Klajda Gjosha: Çështja e dhunës në familje, të trajtohet dhe të jetë pjesë e axhendës sonë

Është mbajtur sot në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, seanca e Rezolutës Kundër Dhunës në Familje. Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, znj. Klajda Gjosha në fjalën e mbajtur në foltoren e Kuvendit tha se çështja e dhunës në familje duhet të trajtohet dhe të jetë pjesë e axhendës parlamentare. Znj. Gjosha gjithashtu i bëri thirrje qeverisë që të shqyrtojë rastet e dhunës dhe të bashkëpunojë me qeverisjen.

Më poshtë keni fjalën e plotë të znj. Gjosha:

I Nderuar Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar kolegë deputetë,

Ndjehem mirë që sot në Kuvendin e Shqipërisë po diskutojmë mbi një çështje madhore për shoqërinë tonë, luftën kundër dhunës në familje. Dëshiroj të falënderoj Partinë Demokratike dhe kryesisht kryetaren e Forumit të gruas, znj. Vokshi, e cila ka punuar me shumë përkushtim që sot në të gjithë bashkë të miratojmë një rezolutë me konsensus të plotë për dënimin e fenomenit të dhunës në familje dhe marrjen e masave urgjente për evidentimin e situatës dhe gjetjen e mekanizmave efikas ligjor për parandalimin e këtij fenomeni. Ky fenomen nuk është një çështje vetëm shqiptare, patjetër që ai gjendet edhe në botën e zhvilluar, por këtu në ndryshim nga vendet e tjera thelbi i problemit qëndron te përgjigjja e institucioneve, te drejtësia, te zbatimi i ligjit e mbi të gjitha te vëmendja që gjithsecili prej nesh duhet t’i kushtoj edhe një rasti të vetëm të dhunës në familje.
Është për të ardhur keq në fakt që edhe pse familja në traditën shqiptare vazhdon të shihet si e shenjtë dhe si qeliza më thelbësore e shoqërisë sonë, ne çdo ditë në një mënyrë apo një tjetër e godasim atë, duke mos bërë detyrën e duke mos e mbrojtur. Rastet e fundit të dhunës ndaj grave, që fatkeqësisht kanë përfunduar me marrjen e jetës së një gruaje, të një nëne, këtu rasti i Fildez Hafizit, por edhe i shumë nënave që kanë qenë viktima të këtij fenomeni janë me të vërtetë shokuese, por edhe drithëruese deri në themel për shoqërinë tonë. Të dhunosh një grua, një nënë në mënyrë indirekte ke vrarë edhe fëmijën e saj. Imagjinoni një fëmijë në moshë fare të vogël që ende mëson nga prindërit se si duhet të sillet dhe të komportohet në një shoqëri, të jetoj çdo ditë nën frikën e dhunës, nën frikën se kjo dhunë mund t’i marrë njeriun më të shtrenjtë të jetës tij. Imagjinoni pasigurinë e tij, ankthin, depresionin por mbi të gjitha heqjen e të drejtës së çdo fëmije të rritet me dashuri dhe mbrojtje nën çadrën e familjes. Dhe dashur pa dashur është shkatërruar e ardhmja e tij.
Në Shqipëri në fakt nuk vuajmë për ligje, por vuajtja jonë është edhe më e thellë. Këtu kemi të bëjmë me moszbatimin e ligjit si nga individët e thjeshtë e deri te organet ligj-zbatuese në vend. Ashpërsimi ligjit, dhënia e dënimit maksimal si dhe moslejimi i amnistisë për rastet e dhunës në familje, do të ishte një fillim i mirë për të dhënë një mesazh të qartë se kur kemi të bëjmë me fenomene të tilla nuk mund të ketë asnjë lloj dobësie apo keqardhje. Kuvendi i Shqipërisë nëpërmjet gjithë mekanizmave mund të ndjekë me përparësi shqyrtimin e çdo rasti të tillë dhe kuptohet që këtu duhet një bashkëpunim i mirë me qeverisjen qendrore dhe lokale, për të pasur një analizë të plotë të problematikave të hasura me ligjet në fuqi, si dhe të dhënat konkrete mbi fenomenin.  