Intervista e Deputetes së LSI-së, Floida Kërpaçi për “Fax News”

Ndërsa flasim për aktualitetin nuk mund të lemë jashtë vëmendjes situatën e shënuar dy ditë më parë në fshatin Mengel, pas një proteste 14 ditore pati dhunë të ushtruar ndaj fëmijëve. Çfarë ndodhi atë ditë dhe si e vlerësoni procesin hetimor që ka nisur ndaj banorëve?

Po të bëjmë një panoramë të gjithë asaj që ndodhi në Mengel, pasqyron shumë qartazi situatën e dhunës dhe të terrorit ku po përfshihet i gjithë vendi jonë dhe të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Situata në Mengel tregonte qartazi se si prindër, edhe të rinj, edhe bashkëmoshatarët tanë, të cilët kërkonin që të shkolloheshin, por në fakt kishte një mungesë, përveçse një mungesë nga ana e të gjithë institucioneve, por edhe njëlloj paqartësie dhe pamundësie për të ndjekur pjesën e arsimimit.

Ajo që ata kërkonin ishte shumë legjitime dhe ne prandaj iu gjendëm pranë protestës së tyre, për të qenë aty si një suport për gjithsecilin prej tyre, sepse duhet të themi që protesta ishte një revoltë e të gjithë banorëve dhe e iniciuar nga vetë banorët e Mengelit dhe të rinjtë që ishin aty. Por mënyra se si ajo u administrua nga qeveria, nga forcat e policisë, nuk është mënyra demokratike dhe qytetare se si ata të administrohen në mënyrë institucionale qytetarët e vendit, të cilët kanë të drejtën e tyre për të protestuar dhe për të kërkuar të drejtën për arsimim.

Në fakt shkolla e Mengelit, tashmë po të marrim një histori ka diku te 5-6 vite, e cila dihet se si është raporti i asaj shkolle, ku çdo vit Ministria e Arsimit bën njëfarë raporti  në çdo shkollë për të parë se si është gjendja e çdo institucioni, a kanë kushte të përshtatshme dhe shkolla e Mengelit kishte diku te 5-6 vite që dihej se si ishte situata, por në fakt nuk kishte asnjë ndërhyrje dhe pot ë shikojmë aktivitetin nuk është normale që tani jemi në tetor, ata student kanë kaq javë pa shkuar në mësim, detyroheshin që të shkonin në Elbasan dhe në fakt nga Ministria e Arsimit që është detyrë e tyre, nuk kishte asnjë lloj ndihmese për sa i përket transportit urban të fëmijëve, apo shpjegime dhe informacion tjetër për banorë.

Për këtë arsye e kam gjykuar shumë të drejtë protestën e tyre dhe në fakt ishte shumë këmbëngulëse dhe shumë inspiruese nga mënyra se si ata dolën dhe kërkonin një të drejtë dhe paralajmëruan se do të vazhdonin këto protesta për të drejtën, për ti arsimuar fëmijët e tyre. Por në fakt nuk kemi parë asgjë më tepër dhe asgjë më shumë nga kjo qeveri, e cila na i ka thënë qartazi se çfarë prioriteti ka ajo për arsimin, kështu që nuk kemi pse të gënjehemi. Prioriteti për arsimin, është për mendimin tim zero sepse e para njëherë që nga viti 2013-2014 nuk është bërë asnjë investim për arsimin apo buxheti i arsimit është zvogëluar shumë ndjeshëm. Po të marrim buxhetin për investime specifike, siç janë investime për shkolla, restaurime, për godinat, mund të themi që dhe ky është zvogëluar, për sa i përket dhe lajmit në fjalë. Kështu që nuk është se mund të presim diçka më shumë, por ata nuk mund ti gënjejnë banorët. Po të shohim atë që ndodhi që u ushtrua dhunë ndaj të rinjve. Shteti ka rënë sepse në momentin që shteti ushtron dhunë mbi qytetarët e tij dhe për më tepër mbi të rinj të cilët ishin në moshë fare të vogël atëherë unë nuk e di sesi mund të ndodh. Kjo gjë ka vetëm një shprehje që ky është shteti i dhunës. Unë e thashë dhe atë ditë. Ata nuk kanë dhunuar vetëm ata të rinj që e kanë pohuar vetë që kanë qenë të dhunuar por kam bindjen e plotë që ata më kanë dhunuar mua, kanë dhunuar familjet tona, kanë dhunuar gjithë shoqërinë shqiptare për sa kohë shteti guxon dhe dhunon të rinjtë. Unë isha prezentë atje në protestë në shenjë suporti për gjithsecilin por edhe për të rinjtë që ndodheshin aty. Dhe ata vetë pohonin se ishte ushtruar dhunë dhe ishin kryer dhe arrestime të padrejta për sa kohë ata pretendonin dhe kishin të drejtën e tyre për të dalë dhe për të protestuar për të kërkuar arsimim për fëmijët e tyre. Dhe në fakt nuk pati asnjë reagim, as nga ministria e arsimit që të dilte dhe të thonte, çfarë po ndodh si po ndodh, çfarë buxheti. Po të shikosh ajo çfarë ka thënë dje është, po kemi një lloj rikonstruksioni me një vlerë më pak se 7 milion lekë ku në fakt është qesharake dhe është e papranueshme në dijeninë time nga diskutime me banorë që ndodheshin atë ditë në protestë. Ata kanë lënë një lloj afati për rikonstruksionin dhe paralajmërojnë se nëse gjendja nuk do të jetë sipas pritshmërive të tyre ata do ta dalin përsëri në protestë dhe do të kërkojnë të drejtën e tyre. Dhe po të shikojmë situata në Mengel është në fakt situata se çfarë po ndodh në çdo shkollë të Shqipërisë sepse të gjitha janë të pa rikonstruktuara, pa ambiente të përshtatshme për fëmijët. Jo më larg se 20 km nga Tirana në fshatin Vilëz, në qoftë se në Mengel e kanë shumë afër, në fshatin Vilëz ju duhet që të ecin mbi 3 orë. unë së bashku me të rinj të tjerë kemi shkuar për ta parë situatën nga afër dhe në fakt është tragjike se ku ndodhemi dhe nuk ka asnjë reagim shtetëror. Kështu që për sa kohë shteti ka rënë dhe kemi një shtet që bazohet në dhunë dhe në terror ndaj qytetarëve të saj është e drejta dhe detyra e çdo qytetari dhe gjithsecilit prej nesh që të dalim ta kundërshtojmë dhe të protestojmë çdo ditë deri në largimin dhe krijimin e një alternative që do të punojë dhe do të jetë për qytetarët dhe për të rinjtë e vendit.

