Kejdi Mehmetaj: Arsimi profesional i dështuar, rinia po ikën dhe qeveria nuk ka asnjë projekt serioz per ta

Fjala e plotë e deputetes së  LSI, Kejdi Mehmetaj në Kuvend

Faleminderit,

Në këtë diskutim mbi marrëveshjen me Gjermaninë për Programin e Nxitjes së Punësimit dhe Arsimit Profesional, fjalën dua ta nis duke falenderuar qeverinë Gjermane për bujarinë e treguar në financimin e shumë projekteve me peshë për Shqipërinë në shuma tejet të konsiderueshme.

Edhe marrëveshja për të cilën po flasim i përmbush të dy argumentet e sipër përmendura. Projekti është i një rëndësie të veçantë dhe njëkohësisht shuma e financuar në formën e grantit arrin vlerën e 16.5 milion eurove.

Megjithatë, të mos harrojmë se përtej dashamirësisë së partnerit Gjerman, kur vjen fjala tek paratë, qeveria jonë nuk është aspak e predispozuar ti shpenzoj ato me efiçencë dhe aq më pak të jap llogari për mënyrën si i shpenzon ato.

Më konkretisht, sot ne diskutojmë fondin shtesë për marrëveshjen në fjalë, ndërkohë që fondi i parë prej 10.5 milion eurosh është alokuar tashmë në llogari të qeverisë shqiptarë por nuk ka asnjë të dhënë publike që flet mbi mënyrën se si janë shpenzuar apo janë planifikuar të shpenzohen këto para.

Të mos harrojmë se flasim për 16.5 milion euro në harkun kohor të 4 viteve, ndërkohë rreth një vit e gjysmë kanë kaluar dhe askush nuk di të na thotë :

  • Sa biznese të vogla dhe start-up-e janë mbështetur me grante nga ky fond prej 16.5 milion eurosh?
  • Sa investime strategjike rajonale janë financuar, ose më mirë të themi a kemi ne si shtet ndonjë strategji për investimet?
  • Sa qendra të formimit dhe aftësimit profesional janë rindërtuar, rikonstruktuar, apo plotësuar me materiale dhe laboratore?
  • Për sa qendra të aftësimit profesional apo shkolla profesionale është bërë ndërkohë studimi për ndërhyrjet e nevojshme?
  • Çfarë lloj incentivash konkrete janë ndërmarrë për grupet e margjinalizuara?
  • Si është bërë evidentimi i individëve që do të përfitojnë nga ky fond?

Që të jem më e përmbledhur? Këto 16.5 milion euro që qeveria Gjermane i ka akorduar për të zhvilluar shqiptarët, a do të shkojnë vërtet në xhepat e qytetarëve (qoftë edhe nëpërmjet projekteve) apo do të përfundojnë në xhepat e mbështetasve të rilindjes, miqve të ministrit dhe kryeministritit?

Të nderuar qytetarë,

Më besoni se nuk po tregohem aspak paragjykuese nëpërmjet pyetjeve që ngrita më sipër, pasi për këtë qeveri tashmë është kthyer në normë shpenzimi pa transparencë i fondeve që vijnë në Shqipëri. Në këto 4 vite kemi miratuar në këtë parlament me dhjetëra grante dhe pothuaj asnjë prej tyre nuk është reflektuar në të mirë për komunitetit.

Përshembull nëse i referohemi arsimit profesional, e them me bindje që ka qenë togfjalëshi më i përdorur dhe projekti më i financuar i ish ministrave Veliaj dhe Klosi. Shumë herë i kemi parë bashkë me kryeministrin të presin shirita në shkolla profesionale dhe të reklamojnë se tashmë hallkat janë lidhur, qytetarët janë më pranë tregut të punës dhe aftësimi i tyre profesional ndërlidhet nga zyrat e punës me bizneset dhe sipërmarrësit.

Sa thashë më sipër nuk është asgjë më shumë se fasadë e kësaj qeverie, e cila është mësuar që sukseset e saj ti numërojë me sasinë e pallateve që lyen. Më vjen keq që nuk keni patur ERTV, kur zbuluat fjalët: arsim profesional, me ato kamerat e shtrenjta e ngjyra të ndezura, do na kishit bërë të besonim se jetojmë në Gjermani e jo në Shqipëri.

Realiteti në fakt është i hidhur:

Asnjë shkollë e re profesionale, asnjë kurs serioz, asnjë ndërlidhje me tregun e punës, asnjë trajnim për mësuesit, asnjë kurrikul e re!

Përtej fasadave tuaja, INSTAT thotë se numri i studentëve të regjistruar në shkollat profesionale nuk ndryshon nga viti 2013 dhe se objektivi juaj për 25.5 % të të rinjve të orientuar në këtë fushë, jo vetëm që nuk do të realizohet por ka premisa për të bërë hapa pas.

Ndërsa zyrat e punës janë kthyer në burim të ardhurash për bizneset tuaja, të cilat fitojnë çdo 6 muaj nga një tender për rikonstruksion dhe janë kthyer në argëtim për ata 2 punonjës që mbani me rroga fare të ulta që i kanë kthyer Zyrat e Punës në Zyra të Lojërave të Tavolinës: letra, tavull, domino…

Unë ndihem tejet e keqardhur për këtë fakt, pasi kur përpara një viti në këtë sallë miratonit një ligj të ri për arsimin profesional, ju bëja thirrje të mos harxhoni kohë e para me ligje të reja e strategji të parealizueshme, por të shtroheni e të punonin për përmirësimet konkrete në këtë sektor .

