Klajda Gjosha: Së bashku do t’ia kthejmë Shqipërinë fëmijëve tanë, sepse e ardhmja iu përket vetëm atyre

Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, znj. Klajda Gjosha ka mbajtur sot fjalën e saj në takimin më femrat e Lëvizjes Socialiste për Integrim duke thënë se të gjitha femrat kanë një mision madhor tashmë, atë të të bërit një opozitë të fortë. Znj. Gjosha gjithashtu thekoi se të gjitha femrat sot po përballen me një qeveri, që nuk po bën asnjë investim te familja shqiptare dhe u bëri atyre thirrje të bashkohen e të luftojnë që ti kthejnë Shqipërinë rinisë.

Më poshtë këni fjalën e plotë të znj. Gjosha:

Të dashura nëna që jeni në këtë sallë, të dashura gra dhe vajza nga e gjithë Shqipëria, është një kënaqësi e jashtëzakonshme për mua të qëndroj këtu sot përpara jush në këtë konventë të Lëvizjes së Gruas për Integrim, që këtë madhështi e merr pikërisht nga ju! Ju falënderoj me zemër që keni udhëtuar nga e gjithë Shqipëria për t’u bërë së bashku të gjitha njëzëri në këtë moment të vështirë që po kalon vendi. Unë kam pasur privilegjin e madh që kam shërbyer si kryetare e Lëvizjes së Gruas në LSI për më shumë se 5 vite tashmë me një shpërblim shumë të madh, atë të njohjes me gjithsecilën prej jush. Dhe sot e them me bindje se, pavarësisht vështirësive, të gjitha bashkë ju jeni pjesë e qenësishme e jetës time, por mbi të gjitha jeni historia e suksesit të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Shumëkush mund të flas me teori për barazinë gjinore, për promovimin e grave në politikë, por për herë të parë në politikën shqiptare LSI ka sjell një risi. Ne kemi zgjedhur në krye të partisë një nënë, një grua të jashtëzakonshme si Monika Kryemadhi. E cila së bashku me të gjitha ne, ka një mision madhor… atë të opozitës shqiptare. Është e thjeshtë të drejtosh dhe të mbështetesh nga njerëzit kur ke pushtet, por të jesh në opozitë, të jetosh në një ambient politik maskilist, ku të duhet të ndeshesh me fenomene të krimit dhe drogës dhe të jesh grua, kërkon shumë forcë, personalitet të fortë, por edhe solidaritet mes grash dhe vajzash. Dhe ne jemi këtu për t’i thënë sot kryetares se në këtë mision ti nuk je e vetme, por me ty janë qindra dhe mijëra gra të jashtëzakonshme të LSI që do ia dalin të bëjnë histori në këtë vend.

Bashkë me mikeshat e tjera në LSI, Monikën, Irisin, Elonën, Norën, Erisën, Brunën, Silvën, Adelën e shumë të tjera, kemi udhëtuar shumë në gjithë Shqipërinë dhe te gjithsecila nga ju kemi gjetur vlerat dhe shpirtin e familjeve shqiptare që me shumë sakrifica ia dedikojnë çdo moment të jetës së tyre fëmijëve, çdo anëtari të familjes së tyre. Te ju është rrënjosur fort ideologjia dhe ekzistenca e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ku në zemër të saj qëndron familja mbi çdo gjë tjetër. Sot përveç tronditjes që ka pësuar shoqëria jonë, përveç krizës politike dhe financiare, tronditjen më të madhe po e pëson familja shqiptare. Dhe ne jemi sot këtu pikërisht për këtë. Nuk besoj se ka ndonjë nënë të majtë apo të djathtë që do të pajtohej me kriminalizimin e shoqërisë dhe familjes, nuk besoj se ka ndonjë nënë që të ardhmen e fëmijëve do të donte ta ngrinte mbi krimin dhe drogën.

