Klajda Gjosha: LSI do të ndihmojë gratë dhe vajzat sipërmarrëse me kredi me 2 % interes me bankat

Kandidatja që kryeson listën e LSI-së së Tiranës, Klajda Gjosha, njëkohësisht edhe Ministre e Integrimit ka zhvilluar sot një bashkëbisedim LIVE me qytetarët në faqen zyrtare të LSI në “Facebook”, në rubrikën “LSI ka një përgjigje për ty”.

 

Mirëmbrëma të gjithëve. Është kënaqësi shumë e veçantë që do të ndaj sot me ju disa minuta, në këtë komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët që është titulluar: “Lëvizja Socialiste për Integrim ka një përgjigje për ty”. Në fakt, kjo ka qenë një rubrikë e iniciuar përpara disa ditësh edhe nga kryetari i LSI-së, z. Petrit Vasili dhe unë sot kam kënaqësinë të vazhdoj më tej atë ç’ka kemi nisur së bashku, të kemi këtë komunikim në Facebook me pyetje të drejtpërdrejta, të cilat kanë ardhur nga ju.

 

Pyetje nga qytetarët:

 

Kandidoni e para në listën për Tiranën dhe bashkë me ju edhe dy vajza të tjera. Është hera e parë që ndodh kjo në listat e një partie. A mendoni se do të merrni më shumë vota me këtë listë? 

Ylber, unë realisht jam e bindur që kjo është një nga listat më të mira që i është ofruar ndonjëherë kryeqytetit dhe jam shumë krenare që Lëvizja Socialiste për Integrim ka vendosur të kandidojë në Tiranë me tre vajza dhe gra, të cilat janë të parat në listë dhe që vazhdon më pas me një listë emrash, jo vetëm shumë të njohur për Lëvizjen Socialiste për Integrim, por edhe të rinj që përfaqësojnë shumë vlera, që janë jashtëzakonisht aktivë në LSI, por edhe në të gjitha problemet e qytetarëve, komunikojnë me ta.

Dhe unë mendoj që kjo është realisht një nga listat më të mira të përfaqësimit që ne mund të kishim. Le të mos harrojmë që mbështetësit më të mëdhenj të Lëvizjes Socialiste për Integrim janë të rinjtë dhe të rejat dhe kuptohet që nga shtyllat e tjera më kryesore janë pikërisht gratë. Unë mendoj që kjo mund të jetë jo vetëm një listë fituese për Tiranën, por kam bindjen që edhe përtej Tiranës, të gjitha listat tona në të gjitha qarqet e vendit do të jenë fituese dhe to ta bëjnë Lëvizjes Socialiste për Integrim forcë të parë jo vetëm me përfaqësuesit por edhe me platformën me të cilën vjen LSI-a këtë radhë në kandidimin e saj.

Tani që ka nisur fushata, a do të vazhdoni punën si Ministre e Integrimit Evropian?

Kjo është një pyetje e bukur. Patjetër vazhdoj punën si ministre çdo ditë, sepse të punosh në Ministrinë e Integrimit çdo ditë është një angazhim jashtëzakonisht i madh, një përgjegjësi shumë e madhe. Siç e dimë, procesi i integrimit, pavarësisht fushatës, vazhdon dhe nuk ka ndërprerje.

Madje, ne po punojmë fort për të ngritur disa grupe negociuese që do t’i shërbejnë vendit por edhe administratës sonë publike, në procesin e negociatave në të cilin ne do të vazhdojmë dhe le të shpresojmë që ky vit, pse jo, të jetë edhe një vit ku Shqipëria do të çelë negociatat falë një punë të jashtëzakonshme që ka bërë ekipi i koordinimit në Ministrinë e Integrimit Evropian së bashku me të gjithë pjesën tjetër të administratës publike.

Dëgjova që për gratë do jepen kredi të buta. Çfarë lloj kredish janë dhe si mund të aplikoj?

Është shumë e vërtetë. Ne kemi një plan tejet të detajuar për gratë duke filluar që me hartimin e një strategjie për gratë sipërmarrëse, pra kur flasim edhe për kredi të buta, këto do t’i dedikohen grave, të cilat duan të bëhen pjesë e biznesit dhe për ne është parësore që t’i japim atyre iniciativa të tilla.

Kreditë e buta do të variojnë në kuadrin rreth 2% dhe ne do të krijojmë marrëveshje me bankat e nivelit të dytë për të gjitha ato gra që duan të kenë pra pikërisht biznesin e tyre në fusha si: bujqësi, agroturizëm, në shërbime e kështu me radhë. Kështu që, e gjithë paketa për gratë është jashtëzakonisht një paketë shumë motivuese në mënyrë që gratë të kenë këtë iniciativën e tyre edhe me një paketë fiskale të dedikuar atyre në mënyrë që të kenë mundësi që të hapin bizneset e tyre dhe më pas pse jo të kenë mundësi të punësojnë sa më shumë gra dhe vajza të tjera nëpër këto biznese.

