Klajda Gjosha: Mos hapja e negociatave, kushte të shtuara për Shqipërinë dhe rrezik rikthimi të vizave

Intervista e deputetes së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Klajda GJosha, në “News 24”

Me ne në studio është zonja Klajda Gjosha, do diskutojmë padyshim çështjen e negociatave me Bashkimin Evropian. Mendimi juaj për atë që ndodhi dje, pas një ndarjeje të politikës shqiptare në interpretim për çfarëdolloj gjëje sado e qartë, apo e paqartë qoftë ajo. Ju si do ta interpretoni, çfarë është ajo që na u tha dje?

Është absurd në fakt mënyra se si është interpretuar i gjithë vendimi i Këshillit Evropian dhe ministrave të Jashtëm, i cili ka qenë më i qartë se asnjëherë do të thosha unë, madje i shkruar më me detaje, se ç’është shkruar ndonjëherë në fakt kur është diskutuar për Shqipërinë, apo për vende të tjera të zgjerimit. Ajo çka mua dje më ka lënë pa fjalë dhe një absurditet total ka qenë festa e dështimit të qeverisë. Domethënë të festosh për dështimin tënd dhe dështimin që ti sot ia ke lënë mbi supe qytetarëve të tu, kjo është diçka e paimagjinueshme dhe ka dalë përtej asaj çka mund të pritej, apo mund të mendohej. Mungesa e transparencës është pjesa e dytë dhe që është shumë e rëndësishme. Sepse të thuash që janë çelur negociatat besoj që ky është mashtrimi më i madh që mund t’iu bësh shqiptarëve sot. Vendimi i djeshëm është shumë i qartë. Shqipëria nuk ka çelje negociatash, përkundrazi ka një shtyrje të vendimit nëse ajo do të çelë negociatat apo jo për verën që vjen. Ky është vendimi që ka marrë Këshilli i djeshëm.

Ka një shtyrje të vendimit apo negociatat çelen në qershor 2019?

Ka shtyrje të vendimit.

Edhe ambasadorja Vlahutin ishte e paqartë në përgjigje….

Nuk dua të komentoj.

Tha që pyesni atë që do vijë pas meje…

Po patjetër, sepse mandati është drejt fundit dhe normalisht dhe vendimi do t’i takojë dhe do ta ndjekë më pas pasardhësi i zonjës Vlahutin. Por të jemi të qartë. Vendim për Shqipërinë për çelje negociatash nuk ka. Pra Shqipërisë nuk i janë çelur negociatat ditën e djeshme. Ne do të duhet të presim verën e vitit që vjen. Do të duhet të presim nëse qeveria do të përmbushë 13 kushtet, pra 5 prioritetet plus 8 kushte të shtuara tashmë mbi atë çka Shqipëria ka pasur. Dhe ky është një aspekt tjetër shumë i rëndë i gjithë procesit dhe i bie që ne kemi ecur me hapa pas dhe jo para në këtë proces. Dhe nëse do të jetë një vendim pozitiv verën e vitit 2019 atëherë mund të mendojmë që do të ketë dhe një takim ndër qeveritar në fund të vitit 2019, gjë që mua më duket e pamundur duke lexuar në detaje kushtet që i janë vendosur Shqipërisë. Besoj që edhe ju si media apo analistë të ndryshëm keni bërë një analizë të të gjithë kushteve. Qëndron sërish në krye të listës krimi i organizuar dhe çështja e korrupsionit që mbetet pezull tashmë për një kohë shumë të gjatë për Shqipërinë dhe që ne ende nuk i kemi dhënë një zgjidhje. Por ndër kushtet e shtuara unë dua të tërheq vëmendjen për dy çështje madhore. E para që është reforma zgjedhore dhe vëzhgimi që BE dhe vendet anëtare do t’i bëjnë mënyrës se si do të zhvillohen zgjedhjet lokale në Shqipëri, sistemi zgjedhor që do të përdoret, respektimi i votës e të gjitha me radhë. Dhe e dyta që unë e kam përmendur edhe në një nga statuset e mia në Facebook për qëndrimin mbi negociatat, është pikërisht ajo që ka të bëjë me kushtin për azilkërkuesit. Po të lexoni me kujdes ka një kusht të fundit ku thotë se Shqipëria duhet të kontrollojë lëvizjen e lirë, duhet të kontrollojë të gjithë ata individë që trokasin në dyert e vendeve të Bashkimit Evropian dhe kërkojnë azil. Ky është kthyer në një problem madhor. Ka qenë për Francën, por edhe për shumë vende të tjera të BE-së, tashmë është në një kusht dhe i kërkohet në mënyrë të drejtpërdrejtë Komisionit Evropian të monitorojë këtë çështje gjatë këtij viti dhe të raportojë në një raport të posaçëm. Që do të thotë se Shqipëria dhe shqiptarët rrezikojnë kthimin e mekanizmit të vizave, gjë që do të ishte një nga vendimet më të rënda që do të merrej në kurriz të qytetarëve shqiptarë dhe një kthim pas jo vetëm i procesit, por edhe të atij zhvillimi që ne kërkojmë të bëhemi pjesë.