Por ju nuk kishit atëherë vizion dhe vazhdoni të mos keni edhe sot, sepse ju nuk i keni zënë ato karrige për tu shërbyer Shqiptarëve, por xhepave tuaj dhe oligarkëve që ju vijnë pas.

Jam në pritje kur të na thoni se shkollat profesionale do i jepni me KONÇESIONIN apo PPP, apo se disa prej tyre nuk na duhen fare, se kryeministri ka menduar të ngrejë ndonjë kull në vendin e tyre.

Unë ndihem e keqardhur për ju, që keni patur shansin të mbaheni mend si qeveria e qytetarëve, ndërkohë që qytetarët ju njohin për qeverinë e oligarkëve dhe trafikantëve.

Le ta marrë ndonjëri prej jush guximin e të raportojë në këtë foltore për të gjithë fondet që keni patur në dispozicion për aftësimin profesional dhe nxitjen e punësimit. Le të vijë ndonjëri prej jush tu lexojë shqiptarëve strategjitë që flejnë në sirtarët e zyrave tuaja. Sa prej objektivave që vet keni vendosur keni arritur?

Në strategjinë kombëtare për punësim dhe aftësi thoni se: Qëllimi i përgjithshëm i Strategjisë është të nxisë vende pune cilësore dhe mundësi për aftësi për gjithë femrat dhe meshkujt shqiptarë gjatë gjithë ciklit të jetës.

Ndërkohë arritja juaj më e madhe është largimi i 400 mijë qytetarëve nga Shqipëria.

Në strategjinë tuaj për punësim thoni se do të nxisni eksportet, me siguri i jeni referuar eksportit të lëndëve narkotike që me sukses e keni prodhuar në të gjithë Shqipërinë.

Po në objektivat tuaj keni folur për efikasitet të shpenzimeve publike, besoj për këtë i jeni referuar koncesioneve klienteliste (për të cilën ju ka tërhequr vëmendjen edhe FMN që me krenari e përmendi ministrit) apo ndoshta përjashtimit nga skema e mbështetjes financiare të 20 mijë familjeve në nevojë.

Po kur flisni për lehtësira fiskale kujt i referoheni? Përfshirjes në skemën e TVSH të biznesit të vogël, që po e çoni drejt falimentit?

Ndërsa për investimet e huaja, nuk besoj edhe ju të keni ndonjë gjë për të thënë, se as nuk kemi parë dhe dyshoj se do të shohim për aq kohë sa do jeni ju në qeverisje.

Dhe ? më e madhe që e kanë të gjithë shqiptarët, me gjithë shpjegimin e bukur te ministrit, 300 mijë vendet e reja të punës ku janë?

Në të gjithë tekstet e shkruara nga qeveria juaj, përdorni si bazë të punëve tuaja strategjitë europiane. Shumë mirë, por ndërkohë harroni se ju dhe Europa jeni shumë larg. Me Europën ndoshta ju lidhin fjalët, por veprat i keni shumë larg.

Europa thotë se me aftësitë e duhura, qytetarët do të mund të përballojnë sfidat dhe të kthehen në qytetarë aktivë.

Europa thotë se sikur të shtoni me 1% investimet në aftësimin profesional, në shumë pak kohë ky investim do të përkthehet në 1% rritje të GDP-së.

Ndërsa ju po prishini me vetëdije çdo institucion që ofron dije dhe aftësi, sepse ju doni qytetarë të nënshtruar, qytetarë që nuk kërkojnë llogari.

E vërtetë zoti Ministër, shifrat janë kokëforte dhe sa i takon projektit për të cilin duhet të flasim sot, shifrat dhe statistikat thonë:

Investimet në arsimin profesional janë ulur dhe papunësia është rritur, sidomos në moshat e reja.

Vendet më të zhvilluara të Europës dhe botës mbarë na kanë dhënë disa receta për të patur ekonomi të qëndrueshme dhe mirqenie, për të nxitur punësimin dhe prodhimin vendas dhe ju e dini më mirë se unë që asnjëra prej recetave nuk përmban as kulla dhe as koncesione që zhvasin shtetit.

Recetat janë të thjeshta dhe të kuptueshme edhe për ju: Mbështetje për biznesin vendas dhe edukimit të forcës punëtore.
Të nderuar qytetarë,

Në një botë që ndryshon çdo ditë, që na përball me sfida të paparashikuara, ku makineria po zëvendëson njeriun, Shqipëria nuk mund tja falë më vetes të humbasë kohë. Boll kemi humbur gjatë diktaturës dhe tranzicionit që nuk po mbaron.

Sa më parë duhet të kthejmë sytë nga profesionalizmi, nga edukimi cilësor, nga stimulimi i ideve novatore dhe konkurruese.

Duhet të luftojmë të mbajmë mendjen e ndritur në vend. Të ndihmojmë mbi të gjitha të rinjtë të trajnohen, sepse kjo është e vetmja e ardhme që mund të ndërtojmë për vendin tonë.

Prandaj, Të nderuar  qytetarë, mos prisni më nga kjo qeveri, por kërkoni të drejtat tuaja, këto 16.5 milion euro taksapaguesit Gjerman po i japin për ju dhe jo për xhepat e Edi Ramës.

Faleminderit

Burimi: (integrimi.al/T.I)

 

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al