Klajdi Bogdanaj: “Rinia e Fierit shikon te LSI shansin për një të ardhme më të mirë në qytetin dhe vendin tonë”

”Më lejoni t’ju kujtoj se në Këshillin Bashkiak të Fierit, 4 nga 9 këshilltarë janë përfaqësues të Lëvizjes Rinore për Integrim. Jam i bindur se më shumë të rinj do të kenë shansin për të qenë pjesë në Kuvendin e Shqipërisë”, kështu ka deklaruar në një intervistë për gazetën “Integrimi”, Klajdi Bogdani, anëtari i këshillit bashkiak të Fierit, përfaqësues i Lëvizjes Rinore për Integrim. Sipas Bogdanit, të rinjtë e të gjithë Shqipërisë po i bashkohen LSI-së, sepse LSI krijon më shumë shanse për një arsim cilësor, më shumë shanse për punësim të sigurt dhe të mirëpaguar, më shumë shanse për një familje më të shëndetshme. “Krijojmë shanse që të rinjtë të mos braktisin vendin, krijojmë shanse që Shqipëria i ka humbur në këto 26 vite tranzicion”, thekson ai.

 

Intervisa e plotë:

Klajdi, LRI zhvilloi një aktivitet madhështor pak ditë më parë në ‘Asllan Rusi’, ku mijëra të rinj nga e gjithë Shqipëria ishin të pranishëm. Kishte dhe qindra të rinj nga Fieri. Cila ishte përshtypja që të la ky takim?

Besoj se ishte një nga takimet me emocionuese të Lëvizjes Rinore për Integrim. Solidariteti, energjia pozitive, puna në grup, idetë e qarta për të ardhmen, bëjnë që rinia fierake, ashtu sikurse gjithë rinia shqiptare, të bashkohen me LRI, për të pasur shansin që të jenë në ritmin e bashkëmoshatarëve tanë evropianë.

LSI ka bërë publik programin e saj për arsimin “Edukim cilësor, familje e shëndetshme”. Cilat janë problematikat që has arsimi në Fier dhe si do të ndikojë aplikimi i programit të LSI-së për përmirësimin e situatës atje? Cilat janë pikat kryesore?

Të gjithë e dimë që Matura Shtetërore vitin që shkoi ishte një kaos për çdo të ri. LSI ka një program të qartë për zhvillimin e arsimit, duke filluar nga çerdhet, kopshtet, shkollat 9-vjeçare, gjimnazet e deri në universitet. Asnjë i ri nuk duhet të endet rrugëve, apo të harxhojë kohën në lokale, duke qëndruar parazit për vete dhe për shoqërinë. LSI mendon se arsimi i detyruar në Shqipëri duhet të jetë nga arsimi parashkollor deri në moshën 18-vjeçare. Në Fier, si në çdo qytet tjetër, hasen probleme të shumta. Në disa nga shkollat studiohet ende me orare me turne, në disa të tjera mungojnë laboratorë, si dhe mjetet e tjera bazë. Për të mos folur mbi sistemin e ngrohjes, apo numrin e lartë të nxënësve në një klasë. LSI beson se investimi në arsim duhet të fillojë me rikonstruksionin e çerdheve, kopshteve e shkollave, sistemin e ngrohjes, pajisjen e shkollave me laboratorë, ndërtimin e shkollave të reja me qëllim eliminimin e studimit me orare me turne, si dhe uljen e numrit të nxënësve në klasa. Megjithatë, në Fier dallohet një orientim i të rinjve drejt arsimit profesional. Dhe LSI e shikon emergjente studimin e tregut të punës, kërkesat që ka ky treg, me qëllim ngritjen e shkollave profesionale, hapjen e kurseve për trajnim më të detajuar e cilësore për t’u përshtatur më shpejt në tregun e punës, për të pasur një punë të mirëpaguar dhe një familje të shëndetshme.

Duket që në LRI çdo ditë e më shumë dynden të rinjtë nga e gjithë Shqipëria. Pse ndodh kjo sipas jush? Cili është ky mesazh që përcjell LRI dhe e bën kaq të dashur për të rinjtë shqiptarë?

