Kejdi Mehmetaj: Në kushtet e një terrori dhe blerje masive vote, rezultati i LSI ishte fantastik

Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Inte grim, Kejdi Mehmetaj, në një intervistë për ‘Ora News’, është shprehur se rezultati i arritur nga LSI në zgjedhjet e 25 qershorit, ishte i shkëlqyer duke marrë parasysh kushtet në të cilat u mbajtën ato. Sipas Kejdit, LSI është e vetmja forcë politike që ka arritur një rritje domethënëse nga njëra palë zgjedhje në tjetrën, pra nga 2013-a e deri sot, me një rritje prej 50 mijë votash. Mehmetaj theksoi se në zgjedhjet e 25 qershorit, qytetarët nuk votuan të lirë, por të shtyrë nga dhuna, nga krimi, i cili është bërë palë me shtetin, me Policinë e Shtetit. “Kemi një rritje të numrit të mandateve dhe për këtë, në radhë të parë, dua të falënderoj të gjithë ata votues të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Për ne, për LSI-në, ata janë të gjithë heronj. Ata vendosën që të ishin me të drejtën dhe me të lirën, në një kohë kur e drejta dhe e lira u mohuan nga shteti, nga ai shtet që u bë palë me shtetin”, u shpreh Mehmetaj. Deputetja theksoi se me LSI në opozitë qeveria të matet mirë për veprimet që do bëjë.

Si e konsideroni rezultatin e arritur nga Lëvizja Socialiste për Integrim këto zgjedhje? Jeni shprehur se do dilni forcë e parë…

Realisht ky ishte një rezultat shumë i mirë në kushtet, në të cilat u mbajtën këto zgjedhje. Madje, do të thosha se ky është një rezultat i shkëlqyer për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Le të mos harrojmë që LSI është e vetmja forcë politike që ka arritur një rritje domethënëse nga njëra palë zgjedhje në tjetrën, pra nga 2013- a e deri sot që flasim, me një rritje prej 50 mijë votash, pra rreth dy herë më shumë se në 2013-n. Kemi një rritje të numrit të mandateve dhe për këtë, në radhë të parë, dua të falënderoj të gjithë ata votues të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Për ne, për LSI-në ata janë të gjithë heronj. Ata vendosën që të ishin me të drejtën dhe me të lirën, në një kohë kur e drejta dhe e lira u mohuan nga shteti, nga ai shtet që u bë palë me shtetin. Ndodhi që në këto zgjedhje qytetarët nuk votuan të lirë, qytetarët votuan të shtyrë nga dhuna dhe nga krimi, i cili është bërë palë me shtetin, me Policinë e Shtetit. Nga paratë, të cilat u hodhën në mënyrë masive në fushatë. Të jem e sinqertë, kisha dëgjuar për para’ që hidheshin në fushatë. Si këtë herë ky qytet dhe ky popull nuk kishte parë kërkesë për të blerë votën. Unë këto ditë kam qenë në ture falënderimi me të gjithë bashkëpunëtorët e mi, miqtë e mi dhe miqtë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ata votues tanët, të cilët na besuan deri ditën e fundit dhe është kthyer në një barsoletë tashmë se sa ka shkuar pagesa për votën, apo mënyra se si shkohej për të blerë votën.

 A keni prova dhe fakte për këto që thoni dhe a do t’i ankimoni ato?

Jo vetëm që ka prova dhe fakte, por ne edhe gjatë periudhës së fushatës, edhe ditën e zgjedhjeve, edhe pse nuk deshëm që atë ditë ta agravonim situatën dhe të shkaktonim panik te qytetarët, treguam prova se si këto zgjedhje ishin të komprometuara. Ne kemi qenë këtu edhe para zgjedhjeve, kjo nuk është një histori të cilën ne po e themi tani. Ju si media, si gazetarë besoj jeni të ndërgjegjshëm për këtë gjë, kur në mëngjes kur keni lexuar shtypin e ditës apo edhe kur na keni pritur në studiot tuaja televizive, besoj keni dëgjuar të njëjtat fjalë të thëna prej nesh. Jemi të gjithë të ndërgjegjshëm që presioni që u zhvillua nga administrata shtetërore mbi mbështetësit e LSIsë ka qenë në nivele tejet të ekzagjeruar dhe të papranueshme për një vend demokratik. Ishim këtu kur ne denoncuam raste flagrante të pushimit nga puna të njerëzve ë cilët nuk kanë asnjë lloj impakti politik, apo në marrjen e votës dhe e vetmja arsye se përse ato shkarkoheshin ishte sepse ata ishin votues të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe jo aktivistë politikë të saj. Dhe presioni ka arritur deri në atë pikë, saqë nuk bëhet më vetëm për vendin personal të punës, apo vendin e punës së familjarit të ngushtë, por bëhej fjalë edhe për kushëririn e dytë apo të tretë, nëse nuk do të votoje për Partinë Socialiste që ajo të ishte partia në pushtet. Dhe fatkeqësisht palë e kësaj loje u bë edhe Partia Demokratike.