Sot po përballemi me një qeveri, që nuk po bën asnjë investim te familja shqiptare. Flasim për arsim, por fatkeqësisht vetëm arsim nuk ka. Flasim për shëndetësi, por sot shëndetësia është sektori më i varfër, më i shituri nëpërmjet koncesioneve, që nuk sigurojnë as minimumin e besimit të një nënë, të një gruaje, të një vajze, që i duhet të trokas në dyert e spitaleve tona. Flasim për rritje ekonomike në një moment kur familjen shqiptare e kemi mbytur në taksa. Flasim për një Shqipëri evropiane, kur rinia jonë, e ardhmja jonë, po largohet me shpejtësi nga vendi, sepse vizioni i tyre për Shqipërinë evropiane është ndryshe nga ai i realitetit të hidhur, me të cilën përballemi ne të gjithë sot. Ju shoh juve sot të gjithave këtu dhe më vjen shumë keq që politika ka harruar të flas për ju, qeveria ka harruar të punoj për ju. Ka harruar që çdo familje në fund të muajit nuk arrin të paguaj dot faturat dhe detyrimet mujore, kreditë, listat te marketi i lagjes për të ushqyer fëmijët dhe realiteti çdo ditë bëhet më i trishtë. Askush nuk mendon për sakrificën e një gruaje për familjen, për punën e papaguar të çdo nëne që rrit dhe edukon fëmijën me aq përkushtim, që bën punët e shtëpisë, që shtron tryezën, që kujdeset për gjyshen dhe gjyshin dhe që gjen sadopak kohë të merret edhe me politikë me forcën e madhe për të ndryshuar shoqërinë. Kjo ditë sot përkon edhe me muajin e luftës kundër dhunës në familje. Po dhunë nuk do të thotë vetëm të të rrahin apo të të rrezikojnë jetën, sepse nuk ka dhunë më të madhe se sa të vrasësh çdo ditë shpresën e familjes shqiptare.

Kur u bëra pjesë e politikës, isha thjesht një vajzë e re, sot jam nënë e një djali të vogël, ndoshta si shumë prej jush unë ëndërroj që ai të edukohet mirë, që të mos i mungoj asgjë dhe të jetë i barabartë me fëmijët e tjerë në kopsht, në shkollë dhe kudo. Po e dini cila është frika ime më e madhe? Që një ditë ai do të më shoh në sy dhe do të më thotë: Kam vendosur të studioj dhe të jetoj jashtë Shqipërie. Çdo ditë e mendoj këtë fjali sepse është një fjali që ia kam thënë dikur edhe unë prindërve të mi. Dhe do më vij shumë keq që edhe pse jam pjesë e politikës të mos arrij dot të ndryshoj sado pak këtë vend që e ka bekuar zoti por që politika me arrogancë po e shkatërron çdo ditë. Unë dhe të gjitha ju gratë dhe vajzat e Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk mund të na ndal më asgjë për t’i dhënë fund këtij mediokriteti që po merr peng të ardhmen e fëmijëve tanë. Dhe kushdo që sot mundohet të mbaj pushtetin në kurriz të familjeve tona, shumë shpejt do të përballet me zemërimin e një nënë, me zërin e gjysmës më të rëndësishme të shoqërisë që përmban një forcë të pashtershme për t’i ndryshuar gjërat një herë e mirë. Dëshiroj ta mbyll fjalën time, duke iu thënë se jam realisht krenare për të gjitha ju këtu sot në këtë sallë dhe për të gjitha ato vajza dhe gra, që nuk mundën dot të vinin, por që me zemër janë këtu. Jam krenare për vendosmërinë, pasionin dhe dashurinë që keni për këtë vend. Jam krenare që i keni bërë ballë çdo presioni politik duke rrezikuar edhe vendet e punës, edhe bukën e gojës vetëm e vetëm për të qenë këtu sot. Dhe unë kam bindjen se së bashku jo vetëm do punojmë për një Shqipëri më të mirë, por duke filluar nga sot ne nuk do të ndalemi më deri sa ta ndajmë politikën nga krimi dhe t’ia kthejmë Shqipërinë fëmijëve tanë, sepse e ardhmja i përket vetëm atyre.

Burimi: (integrimi.al/T.I)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al