Kejdi Mehmetaj: Vettingu në Polici, qytetarët nuk janë naiv që të besojnë te qeveria më e përfolur për korrupsion dhe lidhje kriminale

Fjala në Kuvend e deputetes së LSI-së Kejdi Mehmetaj

 

Përpara se të nis diskutimin, dua të diferencoj qartazi në fjalën time ata punonjës të ndershëm të Policisë së Shtetit që zbatojnë ligjin dhe detyrën e tyre e kryejnë me integritet. Edhe pse duhet ta themi, se shumë pak prej këtyre, për të mos thënë aspak prej këtyre  Policëve model nuk ja kanë dalë të bëjnë karrierë në këto 4 vitet që kemi lënë pas. Që prej ditës kur ministri aktual i brendshëm artikuloi për herë të pare Vetingun në Policinë e Shtetit, vazhdoj të jem e paqartë për qëllimin. Mendja më shkon vetëm në 2 arsyetime të logjikshme, ose ka ardhur momenti që Ministri i Ri të vendosë të besuarit e tij në polici (dhe ku ka më mirë se një ligj për kontrollin e figurës së policisë për të bërë spastrime), ose struktura e Policisë së Shtetit është  kontaminuar aq keq sa duhet një ligj i posaçëm për ta rikthyer në shërbim të qytetarëve. Në të dyja rastet, kushdo qoftë nga arsyet, problemi është i theksuar dhe pasojat kanë rënë e do të bien drejtpërdrejtë tek qytetarët shqiptarë. Pasojat kanë cënuar e do të cënojnë thellësisht demokracinë e zhvillimit të institucioneve tona shtetërore. Në asnjë rast unë nuk dua ta paragjykoj ligjin dhe shpresoj shumë që ministri i ri, të mos ndjekë rrugën e paraardhësit të tij, që sot do të duhej të ishte pas hekurave dhe të mos kthehet në Maliq që ligjin ta përdorë për interesa të ngushta personale.  Megjithatë përtej paragjykimit, nuk jemi as unë dhe as qytetarët aq naiv sa të besojmë se qeveria më e përfolur për korrupsion dhe lidhje kriminale do të mundet të zhvillojë drejt këtë proces, kur të ngjashmin me të (pra Vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve) e ka injoruar tërësisht edhe pse në shërbim të atij Vettingu kemi institucione ndërkombëtare që na monitorojnë dhe këshillojnë.

