Klajda Gjosha: Integrimi mbahet peng nga Rama, show me 5 kushtet e BE-së

Deputetja e LSI-së, Klajda Gjosha në një intervistë për “Koha Jonë ” është shprehur se duhet opozitë e unifikuar kundër Ramës, protesta masive.

 

Më poshtë intervista e plotë:

 

“Vetëm një opozitë e unifikuar në qëndrime mund t’i japë fund arrogancës së qeverisjes me të cilën përballemi çdo ditë”. Është ky mesazhi që jep ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha. Në një intervsitë për “Koha Jonë”, deputetja e LSI-së, flet për protestën e 27 janarit, për të cilën thotë se “do të jenë të vazhdueshme dhe me organizime masive”. Gjosha shpreh bindjen se protesta do të ndryshojë gjithë rrjedhën e ngjarjeve politike në Shqipëri. Si ish-ministre e Integrimit, ajo komenton edhe procesin e Shqipërisë në rrugën drejt bllokut të BE-së. Lajmet se pse vendi është cilësuar si “ngelës” për hapjen e negociatave të anëtarësimit, Gjosha e lidh e mbajtjen peng dhe dëshirës së partisë qeverisëse për të përvetësuar sistemin e drejtësisë. E pyetur si e sheh ofertën e Ramës për bashkëpunim me opozitën për integrimin, deputetja e LSI-së shprehet e prerë se: “Synimi i vetëm strategjik i Kryeministrit është të lërë vendin pa opozitë, dhe të jeni të bindur që ne nuk do të bëhemi kurrë pjesë e kësaj strategjie”.

2018-ta e gjen LSI-në duke u përgatitur për protesta masive kundër qeverisë, por cili është konkretisht qëllimi i tyre? Pse pikërisht tani një vendimmarrje e tillë?

Protestat janë një mjet demokratik me të cilat opozita përcjell shqetësimet e qytetarëve, të cilat këtë janar kanë arritur majën e tyre. Ne jemi të bindur se protesta e 27 janarit do të jetë do të jetë jo vetëm madhështore për nga numri i përfaqësuesve në shesh, por nga shpirti i saj që do të jetë më energjik se kurrë. Ka shumë arsye përse njerëzit na kërkojnë çdo moment të protestojmë, duke nisur që nga ekonomia e rrënuar që po rëndon çdo ditë e më shumë familjet shqiptare, papunësia që ka kaluar përtej çdo limiti, rritja e taksave, rritja e çmimeve, pamundësia për të përballuar minimumim jetik, e duke vazhduar më tej me mungesën e theksuar të shërbimeve ndaj qytetarëve në shëndetësi dhe arsim. Çdo sektor sot është në gjendje tejet të rënduar sepse sistemi i instaluar në vend është i tillë që ka prioritet vetëm një grup të caktuar individësh dhe jo çdo qytetarë e këtij vendi.

Rruga drejt protestës po e çon opozitën me pakënaqësi brenda vetes. Aleatët e Bashës, por dhe deputetë të kësaj force janë shprehur janë skeptikë që LSI-ja të bashkohet me PD-në. A çon kjo në devijimin e parë të protestës? Është pretekst apo LSI-ja nuk shfaq besueshmëri te deputetët e PD-së?

T’i japësh sot opozitës shqiptare një dimension të ri politik do të thotë t’i japësh shpresë çdo shqiptari se realiteti i hidhur mund të ndryshoj në një të ardhme të afërt, dhe besoj se ky bashkim parimor për një qëllim të përbashkët, është ajo çka duhet të bëjmë. Vetëm një opozitë e unifikuar në qëndrime mund t’i japë fund arrogancës së qeverisjes me të cilën përballemi çdo ditë. Është normale të kesh zëra apo opinione të ndryshme, e rëndësishme është të kemi një opozitë që i përgjigjet kërkesave të qytetarëve dhe që përkthehet në një alternativë për të ardhmen.

Besoni se pakënaqësitë brenda opozitës, do ulin protestën dhe besimin e shqiptarëve? Një opozitë që kërkon rrëzimin e qeverisë, por që ka të pakënaqur në frontin opozitar, është sinjal që fundi shkon si marrëveshja e 18 Majit?

Unë e them me bindje se protesta e 27 janarit, do të jetë ajo që do të ndryshoj gjithë rrjedhën e ngjarjeve politike në Shqipëri sepse në zemër të saj do të jetë zëri i qytetarëve.

Qeveria Rama ka paralajmëruar se në shkurt pritet të ketë burgosje të qytetarëve që kanë bërë lidhje të paligjshme të ujit, duke parashtuar edhe gjoba. Nuk është kjo një kauzë e fortë për të dalë në shesh, në vend të thirrjeve për një qeveri anti-mafia?

Siç e theksova edhe më lart protesta ka si temë një gamë të gjerë problematikash, ku pjesën më të rëndësishme e zë ekonomia, dhe këtu bën pjesë edhe rritja e çmimit të ujit. Sepse para se të burgosen qytetarët për ujin dhe dritat, janë shumë dosje të rëndësishme që qëndrojnë ende të pahapura në tryezat e prokurorisë.

Znj.Kryemadhi flet për protesta deri në rrëzimin e Edi Ramës. Si do të arrihet kjo? Zërat shkojnë deri në përplasje, por si e shihni rrugën e opozitës përpara kryeministrisë?

