Klajda Gjosha: Nëse procesi përdoret si triumf personal, integrimi është rrugëtim i humbur për Shqipërinë

Intervista e Deputetes të LSI, Klajda Gjosha për ABC News.

Është prezantuar ditën e sotme Strategjia e Zgjerimit në vendet BE për vendet e Ballkanit Perëndimor. Si ju duket?

Jashtëzakonisht shumë e rëndësishme. Është një strategji e re edhe për vetë BE sepse ka një qasje dhe kërkesa riformatimi brenda për brenda BE. Për të forcuar demokracinë dhe unionin por dhe për ta bërë më solide.

Lajm i mirë kjo strategji për ne?

Është e mirë në terma bashkëpunimi ekonomik por edhe monitorimi për procesin e antarësimit të Shqipërisë në BE. Nuk besoj se është lajm i mirë përsa i përket trenit të humbur për 2025.

Antarësimi është në bllok pra të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të japin rezultate të njëpasnjëshme?

Nuk mendoj se do të ketë antarsime në bllok. Është antarësim bazuar mbi meritë. Secili vend ka rrugëtimin e vet drejt procesit të integrimit, ka kushtet e veta të cilat ndryshojnë sepse Serbia ka dialogun me Kosovën, Shqipëria ka shtetin e së drejtës dhe shumë prioritete të tjera.Këtu gjithçka është e diskutueshme. Edhe 2025 patjetër që është e diskutueshme, megjithatë është një datë e cila i jep një motivim të jashtëzakonshëm Serbisë dhe Malit të Zi.

2025 si ju duket si datë?

2025 është një datë shumë ambicioze por nuk është e paarritshme sepse po të shohim Mali i Zi ka çelur mbi 30 kapituj pavarësisht se jo të gjitha janë mbyllur, megjithatë është në një rrugë të jashtëzakonshme të mbylljes së tyre. Serbia gjithashtu do të varet nga dialogu dhe nga njohja e Kosovës por padyshim këto do të jenë çështje që do të shkojnë deri në fund të negociatave me Serbinë sepse nuk janë dhe aq të thjeshta

Do të doja të saktësoja 6 konkluzionet e kësaj strategjie dhe të flisnim se ku jemi realisht bazuar dhe në 5 prioritetet?

Janë inisiativa të përbashkëta si për vendet e Ballkanit Perëndimor ashtu edhe për BE që siç e thashë në fillim ka një nevojë të jashtëzakonshme për tu reformatuar dhe për të kuptuar që nëse do të zgjerohet duhet të bëhet gati për ti mirëpritur këto vende dhe për të bashkëpunuar me to. Ato nisin bashkëpunimin që në këtë moment. E nisin mbi monitorimin në shtetin e të drejtës, në të drejtat  themelore të njeriut që janë dy çështje bazë në ndërtimin e një demokracie apo bazuar në vlerat europiane. Nëse do të analizojmë Shqipërinë unë mendoj që jo vetëm ka shumë ende për tu bërë por ne duhet të kemi shumë seriozitet kur flasim  për këtë çështje si nga ana e qeverisë ashtu edhe nga ana e gjithë spektrit shoqëror në Shqipëri. E para kemi një Reformë në Drejtësi që është miratuar në letër, po kërkon një zbatim. Këtu unë do të vij dhe te rekomandimi pozitiv që përmendi Erisa. Çfarë thotë Strategjia. Thotë që Komisioni Europian është i gatshëm të rekomandojë pozitivisht për çeljen e negociatave të Shqipërisë bazuar mbi plotësimin e kushteve. Pra ata ende nuk e kanë të qartë nëse Shqipëria i ka plotësuar kushtet e vendosura që në rekomandimin e 2016.

Znj. Vlahutin thotë që vendi ka bërë përpara përmes miratimit dhe nisjes së Reformës në Drejtësi si pjesë e dy kapitujve të rëndësishëm të cilët hapen të parët me çeljen e negociatave.

Por strategjia nuk e konfirmon këtë, ne duhet të presim raportin jo vetëm për Shqipërinë por për të gjitha vendet aspirante i cili do të publikohet në Prill për të parë nës rekomandimi do të jetë me kushte apo jo. Pra ky do të jetë hapi i parë për të kuptuar nëse Shqipëria do të çel negociatat. Dhe e dyta drita jeshile nëse do të jepet nga vendet anëtare, që është mbledhja e Këshillit në qershor. Ku Erisa e tha me shumë të drejtë që disa prej tyre janë shumë skeptike për vetë faktin se  ne e dimë shumë mirë që shteti i së drejtës në Shqipëri ka mangësi të jashtëzakonshme, që pushtetet këtu janë shpeshherë në dorë të një personi dhe realisht nuk janë në dorë të atyre institucioneve që duhet të jenë të pavarura dhe të konsoliduara. Të drejtat e njeriut kanë probleme të mëdha , e drejta e pronës ka probleme që shikohet tashmë me lupë nga BE. Disa rekomandime të bëra për zgjedhjet që sapo kanë përfunduar pas 25 qershorit që ende pritet të kemi një reformë zgjedhore.