Asnjëri në këtë sallë edhe jashtë saj, nuk është aq naiv sa të besojë që pas propozimit të këtij ligji qëndron vërtet dëshira për të ndryshuar fytyrën e Policisë së Shtetit. Vettingu i policisë do të jetë me siguri arma e rradhës në dorën e kryeministrit, që po ashtu sic intimidoi gjyqtarët e prokurorët, do të përpiqet të intimidojë ata nëpunës që e kundërshtojnë e nuk I përgjigjen kërkesave të tij. Ose në rastin më të mirë, fasada më e bukur për të mbuluar dështimin e tij më të madh, për të mbuluar keqpërdorimin që i bërë institucionit që siguron qëndrueshmërinë e shtetit. Ndershmëria në veprimin e Policisë së Shtetit, sipas gjykimit dhe besimit tim, nuk arrihet me një ligj të shtuar, por me ndërgjegjen dhe vullnetin politik të drejtuesve të lartë, pasi policia nuk është një institucion i pavaruar për të cilin do të ketë nevojë për ligje të reja, por ka drejtim dhe kontroll të përditshëm, si edhe të gjithë instrumentat ligjorë të nevojshëm për të ndërmarrë reforma e për të krijuar mundësinë për përmirësime. Policia është një institucion shërbimi. Shërbimi ka nevojë sa për ligjin, po aq edhe për besimin dhe besimi i qytetarëve është cënuar rëndë nga kupola e Policisë së Shtetit që sot është ose pa punë, ose në kërkim ng aorganet e drejtësisë, sepse e gjitha u vendos në dispozicion të krimit të organizuar dhe trafikantëve. Fjalia e parë e relacionit të ardhur nga qeveria thotë: Qëllimi i këtij projektligji është të japë një kontribut në përmbushjen e objektivit të qeverisë shqiptare dhe, në veçanti, të Ministrisë së Brendshme, në krijimin e institucioneve të forta, me profesionistë me integritet. Për cilat objektiva flet kjo qeveri? Për numrin e vrasjve nga maskat që po shtohen çdo ditë? Për sasinë e lëndëve narkotike që po dërgohen me sukses në destinacion? Për numrin e bandave që drejtojnë Shqipërinë? Apo për korrupsionin që mbizotëron në të gjithë strukturën drejtuese të policisë? Po kur përmend profesionistët me integritet kujt i referohet qeveria? Ish ministrit Tahiri që u mbrojt nga kjo qeveri, nga kjo mazhorancë me forcën e kartonit nga arrestimi? Gjysmës së atyre drejtuesve të policisë që janë në kërkim?Ish drejtorët e Policisë së Shtetit që është shkarkuar për paaftësi, ku përfshihet dhe ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë? Apo ish drejtuesve të komisariateve që kanë ende dosje të hapura në prokurori? Nëse ju të nderuar kolegë nuk jeni të qartë, qytetarët janë mëse të ndërgjegjshëm që slloganin “Policia që Duam”, nuk u përdor nga qeveria për qëllimin fillestar, por u kthye në policinë që deshi qeveria, që përkthet në të vërtet në policinë që deshën strukturat kriminale për ta kthyer të gjithë shtetin në dispozicion të tyre. Dhe rezultati është një dhe i vetëm, denigrim i figurës së funksionarit të Policisë së Shtetit. Asnjë sukses, aspak progres, vetëm turp kur ju dëgjojmë të flisni për atë që me dashje i shkaktuat institucionit që duhet të falë siguri për qytetarët dhe jo siguri për bandat kriminale. Unë ndihem keq që në çdo raport që botohet për Shqipërinë, klasifikohemi si vendi me rrezikun më të madh në rajon për trafik të lëndëve narkotike, për organizim të bandave kriminale, për korrupsion të strukturës së policisë. Akoma dhe më keq ndihem kur në raportet e BE-së, shteti ynë konsiderohet si një shtet i kapur nga bandat kriminale.  Por më besoni, ju unë, por qytetarët, ndihen më keq ndërsa ju dëgjojnë juve nga kjo foltore të thoni se duhet ti vijë fundi policisë që nuk funksionon, policisë së korruptuar a thua se nuk keni qenë vetëm dhe vetëm ju që e keni drejtuar Policinë e Shtetit në 5 vitet që kemi lënë pas. Nuk arrij të kuptoj se kujt i drejtoheni kur thoni se situata duhet të ndryshojë? Vetes? Ministrave? Apo kryeministrit? A nuk ishin mjaftueshëm 5 vite së paku për tu dhënë autoritetin që meritojnë drejtuesve të policisë së shtetit apo cdo nëpunës të Policisë së Shtetit. Pra nuk shoh asnjë arsye se përse në këto pesë vite, nëse do të kishte iniciativë dhe vullnet nuk do të ishin ndërmarrë reformat e nevojshme që Policia e Shtetit të ishte në funksion të qytetarëve dhe jo në funksion të bandave kriminale. Në fund, unë nuk do të hyj teknikisht të flas për ligjin, besoj u fol gjatë nga kolegët, besoj do të flitet edhe nga ata që do të vijnë pas meje, por kur po shikoja nenet e tij më zunë sytë ndër to edhe nenet që flasin për detyrimet që duhet të përmbushin  funksionarët e policisë së shtetit për të merituar detyrën e tyre për ta vazhduar atë. Psh për referencë Neni 35 në gërmën F keni përcaktuar si kusht për kontrollin e figurës së punonjësit të policisë edhe testimin për përdorim të lëndëve narkotike. Shumë mire, shumë e drejtë. Duhet të jesh i ndërgjegjshëm dhe i kthjellët që të shërbesh në një funksion kaq të lartë dhe që duhet të ofrojë siguri për qytetarët. Po përse të njëjtat kushte dhe të njëjtat terma ju nuk i pranoni dhe për në deputetët, edhe për ata të zgjedhur që janë në këtë sallë. Përse për ne kushti duhet të jetë ndryshe nga ato që ju kërkoni nga Policia e Shtetit? Nga ajo që ju kërkoni nga gjyqtarët? Që ju kërkoni nga Prokurorët? Përse edhe ne nuk duhet të kalojmë nga të njëjtat terma Vettingu? Se trembeni ju nga ajo që mund të ndodhë nga rezultatet e secilit prej nesh në këtë sallë që do të kalonte përmes të njëjtave kushteve dhe të njëjtave procedura. Shpjegimi për mua është fare i thjeshtë. Sepse qëllimi juaj në fakt nuk është të pastroni, as Policinë e Shtetit dhe aq më pak veten tuaj, e aq më pak politikën nga ky llum që na ka uzurpuar dhe po i  bën keq Shqipërisë, por qëllimi juaj është një dhe i vetëm, të kapni dhe të kontrolloni çdo strukturë, edhe atë që tani ju ka dalë jashtë kontrollit, jo sepse nuk ditët ta mbanit, por sepse fatkeqësisht ata dolën shumë të hapur përpara qytetarëve, dhe sot pjesa më e madhe e tyre janë në kërkim. Nëse doni të bëni reforma mos sillni ligje që ju vënë Policinë apo çdo institucion tjetër në dorën tuaj, por bëni ato punë të cilat realisht do të ngrinin performancën dhe do ta vinin Policinë në shërbim të qytetarëve. Unë nuk e besoj që ky ligj do të bëj ndonjë ndryshim pozitiv për Policinë e Shtetit sepse në asnjë rast nuk besoj që vullneti juaj është që çdo instancë e këtij vendi të kthehet në shërbim të qytetarëve.

Burimi: (integrimi.al/T.I)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al