Klajda Gjosha: Deklaratat e Ramës për Kosovën të papranueshme dhe fëminore

Intervista e Deputetes së LSI, Klajda Gjosha për emisionin 7pa5 në Vizion Plus

Dua ta nis nga deti, kishte një mospërputhje Presidencë-Qeveri apo është pak faktorizim i palëve?

Nuk mendoj se ka të bëjë me faktorizim të palëve, mendoj se ka nevojë për transparencë dhe konferenca për shtyp dje nga Presidenti i Republikës, besoj se ishte brenda kornizës institucionale të tij. Por edhe brenda asaj çka i lejon Kushtetuta. Në të vërtetë ka nevojë për një transparencë të thellë për marrëveshjen e detit. Por edhe për të gjitha marrëveshjet e tjera që po kryen në fakt me vendin tonë fqinj që është Greqia. Ne kemi kërkuar edhe një seancë dëgjimore me ministrin e jashtëm. Është kryer seanca e parë dëgjimore por nuk arritëm të dëgjonim asgjë nga diskutimet që janë bërë me palën greke. Dhe tashmë kemi kërkuar transparencë të plotë dhe kemi qenë tepër të kujdesshëm për të treguar dhe faktin që nëse do duhej që transparenca për këtë marrëveshje të bëhej dhe pa prezencën e mediave, opozita është e gatshme ta pranojë këtë.

Me dyer të mbyllura?

Edhe me dyer të mbyllura mendoj që pak rëndësi ka sepse pala greke ka qenë shumë e qartë në marrëveshjet që ka diskutuar me palën shqiptare. Madje dhe në deklaratën e kryeministrit Tsipras, unë do të theksoja që ai ka qenë tepër i qartë për ti dhënë plotfuqishmërinë për të përfunduar marrëveshjen, ministrit Kotzias bashkë me grupin negociator. Kjo në fakt u kërkuar edhe nga Presidenti ynë sepse plotfuqishmëria e cila iu kërkua atij nga ministria e jashtme ishte tejet e cunguar. Do të duhet të diskutohet me detaje për çfarë kërkohet autorizimi, cili do të jetë grupi negociator. Besoj ju e dini që mbi të gjitha marrëveshjet është një detyrim dhe po të shikoni të gjitha marrëveshjet që kalojnë te Presidenti për autorizim apo për plotfuqishmëri, kanë një model të përcaktuar. Kjo e fundit nuk qëndronte brenda këtij modeli dhe unë mendoj që tashmë ka ardhur momenti të bëhet pak transparencë për çfarë po ndodh realisht.

Pse ka kaq shumë mungesë transparence?

Është shumë e theksuar mungesa e transparencës. Ka një ndryshim shumë të madh nga mënyra sesi funksionon politika, po të shohim në vendin tonë fqinj, bëhet fjalë për të njëjtën marrëveshje. Po të shohim ata janë treguar shumë të kujdesshëm për ta bërë këtë marrëveshje më parë me Kryetarin e Opozitës, me Presidentin e Greqisë, me parlamentin e Greqisë pra kanë kaluar të gjitha instancat dhe institucionet që ata kanë një detyrim Kushtetues për tu konsultuar. Ndërsa këtu te ne gjithçka është mbajtur e fshehtë. Nuk mendoj se këto janë negociata që i takojnë një individi të vetëm apo kryeministrit dhe ministrit të jashtëm. Ajo çka ka ngritur një pikëpyetje të madhe është se si mundet për një marrëveshje kaq të rëndësishme dhe për çështje sensitive siç është ajo e detit të negociohet në tre netë me ministrin e jashtëm grek. Ndërkohë që po ti rikthehemi vite më pas, marrëveshja që është kryer me Italinë për detin, ka nisur në 1983 dhe ka mbaruar në 1992 me një grup shumë të madh negociatorësh , ekspertë të mirëfilltë të fushës, që kanë kryer debate të njëpasnjëshme. Kanë vënë mbi tryezë të gjithë dokumentacionin, si në bazë ligjore ashtu edhe duke parë thyerjen që ka bregdeti ynë sepse janë shumë çështje brenda që duhen marrë në diskutim. Ne jemi para një pikëpyetje të madhe, e kërkojmë këtë gjë edhe nga ministri Bushati, për të na dhënë një përgjigje. E kemi kërkuar për një seancë dëgjimore dhe shpresojmë që javën që vjen të vijë në Komisionin e Punëve të Jashtme për të referuar mbi këtë marrëveshje.