Po shkarkimet i kryente Task-Forca, që e kishte Partia Demokratike në dorë…

Po, patjetër që Task-Forca e orientuar drejtpërsëdrejti nga Partia Socialiste. Kanë qenë këtu raste kur ne i kemi denoncuar bashkë me ju, bashkë me gazetarët, por edhe me komunitetin ndërkombëtar. Dhe tani më thoni ju mua, si duhet vepruar në këtë rast kur kemi një situatë të tillë, kur të gjithë administratës publike i bëhet presion për bukën e gojës. Le të mos harrojmë që, niveli ekonomik i shqiptarëve sot është i tillë që një punë që ata bëjnë, qoftë edhe në administratën shtetërore me rrogë minimale, është buka e përditshme për fëmijët e tyre. Ai presion dhe dhunë që u bë nga banda, të cilat ishin në bashkëpunim të plotë me Policinë e Shtetit, ajo para e hedhur është e rastësishme për ju? Kur kursi i këmbimit të euros për punë një jave, bie nga 1.36 në 1.32. Kjo ndodh vetëm në Shqipëri dhe jo në nivel rajonal. Kjo gjë mua nuk më duket normale. Megjithatë në këto lloj kushtesh, 230 mijë votues që kanë besuar në një projekt të sinqertë të LSI-së, dhe jo thjesht në një projekt të sinqertë, por në kandidatë që ishin vërtet përfaqësues të shqiptarëve, të cilët i dhanë besimin LSI-së për të pasur 19 mandate në parlament, edhe pse jam e sigurt që në këtë vorbull të madhe 2-3 mandate ne na kanë humbur edhe si rrjedhojë e proceseve të numërimit, të cilat u zhvilluan në mënyrë po aq terroriste sa u zhvilluan edhe zgjedhjet.

Po sërish kjo nuk do ta bënte numrin e nevojshëm që ju kërkoni për të qenë forcë e parë…

Të jeni të sigurt që dy javë përpara zgjedhjeve, jo më larg se aq, LSI ka qenë realisht forcë e parë politike. Për këtë ka sondazhe.

Dhe kjo rënie ndodhi brenda javës?

Po patjetër që ndodhi brenda javës, madje nëse më pyet mua, unë kam qenë kandidate vetë, kam punuar vetë, kjo rënie ka ndodhur brenda tre ditësh, kur kandidatët, kur Rilindja, kur shteti vetë u kthye në kriminal dhe bëri të njëjtën punë si bandat e krimit. Në vetëm tri ditë.

Çfarë provash keni ju për këto që thoni?

Kemi provat e Kuçovës dhe bandës së Beratit, e cila doli edhe në media. Është kur u mor peng një nga aktivistët e LSI-së pas takimit që Ilir Meta pati aty dhe u desh të kthehej Ilir Meta aty, që ai djalë të kthehej në familjen e tij dhe të frikësohej gjithë jetën e tij për të mos bërë më fushatë. Edhe pse nuk ia arritën, sepse ai prapë është një djalë guximtar, ashtu sikurse qindra e mijëra të rinj të tjerë.

A i prishi punë Lëvizjes Socialiste për Integrim mosqenia e Ilir Metës në krye?

Absolutisht që jo. LSI sot është rritur në mandate, në numër votuesish. Është partia e cila është rritur. Mund të jesh në opozitë në kushtet kur ke bërë një garë të ndershme dhe populli ty të ka çuar në opozitë. Ne jemi në opozitë në kushtet e një periudhe të një terrori të madh, nga një presion tek administrata, presion dhe dhunë nga bandat e krimit, presion publik të zhvilluar për tre javë.

Me ministrat që keni në qeverinë ‘Rama’?

