Klajda Gjosha: Shtet që vepron në arbitraritet dhe ku mbështetja shoqërore është kthyer në shthurrje taksore!

Fjala në Kuvend e Deputetes së LSI-së, Klajda Gjosha

Diskutojmë sot mbi një marrëveshje që unë do ta quaja jashtëzakonisht të rëndësishme përsa i përket prekjes së problemeve konkrete me të cilat ndeshen shqiptarët jashtë Atdheut. Marrëveshja me Austrinë ka në thelb mbështetjen shoqërore dhe njohjen e pensioneve të të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Austri dhe që kanë hequr dorë nga nënshtetësia shqiptare si dhe të drejtat e përftimit në marrëdheniet e punës njësoj si një shtetas austriak.

Ky është një lajm i mirë për shqiptarët e Austrisë, por në të njëjtën kohë është e rëndësishme që marrëveshje të tilla të shtrihen në vende ku realisht numri i shqiptarëve është tejet i lartë si në Greqi dhe në Itali. Me të dyja këto vende ende qeveria nuk ka mundur të lidhë marrëveshje që shkon në interes të gjithë shqiptarëve që kanë jetuar dhe punuar me vite në këto vende. Mendoj që këta qytetarë kanë nevojë për mbështetje dhe respekt në rradhë të parë nga vendi i tyre e më pas nga vendi mikpritës. E them këtë sepse është detyrë e shtetit tonë të kërkoj me insistim marrëveshje të tilla që lehtësojne sado pak vështirësitë e shqiptarëve në botë. Besoj që ky duhet të jetë një prioritet për ne.

Argumenti i dytë me të cilën dëshiroj të tërheq vëmendjen tuaj është se institucionet tona fatkeqësisht kanë informacion të cunguar për personat që jetojnë në këto shtete, si edhe për të rikthyerit. Ende nuk ekziston një sistem apo një data bazë me të gjithë qytetarët që kanë të drejtën e përftimit nga kjo marrëveshje, që do të thotë se sërish përfitimet janë të pjeshme ose marrëveshja nuk mund të quhet e suksesshme për sa kohë ajo nuk përftohet nga të gjithë ata që e kanë këtë të drejtë por për arsye mos identifikimi nuk arrijnë dot të përfitojnë. Mendoj se është urgjente ngritja e sistemit të të dhënave si dhe informimi i të gjithë qytetarëve që targeton kjo marrëveshje apo marrëveshje të tjera të këtij lloji.

Bashkëpunimi ndërinstitucional me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Punëve të jashtme është i domosdoshëm, pasi kuptohet qartë që koordinimi dhe bashkëpunimi mes tyre lë shumë për të dëshiruar duke sjellë mungesë eficence, por edhe një shërbim të munguar për qytetarët shqiptarë.

Gjithashtu do të sugjeroja që implementimi i këtyre marrëveshjeve të ishte një tagër edhe i Agjencisë për Diasporën, e cila do të ngrihet së shpejti dhe që do të të ishte mirë të kishte në tagrin e saj edhe përkujdesjen për të gjithë problematikat me të cilën ndeshen shqiptarët në botë.

Emigracioni po kthehet çdo ditë e me shumë në një plagë shoqërore. Raporti i fundit i Bankës Botërore konstatonte se 1.05 milion shqiptarë jetojnë jashtë Shqipërie, një pjesë të integruar në vendet ku ata jetojnë, pjesa tjetër në kërkim të azilit, të gatshëm të flejnë edhe nëpër çadra dhe vetëm të mos kthehen në vendin e tyre. Unë mendoj që kjo është panoramë e trishtë që kërkon në mënyrë urgjente një zgjidhje sa nuk është vonë. Shqipëria rrezikon të mbetet vendi me popullsinë më të plakur, pasi rinia dhe brezi i mesëm, profesionistët po largohen me një shpejtësi marramendëse. Patjetër që kur qytetarëve i ofrohet një punë më e mirë, një mundësi më e mirë jetese ata kanë të drejtën të zgjedhin. Por ta pranosh këtë thjesht si një fakt pa bërë asnjë analizë dhe pa lëvizur as gishtin për ti dhënë atyre një shprese në këtë vend është e trishtueshme.

Në vend një qeveria të krijojë një strategji për t’i rikthyer shqiptarët në atdhe, për të thithur trurin sërish në Shqipëri, e quan largimin e tyre si një veprim normal. Ndërkohë që kostot që ne kemi nga mungesa e njerëzve të arsimuar dhe profesionistë ka filluar të ndjehet në çdo sektor. Aq sa t’ju them të vërteten uroj që mjekët në moshë të jetojnë pafundësisht sepse ne nuk dimë më se çdo të ndodhë dhe në dorë të kujt do të mbeten spitalet tona, jeta e fëmijëve tanë?

Por përtej kësaj marrëveshje kur dëgjon togfjalëshin “mbështetje shoqërore” mendja të shkon edhe te mbështetja që shteti duhet të japë për qytetarët që jetojnë brenda vendit. Më duhet t’ju rikujtoj situatën e përmbytjeve në Shkodër, e cila ishte në përmasa tejet të medha, duke rrezikuar jo vetëm bizneset, banesat, por mbi të gjitha jetët e atyre qytetarëve që iu desh të përballeshin shpeshherë edhe të vetëm me atë katastrofë natyrore. E kuptoj faktin që moti nuk është në dorë të qeverisë, por të ndihmosh qytetarët e tu, ti vizitosh ata dhe të vësh gjithçka në dispozicion të zgjidhjes së problemeve të tyre, mendoj se është detyrë e drejtë për drejtë e qeverisë.

