Klajda Gjosha: Policia që duam u kthye në Policinë që nuk do t’ia uronim askujt!

Fjala në Kuvend e Deputetes së LSI-së, Klajda Gjosha

 

I nderuar Kryetar i Kuvendit,

Të nderuarë Kolegë Deputetë!

Diskutojmë sot një nga çështjet më të debatuara që ka të bëjë me figurën, integritetin dhe profesionalizmin e Policisë së Shtetit. Në një vend demokratik, me standarte, ku respektohen institucionet, meritokracia, e ku drejtuesit dhe kupola e shtetit janë serioz dhe të dedikuar, nuk mund të lejohet kurrë denigrimi i figurës së policit dhe asaj trupe shtetërore që duhet të ofroj gjithmonë respekt, rend dhe mbi të gjitha siguri.

Duket qartë pas këtij projektligji që po kalojmë sot, se reforma në Policinë e Shtetit gjatë katër viteve të shkuara ose ka qenë një lojë për t’i hedhur hi syve qytetarëve shqiptarë dhe ndërkombëtarëve, ose ajo ka qenë kaq e pamenduar dhe e drejtuar pa asnjë lloj vizioni sa e ka çuar atë sot fatkeqësisht në një dështim total.

Nuk dua sot të fajësoj Policinë e Shtetit për situatën e krijuar sot në vend, për sa kohë ata që kanë drejtuar politikisht atë e kanë çuar në drejtimin e gabuar. Ndoshta reforma që i ngjasonte një pasarelë të bukur, ku Policia e Shtetit përzgjidhej në bazë të kriterit të moshës, gjatësisë, bukurisë dhe peshës, la pas dore kriteret kryesore të përzgjedhjes së njerëzve seriozë, me eksperiencë dhe që do të krijonin sado pak besim te çdo qytetar shqiptar.

Reforma e shkuar kanalizoi një nga institucionet më të rëndësishme në vend brenda një skeme kriminale, ku drejtuesit kryesor të qarqeve në rradhët e policisë kanë drejtuar prej katër vitesh trafikun e drogës, të armëve dhe fatkeqësisht edhe atë të qënieve njerëzore. Mjafton të shikojmë sot shkarkimet në masë të policisë, të cilat kryheshin sikur nuk kishte asgjë të keqe që këta njerëz shkarkoheshin për abuzim detyre dhe si bashkëpunuesit kryesor të krijimit të hapësirave për kultivimin dhe trafikimin e kanabisit, të lidhur ngushtë me një numër të madh grupesh kriminale në vend. Për të mos përmendur më tej një fakt tronditës ku mbi gjysma e kupolës së Policisë së Shtetit sot është në arrati, pasi janë nën akuzë për bashkëpunim me krimin e organizuar  dhe mbartin mbi supe dhe një krim kombëtar kur mendon se si Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë të pasigurtë dhe në duart e disa njerëzve pa asnjë lloj përgjegjshmërie.

Fakti që për herë të parë edhe Strategjia e Zgjerimit të Komisionit Europian jep një pasqyrë të dhimbshme të realitetit ballkanas, por sidomos realitetit shqiptar për lidhjen e politikës me krimin. Dhe për të qenë sa më e saktë, më lejoni të citoj vetëm një nga fjalitë kyçe të strategjisë kur thotë “Sot, vendet shfaqin elementë të qartë të kapjes së shtetit, përfshirë lidhjet me krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisë dhe administratës, si dhe një ngatërrim të fortë të interesave publike dhe private. E gjithë kjo ushqen një ndjenjë pandëshkueshmërie dhe pabarazie”.

Është e rëndë të konstatosh një fjali të tij në një vend ku edhe pas 27 vitesh demokraci nuk gjejmë dot ende asnjë tipar demokratik, përkundrazi ku dëshira për t’u rikthyer në diktaturë sot është synimi kryesor i një shteti që po mundohet çdo ditë e më shumë të marrë në dorë të gjitha pushtetet, të gjitha funksionet e fatkeqësisht edhe të drejtojë me dorën e vet krimin e organizuar në këtë vend.