E kemi sëmundje të hershme ne të institucioneve shqiptare, dikush drejton një institucion, dikush një tjetër, aq më tepër akoma kur Presidenti vjen nga një parti sot në rradhët e opozitës. Institucionet me njëri tjetrin nuk komunikojnë në mënyrë të vazhdueshme…

Është pjesë e një kulture të munguar, ka qenë prej kohësh kështu, kemi vuajtur gjithmonë nga koordinimi, nëse do të kishim një vendimmarrje që do të duhej të merrje me më shumë se dy institucione, gjithmonë ka qenë një problem i jashtëzakonshëm. E para kush e koordinon dhe e dyta si do të merrej vendimi duke u hapur në disa institucione. Megjithatë në këtë rast të mirëfilltë, unë shoh një arrogancë të papranueshme. Në mënyrën sesi janë zhvilluar negociatat dhe në mënyrën sesi është bërë transparenca me publikun.

Kanë frikë se u marrin meritat ndoshta, është çështje e negocimit keq apo për ta mbajtur gjithë suksesin për vete?

Unë nuk e di se çfarë është negociuar, pra nuk mund të paragjykoj. Në momentin që do të zbardhen negociatat, atëherë besoj do të jetë shumë e qartë për të gjithë ne që pse është mbajtur kaq e fshehtë. Mos të harrojmë që problemet me Greqinë, kanë qenë edhe shumë të mbartura. Dhe vijmë nga një 4-vjeçar tejet i egër, retorikash, mes kryeministrit tonë dhe palës greke. Kështu që ka qenë një marrëdhënie jashtëzakonisht e vështirë. Prandaj dhe është e vështirë për publikun sot të perceptojë se çfarë po ndodh. Dhe aq më tepër të mirëkuptojë qeverinë që po kryen negociata që janë dhe në interes të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Është shumë e vështirë për ta provuar sot qeverinë në këto negociata që po bën.

Jemi dhe në prag të çeljes së negociatave të tjera, që nëse do të çelen do të duhet të hapen kapituj e duhet të ketë komunikim mes institucioneve. Jemi para një PO-je për çeljen e negociatave?