Njëkohësisht, përveç pjesës së kredive dhe mundësisë që ne krijojmë për gratë për të pasur biznesin e tyre, ne dëshirojmë shumë që duke qenë se në këtë vit kemi 32% të bizneseve të dedikuara për gratë, që në 4-vjeçarin e ardhshëm ne të arrinim në shifrën 45%. Prandaj dhe kjo paketë por edhe hartimi i strategjisë për gratë sipërmarrëse është dedikuar në mënyrë që kjo shifër të shkojë drejt 45% që në fakt Shqipëria do mund të arrinte të ishte një nga vendet më të përparuara përsa i përket biznesit të iniciuar nga gratë.

Lëvizja Socialiste për Integrim ka premtuar 100.000 vende pune për të rinjtë. Si do të arrihet kjo apo është si premtimi i bërë për 300.000 vendet e punës që nuk i pamë asnjëherë?

Leonard, është e vërtet. Në fakt, në total ne kemi premtuar 170.000 vende pune nga ku 100.000 vende pune do t’i dedikohen vetëm të rinjve. Ne bëjmë këtë me bindje të plotë sepse duke qenë se shtylla kryesore e Lëvizjes Socialiste për Integrim janë të rinjtë dhe mendoj që të rinjve patjetër duhet t’i ofrojmë një mundësi punësimi këtu në vendin e tyre, që të mos largohen nga vendi i tyre sepse kemi parë gjatë kohëve të fundit largime të shumë e shumë të rinjve, të mirëarsimuar në vendet më të zhvilluara të Bashkimit Evropian. Këto 100.000 vende pune do t’i dedikohen katër sektorëve kryesorë, siç janë bujqësia, turizmi, infrastruktura dhe shërbimi ku patjetër që dhe të rinjtë mund ta gjejnë veten e tyre sa më mirë. Kjo do të bëhet në një sërë programesh për rininë, duke filluar në fakt që tek ‘arsim për punësim’ duke përputhur më së miri pjesën e edukimit, pra atë çka ju studioni me tregun e punës ku do të bëhet dhe një studim i mirëfilltë për tregun e punës. Mos të harrojmë që sot kemi 30% të të rinjve të papunë dhe ajo çka duam të arrijmë ne me programin tonë është që nesër, pas 4 vitesh, në këtë program, të rinjtë të kenë mundësinë të reduktohet papunësia në 15%.

E merr me vete djalin për fushatë apo familjarë të tjerë?

Të them të vërtetën për mua është privilegj këtë radhë që kandidoj në kryeqytet sepse kështu i krijoj pak hapësirë edhe djalit tim, Luisit, që të qëndroj në shtëpi dhe të mos e marr me vete në ato rrugët e gjata siç jam mësuar edhe unë edhe para dy vitesh, kur në fakt kam shërbyer në zgjedhjet lokale në Pogradec. Kështu që Luisi këtë radhë ka mundësi të qëndrojë edhe me familjarë të tjerë dhe fushata më është lënë mua në përfaqësinë e familjes.

Keni qenë 4 vjet Ministre e Integrimit, çfarë keni bërë ju për integrimin e Shqipërisë dhe a do të integrohemi ndonjëherë?

Vetëm në këto 4 vite procesi i integrimit ka njohur shumë arritje. Gjatë vitit të parë ne kemi marrë statusin e vendit kandidat, që ishte një arritje shumë e madhe dhe aq shumë e kërkuar nga qytetarët shqiptar.

Vetëm para pak muajsh Shqipëria ka marrë rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave, që është një hap i rëndësishëm në mënyrë që më pas të vijojmë edhe me mbledhjen e Këshillit mundësisht brenda këtij viti dhe mundësisht dhe ne të kemi dhe një përgjigje pozitive për t’i akorduar Shqipërisë çeljen e negociatave që do të jetë një nga proceset më thelbësore të integrimit evropian të vendit.

Janë bërë shumë e shumë gjëra të tjera, dhe ne mund të flasim pa fund duke filluar që nga një strategji e mirëfilltë se si tashmë përveç qeverisjes qendrore të përfshihet edhe qeverisja lokale në procesin e integrimit. Të mos harrojmë që gjatë procesit të negociatave do të jetë pikërisht pushteti lokal ai që do të marrë edhe qendrën e vëmendjes.

Janë ngritur tashmë dhe janë trajnuar grupet e punës, që do të jenë ekipet negociatore. Absolutisht është bërë një punë e jashtëzakonshme për plotësimin e 5 prioriteteve kyçe ku pjesa më e madhe sot, le të themi mbi 99% e asaj pakete që na është ofruar nga Komisioni Evropian, është plotësuar dhe është plotësuar në kuadër të një koordinimi të jashtëzakonshëm të punës që është bërë pikërisht nga administrata e Ministrisë së Integrimit Evropian.

Si do të dalë LSI forcë e parë dhe nëse nuk del me kë do të bëj koalicion, me PD apo me PS?

