Nga Kejdi Mehmetaj

Paradokset e një qeverie të rënë!

Me shumë zell reaguan sot Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm dhe po aq me zell edhe Policia e Shtetit kundër qytetarëve që protestuan denjësisht ditën e djeshme. Helmuan protestuesit me gaz sikur të ishim në gjendje lufte, i arrestuan dhe ushtruan mbi ta dhunë verbale e fizike. Si të mos mjaftonin këto, KM dhe bedelët e tij u drejtohen shqiptarëve me gjuhë përçmimi dhe urrejtje, a thua ky popull ushqehet me taksat e këtyre qeveritarëve arrogantë, ndërkohë që është krejt e kundërta!

E njejta situatë përsëritet prej kohësh. Banorët nxirren nga shtëpitë e tyre me dhunë policore dhe gaz. Fermerët kërcënohen. Bizneset po falimentojnë nga taksat e gjobat. Petagogët i heqin nga puna. Studentët i kërcënojnë me provimet dhe punët e prindërve. Gjimnazistët mbyllen nëpër klasa, sikur të ishin nëpër burgje, nga drejtoreshat që i shërbejnë rilindjes. Kudo nëpër vend protesta dhe kudo pas protestave gjenden oficerët e Sandër Lleshit me shkopinj gome dhe bomba gazi.
Nga ana tjetër, në aeroportin e vetëm shqiptar, vidhen ditën për diell 10 mln euro brenda pistës dhe avionit të mbushur me pasagjerë (sikur mos të mjaftonte vjedhja e 30 mln eurove me dokumenta fallco e qeverisë dhe askush nuk është dërguar para drejtësisë). Çdo ditë dëgjohen lajme për vrasje dhe zhdukje personash. Fushat po bëhen gati për tu mbjellë sërish me kanabis. Bandat janë riaktivizuar; vjedhin e shkatërrojnë ç’tu dalë përpara. Çuditërisht për këto ngjarje nuk ka gaz, as arrestime, madje as reagime. Përgjegjës për gjithë këto ngjarje janë Konçesionarët edhe pse, mesa duket, edhe Sandër Lleshin do e japin me PPP. Qeveria na thotë se bandat bëjnë mirë që vrasin njëri-tjetrin dhe KM më tepër shqetësohet për pllakat e zyrës së tij se për jetën dhe mirëqënien e shqiptarëve.

KM mallkon opozitën si grua e ligë dhe u drejtohet shqiptarëve si adoleshent rrugësh, por asgjë nuk di të thotë për premtimet e pambajtura, për varfërinë që është ulur këmbëkryq në shtëpitë e shqiptarëve, për të rinjtë që po largohen e për shpresën që ka humbur.

Gjithësesi një gjë ta ketë të qartë; Mijërat e qytetarëve që prej tre muajsh protestojnë për Shqipërinë dhe të ardhmen, nuk ndalen më. Vendi do të çlirohet njëherë e mirë nga kjo klikë që po na merr frymën e shpirtin. Ditët janë të numëruara për KM dhe bedelët e tij, të rinj e të vjetër, Sandër e Damian.

Ka ardhur koha që Shqipëria të hapë një kapitull të ri shprese dhe zhvillimi.