Ajo çka u trumbetua si Policia që Duam u kthye me sekonda si Policia që nuk do i’a uronim askujt. Ajo çka nuk u kuptua asnjëherë nga filozofia e drejtuseve të këtij institucioni është fakti se teatri i shëmtuar nuk mund të zgjaste asnjëherë pafundësisht, aq më tepër kur shkelen të gjitha limitetet duke vënë në rrezik edhe vetë sigurinë e disa vendeve anëtare dhe fqinje si Italia, Greqia etj. Shtimi i kontrolleve dhe gjobave dukeshin interesante në fillim për qytetarët, por shumë shpejt ata kuptuan se nuk donin një shtet fasadë gjobitës ndaj njerëzve të ndershëm, nuk donin thjesht një shtet që predikonte ligjin, por kishin nevojë për një shtet të drejtë që t’i garantonte atyre një jetë të qetë dhe të sigurtë.

Po sot çfarë po ndodh? Po kalojmë nga një reformë pasarele, në reformën më trendy të kohëve të fundit…ate të procesit të Vettingut. Jam e bindur që qytetarëve i pëlqen ta dëgjojnë këtë fjalë pas gjithë diskutimeve të Vettingut si pjesë e e Reformës në D|rejtësi, ku jo pak herë ky term është përdorur edhe për shantazh, edhe për të frikësuar njerëz të ndryshëm që jo domosdoshmërisht ishin pjesë e sistemit të drejtësisë. Padyshim që rivlerësimi i Policisë së Shtetit është i domosdoshëm në kushtet ku ne ndodhemi, po a është kjo Reforma e vërtet që do ta na japë ne Policinë që Duam?

Vettingu është fjalë me peshë nëse do të kryhej nga njerëz të paanshëm, të besueshëm. Pashë me vëmendje relacionin shpjegues të këtij projekligji, i cili thotë qartësisht se Kryetari i Bordit Përzgjedhës së këtij procesi do të jetë Shefi i Kabinetit të Ministrit të Brendshëm dhe pjesa tjetër e Bordit rendit disa drejtorë në varësi të drejtëpërdrejtë të qeverisë dhe Kryeministrit. Që në këtë pikë procesi humb kredibilitetin që duhet të ketë për ta bërë atë të suksesshme. Ky Bord shkon për shtat nëse ne do të donim një përzgjedhje me bazë politike, por nëse do të duam një polici të aftë që plotëson të gjitha kriteret atëherë konstatoj me keqardhje se ne sërisht nuk do të mund ta kemi atë.

Që një reformë të ketë sukses nuk do të thotë që domosdoshmërisht çdo institucion ka nevojë për Vetting ku në të shumtën e rasteve shoqërohet me shantazh dhe intimidim. Institucionet tona në rradhë të parë kanë nevojë për lidera me vizion, për njerëz të aftë që dinë të drejtojnë struktura të rëndësishme shtetërore. Kanë nevojë për modele suksesi dhe vendosmëri në luftën kundër korrupsionit dhe krimit si dy nga kriteret kyçe të shtetndërtimit dhe moscënimit të vlerave demokratike. Administrata jonë ka nevojë për ndarje të qarta detyrash dhe pozicionesh. Ka nevojë për meritokraci dhe vlerësim për t’i dhënë njerëzve të kuptojnë që edhe me punë të ndershme dhe me përkushtim mund të ngrihesh në detyrë dhe të ruash vazhdimësinë e vendit të punës, pavarësisht se sa qeveri ndërrohen njëra pas tjetrës. Refoma e vërtetë nis me ndryshimin e mentalitetit të liderit dhe jo me përdorimin e Vettingut si të vetmin mjet që po i servirim shqiptarëve, thua se do t’i shpëtojë nga e keqja.