Jemi para një procesi do thoja unë. Kemi pasur publikimin e Strategjisë së Zgjerimit nga Komisioni Europian. Një dokument jashtëzakonisht shumë i rëndësishëm në dy anë. E para se i vendos vendet e Ballkanit Perëndimor me ato të BE në një nivel tjetër bashkëpunimi. Dhe pjesëmarrje të Shqipërisë por edhe të vendeve të tjera aspirante në disa nivele diskutimesh që nuk kanë qenë më parë si atë të migracionit, kufijve e kështu me rradhë. Pra nëse deri dje kemi qenë dëgjues, sot do jemi aktiv dhe me të drejtë fjale dhe kjo është realisht shimë e rëndësishme. E vendos në një nivel të bashkëpunimit ekonomik po ashtu tjetër që për ne është në interes të veçantë sepse procesi i reformave do të shkojë paralelisht me drejtimin ekonomik të vendit. Megjithatë unë jam shprehur dhe më parë. Strategjia është një pasqyrë e qartë dhe e dhimbshme e asaj çka përjetojnë sot vendet e Ballkanit Perëndimor por në veçanti Shqipëria sepse aty përmenden disa fakte që janë me të vërtet tronditëse. Lidhja e pushtetit me krimin apo çështjet e korrupsionit, të krimit të organizuar, çështja e drogës. Pra është tejet e fokusuar dhe si asnjëherë më parë Strategjia është shumë e qartë, duke vënë para përgjegjësisë liderat e Ballkanit Perëndimor për ti dhënë një zgjidhje këtyre çështjeve para sesa ata të antarësohen dhe besoj se këtu përgjegjësia është shumë e madhe në ekzekutiv. Sa i përket çeljes së negociatave, në muajt që do të vijnë kemi dy etapa. Do të kemi muajin prill ku Komisioni do të raportojë për vendet aspirante ku bën pjesë dhe Shqipëria. Ata do të rikonfirmojnë, këtu nuk kemi asgjë të re. Kemi një rikonfirmim të rekomandimit pozitiv për çeljen e negociatave që nga nëntori i 2016. Pra do të rikonfirmojnë atë çka kanë thënë para dy vitesh. Ndërsa e reja dhe surpriza për ne do të jetë qershori ku vendet anëtare do duhet të vendosin nëse negociatat do të çelen apo jo. Dhe këtu do të shohim sesa Shqipëria ka përparuar në kuadër të pesë prioriteteve. Është në unanimitet të plotë dhe nëse një vend i vetëm vendos veton apo voton kundër do të thotë që Shqipërisë nuk mund ti çelen negociatat.

Po ne nga ana jonë i kemi bërë sa duhet detyrat e shtëpisë në këndvështrimin tuaj. Sot nuk kemi më ministri integrimi por kemi një ministri për Europën dhe Punët e Jashtme. Prish punë kjo?

Shpesh herë kur diskutojmë për këto çështje, shoh analiza të ndryshme, që dikush thotë, nuk duhet të biem në debatin e një emri ministrie. Në fakt ajo ministri nuk kishte të bënte vetëm me emrin, kishte të bënte me një kërkesë të mirëfilltë që vinte nga Komisioni Europian për ta krijuar atë dhe për ti dhënë rëndësinë e duhur procesit. Sot kemi të gjithë të gjithë procesin e integrimit të futur në një ministri që merret me shumë çështje të tjera. Dhe nëse ministri do të duhet të merret me marrëdhëniet bilaterale, me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, me negociatat me Greqinë, e kështu me rradhë sepse janë një sërë çështjesh të tjera që ai mbart. Shtuar, diplomacinë ekonomike që është një tjetër sfidë e ministrisë së punëve të jashtme. Unë nuk e besoj dot që në një nivel drejtorie që ka mbetur tashmë procesi i integrimit, ky është realiteti. Ku ende ajo drejtori nuk ka një strukturë të mirëfilltë, ku ka ende vende vakante për shkak të ristrukturimit të vetë ministrive dhe të shkrirjes së ministrisë së integrimit. Dhe ka kaluar një periudhë 6 mujore, e kam të vështirë të besoj se kush raporton sot në Komisionin Europian. Çfarë është raportuar dhe si është koordinuar me 72 institucione në vend. Nuk është e thjeshtë, nuk janë vetëm institucione qendrore janë dhe të pavarura. Dhe mos të harrojmë që me institucione të pavarura është e pamundur të negocioj një drejtor apo një zv.Ministër. Pra niveli i koordinimit të punës duhet të jetë maksimal për ti dhënë atë rëndësinë e duhur procesit. Në 2016 kishim një kusht të mirëfilltë që ishte Reforma në Drejtësi, procesi i Vetingut. Në fjalën time javën që shkoi në Kuvendin e Shqipërisë, iu drejtova duke thënë çfarë do të raportoni ju për procesin e Vetingut. Do doja shumë ta dija për transparencë të publikut, dikush të më thoshte që kemi katër-pesë arritje që do ta bëjmë Shqipërinë të çeli negociatat në qershor. Raportimi i Shqipërisë duhet të jetë dhe pjesë e raportimit që do të kryejë vetë Komisioni Europian për vendet anëtare. Dhe askush nuk mund të më japë sot një përgjigje.