A ka një ndryshim të vendimit për Shqipërinë dhe vendimit për Maqedoninë?

Besoj që të Shqipëria ka kushte pafund të shtuara, ndërkohë që te Maqedonia patjetër që qëndrojmë te çështja e emrit. Është lidhur një marrëveshje, por do të duhet që Maqedonia ta ratifikojë atë, të kalojë në një referendum e kështu me radhë. Pra, ka një sërë procedurash që do të duhet të plotësojë dhe patjetër që vendet anëtare do të tërheqin vëmendjen edhe për shtetin e së drejtës që është një çështje që në fakt qëndron pezull te të gjitha vendet që aspirojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian. Pavarësisht se Shqipëria e ka pasur një nivel shumë të lartë dhe është kërkuar shumë kohë më parë të ishte një nga prioritetet kryesore. Një ndryshim tjetër shumë i madh është që po të lexoni konkluzionet për Shqipërinë ne kemi një shtesë për mënyrën se si do të procedohet për të marrë vendimin. Nuk ka ndodhur kurrë në historinë e para çeljes së negociatave të çdo vendi që të kërkohej një ratifikim nga parlamentet e vendeve anëtare. Po të shikoni deri në këto momente ka qenë Gjermania ajo që e ka pasur me ligj, miratimin në Bundestag dhe më pas në Këshillin Evropian. E ndoqi Holanda në një procedurë të tillë. Tashmë Këshilli ka marrë një vendim të shkruar për Shqipërinë që para se të marrë vendimin kur do që ai të jetë, verës që vjen apo më vonë, do të duhet që ky vendim të ratifikohet më parë nga parlamentet e vendeve anëtare. Dhe besoj që ky do të jetë edhe një nga debatet më të vështira sepse Shqipëria jo vetëm që do të duhet të bindë 28 vende anëtare, krerë shtetesh apo edhe ministra të Jashtëm, por do duhet të bindë me mijëra parlamentarë të vendeve anëtare dhe besoj që këtu do mbetemi pezull për një kohë të gjatë. Unë edhe 2019-ën, jo vetëm që e shoh shumë të turbullt, por Shqipërinë në çeljen e  negociatave, t`ju them të drejtën dhe që është shumë  e trishtë, por as mbas 2020-ës, ne nuk do kemi shanse të bindim të gjithë parlamentet dhe krerët e këtyre shteteve, aq më tepër me kushte të shtuara, që qëndrojnë sot pezull mbi shpatullat e qytetarëve shqiptarë.

Sa ndikon ajo që po ndodh brenda Bashkimit Evropian te Shqipëria?