Ky është një fakt i patjetërsueshëm dhe aspak befasues për mua, sepse në LRI të rinjtë kanë një shans për të shprehur talentin dhe idetë e tyre. Sepse në LRI mësojmë të punojmë në grup, të jemi me bashkëpunues, të jemi tolerantë dhe të besojmë në ëndrrat tona. Sepse në LRI, ne nuk jemi fasadë, por vendimmarrës.

Cili do të jetë roli i të rinjve në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, veçanërisht në Qarkun e Fierit. A do të jenë më shumë të rinj në Kuvendin e Shqipërisë, pas këtyre zgjedhjeve?

LRI-a është zemra e Lëvizjes Socialiste për Integrim, që pompon çdo ditë energji pozitive të pashtershme, ide inovative dhe zoti Meta e ka treguar mbështetjen dhe besimin që ka te rinia. Më lejoni t’ju kujtoj se në Këshillin Bashkiak të Fierit, 4 nga 9 këshilltarë janë përfaqësues të Lëvizjes Rinore për Integrim. Jam i bindur se më shumë të rinj do të kenë shansin për të qenë pjesë në Kuvendin e Shqipërisë.

Ti je dhe përfaqësues i LRI-së dhe LSI-së në Këshillin Bashkiak të Fierit. Cili është roli që keni luajtur gjatë këtyre viteve në këtë detyrë? Ka pasur nisma konkrete në shërbim të rinisë fierake?

Duke nisur që në mbledhjen e dytë në Këshillin Bashkiak, ne kemi ngritur shqetësimin e klubit të basketbollit për femra (shpeshherë kampion Shqipërie) që fatkeqësisht u shpërbë për mungesë fondesh nga Bashkia. Gjithashtu, kemi shprehur me shqetësim problemin e akademisë së të rinjve në klubin e Apolonisë. Fieri është një qytet i madh dhe me shumë talente, por një fëmijë që ka talent është i detyruar të paguajë një tarifë prej 60 euro në muaj për të qenë pjesë e akademisë. Me shumë keqardhje më duhet ta pranojë që të dyja këto shqetësime, nuk kanë gjetur zgjidhje.

Një çështje që LSI e ka mbrojtur fort dhe ka pasur një rol protagoniste në Këshillin Bashkiak të Fierit ishte ajo për impiantin e mbetjeve. Cili ka qenë konkretisht ky rol dhe pse është kjo një çështje prioritare për ju?

Kjo është një çështje prioritare për ne, sepse fusha ekzistuese e mbetjeve është vërtet një problem shqetësues për të gjithë qytetin. Si grup këshilltarësh, kemi kërkuar dhe po kërkojmë transparencë, lidhur me projektin e këtij investimi dhe mbi të gjitha përfshirjen e Këshillit Bashkiak në këtë projekt. E kemi kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë transparencë bazuar në ligj, pra transparencë me qytetarin.

Cili është mesazhi yt për të gjithë rininë e Fierit. Çfarë duhet të bëjë një i ri apo e re në këtë moment kaq të rëndësishëm për Fierin dhe për të gjithë Shqipërinë?

I ftoj të gjithë të rinjtë e Fierit, por edhe gjithë rininë e Shqipërisë të bashkohet me LSI. Të bindur se duke i dhënë një shans LSI dhe zotit Meta për të drejtuar Shqipërinë, krijojmë më shumë shanse për një arsimim cilësor, më shumë shanse për punësim të sigurt dhe të mirëpaguar, më shumë shanse për një familje më të shëndetshme. Krijojmë shanse që të rinjtë të mos braktisin vendin, krijojmë shanse që Shqipëria i ka humbur në këto 26 vite tranzicion. Krijojmë shanse që gjithë idetë, energjinë, dëshirën e vullnetin t’i vëmë në zbatim këtu në atdheun tonë të dashur. Dhe shans do të thotë pjesëmarrje e të rinjve në politikë, kontribut, ide, zhvillim, bashkëjetesë, bashkëpunim, respekt, komunikim, atdhedashuri.

Burimi:( gazeta integrimi / E.S ) 

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al