Presim që deri në qershor të kemi apo duhet të kemi rezultate në prill?

Ne ende kemi kohë deri në prill. Sepse aty përmbyllet raporti i Komisionit Europian. Çdo gjë tjetër është ekstra. Por mos kujtoni se vendet anëtare e kanë gjithmonë vëmendjen në procesin e zgjerimit apo se çfarë ndodh me Shqipërinë hap pas hapi. Sepse shumë nga vendet kryesore kanë dhe çështjet e tyre që shqetësojnë qytetarët e tyre. Gjermania ende sot është në ujërat e ndërtimit të një qeverie. Italia gjithashtu është para zgjedhjeve. Pra janë disa nga vendet kyçe që janë shumë të involvuara me çështjet e brendshme. Pra Shqipëria duhet të vrapojë në këtë proces, nuk duhet të ecë me hapa kaq të ngadaltë.

Duhet të vrapojë vetëm ministri Bushati apo në koordinim me gjithë faktorët politikë për të vrapuar për të bindur partnerët?

Procesi nuk është vetëm i z. Bushati. Është i të gjithëve, aq më tepër që janë institucione të involvuara në pesë prioritetet që nuk janë në përgjegjësinë e z.Bushati. Kemi ministrinë e brendshme p.sh, që ka një rol të jashtëzakonshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kemi ministrinë e drejtësisë që kanë një peshë shumë të madhe dhe në raportimin e disa prej prioriteteve ku këtu bëjnë pjesë dhe të drejtat e njeriut, çështja e pronës. Janë çështje që i drejton ministria e drejtësisë. Dhe janë shumë problematike. Sot nuk shoh asnjë sukses të arritur në këto 5 prioritete. Ajo çka shoh është një kryeprokurore e zgjedhur me vetëm 69 vota. Në shkelje të plotë të Kushtetutës dhe çka është më e rëndësishme pa Veting, ndërkohë që Vetingu sot është kryefjalë e Kushtetutës sonë. Asnjë Kushtetutë e dytë në botë nuk e përmban këtë term brenda saj. Dhe ne të paktën duhet ta kishim respektuar për kreun e Prokurorisë. Përveç kësaj dalim te institucionet e reja që po ngrihen. Çfarë zgjodhëm ne? Zgjodhëm anëtarët e KLGJ dhe KLP me kaq shumë problematikë. Njerëz të cilët përmbanin jo vetëm probleme integritetin e tyre dhe probleme morale , mesa pashë në raportet. Disa prej tyre kanë qenë tejet të anatemuar nga ONM-ja. Pra disa ishin të papranueshme si kandidatura, ndërkohë që Kuvendi i Shqipërisë, vendosi ti pranonte ata. Pra në njëfarë mënyre ne shkelëm dhe garantin tonë të drejtësisë që ishte faktori ndërkombëtar, atë për të cilën ne votuam me 140 vota në Kuvendin e Shqipërisë. Në këtë këndvështrim kemi disa probleme të cilat besoj se e pengojnë pak a shumë procesin e Vetingut dhe Reformën në Drejtësi. Aq më tepër që ne kemi dhe një çështje shumë të diskutuar siç ka qenë ajo e ish-ministrit të brendshëm, që tashmë është ngritur dhe nga pala ndërkombëtare si e papranueshme për imunitetin të cilin e ruajti me aq fanatizëm mazhoranca në Kuvendin e Shqipërisë duke mos lejuar arrestimin e tij ndërkohë që për një qytetarë të thjeshtë ndodh totalisht e kundërta dhe besoj kjo nuk është e drejtë në një vend demokratik.