Kjo nuk është qeveria ‘Rama’. Kjo është qeveria e besimit, e cila u ndërtua. Në këtë qeveri, ju keni ministra të ardhura nga Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim e Partia Socialiste. Mua më duket e kotë dhe të them të drejtën jo e sinqertë dhe jo e natyrshme që ne të flasim për ministrat, të cilët vazhdojnë të jenë në detyrë për shkak të inercisë. Ministrat do të dalin në opozitë në momentin kur të krijohet qeveria e re.

Ka një merak Lëvizja Socialiste për Integrim se në opozitë mund të tkurret si parti politike?

Është e vërtetë që ju keni një rritje të ndjeshme nga një proces elektoral në një proces tjetër? Nuk duhet të harrojmë një gjë që Lëvizja Socialiste për Integrim ishte nga ato forca politike që iu premtonte shumë vende pune qytetarëve dhe patën një rritje, sepse ideja ishte e tillë që LSI-a të futë në punë. Unë e kuptoj pyetjen tuaj sepse ajo që tentoi të bënte kryeministri bashkë me bandën e tij të një medie e cila i shërbeu tërësisht, ishte që të krijonte impaktin dhe impresionin që kjo është LSI-a, ajo që ju sapo thatë. Përkundrazi, LSIa nuk është kjo.

Nuk garantonte dhe nuk i premtonte LSI-a njerëzve vende pune?

Absolutisht që jo. Ky është një koncept i cili është krijuar i tillë vetëm në një opinion publik të imponuar tërësisht nga të gjitha ato tamburet që kishte prapa Kryeministri. LSI-a ka qenë në radhë të parë forca dhe partia politike e të rinjve dhe ju e dini këtë. Keni pasur mundësinë që në studion tuaj të keni goxha të rinj përfaqësues të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kanë qenë ata të parët, të cilët na kanë dhënë besimin e tyre dhe një pjesë e madhe e votuesve, pra 230 mijë që na besuan në këto zgjedhje. Të rinjtë nuk kanë nevojë për një vend pune. Në radhë të parë duhet të mbarojnë detyrat e tyre në jetë, të moshës tyre, siç është shkollimi.

 Por kanë nevojë edhe për një vend pune të mirëpaguar dhe me siguri në punë, sepse i referohem deklaratave që ju keni bërë në fushatë.

Vende të reja pune të mirëpaguara dhe me dinjitet ishin programi ynë. Programi ynë për vende pune nuk do të thotë t’i premtosh tjetrit vend pune. Të rinjtë dhe jo vetëm, por të gjithë votuesit e LSI-së vazhdojnë të besojnë te ne, te programi, projekti mbi të gjitha te njerëzit që përfaqësojnë LSI-në. Në LSI ka një frymë të sinqertë dhe një punë që bëhet e drejtpërdrejtë me njerëzit. Ndërkohë nga ana tjetër, ka jo thjesht një qeveri, por njerëz të cilët janë të marrë peng nga krimi për të mos thënë që janë ata që vetë e bëjnë krimin. Kështu që, në këtë rast, unë ua siguroj që rritja e LSI-së do jetë gjithmonë e më e madhe. LSI-a arriti të rrisë numrin e saj jo vetëm votuesve, por edhe të mandateve në një periudhë kohe kur edhe presioni ishte i dyanshëm, vinte nga pushteti e paratë e drogës.

Kishte nevojë LSI-a për të qenë në opozitë pas 8 vitesh bashkëqeverisje? Ndoshta i bën mirë edhe të reflektojë

Diskutimi në asnjë rast nuk ka të bëjë me të qenit e LSI-së në opozitë apo në qeverisje, për mua kjo nuk do të kishte asnjë lloj problemi dhe këtë ua them me sinqeritet të plotë. Nuk do të kishte problem pasi një parti, siç futet në zgjedhje për të fituar merr parasysh edhe humbjen. Siç është për një periudhë kohe në qeveri merr parasysh të jetë edhe në opozitë. Këto janë etapat e politikës që i kalon çdo parti. Ajo që unë po them është e kundërta e kësaj. Nëse ky do të ishte vullneti i lirë i qytetarëve, patjetër që po ky do të ishte momenti ku LSI-së i kishte ardhur për të qenë në opozitë. Në një periudhë kohe kur ne kishim anëtarë e komisionarë të LSI-së të cilët përfunduan në spital me të qepura në kokë e të vinte keq të shikoje djem dhe vajza të reja që besonin në një politikë të re që dhunoheshin fizikisht me pistoletë pas kokës vetëm pse ishin simpatizantë. Ju e dini fare mirë rastin e Zharëzës. Ne e bëmë atë problem publik, por sa ka pasur të tillë në gjithë Shqipërinë, të cilët ne nuk i bëmë publik, por i denonconim në polici.