Çdo individ që ka marrë detyrën e policit duhet të ndjej përgjegjësinë e shpëtimit të jetëve, pse jo duke vënë në rrezik edhe jetën e tij apo të saj. Duhet të ngjall respekt te të gjitha moshat, por edhe duhet të na bëj të ndjehemi të sigurtë në çdo moment. Ky mentalitet nuk ndryshon me Vetting, por me një edukim të mirë dhe cilësor. Duhet më shumë vëmendje për Akademinë e Policisë, për pedagogët, për frymën pozitive dhe disiplinën që duhet të përcjellin. Për kulturën e moskompromisit me të keqen, me krimin dhe gjithçka që prek cilësinë e jetës së qytetarëve. Kulturën e ndërveprimit dhe punës në grup që ende është me mangësira të theksuara në këtë institucion.

Institucionet ligjzbatuese në vend kanë humbur edhe besimin e palës ndërkombëtare, ndaj sot duhet një punë e shumëfishtë për t’i bindur ata se institucionet tona janë serioze në marrëveshjet mes tyre. Mos harrojmë që këto marrëveshje kanë edhe implikime financiare për taksapaguesit europian dhe  ndërkombetar, ndaj është e rënde për ta të bashkëpunojnë me institucione që nuk garantojnë minimumin e besueshmërisë dhe përgjegjësisë. Dhe kjo sot duhet të kthehet në një nga sfidat kryesore të Institucionit të Policisë së Shtetit.

T’ju them të vërtetën nuk besoj dot në reforma të tilla për sa kohë nuk po respektojmë fushat e përgjegjësisë të institucioneve të pavarura, duke dobësuar rolin e një prej institucioneve kyç në këëe proces siç është Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë apo edhe të vetë sistemit të Drejtësisë, i cili duhet të gjykojë rast pas rasti dhe jo në grup sepse mbi të gjitha ne duhet të fillojmë të respektojmë të drejtat themelore të njeriut, privatësinë por edhe faktin që kush janë këta persona të përzgjedhur që do të gjykojnë integritetin dhe moralin e Policisë së Shtetit, por edhe të kujtdo punonjësi në administratë!

Ozurpimi i pushteteve shkon në rrugë të kundërt me aspiratën e shqiptarëve për një Shqipëri Europiane. Qeveria nuk ka dëshirën dhe as vullnetin për ta kuptuar këtë. Arroganca e kartonave dhe deliri i pushtetit që për momentin i duket sikur do jetë i përjetshëm, ka dalë jashtë kontrollit edhe të këtij parlamenti që është krijuar si një institucion i cili duhet të ruaj balancat, por edhe të kontrollojë dhe monitorojë qeverinë. E nëse ne, me këtë detyrë nuk po e ndalim dot, imagjinoni si ndihen qytetarët e thjeshtë që nuk kanë asnjë mundësi t’i dëgjohet zëri!

Sot grupi Parlamentar i LSI-së ka propozuar disa amendamente duke besuar që ky projektligj patjetër mund të kaloj me konsensus të plotë nëse ai futet në shinat e duhura për ta bërë atë sa më funksional dhe të suksesshëm. Uroj të mos ndeshemi me shpërfilljen e rradhës ndaj alternativës opozitare.

Uroj gjithashtu që shqiptarët të mos e gjejnë veten e tyre në fund të këtij 4 vjeçari duke dëgjuar qeverinë se si sërish kemi nevojë për të reformuar Policinë e Shtetit pasi vitet ikin shpejt dhe ky vend vazhdon të mbetet mbrapa në fushën e sigurisë dhe zbatimit të ligjit. Dhe gjithashtu uroj që kjo polici të fillojë të tregohet vigjilente tanimë jo vetëm ndaj kanabisit, por ndaj drogërave të rënda që po kthehen me shpejtësi në një rrezik jo vetëm kombëtar, por edhe ndërkombëtar. Sepse kjo nuk mund të jetë Shqipëria e gjeneratës tjetër, duke vrarë shpresat e të gjithë atyre që duan të jetojnë dhe punojnë me ndershmëri në këtë vend, por edhe e atyre që duan të ndjehen krenar për vendin e tyre.

Ju Faleminderit.

Burimi: (integrimi.al/T.I)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al