat e LSI-së së njësisë 5 në Tiranë

Së pari duhet t’ju falenderoj për angazhimin tuaj, jo vetëm të sotëm por gjatë gjithë aktivitetit që ne kemi pasur me njësinë 5 me Lëvizjen Socialiste për Integrim mbi të gjitha.

Mbas zgjedhjeve ju e dini ne kemi diskutuar shumë me njëri-tjetrin, kemi qarë hallet, kemi folur, duke pasur në mendje vetëm një gjë që u futëm në një proces zgjedhor i cili nuk qe i barabartë për të gjithë, por mbi të gjitha qe një proces zgjedhor që minoi dinjitetin e votuesit, hodhi poshtë atë demokraci që ishte përpjekur të ngrihej për 27 vite në Shqipëri, duke bërë që vota të mos ishte e lirë dhe e ndershme , por të ishte një votë e blerë dhe akoma më keq një votë e frikësuar, e intimiduar nga pushteti i të këqinjve edhe i kriminelëve që mbizotëruan gjithandej në Shqipëri.

Megjithatë, ne qëndruam, i bëmë ballë edhe do të vazhdojmë të qëndrojmë, sepse dinjiteti i shqiptarëve do të qëndrojë mbi çdo gjë dhe mbi çdokënd që kërkon ta cënojë atë. Ne e kemi thërritur këtë takim të sotëm që të gjithë së bashku të marrim iniciativën, të bëhemi të parët që do të tërheqim miq, shokë, familjarë, të afërm aty para kryeministrisë për të protestuar për dinjitetin tonë në rradhë të parë, sepse jemi ne që çdo ditë po dalim rrugëve të njësisë 5. Edhe pse kujtojmë se jetojmë në një nga zonat më të mira të Tiranës, të Shqipërisë shohim që bizneset po mbyllen, që njerëzit po ngelen pa punë, që shkollat vazhdojnë të mos kenë dinjitet, që mësuesit janë të papërgatitur, që kryeministrit i shkon në mendje të ngrihet në mëngjes të bëjë çudinë e tij të rradhës në shoën e tij të rradhës dhe të mos bëjë asnjë punë për qytetarët, sepse ne e dimë që çdo ditë po paguajmë më shumë taksa, sepse çdo ditë po paguajmë më shumë fatura të energjisë elektrike, çdo ditë paguajmë fatura më të larta të ujit të pijshëm, çdo ditë shikojmë që çmimet e ushqimeve që na duhen për t’ja vënë fëmijëve në tryezë ngrihen dhe ne i kemi të pamundura për ti përballuar me rrogat tona dhe mbi të gjitha sepse shikojmë që asnjë gjë e mirë nuk po ndodh që ky realitet sado pak të ndryshojë.

Përkundrazi çdo ditë po bëhet më keq dhe bëhet më keq se ky kryeministër që ne kemi aktualisht nuk e ka fare mendjen të merret me qytetarët, të merret me punën e tij të përditshme, madje më besoni nuk ka kohë as të shkojë në zyrë për të hedhur një firmë se koha e tij është e ndarë ose për të bërë një shoë apo ndonjë barcaletë ose për tu marrë atje me banditët me kriminelët se ka bërë aq shumë gabime sa nuk ka kohë të merret me asgjë tjetër veçse të shtojë gabimet që ka bërë më përpara.

Jemi ne që punojmë me djersën e përditshme dhe në fund të ditës edhe kur përpiqemi të ndërtojmë diçka na kërkojnë haraç për punën që kemi bërë, a thua se jemi kthyer pas në kohën kur nuk mund të veprosh, nuk mund të jesh i lirë sepse çdo veprim i joti duhet të jetë i kontrolluar dhe mbi të gjitha duhet të marrë përqindje në fund të ditës.

Unë mbi të gjitha dua që të gjitha zonjat që jemi këtu në këtë sallë ta marrim me shumë përgjegjësi protestën e 27 janarit, sepse nëse ka dikush që e vuan më shumë është nëna në familje kur bën ato llogaritë në fund të muajit kur shikon që lekët nuk dalin, kur përpiqet t’u blejë fëmijëve librat për shkollën e prapë lekët nuk dalin, kur përpiqet ti veshë mirë që të jenë njëlloj me shokët e tjerë e prapë lekët nuk dalin. E pse nuk dalin? Sepse të gjithë punën e djersës tonë, të punës sonë qeveria e do për vete, jo për të bërë punë të mira, por për të shtuar xhepat e për të rritur pronat e për të rritur paratë e saj.

Ndaj unë jam shumë e bindur, mbi të gjitha për fëmijët, për familjet tona, për dinjitetin që është e vetmja gjë që na ka mbetur tashmë, ne do të jemi të shumtë në numër më datë 27 janar, sepse do të jemi ne që do të marrim miqtë, shokët, familjarët, të afërmit tanë për të protestuar mbi të gjitha për veten tonë dhe mos e harroni për ëndrrën e të rinjve shqiptar, që po shuhet dhe s’po kërkon asgjë tjetër veçse të ikë nga Shqipëria e të gjejë një të ardhme diku tjetër. Kështu që unë nuk dua të zgjatem, sepse ne këto gjëra I diskutojmë çdo ditë me njëri-tjetrin, duke folur me njëri-tjetrin për të shpërndarë mesazhet tona, për të thënë se Shqipëria mund të jetë një vend më I mirë dhe ne mund ta bëjmë një vend më të mirë.

Burimi:(integrimi.al/T.I)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al