Kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi e ftuar në Channel One ka folur mes të gjithave edhe për datën e vendosur nga Presidenti Meta për të mbajtura zgjedhjet lokale.

Kërpaçi ka theksuar se fjala e Presidentit nuk diskutohet, teksa ka shtuar se përgjegjësinë politikanëve ua jep sovrani.

Ne pa diskutim që jemi me Kushtetutën. Të gjithë duhet të bëhen gati më 13 tetor. Ajo është data e vendosur, atë kemi të gjithë datë të zbardhur.

Në politikë për sa kohë kemi marrë përsipër përgjegjësinë për të drejtuar edhe për të qenë përfaqësuesit e qytetarëve shqiptarë, na ka dhënë këtë fuqi sovrani për të respektuar ligjin dhe Kushtetutën dhe jo për të bërë një çorap që ta nxjerri vendin nga shinat kushtetuese. Kështu i bie të bëjmë çdo gjë sipas interesave, PPP-ve, koncesioneve, si Milot-Balldreni. Këto gjëra i lexojnë si iu leverdis atyre dhe se si i leverdis oligarkëve të tyre, por se sa taksa do të paguhen nga qytetarët shqiptarë për të gjitha këto, ata nuk e llogarisin këtë pjesë se si do ti rëndojë xhepit të qytetarëve. Ne që i dimë vështirësitë e qytetarëve dhe që jemi çdo ditë me ta dhe që mundohemi të punojmë e të sjellim më shumë shpresë e më shumë mundësi ekonomike për familjet shqiptare, e dimë se sa vuajnë dhe se çfarë vështirësie kanë.

Ne e kemi marrë këtë përgjegjësi nga sovrani për të qenë të drejtë dhe për të respektuar ligjin dhe Kushtetutën. Nuk ka nevojë për interpretim, e thotë qartë Presidenti i Republikës që vendos datën e zgjedhjeve. Këtu mbaron çdo lloj diskutimi”, ka thënë Kërpaçi.