Do ketë kundërshtarë Monika Kryemadhi në zgjedhje, si funksionon?

Nëse do të ketë apo jo, këtë nuk mund t’ua them unë. Unë nuk kam në plan të kandidoj për të qenë kryetare. LSI ka qenë një parti e hapur për garë, jo tani kur gara bën vetëm mirë, por edhe në momente të tjera kur ndoshta lideri mund të ketë qenë i konfirmuar apo nevoja për zgjedhje ka qenë për shkak të statutit dhe jo për shkak të rrethanave. Por këtë nevojë për zgjedhje besoj e shpjegoi fare qartë z. Vasili dje, nuk ka çfarë t’i shtoj unë fjalës së tij. Ama unë një gjë ua siguroj, jo vetëm kjo zgjedhje brenda LSI, por e gjithë kjo situatë e krijuar në Shqipëri, do na bëjë ne të jemi një opozitë shumë e fortë, një zë shumë i fortë. Dhe të jeni i sigurt që me këtë lloj opozite, kushdo qeveri, me çfarëdo numrash që të jetë ajo, të matet mirë, para çdo veprimi që do të bëjë. Nëse kjo qeveri u mësua të kishte një zë opozitar brenda qeverisë, imagjino tani që këtë zë opozitar ta ketë jashtë qeverisë, shumë të fortë dhe shumë të qëndrueshëm në fjalën e saj. Megjithatë unë nuk e shoh nëse është problemi te ndryshimi brenda LSI, ka shumë ndryshime që po ndodhin jashtë që duhet të marrin një vëmendje më të madhe se kaq.

Kujtoj një deklaratë të z. Meta, pak kohë më parë, kur tha se Ilir Meta si President i Republikës nuk do ta dekretoj këtë qeveri, nëse qoftë dhe një votë e shqiptarëve vidhet, kur kemi pas një proces që, sipas jush, është shumë i kontestuar për shkak të abuzimeve, vjedhjeve, presioneve, tensioneve të mëdha. Do ta dekretoj z. Meta?

Sipas nesh, sipas provave, fakteve, atyre që janë bërë publike, dhe atyre që do të bëhen publike në ditët në vazhdim, që nuk u janë bërë publike vetëm qytetarëve, por janë bërë publike edhe komunitetit ndërkombëtar. Disa prej tyre e kanë theksuar në fjalët e tyre publike, por akoma dhe më shumë do të theksohet me kalimin e kohës. Unë nuk mund t’iu them se cili do të jetë vendimi i Ilir Metës. Ilir Meta për pak ditë merr detyrën e tij si President i Republikës së Shqipërisë. Dhe nëse ka një gjë për të cilën në njëfarë mënyre ndjej garanci për shqiptarët, është që do të kenë të paktën një President, i cili vërtet do të mendoj për ta dhe do ta kryej detyrën e tij vetëm në shërbim dhe në funksion të qytetarëve shqiptarë.

Me këshillat bashkiakë si do veproni?

LSI nuk e ka parë kurrë marrëdhënien e saj me qeverinë, qoftë kjo brenda apo jashtë saj, si një marrëdhënie, e cila duhet të ndikojë në çdo vendimmarrje që merret nga LSI, në marrëdhënie me qytetarin në formë të drejtpërdrejtë. Edhe kur kemi qenë pjesë e qeverisë ose të një koalicioni qeverisës në shumë prej bashkive të Shqipërisë ne kemi marrë vendime të cilat kanë qenë bllokuese, sepse kemi menduar që kjo nuk është në të mirë të qytetarëve dhe unë mund t’iu jap raste plot. Disa herë ju i keni bërë lajme edhe këto qëndrime tona. Në të njëjtën kohë kemi mbështetur fuqimisht edhe ato bashki, të cilat kanë ardhur nga kampi opozitar, për aq kohë sa kanë marrë vendime të drejta në lidhej me qytetarët. Megjithatë këto janë vendime të cilat duan kohën e tyre të realizohen brenda të gjithë strukturave vendimmarrëse të LSI. Fatmirësisht ne jemi një parti që kemi zhvilluar një demokraci të brendshme brenda nesh prandaj na duket kaq e padrejtë edhe gjithë ky sulm, terror dhe presion që u zhvillua përkundrejt qytetarëve më 25 qershor.

(Burimi:Integrimi.al/Xh.N)

Te shenuara si:
al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al