Është një pyetje që ne e dëgjojmë shpesh në fakt edhe në televizione pyetemi shumë për këtë. Unë besoj që LSI do të dalë forcë e parë në zgjedhjet e 25 qershorit. Këtë jo vetëm e besoj, por unë e prek çdo ditë në takimet e mia me qytetarët shqiptar.

Ajo do të dalë forcë e parë jo vetëm nga përfaqësitë e saj jashtëzakonisht dinjitoze, që ka në të 12 qarqet e vendit, por edhe nga një program i jashtëzakonshëm që ne e kemi ndarë me ju. Është pikërisht programi ynë elektoral për 25 qershorin dhe në 4 vitet në vijim të qeverisjes së vendit, një shans për të gjithë.

Është program i jashtëzakonshëm që prek jo vetëm të rinjtë, për të cilët ka një pjesë të dedikuar, prek gratë, prek bizneset të cilat sot kanë taksa jashtëzakonisht të larta dhe pjesa më e madhe të tyre po shkon në fakt edhe drejt falimentimit.

Prek pagat, prek sektorët kryesore të zhvillimit ekonomik siç janë turizmi, bujqësia, infrastruktura, shërbimet. Kështu që unë kam bindjen se LSI do të dalë forcë e parë.

Përsa i përket koalicioneve, kjo nuk është diçka me të cilën ne jemi në bisedime në këto momente sepse për ne ka rëndësi puna që po bëhet me qytetarët, ka rëndësi shpalosja e programit tonë dhe platformës tonë qeverisëse në 4 vitet e ardhshme. Kështu që në këtë mënyrë çdo gjë në kohën e vet dhe kështu do të jetë edhe më mirë.

Thonë se në Tiranë LSI po ia merr votat PS. Sa është e vërtetë kjo?

LSI i drejtohet të gjithë qytetarëve shqiptar. Në nuk kemi një target grup të caktuar. Ky është një program që i dedikohet të gjithë qytetarëve kështu që të gjithë ata që besojnë tek LSI-ja, janë të mirëpritur në çdo moment. Vota e tyre është jashtëzakonisht e vlerësuar dhe unë kam bindjen që 25 qershori do të prodhojë surpriza të jashtëzakonshme për spektrin politik shqiptar.

Në cilën zonë të Tiranës është më e vështirë të bësh fushatë dhe ku ka më shumë probleme?

Të them të vërtetën, unë jam kryetare e njësisë administrative numër 1 në Tiranë që është zona e Ali Demit dhe në Shkozë dhe mund të them që ka probleme të jashtëzakonshme.

Pavarësisht se ne jetojmë në të njëjtin qiell, por problemet në zona të ndryshme të Tiranës nuk ngjasojnë aspak me njëra tjetrën duke filluar që nga problemet që Shkoza ka për infrastrukturën duke filluar nga mungesa e jashtëzakonshme e infermiereve që i duhen patjetër atyre familjeve që jetojnë atje për të vizituar fëmijën, gjyshin, gjyshen, nënën e kështu me radhë sepse problem realisht janë nga më të ndryshmet.

Problemet e legalizimeve, që gjithë zonën e Shkozës e prek shumë për të mos lënë pas dorë faktin se problemi i legalizimeve është shumë i madh edhe në Tiranë në disa zona të tjera si në Kodër Kamzë apo Bregu i Lumit, ku janë shumë e shumë familje që vuajnë nga problemet e legalizimit dhe shumë e shumë problemeve të tjera që ne i hasim çdo ditë.

Në krye të këtyre problematikave patjetër që qëndron punësimi prandaj edhe programi ynë për katër vitet e ardhshme fokusohet te qytetari, te punësimi te zhvillimi ekonomik i vendit.

A do të pëlqente që djali juaj të merrej me politikë?

Djali im është shumë i vogël, unë e kam prezantuar atë në emisione. Ai është vetëm 2 vjeç e gjysmë. Unë në radhë të parë do të doja shumë që ai të kishte mundësinë të mirëarsimohej në Shqipëri, të kishte mundësinë e një punësimi në vendin e tij dhe të mos synonte që të ikte jashtë.

Dhe t’ju them të vërtetën kjo është ajo çka mendoj çdo ditë dhe prandaj jam bërë edhe pjesë e angazhimit politik dhe jam pjesë e LSI-së sot. nëse ai do të vendoste të merrej me politikë unë do ta mbështesja absolutisht dëshirën e tij në të gjitha mënyrat por gjithsesi t’ia lëmë kohës sepse ai është ende i vogël për të vendosur për këtë gjë.

Kjo në fakt ishte dhe pyetja e fundit nga qytetarët që më janë drejtuar sot nga qytetarët. Do të doja t’i falënderoja të gjithë për pyetjet dhe uroj shumë të kem mundësinë të bashkëbisedoj me ju në mënyrë të drejtpërdrejtë në faqen zyrtare të LSI në Facebook edhe herë të tjera gjatë fushatës, por pse jo edhe pas saj. Faleminderit shumë!

Burimi:( integrimi.al / E.S ) 

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al