Ndërtimi filloi, të paktën nga pamjet që transmetuam edhe një ditë më parë. Banorët ranë dakord pavarësisht afatit 3 javë, ranë dakord që të shkojnë në një shkollë të Elbasanit çka ishte kundërshtuar në fakt nga ata. U arrit qëllimi i protestës? Çfarë synonte protesta?

Gjëja e parë që ata kërkonin dhe që ishte e drejtë e jashtëzakonshme ishte që fëmijët e tyre të arsimoheshin. Dhe të arsimoheshin aty ku ata kishin qenë, në atë godinë.

Elbasanin nuk e pranonin…

Ata nuk e pranonin Elbasanin në diskutimet që unë pata me ata gjatë protestës.  E dyta që ata kërkonin ishte një informacion i saktë zyrtar dhe i qartë se çfarë po ndodhte. Sepse në fakt kishte disa denoncime nga banorët e zonës që shpreheshin se ajo godinë do të prishet me shkakun se do ndërtohet një urë kalimi që do të lidhte atë zonë me një biznes  që ishte në Labinot, pra që ishte diku më afër. Pra kishte disa pretendime, disa denoncime vetë nga banorët. Dhe për sa kohë banorët ishin të revoltuar dhe kërkonin një informacion është e drejta e tyre e para për të kërkuar që fëmijët të arsimohen, e dyta për të kërkuar të drejtën që ja garanton vetë ligji i arsimit që në kushte të tilla të garantojë transport urban falas për këta fëmijë. Sepse këto zona janë edhe shumë të varfra, nuk kanë mundësi që për një muaj apo dy muaj sa kohë do dojë rikonstruksioni i shkollës të paguajnë transportin vajtje-ardhje. Aty kishte familje që kishin edhe 2-3 fëmijë në një shkollë, pra që kishin kosto edhe më të lartë. Dhe e treta kanë të drejtën e tyre për të pasur një informacion zyrtar të qartë se çfarë do të ndodhë me ta. Dhe e katërta që pa diskutim që i rebelon edhe më shumë është se jo shteti, por as Zoti nuk mund t’i vendosë dorën mbi fëmijët e tyre dhe t’i dhunojë ata në atë gjendje se si u kthye situata gjatë protestës.

Në këtë linjë që po shpreheni, si e cilësoni faktin që ka një procedim të nisur vetëm ndaj banorëve dhe nuk ka ende pavarësisht padisë së zotit Boçi? Nuk ka ende një hetim disiplinor…

Në fakt kjo nuk është hera e parë që ndodh kjo situatë. Kemi qenë edhe më përpara të ndodhur në situatën  që siç jemi në rastin e Xhisielës, ku është fenomeni që krimineli ndodhet i lirë dhe është heroi, ndërsa viktima ndodhet në burg dhe është negativi i shoqërisë. Kështu që edhe në këtë rast jemi përsëri në rastin ku ata që kanë të drejtën për të protestuar dhe për të kërkuar një të drejtë legjitime që ja jep shteti dhe ligji, do të procedohen dhe do të futen në burg, dhe ata të cilët kryejnë një vepër penale dhe ushtrojnë dhunë mbi të rinjtë janë heronjtë dhe nuk procedohen. Pra është standardi dhe modeli që ka ngritur kjo qeveri dhe në fakt ne për këtë kemi folur disa herë dhe unë personalisht. Është një model i cili është modeli i antivlerave, i instaluar me qëllim nga kjo qeveri ku ata që mbrohen janë 5 biznese të cilët kanë formuar një monopol dhe çdo gjë drejtohet drejt atyre. Ata që mbrohen janë kriminelët. Ata që mbrohen janë banditët. Ata që mbrohen janë njerëzit e korruptuar të lidhur me qeverinë. Dhe nga ana tjetër të pambrojtur janë qytetarët e thjeshtë, qytetarët e lirë dhe qytetarët të cilët kërkojnë të drejtat e tyre. Ndaj e themi dhe e ri themi që ne sot jetojmë në vendin e padrejtësive.