Ne jemi të vendosur në këtë kauzë dhe do ta arrijmë këtë me të gjitha mjetet demokratike. Qytetarët duhet të shohin opozitën si alternativë, ndaj kjo duhet të jetë edhe një betejë idesh dhe opsionesh për një qeverisje më të mirë. Protestat do të jenë të vazhdueshme jo vetëm me organizime masive, por pjesë e organizimit do të jenë edhe takimet derë më derë aty ku në fakt ndodhin protestat e vërteta, në shtëpitë dhe familjet e shqiptarëve.

Gjatë mandatit bashkëqeverisës, LSI-ja ka akuzuar fort Çakon për lidhjet e tij me grupet e trafikut të drogës. Shkarkimi i Haki Çakos e zbut qëndimin e LSI-së?

Është një paradoks i madh që flasim për suksese të këtyre individëve dhe më pas shohim shkarkime të menjëhershme nga detyra. E shoh një veprim tejet të vonuar të Kryeministrit. Çdo shkarkim i këtij lloji është shumë pak para pandëshkueshmërisë reale që duhet të ndodhë për të gjithë ata që kanë përgjegjësi madhore në situatën alarmante që ndodhet vendi përsa i përket kriminalitetit dhe drogës.

Dikur sikur ka një heshtje të opozitës për çështjen Tahiri. E kaloni rrezikun dhe tashmë ish-ministri nuk mund të kapet më si “peshk i madh”?

Çështja Tahiri i takon drejtësisë dhe jo politikës, ndaj si e tillë ne shpresojmë që çdo vendim të jetë në favor të rikthimit të besimit të qytetarëve te drejtësia shqiptare.

EuObserver ka theksuar se Shqipëria “ngel” për hapjen e negocitave të integrimit, ndërsa Serbia e Mali i Zi anëtarësohen në BE vitin 2025. Brukseli pritet të flasë muajin e ardhshëm, edhe pse shenjat për dritën jeshile nuk duken. Çfarë e mban peng vendin, qeveria apo dhe faktorë të tjerë?

Unë uroj dhe jam përpjekur gjithmonë si me punë ashtu edhe me komunikime zyrtare që Shqipëria t’i çel sa më parë bisedimet për anëtarësim sepse është e vetmja garanci për të gjithë ne që Shqipëria të filloj të ndërtoj një europë të vogël brenda saj. Ky proces fatkeqësisht sot është peng i mosfunksionimit dhe dëshirës së partisë qeverisëse për të përvetësuar sistemin e drejtësisë. Procesi është peng i ngrirjes totale që ka pësuar adminisrata publike, që me fillimin e punës së kësaj qeverie, ku në pjesën më të madhe ende nuk kemi struktura funksionale. Është peng i një show të pafundëm që i serviret qytetarëve, por edhe institucioneve ndërkombëtare. Procesi i integrimit ka të bëjë me rritjen e standarteve nëpërmjet reformave kyçe që kemi ndërmarrë dhe sot këto standarte mbeten vetëm në kuadër premtimesh.

Gjatë kohës që keni drejtuar ministrinë e Integrimit, keni marrë sinjale që nuk i keni treguar më parë, për bllokimin e Shqipërisë drejt BE-së? Përveç problemeve të brendshme, ka faktorë të jashtëm që e bllokojnë rrugën tonë?

Gjithmonë procesi i integrimit ka pasur dy shtylla mbështetëse. E para ka të bëjë me implementimin e reformave shtetformuese dhe e dyta me momentin e duhur sa i përket klimës pozitive në vendet anëtare për procesin e zgjerimit. Megjithatë, kjo e dyta mund të arrihej nëse Shqipëria do të kishte rezultate konkrete mbi pesë prioritetet kyçe dhe kryesisht në procesin e vettingut. Këtu nuk mund të lë pa përmendur edhe nevojën për një politikë të jashtme më aktive dhe më prezente në shtetet kryesore të BE-së.

Qeveria Rama ka shënjestruar opozitën që po bëhet penguese e procesit të integrimit. Si i komentoni qëndrimet se PD-ja lobon në BE kundër hapjes së negociatave?

Opozita sot është e vetmja që bashkë me aspiratën e qytetarëve po mundohen që procesi i integrimit të ketë një vazhdimësi edhe pse shumë kritere mbeten të paplotësuara nga qeveria. Është opozita ajo që po kërkon me ngulm në çdo takim zyrtar çeljen e bisedimeve për anëtarësim sepse ky është i vetmi proces që mund të vendos në një monitorim të rreptë vendimet e qeverisë. Është opozita që kërkon në çdo moment futjen në rrugë kushtetuese të refomës në drejtësi, që është edhe kusht për negociatat. Fatkeqësisht deri më tani nuk kemi gjetur asnjë lloj mundësie bashkëpunimi me qeverinë sepse synimi i tyre është vetëm mbajtja e pushtetit nëpërmjet një drejtësie të kapur nga vetë ata.

Mund të kenë një rrugë paqeje maxhorancë-opozitë për hir të hapjes së negociatave? Jeni pro një bashkëpunim që edhe Rama e kërkon për synimin strategjik të aderimit në BE?

Gjithçka që Kryeministri ka kërkuar deri më sot është pjesë e një show dhe lojë që më pas të fajësoj opozitën. Bashkëpunimi i vërtetë bëhet me transparencë dhe me sinqeritet të plotë për prioritete madhore që i shërbejnë qytetarëve. Opozita nuk ka asnjë kompetencë dhe përgjegjësi ekzekutive ndaj çdo përpjekje e Kryeministrit për ta fajësuar atë është shumë djallëzore. Synimi i vetëm strategjik i Kryeministrit është të lërë vendin pa opozitë, dhe të jeni të bindur që ne nuk do të bëhemi kurrë pjesë e kësaj strategjie.

 

Burimi:(kohajonë

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al