Unë do jem shumë objektive dhe teknike duke lënë mënjanë politikën, sepse kjo është një çështje që e kam shumë për zemër, kam punuar për 4 vite, nuk më lejohet të bëjë gabime sado të jem opozitare dhe dua të jem shumë e vërtetë me qytetarët. Vendimi që është marrë për Maqedoninë dhe Shqipërinë në fakt ka të bëjë me gjeopolitikën, që do të thotë se Maqedonia nuk mund të shkonte e vetme në vendimin e negociatave. Po të lexojmë ne të gjitha diskutimet që kanë bërë vendet anëtarë për Maqedoninë, kanë qenë shumë herë më pozitive për të, sesa për Shqipërinë sepse ata e dinë se çfarë mund të ndodhë në një rast të kundërt. Por duke qenë se nuk mund të lihej Shqipëria në një bllok me  Kosovën dhe Bosnjën, ku do ishte shumë e rëndë dhe unë e them edhe sot se me këtë lloj vendimi, ne sërish rrezikojmë një lloj destabilizimi sepse stabiliteti për Shqipërinë nuk është në fakt të mbash status-quo apo të kemi këtu një qeveri prej vitesh. Stabiliteti në këtë vend është tek shteti i së drejtës dhe gjërat që na kanë munguar gjithmonë, institucionet, sistemi demokratik, liria e fjalës dhe medias e kështu me radhë. Pra, janë çështje më thelbësore të brendshme. Vendimi do shkonte paketë dhe duke qenë se në asnjë moment vendet anëtare nuk kanë aprovuar negociatat për Shqipërinë, Maqedonia patjetër që do tërhiqej dhe mbetej në të njëjtën bllok me Shqipërinë dhe do lihej që vendimi të merrej në një moment të dytë. Ky moment tashmë është shumë i vështirë sepse edhe vetë BE do ketë zgjedhje të brendshme. Pra, institucionet e BE do kalojnë drejt zgjedhjeve pikërisht në maj të 2019-ës. Do përkojë me mbledhjen e Këshillit Evropian dhe me një mungesë të kapaciteteve apo përfaqësuesve të Komisionit Evropian, ku rrezikohet dhe raportimi për Shqipërinë gjatë asaj kohe sepse ne nuk e dimë nëse do jenë të vendosur komisionari apo njerëzit që do merren me Shqipërinë. Pra, janë një sërë çështjesh të tjera të cilat janë për tu diskutuar dhe që realisht e përkeqësojnë vendimin për Shqipërinë dhe Maqedoninë vitin që vjen. Megjithatë, unë dua të jem e saktë. Nuk është se Shqipëria ka shkëlqyer në këtë proces dhe vendet anëtare iu referuan problemeve të brendshmes. Nuk ka shkëlqyer asnjëherë, por gjithnjë iu është njohur puna Shqipërisë. Të jeni të bindur për këtë sepse i është njohur për liberalizmin e vizave, për statusin e vendit kandidat dhe në dhjetor të vitit 2016, kur Shqipëria ka pasur vetëm një kusht të vetëm, që ka qenë pikërisht ecuria me procesin e vetingut. Fakti që sot në tryezën e vendeve anëtare janë kthyer çështjet e krimit të organizuar, të trafikut të drogës, të trafikut të qenieve njerëzore, azilkërkuesit, zgjedhjet, sistemi i drejtësisë, të drejtat e njeriut, minoritetet, e me radhë, unë mund të numëroj pafund kushte të cilat renditen në atë raport që është miratuar dje nga Këshilli. Dhe unë e kam thënë dhe në këtë studio kur është publikuar raporti i KE, ai raport ka qenë me kushte. Po të shikoni kanë qenë fare objektive kushtet e tyre dhe vendet anëtare kanë gjetur gjithsecili problematikat e veta në atë raport që është publikuar nga Komisioni Evropian dhe ky është realiteti i procesit, sado të mundohet qeveria me propagandën e saj ta zbukurojë këtë situatë. Sot qytetarët shqiptarë kanë bërë hapa pas në procesin e integrimit dhe është me të vërtetë e rrezikshme ajo që mund të ndodhë me stabilitetin e vendit.

Pra, përbën një dështim për qeverinë?