Duhet të mos kishim imunitet fare? Sot mediat e kishin që kanë dalë të dy palët PD dhe PS kanë rënë dakord ta heqin fare këtë çështjen e imunitetit, se ruajnë njëri tjetrin. Pavarësisht se në fillim kërkuar që të mos ketë imunitet për zyrtarët që kërkohet nga prokuroria por në fund ranë dakord mos ta prekin më si çështje.

Brenda atyre rekomandimeve është vendosur një paragraf i qartë ku thuhet se duhet të rishikohet edhe njëherë çështja e imunitetit të politikanëve. Pra është krejt e kundërta. Dhe kjo ka qenë një kërkesë e opozitës për tu vendosur brenda rekomandimeve e pranuar dhe nga pala Europiane. Tejet e diskutueshme sepse nuk është e thjeshtë për mazhorancën të pranojë sot atë paragraf ndërkohë që e kemi sot një model paraprak. Vetëm para disa muajsh, megjithatë ajo është pranuar. Përsa i përket opozitës mendoj që po bën një punë të jashtëzakonshme. E para me miratimin e asaj rezolute e cila nga Parlamenti Europian do të kalojë në Komisionin Europian dhe më pas i prezantohet vendeve anëtare. Debatet kanë qenë gjithmonë tejet të ashpra por është një Komitet që mblidhet dy herë në vit dhe asnjëherë nuk ka pasur një konsensus apo dhe një debat konstruktiv. Gjithmonë me dy-tre qëndrime dhe asnjëherë me një deklaratë të përbashkët. Kjo është hera e parë dhe mendoj se është një hap pozitiv. Nga ana tjetër ne si LSI kemi qenë shumë të qartë, duke qenë se procesi i integrimit është dhe pjesë e ADN-së tonë. Gjithmonë kemi qenë aty shtysë e procesit dhe për të arritur një konsensus mes palëve ndërkohë që mos të bëhej pengesë asnjë nga çështjet që është shtruar në tryezë për integrimin. Kemi dërguar para disa kohësh edhe një letër zyrtare, Komisionerit Hahn, duke i kërkuar haptas, çeljen e negociatave sepse ne mendojmë që ky do të ishte një hap jashtëzakonisht shumë i rëndësishëm për qytetarët shqiptar në rradhë të parë. Dhe e dyta, Komisioni Europian do të fillonte të luante një rol ndryshe nga ai që ka sot. Duke monitoruar me shumë rreptësi të gjithë procesin e reformave në vend.

Deklarata e pak ditëve më parë e kryeministrit Edi Rama, për një President të përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës si lexohet?

Sot do them diçka që e them për herë të parë. Nuk është hera e parë që ndihem keq përballë këtyre deklaratave. Në atë kohë kam qenë ministre ku më është dashur shumë të shpjegoj deklaratat e kryeministrit të bëra mbi Kosovën, mbi bashkimin me Kosovën, megjithatë them se është e papranueshme në këto momente që ne flasim, kur strategjia shumë e qartë pra, i vendoset liderëve për ti thënë zgjidhni çështjet , mosmarrëveshjet. Të bësh një deklaratë të tillë e quaj të papërgjegjshme, në një moment kaq të rëndësishëm për Shqipërinë dhe para çeljes së negociatave ku një nga kushtet kryesore është pikërisht zgjidhja e mosmarrëveshjeve me fqinjët. Dhe ajo çka ka shkaktuar deklarata dhe në vendet fqinje, në Serbi, në Greqi, pamë dje në reagim shumë të madh të mediave greke mbi deklaratën e kryeministrit. Mendoj që nuk është e nevojshme në këto momente, është e patolerueshme, e pamenduar, fëminore do thoja unë dhe mbi të gjitha me kaq shumë probleme sa çka Shqipëria sot në çështjet e krimit të organizuar. Dhe për të çuar përpara reformën në drejtësi të merresh me diçka që nuk është pjesë e tryezave dhe diskutimeve tona mendoj që është e pafalshme.

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al