Inisiativë për të riforcuar angazhimin për sigurinë në vend dhe migracionin është konkluzioni i dytë…

Të gjitha këto janë të përfshira, siguria ka të bëjë dhe me shkëmbimin e informacionit për grupet kriminale, trafikimet etj. Me bashkëpunimin me kufijve, policive të Shqipërisë dhe pikave kufitare  të gjithë vendeve anëtare e me rradhë. Deri më sot ne kemi qenë dëgjues të këtyre çështjeve pra në të gjitha takimet e kryera brenda vendeve anëtare të BE. Sot Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor do të jenë bashkëpunuese dhe do të kenë ekipe të përbashkëta për të sfiduar këto çështje.

Është edhe një plan për investime për vendet e Ballkanit Perëndimor, mbështetje për zhvillimin social-ekonomik…

Është një shifër rreth 1 milion euro, për vendet e reja të punës, sidomos për vendet e marxhinalizuara dhe do të shikohet për start-up për bizneset e reja që ngrihen të cilat do të duhet të ndihmohen me një kredi të butë apo të gjitha inisiativat që do të shikojmë më pas në një plan aksion tejet të detajuar që do ti prezantohet besoj Shqipërië dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Më pas kalojmë në pikën tjetër të inisiativave që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik me dy sektor kryesor, transporti dhe energji. Ku edhe këtu Shqipëria apo edhe vetë BE do të duhet të rijetësojë ceftën pra të gjitha ato organizata botërore tregtie e kështu me rradhë. Kjo është një pikë e rëndësishme sepse patjetër Shqipëria ka nevojë të plotësojë edhe kriterin ekonomik.

Janë dhe dy pikat e fundit, inisiativa për një axhendë dixhitale për vendet e Ballkanin Perëndimor dhe inisiativa mbështetëse për pajtimin dhe për marrëdhënien e mirë mes fqinjëve kjo është tipikisht për Serbinë Malin e Zi por edhe për ne…

Edhe për ne, pavarësisht se janë çështje të vogla por ato duhen zgjidhur para se Shqipëria të antarësohet.

Keni një koment për atë që z. Rama thotë në Facebook, çfarë duhet të bëjë qeveria shqiptare?

Unë kam një apel për qeverinë. Kam qenë vetë pjesë e kabinetit qeveritar 4 vite, kam drejtuar atë ministri e di sesa proces i vështir është dhe sesa shumë kapacitete njerëzore ajo kërkon. Por mbi të gjitha kërkon seriozitet, sinqeritet, komunikim mes palëve dhe mes qytetarëve. Ka nevojë për ti treguar gjithë palës tjetër duke vazhduar me opozitën dhe me qytetarët  për ti thënë atyre që ky është një proces i përbashkët dhe nuk duhet përdorur kurrësesi si një triumf. Po ta shohim në të gjitha fjalët që vijnë nga qeveria,e shohin rekomandimin pozitiv si një triumf. Ky nuk është triumfi i qeverisë por është një përpjekje e përbashkët për të arritur procesin e integrimit dhe për tu antarësuar në BE. Duhet një sensibilizim dhe ndërgjegjësim kombëtar për këtë. Nëse trajtohet si triumf është një rrugëtim i humbur për Shqipërinë. Është për të ardhur keq sepse Shqipëria duhet të ishte në të njëjtën vijë procesi siç është Mali i Zi  dhe Serbia. E ka humbur trenin e 2025, unë e ritheksoj këtë sepse kam kërkuar dhe kam 4-5 muaj që e kërkoj që Shqipëria duhet të jetë në atë grup vendesh ku do ti jepet mundësia dhe shansi për 2025, nuk ka rëndësi e arrin apo jo. Por motivimi për gjithë klasën politike dhe qytetarët shqiptar do të ishte shumë i madh. Sot ne këtë nuk e kemi dhe kemi një pikëpyetje shumë të madhe nëse për 4 muaj do të çelen negociatat  apo jo. Dimë që kemi rekomandimin pozitiv, patjetër që do të ishte kështu sepse Komisioni Europian do të rikonfirmoj edhe njëherë rekomandimin e dhënë që në dhjetor të 2016. Nuk mund të humbi Komisioni Europian kredibilitetin me vendet anëtare. Ajo çka presim është do të jetë me kusht apo pa kushte. Dhe nëse do jetë pa kushte vendet anëtare a janë të gatshme  të çelin negociatat me Shqipërinë? A ka Shqipëria imazhin e duhur sot në botë.Kërkon shumë punë por mbi të gjitha kërkon sinqeritet në komunikim dhe kjo sot nga mungon.

Burimi:(integrimi.al/E.P)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al