Sot ka një numër të madh qytetarësh që nuk kanë më shpi për shkak të përmbytjeve, sot me dhjetëra biznese që ata njerëz i kanë për të ushqyer familjet janë detyruar të mbyllen, praktikisht janë shkatërruar. Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme do të ishte më e pakta që qeveria do duhej të bënte për ta. Mbi të gjitha shumë çështje përtej pjesës institucionale, janë njerëzore. Dhe duke parë qetësinë e qeverisë, por edhe mungesën e përkujdesjes është realisht shqetësuese.

Absurditeti vazhdon më tej kur flasim për mbështetjen shoqërore dhe sot nuk kemi gjë tjetër veçse shthurje taksore. Madje aq shumë taksa po rëndojnë sot në xhepat e çdo shqiptari sa po të bënim një llogari sot mbi 60% e pagave, mbi 60% e të ardhurave të biznesit shkon për taksat që janë bërë të pamundura të mbahen mend apo të numërohen sepse aq të shumta janë. Shumë prej tyre të fshehura në faturat e dritave, të ujit, të karburantit. Nuk mjaftojnë vetëm taksat qendrore, por sot barra më e madhe po qëndron në taksat e pushtetit lokal që po i marrin frymën qytetarëve çdo ditë. A thua se i vetmi shpëtim për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë janë taksat dhe gjobat?

Për cilën mbështetje shoqërore të flasim kur biznesi i vogël po shkon drejt falimentit për shkak të TVSH-së që po i vjen si dhuratë më datë 1 Prill? Po kjo nuk prek vetëm biznesin, pasi produktet që do tregtohen nga biznesi i vogël do të duhet automatikisht të pësojnë një rritje, që do të thotë se qytetarët do të duhet të paguajnë më shumë. Rritje pagash nuk ka, rritje pensionesh jo e jo, këtë e tregon edhe raporti i fundit i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimore në vitet 2016-2017, atëherë si mendoni se do të mund të rritet konsumi apo fuqia blerëse? Shqiptarët për fat të keq jo mbrojtje që nuk kanë, por janë duke u varfëruar çdo ditë. Pasojat që priten nga kjo taksë janë pikërisht mbyllja e mijëra bizneseve të vogla dhe qytetare që do të kërkojnë mbështetje sociale papunësie. Kjo do të rëndojë sërish mbi buxhetin e shtetit, mbi xhepat e gjithësecilit prej nesh.

Taksa e pronës është një tjetër vendim që rëndon mbi shqiptarët, aq më tepër kur pjesa më e madhe e tyre i duhet të punojnë gjithë jetën për të pasur një çati mbi kokë për fëmijët e tyre. Asnjë propozim nuk dëgjoni, asnjë mundësi nuk i jepni shqiptarëve të paktën të mos taksohen për shtëpinë e parë. Ju vetëm merrni vendime taksash sepse ju  intereson për të treguar se shteti ka të ardhura, por edhe këtë taksë nuk e di si do ta mblidhni kur ende ne sot nuk kemi një kadastër të plotë fiskale, siç u premtua që në katër vjeçarin që shkoi. Vlera e pronës është përcaktuar me çmim reference dhe të dhënat janë të cunguara. Dhe e dini çfarë sjell kjo? Pagesë më të lartë për qytetarët tanë!

Do doja shumë të flisja për një shtet social që jep mbështetje shoqërore të gjerë, por realisht nuk gjej asgjë që të më bëj sado pak të tregohem zemergjerë në këtë fjalë. Besoj që edhe heqja në mënyrë të padrejtë e 20.000 familjeve nga skema e ndihmës ekonomike e mbështet më së miri këtë që sapo thashë.

Përballë nesh kemi një shtet dictatorial. Kemi një shtet që po vret çdo ditë e më shumë ajkën e shoqërisë, shtresën e mesme, duke zgjeruar shumë hapësirën mes kupolës apo shtresës së pasur dhe mbi 80% të shoqërisë që çdo ditë e më shumë po merr epitetin e shtresës së varfër. Kemi një shtet që vepron në arbitraritet. Një shtet që ligjet i implementon me standart të dyfishtë. E pra vetëm mbështetje shoqërore e kam të vështirë të pres! Në fund të fjalës sime, unë do të doja shumë të falenderoja Fondacionin Doën Sindrome Albania, për organizimin në hyrje të Parlamentit për të na rikujtuar të gjithëve ne, që këta fëmijë dhe kjo pjesë e shoqërisë ka nevojë për mbrojtje, ka nevojë për më shumë mbështetje dhe mbi të gjitha ka nevojë për sensibilizim të madh shoqëror, që të gjithë bashkë ti shtrijmë dorën për ti shpëtuar ata në një mënyrë apo në një tjetër.

Ju faleminderit!

Burimi: (integrimi.al/T.I)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al