Është një dështim për qeverinë, por para se të flasim për qeverinë, është një trishtim i madh për këta qytetarë, që kanë që nga viti 1991 që e kërkojnë Shqipërinë që të arrijë standardet evropiane, të arrijnë një zhvillim, ndoshta jo 100% siç e ka Evropa, sepse ne do duhet të ndryshojmë mentalitete të tëra për të arritur atë lloj standardi. Por të paktën minimumin e këtyre standardeve ne duhet t’i kishim sot.

Mbetemi ndopak jetimë në këtë moment?

Ka një hapësirë të lënë bosh për sa i përket vëmendjes që duhet të marrë i gjithë rajoni, por janë dy çështje që diskutohen. E para, patjetër të diskutosh në një politikë rajonale dhe më gjerë për faktorin shqiptar. Dhe e dyta, të diskutosh çështjen në termat e BE ku vendin e parë e zë procesi në bazë të meritës. Dhe kjo sa vjen dhe bëhet një zë akoma dhe më i fortë brenda të gjithë vendeve anëtare duke qenë se ato hasen në vështirësi shumë të mëdha dhe me opinionin e tyre publik apo me elektoratin e tyre. Sepse në fund të fundit dhe ato shkojnë drejt zgjedhjeve secili nga vendet dhe patjetër do të shkojnë me një politikë të vetën, apo me një prioritet të vendit. Dhe nuk është e thjeshtë. Nëse do të flitet që Shqipëria ka plotësuar kushtet patjetër dikush mund të kishte rrezikuar të thoshte që Shqipëria meriton çeljen e negociatave dhe vazhdimësinë me kapituj. Por askush nuk mund ta rrezikojë në këto momente. A e dini ju që në Holandë grupet kriminale janë shqiptare, flas janë në një numër jashtëzakonisht të lartë dhe është kërkuar prej kohësh bashkëpunimi me institucione shqiptare pikërisht për goditjen e këtyre grupeve kriminale. A e dini ju që Franca ka që nga viti 2013 me raportet e saj të njëpasnjëshme duke kërkuar kthimin e azilkërkuesve shqiptarë? Pra, secili nga këto vende ka disa çështje të mbartura me Shqipërinë që Shqipëria nuk po i jep zgjidhje. Dhe fakti që sot ne kemi një qeveri të vetme e cila ka uzurpuar të gjitha pushtetet, e kthen qeverinë jo kredibël. E bën atë të pabesueshme për institucionet e vetë BE. Pra, të kesh sot një autokraci të plotë dhe të marrësh sot vendime në arbitraritet, realisht kjo është për BE e pakonceptueshme. Jo më të rrezikosh Shqipërinë kthimin e një diktature apo të një sistemi të vjetër të cilët shqiptarët e kanë përjetuar njëherë. Ndaj dhe ne duhet të jemi realisht shumë të kujdesshëm. Unë sot në një status timin kam bërë thirrje dhe institucioneve shqiptare sepse të them të vërtetën nuk ndihem aspak mirë kur shoh euforinë e Ministrit të Jashtëm apo dhe të Kryeministrit. Kjo për mua do të thotë që nuk do të përkthehet në një punë të mëtejshme. ‘Sepse ne çelëm negociatat apo jo’ – sipas tyre? pra, kur ne themi çelëm negociatat, atëherë qeveria duhet të flejë gjumë në muajt që vijnë? Ndërkohë që institucionet duhet të jenë alert dhe në mënyrë urgjente duhet të fillojnë plotësimin e atyre kushteve shtesë të vendosura për Shqipërinë. Do duhet që Ministria e Jashtme të fillojë koordinimin urgjent të kësaj pune, bashkë me ministrat e tjerë dhe me administratën publike, e cila, siç e patë edhe në dokumentet që janë miratuar, kemi sërish hapa pas, sepse mbi 30 për qind e emërimeve të administratës publike sot janë të paligjshme. Dhe besoj që kjo është e rëndë dhe ja goditur dhe prioritetin numër 1 të Bashkimit Evropian. Unë mund të flas pa fund për të gjitha problematikat që ka ai raport, por e rëndësishmja për mua është që qytetarët sot duhet të dinë të vërtetën. Të gjithë bashkë, dhe besoj se këtu flas edhe në emër të opozitës, ne duhet të punojmë për të ndryshuar këtë realitet.