Kjo rezolutë shkon paralelisht me muajin e sensibilizimit të luftës kundër dhunës në familje dhe do të doja shumë që më shumë se sa gratë dhe vajzat, kjo çështje të trajtohej nga burrat dhe djemtë sepse shoqëria jonë ka nevojë për sensibilizimin e çdo qytetari të saj pavarësisht gjinisë, pavarësisht moshës. Çdo analizë e fenomenit do të ndihmonte shumë në identifikimin e problematikave por edhe parandalimin e rasteve të dhunës. Dhe sa më shumë të fokusohemi te kjo çështje jam e bindur se edhe niveli i dhunës në familje varet qartazi nga disa faktorë ekonomiko social. shumë mund ta shohin si pasoj e karakterit të çdo individi lidhur këtu me konsumimin e alkoolit, xhelozisë, posesivitetit, apo edhe shumë tipareve të tjera. T’ju them të vërtetën unë e shoh të lidhur ngushtë me problemet ekonomike, papunësinë, nivelin e ulët të arsimimit. Dhe këto në fakt janë çështje tejet problematike sot në gjithë vendin. Ndaj do të duhej një vëmendje edhe më e madhe në trajtimin e këtyre çështjeve.
Një grua e që nuk ka pasur një mundësi shkollimi apo trajnimi profesional që të jetë e aftë për tregun e punës, një grua që është financiarisht e varur nga bashkëshorti është shumë herë më vulnerabël të bjerë pre e dhunës, por edhe ta pranoj atë për hir të mentalitetit apo pamundësisë financiare. Ndërkohë që edhe në rastet e tjera të dhunës, ku mundësia për të refuzuar këtë realitet është më e madhe, fatkeqësisht dështimin këtu e ka shteti, duke filluar që te dështimi në mbrojtje e deri te dënimi i individit që ka kryer dhunë. Duke mos arritur dot të bej shembuj në një shoqëri, e duke u bërë shtysë e viktimave të radhës. Prandaj koordinimi ndërinstitucional është absolutisht parësor në luftën kundër fenomenit të dhunës. Disa vite më parë, për shkak të detyrës kam vizituar disa herë qendrat e grave të dhunuara. Shumë prej tyre të shoqëruara nga fëmijët e tyre. Nuk e përshkruaj dot dhimbjen e tyre dhe pamundësinë për të jetuar të lira. Dhe kjo dhimbje shihej edhe në sytë e fëmijëve. Mes kushtesh të vështira jetese, me mungesën e thellë të psikologëve ndihmës për të kapërcyer traumën, do thosha që edhe në këtë sektor kemi shumë për të bërë.
Kuvendi vetëm pak ditë më parë ka miratuar buxhetin për vitin e ardhshëm dhe më vjen keq që nuk pati asnjë fokus për të ndihmuar familjet shqiptare, përkundrazi ata u rënduan më shumë me taksa dhe me pamundësi për të ngritur këtu të ardhmen e fëmijëve të tyre. Politika ka harruar që çdo familje në fund të muajit nuk arrin të paguaj dot faturat dhe detyrimet mujore, kreditë, dhe realiteti çdo ditë bëhet më i trishtë. Sepse ne kemi harruar që ekzistojnë dy lloj dhune, ajo fizike brenda mureve të familjes por edhe dhuna që shpeshherë të bën shteti duke të vrarë shpresën që gjithsecili nga ne ka për një të ardhme më të mirë. Para disa ditësh ne bëmë takimin e parë për këtë legjislaturë të Aleancës së grave deputete. Unë besoj fort se çështja e dhunës në familje duhet të jetë pjesë e axhendës tonë për ta trajtuar dhe ndjekur me rigorozitet së bashku me komisionin e posaçëm që ne shpresojmë të krijohet në bazë të kësaj rezolute. Ndoshta si në çdo shoqëri tjetër, edhe ne do ta kemi shumë të vështirë ta zhduknim këtë fenomen, por duke punuar duke e parë me prioritet, patjetër që mund ta zbusim atë, duke minimizuar kostot e familjes shqiptare. Edhe një herë shpreh gatishmërinë e Grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim ta mbështesim dhe ta votojmë së bashku këtë rezolutë.

Burimi: (integrimi.al/T.I)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al