A rrezikojmë ne që kjo të ketë efekte afatmesme krejt të ndryshme nga ato që do dëshironim, pra që shqiptarët të perceptojnë idenë se duhet të mendojnë aleatë të tjerë strategjikë?

Unë nuk mendoj që qytetarët shqiptarë duan të shohin aleatë të tjerë strategjikë. Ata kanë një perspektivë të qartë që është Bashkimi Evropian. Por, për të arritur në këtë perspektivë, do duhet të plotësohen shumë standarde dhe kushte që ne na janë vendosur. Ndaj, unë nuk e shoh një perspektivë ndryshe për qytetarët. Qeveria është shprehur disa herë se mund të ketë aleatë të tjerë, por unë nuk besoj se kjo përkon me të njëjtën ide apo parim që kanë qytetarët shqiptarë.

Çfarë do të bëjë opozita në seancën e së enjtes?

Ne do të jemi në Parlament, ku patjetër që do të diskutohet sërish mbi çështjen e negociatave, problematikën të cilën ne sot e mbartim dhe më pas do të shohim dhe do të diskutojmë edhe për vendimet e tjera që do duhet të marrë vetë opozita.

Të enjten është edhe Samiti i Këshillit Evropian. A mund të ketë një ndryshim qëndrimi?

Nuk e di se ç’mund të ndodhë më keq se sa ka ndodhur deri në këto momente. Unë besoj se edhe në këtë takim të radhës do të ketë një diskutim mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë. Pra e gjithë paketa e zgjerimit do të ketë një diskutim, sepse ajo do duhet të miratohet edhe nga krerët e shteteve. Nuk e di sa më keq se kaq mund të shkojë. Uroj që jo, sepse mund të thuhet edhe që: “Nuk do të ketë fare mbledhje të Këshillit as në qershor të 2019-s për të diskutuar sërish paketën e zgjerimit”. Dhe kjo do të ishte sërish fatale për Shqipërinë, Maqedoninë dhe për gjithë vendet që aspirojnë të jenë pjesë e BE-së. Kjo do të shihet se si do shkojë diskutimi mes krerëve të vendeve anëtare.

Si e shikoni ju këtë Samit? Në çfarë pike është Bashkimi Evropian aktualisht, sepse duket sikur ka kaluar ai momenti i krizës ekonomike, por kriza politike po vazhdon…?

Ky ka qenë problemi më i madh që ka pasur Bashkimi Evropian, uniteti dhe projektet e përbashkëta, ku të gjithë flasin në të njëjtin zë. Besoj që kjo ka qenë një nga arsyet edhe të BRE-XIT përtej çështjeve që kanë goditur vetë BE-në, siç është çështja e refugjatëve, terrorizmi e kështu më radhë. Mendoj që diskutimi i së enjtes do të fokusohet edhe tek reformimi i vetë BE-së dhe nevoja urgjente që ajo ka për një reformim dhe për të mbajtur edhe 27 vendet tashmë. Sepse jam e bindur që Britania e Madhe do ta çojë deri në fund daljen nga Bashkimi Evropian. Do të diskutohet shumë edhe për çështjen e refugjatëve dhe do të ishte shumë mirë që vetë Bashkimi Evropian të kishte një projekt të përbashkët, pra një dakordësi edhe për mënyrën se si do të veprohet për sa i përket refugjatëve. Çështja e euros ka qenë një nga diskutimet që kanë ndodhur edhe disa ditë më parë mes Kancelares Merkel dhe Presidentit Macron. Nëse nuk do të ketë unitet, do të jetë për të ardhur keq, sepse të mos harrojmë që sot jemi shumë vende që janë skeptike edhe për vetë mënyrën se si funksionon Bashkimi Evropian. Ndaj edhe unë jam shumë dakord kur diskutohet për një reformim të brendshëm dhe besoj që kjo është emergjente që të ndodhë, në mënyrë që Bashkimi Evropian t’i rikthehet atyre vlerave të vërteta për të cilën është krijuar.

Burimi: (integrimi.al/T.I)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al